Me 20 gusht të vitit 1969, Bilal Xhaferri shkoi në fshatin Ninat dhe pas 3 ditësh,
me datë 23 gusht ditën e shtunë 1969, ai u largua jashtë dëshirës së tij nga atdheu.
U largua me rastin e Festës së Hoxhës, (Festa e Bogazit) një festë e madhe
që bëhej dikur në vendin që sot quhet Livadhia.
Ai u largua drejt kufirit nga shtëpia e së motrës së tij, Antikas.
Ky që paraqesim është një dorëshkrim i tij në momentin kur ai kaloi kufirin.
Këtë muaj u mbushën 50 vite që prej shkrimit të kësaj flete.
.
Pasi kalova kufirin…
nga Bilal Xhaferri
Ishte fundi i prillit, një ditë e bukur me atë diellin pranveror, ku çdo gjë duket e qeshur e lulëzuar, përveç zemrave dhe fytyrave të atij populli të varfër dhe të rraskapitur. Tamam në atë dite të bukur pranverore mora rrugën e arratisë. Mbas kaq mundimesh dhe vuajtjesh në kufi me patrullën ushtarake e kalova kufirin dhe ja tani i dorëzohemi një shteti që e urrenim më tepër se çdo gjë tjetër për çfarosjen e racës çame. Kështu e sjell koha që t’i thuash derrit dajo.
Pasi u futa në tokën greke, duke rendur e duke vrapuar nga frika e patrullës ushtarake se mos më gjurmonin nga mbrapa, u pengova dhe u rrëzova buzë një përroi duke u shtrirë sa gjatë gjerë para 2 shkurreve të cilat u tundën nga rrënja. I shtrirë aty pa pikën e fuqisë rri e mendohem.. Deri tani çdo gjë më shkoi së prapmi, sa më tepër që qetësohesha aty aq më tepër i ndjeja dhimbjet e trupit që isha goditur e gërvishur dhe sa më tepër ftohesha e qetësohesha aq më tepër më dhimbnin gjymtyrët. (fq. 1)
Këto janë të mirat që ka sjellë partia dhe pushteti me xhaxha Enverin në krye. Këtyre të mirave e virtyteve u thërrasin urra, urraa oburra të ndërtojmë socializmin me forcat tona! Cilin socializëm? Me çfarë force? Të pangrënë e të paveshur.. Me çfarë force? kush kishte mbetur jashtë listave e apeleve të kampeve të përqëndrimit, burgjeve dhe punës së detyruar. Si ndërtohet socializmi kur polici me ushtarin të rrinë me automatik mbi kokë.
Tani e di fare mirë që tani jam i lirë, larg duarve të partisë e duke e parë veten time nga ana tjetër e telit me gjemba kam mjaft kohë të rri e të mendohem.
Kjo ishte liria që ju premtua popullit në kohën e luftës kur unë ende nuk kisha lindur. Kjo ishte barazia që do sillte partia duke ja marrë tokën atij fshatarit dhe duke i folur kulak, gjakpirës, bajazit. etj etj. Çfarë ndodhi në këtë moment? Erdh vëllavrasja, filloi urrejtja te njeri-tjetri se ju dha toka atij fukarasë, dembelit, atij që s’dinte t’i vente zgjedhën kaut apo kalit, dhe që u gjend i ngarkuar me toga të rënda. (fq. 2)
Dhe prap kthehemi te vuajtjet e jetës në komunizëm. Duke më kaluar në mendje brohoritjet dhe duartrokitjet “Rroftë partia”, “Rroftë Enveri”. Pse vallë? Çfarë bëri Enveri me Partinë? Kush ishte Partia? Me se u krijua kjo Parti? Kush ishte Enveri? A nuk ishte Enveri me parti që vret e pret dhe rron me gjakun e njerëzve të pafajshëm, e bëri popullin shqiptar rob të partisë së tij. E torturuan e munduan, e shtypi e shkretoi, i kalli tmerrin në zemër edhe fëmijës së djepit. Prishi virtytet shqiptare e kombëtare duke e bërë vendin një varr me kufoma të gjalla. E bëri spiunllëkun si punë të ndershme. Ka varrosur dhe vazhdon të varrosi sot e kësaj dite burra, gra, fëmijë në kampet e përqëndrimeve, në moçalet dhe kënetat e Myzeqesë. E bëri popullin rob në vendin e vet, në vatrën e tij. Shkatërroi traditat shekullore të burrërisë, prishi fenë, familjet, besën dhe nderin duke i zëvendësuar ato me ateizëm, me frikë, me spiunllëk, me tradhëti me turp, etj. Ky ishte përparimi që bëri komunizmi në vendin tonë. (fq. 3)
.
Vallë a ka mundësi që historia të tregojë se në Shqipëri toka polli vezë, lesh, mish, djath, etj?
Ku mund t’i gjente fshatari ato qoftë i pasur qoftë i varfër.
E më vonë o burra në kooperativa bujqësore, çdo gjë është falas, bashkohuni në kooperativë. E populli i mërzitur ja dërgoi menjëherë duke menduar se do të gjente një sistem më të mirë. Atëhere e panë dhe po e shohin me sytë e tyre të zinjtë e ullirit duke u bërë robër në pronën e tyre. Duke mos ditur se ishte ditë e djelë apo ditë e hënë, ditëve të pushimit nuk u dëgjohej emri gjakundi. Ky ishte komunizmi, kjo ishte partia mbi të gjitha, që na vuri zjarrin e që na kalli tmerrin. Ju trembëm vëllait, nënës, babait, shokëve e miqve se mos na jepnin te Partia.
Këto ishin proverbat e Marksit-Engelsit puno brenda mundësive, paguhu brenda nevojës.
Dhe tani rri i shtrirë këtu në pyllin e Çamërisë që është zaptuar me forcë nga greku. I dërmuar, i frikësuar e i vetmuar mendoi të ardhmen si? Ku? Çfarë do bëj? Si do më përfundoj jeta të gjorit?
E mblodha veten e u ngrita…
Ndihem i vetmuar larg gjirit të Atdheut. (fq. 4)
.
Marrë nga muri i Fb i Bilal Xhaferrit https://www.facebook.com/bilal.xhaferri.12/posts/716590842086543