Paulin Z. Zefi: “Kisha e Zojës së Papërlyer
dhe Kuvendi Françeskan i Troshanit (Zadrimë-Lezhë)
drejt shpalljes si Monument Kulture, edhe pse shumë vonë”
*Historia e Françeskanëve në fshatin Troshan e ka zanafillën në vitin 1639 kur pjesëtarët e këtij Urdheri të nderuar Kishtar u vendosën pranë masivit gëlqeror i njohur nga vendasit si “Shkrepi i Kishës” ku përveç rindërtimit të Kishës, ata ndërtuan edhe një strehë vorfnore (shtëpi për të varfërit). Në vitin 1857, falë ndërhyrjes nga ana e autoriteteve perandorake Austro-Hungareze pranë Portës së Lartë (Top Kapi) në Stamboll, Etërit Françeskanë siguruan lejen për ndërtimin e Kishës së Zojës së papërlyer dhe ngritjen e Kuvendit Franceskan pikërisht në vendin ku ndodhet sot.
Gjithashtu po me ndihmën e Perandorisë Austro-Hungareze, e cila ishte mbrojtësja e Komunitetit Katolik Shqiptar që i kishte mbijetuar dhunës shtazore të Perandorisë Osmane për 5 shekuj me rradhë, në vitin 1880, u siguroi Etërve Françeskanë lejen për hapjen e Kolegjit/Shkollës së Troshanit, një vatër e dijes, kulturës, përparimit dhe Atdhedashurisë së pakufishme, një institucion arsimor që kishte përmasat e një Universiteti të mirëfilltë ku dyert e të cilit u hapën me dt.14 prill 1882 nga Misionarët e shquar: At. Mariano Pizzochini dhe At. Gian’Pierro Ferrari.
.
Në këtë Kolegj, studiuoi i madhi At Gjergj Fishta, i cili më pas u kthye këtu si Mësues, u shugurua si Meshtar dhe këtu shërbeu për një kohë të gjatë, etj. Këtu e nisi rrugëtimin e tij të gjatë në shërbim të Kombit Shqiptar edhe Patrioti i shquar At Shtjefën Gjeçovi, ku pikërisht në fshatin Troshan hodhi bazat e Arkeologjisë Shqiptare, etj.etj.
Kolegji i Troshanit ka funksionuar rregullisht deri në vitin 1921, por më pas ka vazhduar të kryejë vetëm funksionin e Kuvendit për edukimin e rishtarëve deri në vitin 1945, kur është mbyllur përfundimisht. Kisha dhe Kuvendi Françeskan i Troshanit por jo Kolegji, i kanë shpëtuar histerisë komuniste të Revolucionit kulturor ateist të vitit 1967, vetëm falë këmbënguljes titanike të Kryetarit të atëhershëm të Kooperativës, burri fisnik, i ndjeri Shkurt Mark Pali, i cili propozoi që të mos shkatërrohej por të kalonte në përdorim te shtetit si magazinë për ruajtjen e drithit… Për këto dhe shumë detaje te tjera, na ndiqni në kronikat që do të transmetohen nga TV Kombëtare dhe lokale, sot dhe ditet ne vazhdim…
.
*Ps: (Kjo është Kisha ime dhe e të Parëve të mi, këtu unë jam pagëzuar dhe krezmuar, kam marrë pjesë në Meshën e parë dhe ku kam shërbyer si Ministrant dhe kryetar i grupit të të rinjve Katekistë të fshatit Fishtë…)”
https://albemigrant2011.wordpress.com/2017/05/05/paulin-z-zefi.