back to top
10.5 C
Tirana
E enjte, 26 Dhjetor, 2024

Pater Anton Arapi (5 Janar 1888 – 20 shkurt 1946) – nga Saimir Z. Kadiu

Gazeta

At Anton Harapi (1888-1946) Para gjyqit komunist
At Anton Harapi (1888-1946) Para gjyqit komunist

Pater Anton Arapi (5 Janar 1888 – 20 shkurt 1946)

nga Saimir Z. Kadiu

Në muajin prill 2016, Papa Françesku firmosi dekretin për Lumturimin e 38 martirëve të Kishës Katolike shqiptare, duke i vendosur ata në krah të figurave më të shquara të katolicizmit në botë.
Por lista e mirëpritur kishte një të munguar të madh… Mungonte kolosi i kishës katolike shqiptare… Patër Anton Arapi.
38 Martirët pa Patër Anton Arapin janë si Simfonia Pastorale pa Beethovenin.
Megjithëse vepra e tij tërësisht patriotike është botuar në 25 vitet e fundit, ende figura e tij nuk është pastruar nga balta e hedhur për 45 vite me rradhë.
Pa Patër Anton Harapin nuk mund të ketë histori të kishës katolike në Shqipëri. Nqs nuk kujtohet ai, në vazhdojmë të përligjim dhunën bolshevike ndaj klerit katolik.
Gjithmonë mbi të ka rënduar “njolla” e pjesëmarrjes në Regjencë gjatë kohës së pushtimit gjerman…
Por ka qenë vetë intelektuali i madh i botës shqiptare të gjysmës së parë të shekullit të XX që i ka paraprirë keqkuptimeve që do të vijonin…

Fretnit Françeskane - rreshti i pare ulur Gjergj Fishta, Vinçenc Prennushi, Anton Harapi
Fretnit Françeskanë – rreshti i parë ulur
Gjergj Fishta, Vinçenc Prennushi, Anton Harapi

