back to top
6.5 C
Tirana
E hënë, 23 Dhjetor, 2024

Pëllumbat fluturojnë në Jug – Fragment nga ditari, korrik 1951 – nga Agim Xh. Dëshnica

Gazeta

Agim Deshnica
Agim Deshnica

Pëllumbat fluturojnë në Jug

– Fragment nga ditari, korrik 1951 –

nga Agim Xh. Dëshnica

Pas luftës, pushimet verore për shkollat e mesme fillonin e mbaronin vetëm në gusht, ndërsa korriku, siç thuhej shpesh, ishte muaji i aksioneve vullnetare. Kështu, pas provimeve vjetore, në ditët e para të korrikut 1951, nxënësit i hipën nëpër kamiona e i nisën për në kantiere pune tek hapeshin rrugë e kanale kulluese. Disa të tjerë, bijë familjesh dikur të pasura, i dërguan për tharrjen e kënetave, sado të paaftë për ato punë. Ndërkohë nja nëntëdhjetë të rinj, të ndarë në dy brigada, do të ecnin në këmbë drejt Veriut e Jugut.
Herët në mëngjes Berti u la mirë e mirë, pastaj u vesh me rrobe, ca ushtarake e ca civile. Në çantën gjermane të shpinës ngjeshi veshmbathjet e nën to fletoren e shënimeve. Kurse në xhepat e thella të asaj çante ngjyrë jeshile të mbyllur, vendosi ushqimet e thata të përgatitura nga nëna. Hëngri mëngjesin e drekën sa u dend e aty nga ora gjashtë e mbrëmjes u përqafua me njerëzit e shtëpisë në rrugën e Burgut të vjetër, zbriti shkallët dhe eci përmes drurëve të rrugës së Fortuzit e doli në Bulevard, në krahun e Maternitetit. Dielli po ulej për nga perëndimi i skuqur pas një dite të vështirë pune në vapë. Era e maleve përhapej gjithandej e trazonte gjethet e drurëve. Vapa kishte nxjerrë jashtë shtëpive qytetarët e të gjitha moshave. Bulevardi zhurmonte nga turma mizë – lisi, që kërkonte kënaqësinë e freskut të mbrëmjes. Berti hyri në grumbullin e të rinjve, që ecnin poshtë e lart. Disa që kalonin aty pranë, ndalnin, pyesnin herë njerin herë tjetrin, dhe mësuan se ata ishin nxënës, shumica maturantë të shkollave të mesme nga disa qytete. Grumbulli i të rinjve pas një ore qëndroi në trotuar para zyrave të rinisë, në një vilë dykatëshe të verdhë me ballkon. Atje u rreshtuan në dy brigada, me rreth dyzet e katër vetë. Në fjalimin shkurt, nga ballkoni u tha se ata, që do të shkonin për nga Veriu, do të renditeshin në brigadën “Shqiponja”, kurse ata të Jugut, në brigadën – “Pëllumbat e paqes”. Berti u bashkua me pëllumbat.

