back to top
2.5 C
Tirana
E enjte, 19 Dhjetor, 2024

Pasqyrat… – nga Artan Kafexhiu

Gazeta

Artan Kafexhiu
Artan Kafexhiu

Pasqyrat…

nga Artan Kafexhiu

Jeta jonë nga çasti në çast, prej pasqyrash është rrethuar. Një shenjë e dallueshme e të përditshmes sonë moderne. A është kjo një mallkim apo bekim ardhur prej ditëve të herëshme të Narçizit?
Ndoshta e kanë gjykuar mirë tributë primitive, kur i frigoheshin imazhit të vet në pasqyrën e parë fluide natyrore ndër pellgjet ujore. Ngjante sikur imazhi i reflektuar në ujin e palëvizshëm i burgoste qenien, i mbante të lidhur shpirtin, i shtërngonte në një vetgjykim të detyrueshëm.
Përpiqem të imagjinoj se si mund të ishte një botë, ku nuk do të kishte pasqyra, të mos kishte mundësi të shihje imazhin tënd fizik. A do të ishte një opcion i pëlqyeshëm, i pranueshëm, të mund të shihje veten vetëm nëpërmjet syve të tjera, si të shihnin të tjerët, e reagimeve të tyre. E vërtetë, a nuk të kufizon botën pasqyra fizike, duke u përpjekur kaq shumë, të biesh në paqe fillimisht me veten?
Mjafton me kthy kokën, e kudo mundesh me pa imazhin tënd të reflektuar në pasqyrat, të cilat të rrethojne kudo në të përditëshmen, e në çdo moment; ato të banjos, dhomës gjumit, korridorit, ashensorit, vitrinës dyqanit, dhomës provës, holleve të ndërtesave, hoteleve, lokaleve, deri në tavanet e dhomës gjumit për disa, e kështu pafundësisht. 
Për më tepër, imazhi i reflektuar nuk është imazhi jonë i vërteti, i çastit, por i atij që ishim pak më parë, i çastit të çastit, që na u përvodh nga jeta jonë për me përshku rrugën midis nesh e pasqyrës në shkuarje e kthim, i asaj grimce pafundësisht të vogël kohe, e cila i vidhet jetës tonë pa pushim.
.
Transformation (Femme au miroir), 1974 - Salvador Dali
Transformation (Femme au miroir), 1974 – Salvador Dali
Pasqyrat janë të pashpirt. Nuk i bëhet vonë, të mundohen sadopak të mjegullojnë, të shfokusojnë reflektimin tonë, të fshehin të pa bukurën fizike të momentit, apo atë të dhënë si të përjetëshme, për të cilën jemi aq të ndjeshëm; por më shpesh atë shëmtimin e ditës, të zbehin siluetën intime të ditëve tona aspak të këndëshme, të ditëve post-rinisë, të ditëve të flokëve që nuk të rrinë mirë, të ditëve të atyre syve që qajnë e s’dinë me pushu, të ditëve kur na ka humbur fytyra, e na është tretur buzëqeshja, të ditëve ku nga goja e shpirti dalin veç ofshama lutjesh përgjëruese, dëshpërimi, apo mallkimi. 
Pasqyra nuk di të gënjejë, e për më tepër, veç reflekton çka është prezente, as me shumë as më pak. Nuk i lë asnjë mundësi imagjinatës me hapë krahët e me fluturu. Të mban të lidhur pas vedit, duke të imituar në mënyrën më perfekte e cinike njëherazi.
A nuk është thjesht arrogancë, kur nuk bën gjë tjetër veçse të dëfton të vërtetën lakuriq, ashtu si e reflekton atë? Ahh… për një moment harrova thelbësoren: pasqyra nuk ka shpirt, është një send pa shpirt, është një gjendje thjesht fizike, një prezencë, që nuk mendon për pasojat. Siç është krijuar prej mamës vet, Natyrës, që në fillim të ekzistencës së saj në gjendje natyrale mbi syprinat e lëmuara ujore, duhet veç të dëshmojë të vërtetën, e veç atë, pavarsisht se ajo të hidhëron, apo bëhet vrastare me heshtjen e saj. 
Natyra i ka dhënë autoritet të vrasë iluzionet e njerëzve; atë mospërputhje të nevojshme, herë-herë të domosdoshme, midis ndjenjave, dëshirave tona që na ushqejnë shpirtin dhe ekzistencën tonë fizike. 
Pasqyra shpesh na bën të flasim me veten kur jemi përballë saj, në një monolog pa dalje: “Ti mendon se na ndihmon duke qënë kaq e hapur, pa dorashka, pa mbajtur asgjë brenda vetes, të na tregosh pikërisht ti të vërtetën e pamjes tonë? Ti ndoshta nuk e di që të thuash të vërtetën nuk është gjithmonë e virtytëshme, mund të jetë edhe një virtyt mizor, e së fundmi, që vret! A mendon ti pasqyrë për pasojat?
Apo ndoshta jam gabim? Ndoshta Narçizi desh të na dëftonte diçka më shumë, me të thellë me imazhin e vet që e sodiste përditë, aq gjatë? Ndoshta ti pasqyrë nuk je kaq fizike dhe materialiste! Ndoshta duke parë gjatë veten në ty, pasqyrë, mësojmë si me e pa veten, me zbulu atë bukurinë e të mirat brenda nesh, bukurinë subkoshiente të shpirtrave tanë, që janë shumë më komplekse përtej një shikimi kaq kalimtar të reflektuar thjesht fizikisht në kristalinat optike të syve tanë? 
Ti vazhdon të heshtësh prej mijra e mijra vitesh, miriada jetë njerëzish, të cilëve për së gjalli, i reflektove imazhet e tyre, kaq të përkohëshme mbi tokë! Ngjan se heshtja jote flet me gjuhën e pagojë! Në ato momente kaq fluturuese, ne mund të zbulojmë sekretin e bukurisë tonë përtej fizikes, atyre imazheve kokëposhtë të reflektuara në kristalet prizmatike brenda globeve të syve tanë; imazhe të cilat veç marrin jetë virtualisht në atë sistem kompleks neuronesh, shkëmbimesh elektro-kimike të trurit, e që në rrugëtime fantastike zbulojnë një botë tjetër përtej reflektimit imediat të pasqyrës, një botë e cila ushqen një imagjinatë, trashenduese kufijsh të një bote ekzistenciale, thjesht fizike.
©AK
Photo: Transformation (Femme au miroir), 1974 – Salvador Dali 
.
Marre nga muri i FB i Artan Kafexhiu, 28 Maj 2021
.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.