back to top
14.5 C
Tirana
E mërkurë, 18 Dhjetor, 2024

Pashko Gjeçi, Princi shqiptar n’oborrin mbretëror të Dantes

Gazeta

Profesor Pashko Gjeçi 2008 (ndër fotot e fundit)
Profesor Pashko Gjeçi 2008 (ndër fotot e fundit)

Pashko Gjeçi,

Princi shqiptar në oborrin mbretëror të Dantes

Dr. Moikom Zeqo (Koha Jonë 2006)

Përkthimi mjeshtror i Dantes, është bërë nga i mrekullueshmi dhe i thjeshti i madh, i vetmuari i thekshëm, Pashko Gjeçi. Princi shqiptar në oborrin e kulturës moderne evropiane.
Kryqëzata e Dytë në Jeruzalem. Një kalorës kryqezohet. Ky qe katërgjyshi Kacaguida, kalorës i Perandorit Konrad. Kështu e rikujton Dante. Katërgjyshi ndërmjet emrit të gruas së tij Aldigiera, arrin në vijë gjenealogjike ndërmjet Aligieros, Belincones dhe Aligieros II, tek Dante. Dante lindi nga Alighero Aligheri, i martuar me Belen (familje Abati) në Firenze. Kjo histori paraprijëse, është përcaktuese. Dihet se kalorësit e Kryqezatës së Dytë, kaluan edhe nga Durresi. A mundet vallë të jetë fiksuar vështrimi i paraardhësit të Dantes në muret kështjellore të Durrësit? Këtë shkenca ende s’mund ta thotë…

***
Dantja dhe Shqipëria. Temë ngulmuese, optike e thugët, magmë marramendëse e realitetit dhe fantazisë. Në shekujt XI-XII, në brigjet adriatikase të Durrësit, sulmuan normanët detkapërcyes, kryqëtaret. Në shekullin XIII, i cili është edhe shekulli i Dantes, Karli I Anzhu, krijoi Regnum Albaniaie, Mbretërinë Shqiptare me kryeqytet Durrësin. Ndërkohë, në tokën shqiptare kemi disa dëshmi poetike të hatashme, tronditëse. Në Ballsh, varroset kalorësi Robert Monteforti, Nëndukë i normanëve. Në monumentin mortor të tij, është skalitur një poezi mortore me 14 vargje latine, të quajtur “vargje leonide”. Epitafi poetik, përfundon:

“O Robert,/ Të dhëntë ty,/ Mbreti i Parajsës,/ Gëzimet e veta!”

Ky kalores i famshëm, mendon për portën e Parajsës, ashtu si edhe vetë Dantja më vonë do ta kishte Parajsën epilogun e veprës së vet poetike. Në shekullin e Dantes, një dijetar dhe piktor shqiptar Isidor Mele, shkruan me vargje, me jambe, një epitaf metrik për vëllain e vet të vdekur, Arkimadrid, që ishte varrosur në kishën e Shën Andreas, në Arbanon, në Durrës. Edhe kjo poezi, mbaron me Parajsën. Këto dëshmi poetike, s’duhen marrë të shkëputura nga romani kalorsiak poetik në frëngjishten e vjetër “Florimont” të poetit Amon de Varanezes. Shëmbëlltyrat na udhëheqin, krijojnë lidhje sado të brishta, por gjithsesi të ndritshme në shekullin e Dantes. Nuk duhet harruar se shekulli i Dantes, është edhe shekulli i shtetit të parë shqiptar, i njohur si Shteti i Arbrit.

Moikom Zeqo
Poeti Moikom Zeqo

***
Faik Konica ka një tezë të guximshme, por edhe logjike. Ai është shprehur se ka mundësi që gjuha shqipe të jetë shkruar si gjuhë kulturë, në kohën e normanëve, të anzhuinëve, në shekullin e Dantes.

***
Dantja është emri Rubikon, ku hepohen, bashkohen dhe bigëzohen mijëvjecarët. Ku epokat përplasen, rilindin konturet madhëshore të një Evrope të re. Dantja i paraprin aksionit përkthimor në gjuhët amtare të Martin Luterit dhe të Gjon Buzukut.