Brigada e pëllumbave

Në brigadën me komandant Koçon u rreshtuan dyzet e katër maturantë të ardhur nga qytete, shumica nga Jugu. Disa mbanin në krah belxhik gjerman. Brigada, ashtu si në luftë, kishte edhe shtabin me tre anëtarë dhe pararojën me tre vetë, që do të ndërrohej çdo ditë. Ajo përbëhej nga katër grupe. I katërti ishte ai i vajzave, që vinin nga pedagogjiket e që do të merrej me gratë e vajzat në fshatra. Grupi me tetëmbëdhjetë vetë i armatosur, dhe ai i sportit, ishin më të rriturit dhe do të zhvillonin ndeshje me skuadrat sportive në qytete e qyteza. Pas tyre, vinte grupi me pesëmbëdhjetë “hamenjtë” e prapavijës, të ngarkuar me batanije, me opinga, me pak ushqime të thata dhe sende të ndihmës së shpejtë, alkool e fasho. Detyrë tjetër e brigadës ishte edhe propaganda me anën e librushkave e gazetave për ngjarje nga vendi, se si ishin realizuar korrjet e shirrjet, grumbullimet dhe shlyerjet e detyrimeve. Krahas tyre do të jepeshin edhe lajme nga bota, për grevat e krizat ekonomike në perëndim si dhe nga jeta e lumtur në lindje. Grupi i kulturës me tre vetë, në shtëpitë, tek do të strehohej, para se të flinte do të shënonte nëpër fletore vjershat e përrallat e mbledhura në fshatra nga të moshuarit.
Para nisjes, drejtuesit e rinisë i dhanë nga një bukë gruri secilit, nga një pako marmalatë molle nga ajo e Fabrikës së Elbasanit, nga tri vezë, nga një batanie leshi dhe opinga gome të holla apo të trasha të bëra prej gomave të makinave. Për në shtigjet e shtruar shërbenin më mirë opingat e holla, për rrugët e gurta malore – ato me goma makinash. Se ç’mall ishin, e treguan djersa, skuqjet, plagët, rrjedhjet e gjakut, enjtjet e frikshme dhe dhimbjet e mprehta nëpër gishta, noçka e në shputat e këmbëve.