Ja çfarë ka thënë ai më 13 janar 1944, kur u betua si anëtar i Këshillit të Lartë të Regjencës:
“Tash sa kohë publiku shqiptar ka pritë me ndie nji fjalë prej meje. Megjithëse parashoh se do të kuptohem keq dhe do të komentohem ndoshta edhe mâ keq, due t’ia çoj në vend dishirin: due ta thom fjalën teme. Por, vall, shka të thom, kurse me fjalë jemi ngi? A kemi kund ndonji punë të mbarë, pse sa për fjalë të bukura nuk jemi ngusht aspak? – Ja, pra, se nji punë e mirë u ba: mbas sa muejsh anarkije, sa të frikëshme aq edhe të rrezikëshme, sot – mirë a keq – kemi nji Këshillë të Naltë, kemi nji Parlament, kemi nji Qeverí, kemi nji auktoritet shqiptár. Këtë vepër dikush e shikon me sy të mirë e dikush me sy të keq, aq sa edhe miq e dashamirë të mij mrrijtën: Shka iu desht Patër Antonit me ia hy kësaj pune? Këtyne due t’iu përgjegji, jo si zyrtár, por si mik, jo për të përligjë vehten, por për të ndritun mendimin tem dhe të tyne. Më rrenë mendja se nuk ka zog shqiptari, qi të mendojë se unë e mora ketë barrë për kulltuk, për interesë a për ndonji intrigë. Mundet veç me dashtë ndokush mos qe ndonji maní e emja qi më shtyni deri këtu. Edhe unë po u a vërtetoj fjalën dhe po u thom se po: manija e Shqipnís, po, qe ajo qi më vuni dilemën: a me anarkista për të ba gjak, ase me hjekun dorë prej çashtjes kombtare. Dhe mbasi shpirti nuk ma tha të baj as njenën, as tjetrën, qeshë i shtrënguem të zgjedhi njenën dysh: a të baj nji marrí tue e pranue ketë zyrë; ase të tregoj nji dobsí tue u largue. Vendova ma mirë të baj nji marrí: ase – sikurse thonë ata shqiptarë qi duen të ruhen të pastër – desha të komprometohem. Ja arsyeja për të cilën pranova të marr pjesë n’auktoritetin shqiptár: pse nuk mujta ta shoh Shqipnín n’anarki. Në këtë kohë dhe ndër këto rrethana, për né shqiptarët anarkija asht nji turp dhe nji delikt: po, turp asht të ngatrrohemi shoq me shoq dhe vetë të krijojmë Babylonín shqiptare, pa qenë të zotët t’ia gjejmë fijen lamshit; delikt asht në ketë moment kaq kritik për botën mbarë të vejmë për ideal vllavrasjen, përmbysjen e katundevet, humbjen e gjas dhe shkatrrimin e familjevet. Kësaj i thonë rrokoll më rrokoll! Pra, m’u dhimbt populli e m’u dhimbt Shqipnija.
Maní… E po, si kujton Patër Anton Harapi se ai po e shpëton Shqipnín?! …Jo, zotní! Asnjeni nesh, qi kemi marrë zyrën e Këshillit të Naltë, nuk e kemi pretenzjonin të mbahemi shpëtimtarët e popullit. Dhe atëherë, pra…? Shqipnín do ta shpëtojë Zoti, kurse na i kemi vu vehtes nji misjon: të përpiqemi me të gjitha fuqit për ta pakësue mjerimin dhe shëmtimin shqiptar. Na e kemi ndërgjegjën të kjartë se jemi njerëz nevoje, d.m.th. se vetëm nevoja e kohës na ngrehi në ketë shkamb; as nuk kemi fjalë të mdhaja dhe premtime të bukura, por, po mujtëm t’i a lehtësojmë popullit sado pak ata shka vuen, dhe po mujtëm të vejmë nji gur të vogël për konsolidimin e çështjes shqiptare, do të jemi të lumtun. “Përveç këtij misjoni, nji tjetër arsye e fortë më shtyni ta baj ketë hap: Qaje, Zot, të keqen – thashë me vehte – si mos me u gjetun në Shqipní burra të zotët, qi të marrin përgjegjësi publike dhe të mos flijojnë vehten për kolektivitetin?! Mospranimi i bashkëpunimit në ketë rasë – me e shikue hollë për mue do të kishte qenë nji spekulacion: unë, i grishun botnísht të jap kontributin t’em për çashtjen e kombit dhe për ndihmën e popullit, ma parë do t’anojshem të ruej kryet dhe prestigjin tem personal, se sa me rrezikue veten për çashtjen e përbashkët. Anishka – thashë – rroftë populli edhe pa mue, rroftë Shqipnija!”
Në gjyq Patër Anton Harapi i hodhi poshtë akuzat dhe thëniet e trupit gjykues për dënim si tradhëtar jo nga populli, por nga armiqte e kombit. Theksoi burrërisht me fakte pafajsinë, duke mos pranuar me lypë falje. 
U tha: “Zoti pastë mëshirë për ju, qi nuk jeni tue dashtë me dijtë se çfarë krimesh po bani kundër popullit e atdheut, jo vetëm për dënimin tem e të qinda të tjerëve të pafajshëm sikurse unë, por për tragjedinë qi keni vulosë kundër tanësisë kombëtare, në dhunim shqelmues të tagrit të shqiptarëve për atdheun etnik. Mundimet dhe jeta ime i qofshin falë kombit!”

At Anton Harapi - Instituti i Studimeve Shqiptare (1940)
At Anton Harapi – Instituti i Studimeve Shqiptare (1940)