***
Në kryeveprën e Dantes, ka motive që lidhen me Shqipërinë. Unë kam shkruar disa herë, por substanca është e vështirë dhe hulumtimi kërkon mund. Dantja përmend qytetin e Durrësit, peshkatarin e varfër, por trim, Amilkapin, i cili guxoi të çonte në detin e tërbuar stuhitor vetë Jul Cezarin. Dante përmend një Guido Monteforti, mëkëmbës i Karlit I Anzhu, në Toskanë. Ndoshta me lidhje gjinore me Robert Montefortin e vdekur në Ballsh. Vetë Karli I Anzhu, por edhe Robert Guiskardi i normanëve, që ka sulmuar Durrësin, janë caktuar në Ferr nga Dante.
Në këngën e 32 të Ferrit, Dantja përmend Mali i Tambernikut. Studiuesit dantologë, e konsiderojnë vendosjen gjeografike të këtij mali në Ballkan. A nuk është i përafert si morfologji e fjalës emri i Tambernikut me emrin e malit të Shebenikut? Nuk mund të hamendësojmë, por le t’i gostitim me një motiv entuziastët.
Dante ka vendosur në Ferr edhe Papën Anastasi II, i cili ka përkrahur herezinë e Fotit të Kostandinopojës, i cili njihte vetëm natyrën njerëzore të Krishtit. Këtë herezi, e përkrahu edhe perandori i Bizantit, Anastasi I, i cili ka lindur në qytetin e Durrësit. Kështu gërshetohet historia e Shqipërisë, shumë motive të saj janë ngërthyer në Ferrin dantesk.

***
Të gjitha këto persiatje të miat, janë modeste, por jo pa këndellje. E rëndësishme është që në rininë time të hershme, si të gjithë shqiptarët, e kam njohur kryeveprën e Dantes, nga përkthimi mjeshtëror i te mrekullueshmit dhe të thjeshtit të madh, të vetmuarit të thekshëm, Pashko Gjeçit. Ai është i vetmi, ai është princi shqiptar në oborrin mbretëror të Dantes, që është oborri i kulturës moderne evropiane, pra edhe shqiptare.

***
E kam njohur Pashko Gjeçin në vitin 1969, në një kafene pranë Lidhjes së Shkrimtarëve. Po pinte kafe me Llazar Siliqin. Tepër modest, ai vetëm heshtte. Heshtja ka qenë profesioni më i madh dhe stili më paradoksal, por edhe më i mrekullueshëm i Pashko Gjeçit. Këto vitet e fundit, kam shkuar shpesh në shtëpinë e tij të vogël, ku jeton me Nezon, gruan. Para dy ditësh, shkova prapë në shtëpinë e përkthyesit të përkorë. Së bashku me dy poetë të rinj, Azem Qazimin dhe Mark Simonin. Pashko Gjeçi, ishte shtrirë në shtrat. Megjithatë, u ngrit. Mbante në kokë një kësulë, që për një ngjashmëri të hatashme, më kujtoi kësulën që mbante edhe i ndjeri përkthyesi i madh Gjon Shllaku, homeriku i fundit. Qëllimi ishte të shkruaja gjithçka për këtë të harruar, ose kinse të harruar. Pashko Gjeçi, është 86 vjeçar, por refuzon të jetë një patriark. Ai hesht si gjithmonë, e di që të tjerët do të flasin për të. Ka një portret madhështor, mirësia i ka skalitur tiparet e tij. Çuditërisht, duket më i ri. Ka një sklerozë, nuk i kujtohen shumë gjëra.
Pyetjeve u përgjigjet shkurt, me një humor të lehtë, madje edhe me një humor ndaj vetes. Në të gjitha takimet e fundit që kam patur me të, më ka tronditur kjo sklerozë, gjë që nuk dua ta besoj, madje me duket se ky njeri i hatashëm, i koracuar në vetminë e tij të pashëmbullt, kinse bën sikur ka harruar gjithçka. Harresa është një metaforë e tij. Njëlloj misteri i mbijetesës.
Se Dantja thotë: “Qual io fui vivo tal son morto” (Si qeshë i gjallë, jam edhe i vdekur). Por vdekja është përjashtuese. Konvencioni i saj, pluhorizohet. Orët megjithatë lëvizin, por unë besoj tek koha eterne. Në substancën e kohës, është skalitur portreti i Pashko Gjeçit.