Udha Tiranë – Pezë

Ashtu si në vitet e para të luftës, marshimi më saktë filloi nga fshati Pezë, ku dy vjet pas pushtimit italian, atdhetarë të shumtë u mblodhën që të vendosnin për fatin e mëtejshëm të atdheut.
Mbledhja përmendet në histori si Konferenca e Pezës. Pas çlirimit nga të huajt vendi ra në duart e një pushteti të panjohur deri atëherë. Në mbarim të nëntë vjetëve, në kohë paqeje, ajo mbledhje do të kujtohej si Konferencë historike për luftën ndërmjet shqiptarëve.
Në ora nëntë pasdite, brigada u nis me hap rreshtor përkatër. Kaloi bulevardin, dhe sheshin Skënderbej. Atje u kthye dhe vazhdoi para Bankës Shqiptare drejt Yzberishtit, tek në njëri krah i rrugës shiheshin ndërtesat e shkollës e sapondërtuar nga repartet e punës dhe kaldaja e Kombinati të Tekstileve. Në krahun tjetër vazdonte ndërtimi i banesave. Pra, ishte krijuar një qytet industrial i tymosur, i ri dhe i plakur para kohe.
Sapo brigada doli nga qyteti, u rreshtua në kolonë për një dhe u zgjat. Njëri pas tjetrit, ecnin në asfalt me hap të lirë, lehtë e lehtë, pa folur e pa ndjerë aspak lodhje në atë fresk të mbrëmjes, teksa dielli kishte humbur tej, ne tisin e përskuqur, ndoshta mbi det, dhe ndrinte retë e imta mbi kodrat e Ndroqit. Pasi u kalua Ura e Beshirit mbi lumin Erzen, ku diku afër, siç flitej nën zë, ishin pushkatuar disa qytetarë, vargu i gjatë u harkua, doli më lart dhe u ndal në krahun e djathtë të rrugës. Në muzg shiheshin gurë të bardhë të shpërndarë pa kurrfarë rregulli në faqen e një kodre me bar përzierë me shkurre, që mezi dalloheshin nën dritën e zbehtë të yjeve.
-Sonte do të pushojmë këtu! – tha komandanti – Për në fshatin më të largët Vrap, duhen disa orë. Hyni në këtë pllajë dhe shtroni batanijet pranë e pranë sipas grupeve. Tetë nga ata, që kanë armë, do të bëjnë roje me radhë në çdo 1 orë.
Për jastëk Berti vendosi çantën mbi një gur, shtroi gjysmën e batanijes mbi tokë e me gjysmën tjetër u mbulua. Ashtu bënë Gaqua dhe Irakliu përbri. E gjithë brigada zuri vend përqark pa zhurmë, u shtri e fjeti mbi atë tokë të thatë në fresk të natës. Nata si nata, errësirrë – harresë. Disa lëviznin nga një krah në tjetrin, Gërrhitje e zgjime çasti. Berti sapo flinte, zgjohej e u binte veshëve e ballit me shuplakë. Lëvizte çantën pak më lart mbi gurë edhe kokën, shtrinte këmbët, pastaj kthehej nga e djathta. Diku tutje në errësirë dëgjohej herë pas here, ku-ku-ja e kobshme e një zogu të vetmuar. Nata kaloi zgjuar e fjetur me disa ëndrra pa kuptim. Befas shndritën rrezet e para të diellit. Disa hodhën sytë rreth e rrotull. Dikush thirri, shumë djem qeshën. Vajzat klithën “ua, ua ua!”
Komandanti i vrejtur, vuri re se brigada kishte kaluar natën në varrezën e një fshati.
-Çohuni! – thirri i zemëruar – Dilni në rrugë!
Sa hap e mbyll sytë, të gjithë brofën në këmbë dhe dolën me vrap jashtë varrezës. U mblodhën me zhurmë buzë rrugës.
-Ha, ha, ha! – u gajasën disa.
-Po ti, Maqo, me kë fjete?
-Ua! – u dëgjua zëri i njërës prej vajzave – Diçka të paska pickuar në të dyja faqet!
-Shih gushën tënde! – ia ktheu tjetra si me të qarë e me të qeshur.
Asnjë nuk kishte shpëtuar atë natë nga harrjet gjakpirëse, të ngashme me mushkonjat imcake, që pickojnë në heshtje, në faqe e qafë, pas veshit e qepallat e syve.
Komandanti, hipur mbi një sop, shikonte me dylbi kodrat, që ngriheshin në jug, pastaj urdhëroi të niseshin në rresht për një. Brigada, sipas grupeve, vazhdoi të ecte me pararojën e shkëputur në krye. Udhës shakatë filluan përsëri dhe mbaruan, kur po ndihej më e paduruar në shtegtime, etja zhuritëse për ujë! Në ecje e sipër nxorën nga brezi paguret me ujë të vagët. Aty, ku udha kthen për në Pezë ndaluan të hanin mëngjesin me bukë e marmalatë, pastaj mbaruan ujin, që u kishte mbetur në pagure, me shpresë të gjenin përpara çesma, ose burime me ujë të ftohtë. Por, gjetën vetëm nëpër gropa, ku lëviznin larvat e zeza të bretkosave. Megjithatë, i dëbonin e merrnin me duar pak ujë dhe njomnin buzët e thara. Në mesditë mbërritën në Pezë dhe pushuan nën hijet e pemëve. Peza, katund ndryshe nga katundet e tjerë. Në qendër të fshatit me shtëpitë rreth e rreth dukej një ndërtesë e vetmuar me çati e mure guri, e ndrequr me kujdes. Me sa merrej vesh, ishte e Babë Myslimit. Aty kalonin kohën me muhabete lufte pleqtë e fshatit. Veçse atë ditë, ndoshta nga vapa e madhe, u panë vetëm dy burra të thyer në moshë me qeleshe e rrobe fshati, ndoshta kryetari dhe sekretari i këshillit të fshatit. Komandanti i takoi i pari. Gaqua, Petraqi dhe Berti, nxituan drejt tyre. Pas përshëndetjeve, u ulën në shkallët e shtëpisë. Burri me qeleshe, teksa tregonte ndodhi nga e shkuara, zgjaste duart drejt shtëpisë dhe kodrave përqark. Berti, i përkulur mbi fletore, shënonte çfarë tregonte kryetari. Ndërsa Irakliu qe shtrirë poshtë një ulliri, mbase kujtonte ullinjtë e tij në kodrat e Beratit me kala, lumë urë e bahçe. Brigada, teksa pushonte, hëngri bukën e mbetur me marmalatën e squllur nga vapa dhe vezën e fundit. Pasi u bë rreshtimi sërish sipas grupeve, vazhdoi ecja prapa pararojës.