Fjalët e fundit e Harapit në gjyq përmbajnë një profetësi: “Shqipnija u fitue me gjak; me gjak edhe po mbahet e robnueme. Do të vijë dita e me Paqe e Drejtësi do të fitohet.”
Pater Anton Arapi u gjykua nga teneqexhiu Koçi Xoxe, si kryetar gjyqi dhe prokurori 150 cm Bedri Spahiu, të cilët u grinë pas pak vitesh nga ingranazhi i makinës ngrenëse të komunizmit.
Kur po e conin për ta ekzekutuar, nën një rrebesh shiu mundohej me e ngritë veladonin mos me e stërkalë me baltë. Prokurori Misto Treska (me vjen shumë keq që përkthyesi i njohur i Hygoit, të ishte shoqëruesi i tij drejt vdekjes!!!!!) i drejtohet, “Pse po ruhesh padre se mos bëhesh pis , në baltë ke për të shkuar?” dhe Padre i përgjigjet: “Atje ku të shkoj due me shkue si kam qenë tan jetën: i papërlyem.” 
Ishte Misto Treska që i dha plumbin e 24-të figurës më të madhe shqiptare katolike të shekullit XX…
Fatkeqsisht përkthyesi i njohur që kishte bërë të flisnin shqip Hugo, Maupassant, Stendhal, Moliere, Diderot, Alphonse Daudet, Louis Aragon etc. nuk e kishte për herë të parë. 
Misto Treska e kishte bërë këtë gjë edhe me Maliq Bushatin edhe me Lef Nosin.
Besoj se ikona martire e kishës katolike shqiptare do të jetë takuar në jetën e përtejme me përkthyesin e madh prokuror….
Patër Harapi do ta ketë falur, por Zhaver Treska do e ketë vrarë përsëri pabesisht… 
Kombi shqiptar mburret që gjatë pushtimit nazist nuk u vra kurrë një hebre..
Ishte pikërisht Këshilli i Naltë i Regjencës me Patër Anton Harapin që i shpëtuan hebrejtë dhe jo vetëm…
Në vitin 1956, është botuar në Gjermaninë Perëndimore një libër me titull “Misioni i posaçëm në Juglindje – Raport i një diplomati fluturues”. Autori i tij është Hermann Neubacher i cili ka kryer detyrën si “I plotfuqishmi i Ministrisë së Jashtme për Juglindjen”.
Më përpara ai ka qënë edhe kryetar i Bashkisë së Vienës.
Në librin ë përmendur më sipër ai i ka publikuar kujtimet e tij për vitet e Luftës së Dytë Botërore. Në këtë libër shumë interesant, i kushtohet një vend shumë i gjerë dhe Shqipërisë së asaj kohe. 
Interesant është fakti se nëpërmjet Neubacher krijohet një mundësi krejt e veçantë për ta parë Shqipërinë e atyre viteve me sytë e një të huaji, konkretisht të një diplomati të lartë nazist gjerman.
Më poshtë është një fragment ku përmendet Patër Anton Arapi.

Lef Nosi - Mehdi Frashëri - Pater Anton Harapi
Lef Nosi – Mehdi Frashëri – Pater Anton Harapi

* * *
Shkodër 1943: ajër i rëndë, presione nate për para, vrasje në mes të rrugës, në shtëpitë e vogla, në kafene. Në mes të ditës! Në një rreth të vogël shqiptarësh e gjermanësh. Patër Anton Harapi tregon se si natën e kaluar tre burra të njohur të levizjes ilegale komuniste kishin shkuar tek ai në manastir për të zhvilluar një debat politik me të. Partia komuniste, thonin ata, nuk luftonte kundër kishës. Komunizmi është në një fazë të re zhvillimi, ai lufton për lirinë kombëtare dhe për një demokraci të vërtetë. Çfarë kërkon i pari i françeskanëve patër Antoni në një Këshilli Regjence, i cili bashkëpunon me okupatorët fashistë? 
Një oficer gjerman policie, që ishte i pranishëm, e kapën ethet e gjuetisë:
“Sa interesante Patër Antoni! A do të mund të na thoni se kush ishin ata tre burra?”
Fytyra e tij prej asketi si e gdhendur në dru e me një hundë të madhe u nxi prej trazimit:
“Mos harroni se unë jam shqiptar!”
Të tre burrat, edhe pse të pa ftuar, ishin miq në shtëpinë e tij, pra ishin nën mbrojtjen e tij gjatë kësaj vizite.
Pas tërheqjes së trupave gjermane nga Shqipëria, Patër Antonin e kapën në një strehë tek një shtëpi miku, dhe ata tre burrat ka gjasë të kenë qënë midis gjykatësve ose spektatorëve kur ai u ekzekutua…
Pas një muaji kemi 76 vjetorin e pushkatimit të Pater Anton Arapit…
A nuk ka ardhur koha e “lehtësimit” të akuzave ndaj tij?

Gazeta Dielli, 4 janar 2022

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.