Komedia Hyjnore... Kopja e autorit
Komedia Hyjnore… Kopja e autorit (e dhuruar)

***
-Kam ardhur të shkruaj një shkrim për ju…
-Nuk e dëgjova mirë, ç’asht kjo kripë?
-Jo kripë, por shkrim.
-E pse duhet ba nji shkrim për mu!? A ta ndez edhe unë nji cigare? Gruaja nuk më le të pi cigare. Njerëzit tymojnë, tymi është tym. Megjithate, një nga kënaqësitë e pakta të njeriut, është edhe nikotina. Lëkurëkuqtë e Amerikës, na e dhuruan duhanin.
-Dantja nuk ka pirë duhan.
-Po nuk kishte lindur akoma Kristofor Kolombi.
-Profesor, si ndiheni?
-Të tana sëmundjet, i kam mbledh në veten time dhe dua edhe sëmundjet tuaja, t’i mbidhja unë. Megjithatë, jetoj.
-Megjithëse të kam pyetur shpesh për Danten, dua të të pyes prap. I kam thënë ç’kam thënë për Danten, tani nuk kam ma fjalë.
-Po veprat që të kanë mbetur në dorëshkrim?
-Kam përkthyer Hamletin dhe Faustin. Dorëshkrimet i ka Brikena Çabej. Mos vallë i ka botue? Unë nuk di asgja!!
-I kemi mbledhur poezitë e tua që ke shkruar në rini. Si edhe disa përkthime që ke botuar tek revista “Cirka”. Duam t’i botojme bashkë me Azemin, i cili i ka mbledhur.
-A thua vlejnë?
-A mund t’i botojmë?
-Oh, mund të bani ç’ka të doni me to.
-Po me dorëshkrimet e Erasimit dhe të Shatobrianit?
-Duhet të jenë diku, gruaja i di se ku janë. Unë nuk e di se ku janë.
-Cilët nga poetët ke njohur gjatë jetës?
-Nuk kam qenë shumë i shoqnueshëm. Kam njoftë Gjergj Fishtën, Mark Ndojën, Nexhat Hakiun, Arshi Pipën, Migjenin, Mjedën, nuk di, a rrojnë a jo ma?
-Po poetin Gaspër Palin, e ke njohur?
-E kam njoftë, e kam njoftë.
-Kush të ka ndihmuar më shumë për botimin e kryeveprës së Dantes?
-Dihet, vetëm Llazar Siliqi. Ishte miku im.
-Ka qenë kjo një punë kolosale. A je identifikuar ndonjeherë me Danten e para 7 shekujve? Si situatë, si gjendje?
-E kam përjetue Danten. Kam jetue në shekullin e tij. Me nji ndryshim. Unë pi duhan dhe ai s’mund të pinte duhan…
-Keni patur një jetë të veështirë, paradoksale. Përjetimi i tmerrshëm i burgimit, si ka ndikuar?
-Pa dyshim, në përkthimin e Ferrit, përvoja e burgimit, e pati kështu, diçka pozitive në punën time. Tensioni i ndjenjave, arrin të lidhet në krijimin e Dantes.
-A mendoni se kryevepra e Dantes, mund të përkthehet në gjuhën letrare?
-E pse jo? Nuk janë fjalët që e përbajnë krijimin. Asht talenti që i lidh fjalët.
-A nuk mendoni se italishtja, është një nga gjuhët më kumbuese dhe më të kthjellta?
-Vetëkuptohet, asht bija e kjartë e latinishtes. Në fillim, mendohej si nji gjuhë vulgare, por ajo ishte e ardhmja.
-A ka ndryshuar italishtja letrare, gjuha e Dantes? Kanë kaluar 7 shekuj, ose 8.
-Nuk ka ndryshue shumë.
-Në të vërtetë, gjuha e Gjon Buzukut, ka ndryshime me gjuhën letrare shqipe. Shqipja ka ndryshue ma shumë.
-Dantja ishte autoriteti ma i madh i gjuhës. Dantja i dha Italisë gjuhën e parë letrare të botës. Shumë shekuj ma parë sesa të tjerët, të krijonin gjuhët letrare, fjala vjen edhe në Francë, në Gjermani apo në Spanjë.
-Ç’të ka munduar më shumë gjatë përkthimit?
-Ritmi i vargut. Dantja ka dy ritme, 4, 6, 10 dhe 4, 7, 10. Duhet t’i respektoja. Por ma e tmerrshmja, asht përputhja e rimave.
-A përdor Dantja rimat foljore?
-Shumë pak.
-A do të donit ta ripërkthenit prapë Danten?
-Pse?
-Ju viziton ndonjë njeri?
-Oh, është nji vajzë e vogël, 4 vjece. Quhet Karina. Asht vajza e fqinjit, Kujtim Bashës. Ajo vjen çdo ditë në shtëpi, dhe më thotë duke numëruar me gishta: “Gjyshi, ke pirë 7 cigare”. Më gëzon, më gëzon.
-A të rikujtohet Italia?
-Qyteti i Romës, sidomos.
-Si kanë qenë vajzat e Romës?
-Ndoshta ma të bukurat në botë.
-Po edhe ju keni qenë nji djalosh i bukur shqiptar.
-Çka, çka.
-Keni qenë të varri i Dantes?
-Nuk më kujtohet.
(Ndërhyn e shoqja, Nezoja: Po ke qenë more Pashko, ke qenë, shpesh ke qenë).
-Ashtu?
-Keni qenë edhe në Ravenë, ku ju dhanë edhe një çmim të madh si një nga përkthyesit më të shquar të Dantes në botë.
-Po më duket… Mbase.

