back to top
13.5 C
Tirana
E mërkurë, 18 Dhjetor, 2024

Peja në gjendje lufte! nga Erjona Gjikolli

Gazeta

Erjona Gjikolli
Erjona Gjikolli

Peja në gjendje lufte! nga Erjona Gjikolli

Ngjarjet e kohëve të fundit në Pejë, dëshmojnë sa i vështirë asht ndër shqiptarë gjuha e mirkuptimit dhe ndërtimi i Shtetit të së Drejtës. Pak nga pak, krimi po ulet kambkryq edhe në nji qytet tradicional dhe historik, si Peja… Shpesh kët qytet e kam përcjellë nëpërmjet kujtimeve të nanës sime, e cila ishte bijë e këtij qyteti… Ndoshta ai adhurimi i saj, ban që të dëshpërohem mjaft prej ngjarjesh të tilla…
E përcjell me shqetësim kët artikull, të shkruejtun nga nji vajzë e re, Erjona, e cila ka vendosë jo vetëm shkrimin po edhe shpirtin e dhimbjes së saj… me shpresë se të gjithë duhet të kuptojnë, që emnacipimi i nji shoqnie, nuk bahet nëpërmjet grykës së pushkës… jr.
31 mars 2014

A: “Prej ku vini?
B: “Prej Pejës”
A: “Largomë Zot prej teje”.

Qyteti i Pejes
Qyteti i Pejes

Pak mbetet për të thënë, kur plumbat po flasin për ne…
Lulja e Dukagjinit ka filluar të vyshket çdo ditë e më shumë prej kur ajri nga gryka e Rugovës po zëvendësohet me erën e barutit. Ditë pas dite e vit pas viti, petalet e saj po ujiten me gjak.
E njohur si Siparantum te vepra “Gheographia” e Ptolemeut, cilësohej si lokaliteti i dytë me rëndësi në territorin e Kosovës, pas Ulpianës. Halë në sy e kishin shumë nga pushtuesit tanë nëpër vite, sidomos anën ekonomike të saj. Zejtaria dhe industria e karakterizojnë ekonominë e vendit, duke bërë që Peja të njihej me sinonimin “Qytezë ekonomike”.
Grusht i fortë për lulëzimin e qytetit ishte pushtimi serb, duke bërë shkrumb çdo të vetmin kënd. Pas pushtimit serb menduam që po frymojmë liri, ashtu si secili qytet tjetër në Kosovë. Mirëpo, lufta për këtë qytet nuk përfundoi asnjëherë, veç armiku i vjetër shkoi dhe erdh i riu.
A është vërtet e nevojshme lufta pas luftës, lufta nga njerëzit e t’u?
Në një vend kryesisht të vogël dihet që thashethemet nuk mungojnë.
Për terrorin që po karakterizon Pejën nuk mbetet gjë pa thënë, edhe pse me një kujdes të shtuar, sepse po të thuash diçka “pa vend”, të shtohet emri në listën e gjatë të viktimave, edhe atë veç nga paslufta.
“Peja është e këtij”? “E ka i forti në dorë“? Shprehje të tilla dëgjojmë çdo ditë në Pejë, mirëpo e kujt mund të jetë vërtetë Peja, kush është “i forti”? Duart e errta të krimit janë shtrirë kudo, shpesh dita po na errësohet nga britmat e automatikëve dhe vdekja e “kalimtarëve të rastit”.
Të thëna, e shumë të pathëna…
Dita pranverës në Pejë solli trupa të vdekurish, solli gjak, terror dhe traumë.
E ashtuquajtura “masakër” në qendër të qytetit nuk është e para e këtij lloji dhe si duket nuk do të jetë as e fundit.
Fillimisht, i drejtohemi me plotë të drejtë kryetarit të Pejës, ai i cili fuqishëm ulërinte për sjelljen e qetësisë së vendit. Aq fort e akuzonte konkurrentin saqë për një moment qytetarët e shkretë menduan se vërtet do realizohet moto: “Peja po ndryshon”.
“Vrasjet në qytetin e Pejës nuk kanë vend”, “Pejës do t’i kthehet qetësia”, janë premtimet që i dëgjonim nga, tanimë kryetari i Pejës, të cilit si duket i është ngjirur zëri, pasi veshët tonë ende po ushtojnë nga plumbat.
Kryetar, në mes të ditës po të dëgjohen automatikët në qendër të qytetit! Qytetarët po shashtrisen e rrugët po lahen me gjak. Po, ku jeni ju z. Kryetar?!
Mos u mundo kot z. kryetar as për turizmin, sepse tanimë turistët kanë frikë të kalojnë kah Peja, e lëre më ta vizitojnë.
As kolegu i tij nga partia tjetër, i cili para pak muajsh ia dorëzoi kurorën nuk ia lë keq. Për dy mandate nuk arriti të zgjedh as edhe një rast nga “misteret” e pasluftës.
Kallashnikovëve pejanw duket se iu përgjigjet një teori tjetër.
Hakmarrja!!
Kanuni i Lek Dukagjinit, veçanërisht pjesa e hakmarrjes apo gjakmarrjes vazhdon të mbetet ligj për jetesën në pjesën veriore të Shqipërisë, dhe jo vetëm. Kjo pikë e Kanunit gjen rahatinë në Rrafshin e Dukagjinit dhe pikërisht këto ngjarje jo rastësisht lidhen me këtë libër qindvjeçar. Pikë kjo sa e respektueshme, aq edhe e mallkuar nga viktimat që i nënshtrohen dita ditës.

Pazari i Pejes
Pazari i Pejes

Përderisa, lista e vrasjeve vazhdon të shtohet dhe nuk kemi asnjë të dënuar nga policia atëherë si duket zgjedhja e vetme është të besojmë në mite të tilla.
Dora e krimit mbulohet me fajin jetim. Kjo ndodh pikërisht nga përgjegjësia që kanë mbi supe organet tona të drejtësisë, e që sigurisht duhet të jetë shumë e rëndë.
Policia, për rastet e tilla ka vetëm një procedurë. Bllokohet “vendi i ngjarjes”, rrethohet me disa shiritë, merren ca shenja dhe humbin pak kohë. E, si të kalojë ndryshe orari?
Operacionet e ndryshme lidhur me vrasjet e deritanishme nuk kanë dhënë as edhe një rezultat. Nuk kanë dhënë as edhe një fajtor. Organet e drejtësisë do të duhej të ishin shembull të një shteti demokratik, atij shteti që po mundohemi shumë ta ndërtojmë. Sarkazma dhe ironia nuk janë zgjidhja më e mirë, por mbeten zgjidhja e vetme. E dhimbshme gjendja e tyre nga këndi jonë si qytetarë. Qyteti po vuan nga politikat e shfrenuara të vendit, nga pamundësia e zbatimit të ligjit.
Pas shumë vuajtjeve dhe gjendjes në të cilën jetojmë, vazhdojmë të cilësohemi si popull optimist. Duket që ky optimizëm mbizotëron në mesin e pejanëve. Edhe pas një atmosfere lufte, gjejnë motivin të organizojnë protestë me qëllimin më të sinqertë të mundshëm: “Kundër krimit!!”.
“Të revoltuarit”, kësaj here janë qytetarët e Pejës, të cilëve u ka ardhur në majë të hundës era barutit, krismat e armëve dhe varrimet e përditshme.
Shpresojmë shumë që mesazhet e tyre nuk do kenë cak një vesh të shurdhër.
Marrë nga Muri i fb i Xhemal Ahmetit
dhe http://www.zëri.info 29 mars 2014

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.