Profesor Pashko Gjeçi dhe e shoqja Nezaqeti
Profesor Pashko Gjeçi dhe e shoqja Nezaqeti

***
Nuk kam takuar kurrë një njeri që të ketë një kod komunikimi kaq të sinqertë, të hapur dhe njëkohesisht kaq të mbyllur. Nga viti në vit, gjatë takimeve të mia me të, kam venë re qe ai është bërë më i heshtur, kinse është skllavëruar krejtësisht nga skleroza. Dhe kush? Ky kryemjeshtër i kujtesës. Ky kryemjeshtër që bëri të mundur si askush tjetër në Shqipëri, që ne të njohim edhe një Dante shqiptar. Në takimet e mëparshme, Pashko Gjeçi, ishte më i mirë në mendime. Në shënimet e mia, kam skicuar gjithsesi jo shumë të dhëna.
Pashko Gjeçi, lindi në qytetin e Shkodrës, në lagjen Arra e Madhe. Në vitin 1938, fitoi një burse studimi për në universitetin “La Sapienza”. Bursa ishte shumë e vogël, mezi përballonte nevojat e jetës. Studioi në Fakultetin e Filozofisë, në të ishte edhe Kolë Ashta, Lazër Radi dhe Luigj Ljarja. Kishte botuar një esse që kur ishte në bankat e Liceut të Shkodrës për Gjergj Fishtën. Kur u botua shkrimi, ia çoi Gjergjit në studion e tij. Gjergj Fishta pyeti: “Kush është ky qe paska shkruar edhe per mua?” Djaloshi Gjeçi, rrinte larg, plot druajtje.
Poeti Fishta tha: “Ai teshi (grimca) atje paska shkrue gjithë kët artikull?”. Në 1942, Pashko Gjeçi, mbaroi studimet dhe u kthye në Shqipëri. Punoi si mësues i letërsisë dhe i latinishtes në gjimnazin e Shkodrës. Në 1947, u arrestua barbarisht, u dënua me 5 vjet burgim, që i kaloi në Durrës dhe në Kënetën e Maliqit. Pastaj, u rikthye në qytetin e Shkodrës, ku punoi në punë të rëndomta krahu. Dhe pas 2-3 vjetësh, shkoi dhe filloi punë në një nga shkollat 7 vjeçare të zonës. Këtu ky njeri i drojtur, iu rikthye përkthimit. Kur e mbaroi kryeveprën e Dantes, kujton: “4 vargjet e fundit, i kam përkthyer në një ditë të shtunë, rreth orës 4 të mëngjesit, kur i mbarova, m’u duk se u hap dera dhe nga dhoma ime doli Dantja… dhe me la vetëm”.

***
Të rrallë janë njerëzit në këtë botë si dhe në Shqipëri, që kanë bërë një sfidë kaq të madhe. Pikërisht në një botë të mbyllur me mure, në një udhëkryq tragjik, ky njeri hapi dritaren e madhe të Dantes. Në këtë mënyrë, ai u bë i pavdekshëm, si vetë Dantja. Nuk e bëri këtë gjë për t’u hakmarrë, nuk e bëri këtë gjë për të treguar fuqinë e tij, po fuqitë e shpirtit, shkatërrojnë edhe ndërtojnë gjithçka. E bëri veprën e tij të jetës, dhe heshti. Më thoni ju lutem, përse heshtje?
A nuk është një tipar i rendomtë i shqiptarëve, për fat të keq, mburrja? Ai kishte arsye të pretendonte, ai ishte Dikushi. Ndërsa të tjerët, që janë askushi, kanë privilegj mburrjen e pafund. A nuk është kjo shëmbëlltyrë morali dhe dinjiteti, një ujë i ftohtë për kokat e nxehta dhe të marra të shqiptarëve? Shqipëria e VIP-ave, nuk është Shqipëria e Pashko Gjeçit, madje as e Dantes. Por Shqiperia e vërtetë, po.

***
“O voi, che per via l’amor passate!” (O ju, që nëpër udhën e dashurisë kaloni!) Këtë varg të mrekullueshëm të Dantes, e citonte shpesh Ezra Paund. A nuk tha edhe Krishti që “Une jam Udha”? Udha e dashurisë, e pati një udhëtar të madh, trim dhe të paperkulshëm. Me një mençuri fisnike dhe të paepur. Me një vizionarizëm të pafrikshëm. Ky ishte Pashko Gjeçi.

***
“Le gente che per li sepolcri giace,/ potrebbesi veder?”
Këto vargje tingëllojnë në shqip kështu:
“Këtë njerëzim të shtrirë pranë arkivolit, vallë a më lejohet ta kqyr?”
Kriza shpirtërore e botës dhe e Shqipërisë, na shtyn të mendojmë për fatin dhe të ardhmen e njeriut. Atë që e ka thënë Dantja, habitërisht mund ta themi edhe ne.

***
Gjatë bisedave me Pashko Gjeçin, e kam pyetur shpesh për poetin Arnaut Daniel, që ka shkruar në gjuhën e Provansës. Është i vetmi poet që Dantja ia citon një vjershë të plotë në Komedinë Hyjnore.
Madje edhe vargu “Ieu sui Arnaut, que plor e vau cantan” (Jam Arnauti që qan dhe shkon duke kënduar). Më ka bërë përshtypje të madhe. Përse quhej me emrin Arnaut? Pashko Gjeçi, gjithmonë ka qenë i matur, i heshtur, por jo në mëdyshje. “Nuk e di, nuk e di”.

***
Dante Aligeri, Firencen e paraqet te Kënga 31 e Parajsës, si “tokën e tij të mbrapshtë”, teatër të aventurës dhe të korrupsionit. Nën lenten e pasionit të tij, Dantja shprehet ashpër për Firencen. Vetëm në këtë mënyrë, e deshi pafundësisht dhe marrëzisht. Studiuesi Robert Mërkuri flet për rindërtimin e kohës jolineare, por ciklike “Për Danten është detyrë e poezisë të rindërtojë përsëritjen ciklike, e shkuara përben rezervuarin e vlerave pozitive, që duhet teë bashkëpërcaktojë të ardhmen, që i kundërvihet antivlerave të së tashmes”. A nuk mund të reflektojmë edhe në shqiptarët diçka më të arsyeshme dhe thjeshtësisht me të vërtetë në këtë pikë?

***
Pashko Gjeçi, ky prind shqiptar, do të vërtitet përherë në oborrin mbretëror të Dantes. Në fund të bisedës, e pyeta: “Po sikur të ringjallej Dantja?” I harruari i madh, buzëqeshi: “Ndoshta, ndoshta do të bisedonim për ato gjëra të cilat unë nuk mundja t’i bëja dot më mirë”. AMEN.
(Koha Jonë, e diel, 12 Mars, 2006)

Related Images:

More articles

4 KOMENTET

  1. E shkëlqyer!!
    Por mendoj se viti i lindjes së përkthyesit është shënuar gabim (kërkoj ndjesë në rast se e kam gabim). Në të njejtën kohë që lexova këtë shkrim, sërish tema e ditës është çeshtja e devijimit të lumit Radika në Maqedoni, dhe një ndër pasojat më negative të këtij projekti është edhe shterrja e burimeve natyrore që ushqehen nga ky lumë. Ç’paradoks: përgjatë diktaturës komuniste sa nga këta… i’u ndryshua drejtimi (u burgosën ose u ndalua leximi i vepërë së tyre). I imagjinoni dot pasojat Natyrore dhe Ekologjike të Mendimit Shoqëror Shqiptar????


  2. Sa mirë me shkrujtë për njerëz të mëdhenj. Pashko Gjeçi identifikohet me Danten. Shqiptarët duhet të dinë kë të respektojnë e të kujtojnë çdo herë. I miri emër i Pashko Gjeçit e meriton, pse është prej të parëve!

  3. Një intervistë origjinale… Jetova me Pashkon dhe Nezon shumë vite dhe pata fatin që më ndihmuan të rris djalin e vogël, Kristin! U treguan të gatshëm gjithmonë, në çdo moment që u kërkoja ndihmë… Tani e kuptoj se sa herë Pashko më fliste për latinishten, për Faustin, Danten, unë e dëgjoja me pak vëmendje… sot e kuptoj sa pak rëndësi u kam dhënë atyre diskutimeve intelektuale… Pashko me durimin, ironinë, mençurinë, butësinë dhe Nezo si gruaja më e përgjegjshme, e gatshme dhe gojëmbël… Ishin kopie fantastike.. Pashko ishte i lumtur kur pinte verë dhe duhan, se thoshte edhe Dante e pinte verën, pse mos ta pi dhe unë.. Më mungojnë shumë…

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.