Pezë – Vrap

Sipas vendimit të shtabit, në pararojë u caktuan Berti në krye, pak i krusur, pas tij Harrilla shtatshkurtër, më larg – Petraqi shtatgjatë. Të tre, njëri pas tjetrit, morën udhën drejt katundit Vrap. Pasi ngulën në tokë shkopin e parë tregues për brigadën, pasi lanë shtegun e njohur sipas hartës, ata zbritën në shtratin e një përroi pa ujë, me brigje të lartë, që pengonin rrezet e nxehta të diellit. Të tre ecnin me hap të shpejtë. Brigada u ngrit më vonë dhe eci shtruar, dalëngadalë, sipas shenjave e gjurmëve, që kishte lënë udhës pararoja. Atje, ku përroi merrte djathtas, Berti u has me tre katundarë qeleshebardhë, me xhoke e shallvare, të rehatuar në samaret, mbi gomerët, me këmbët varur anash.
-O shokë, sa mban Vrapi që këtej?
-Pesë sahatë!
Pasi ecën më shpejt, djemtë morën majtas. Përpara takuan dy fshatarë me dy gomerë të ngarkuar me dru.
-O shokë! Sa larg është Vrapi?
Ata shikuan qiellin e u përgjigjën:
-Katër shahatë.
Më tej, atje tek përroi i thatë rrotullohej djathtas, ndeshën katër katuandarë edhe ata hipur anash mbi gomerët, njëri pas tjetrit.
-O shokë, sa sahatë duhen të arrish prej këtu në Vrap?
Ai që printe karvanin nxori qostekun, i hodhi një sy e tha:
-Pesë sahatë plot!
Pra, duke ecur, thuajse revan nëpër hijet gjithë fresk, herë djathas, herë majtas dhe herë drejt, merrnin po ato përgjigje, o pesë sahatë, o katër!
Pasi bënë pak më tutje, Berti i ra në të, se ç’kuptim kishin ato përgjigje të habitshme. Vuri re se po errej. Ndaloi, hodhi sytë lart e u thirri atyre, që vinin prapa tij:
-Mjaft me këtë përrua të thatë! Duhet të dalim lart në breg! Kushedi, ku mbaron ky me tërë këto kthesa pa fund! Mbase në det!
Lanë shenjën e dytë për brigadën, që ecte prapa e larg tyre, hodhën hapat në të përpjetën me shkurre dhe dolën jashtë. Iu duk sikur po dilnim nga një pus i thellë me ujë të ftohtë. Në ato çaste vështruan diellin, që po shuhej prapa kodrave. Vapa ishte fashitur. Po binte muzgu. Duke ecur në shtigje me kthesa, përbri gardheve, më në fund, pa u mbushur një orë, mbërritën në Vrap në të errur dhe ndaluan në një shesh të shkretë. Menduan se ishin në qendër të katundit. Atje, në njerën nga tri shtëpitë, vunë re një dritë të zbehtë. U afruan me kujdes drejt saj, por, sapo prekën pahinë e drunjtë, që mbyllte rrethimin me gardh purtekash, u dëgjuan lehjet e dy qenve të zinj. Në çardakun e shtëpisë me dy kate u dukën dy burra.
-Kush asht? – thirri njëri.
Tjetri u gërthiti qenve. Qentë për disa çaste u sollën rrotull në vend, duke hungëritur, pastaj u larguan nga oborri.
Jemi nga qyteti! – iu pëgjigj Berti. – Prapa nesh po vjen brigada!
-Ç’o kjo brigatë tash’ natën, mër jahu!? Ç’ka bo vaki!?
-Jemi nxënës, ekskursionistë!
-Nxanës? Kah jeni tue shku’?
Të dy burrat zbritën nëpër shkallët e gurta dhe dolën jashtë oborrit.
Ai që printe tha:
-Njatjeta! Sa vetë baheni krejt?
-Dyzet e katër. Kemi udhë të gjatë, përtej Peqinit, o lale!
-Heu! Po të tjerët ku gjinden?
-Pas gjysëm ore do të jenë të gjithë këtu.
-Ndigjoni, pra! Unë jam sekretari i partisë. Kini ardhë shumë vonë. Njerëzit në shpija kanë ra me fjetë. – Pasi u mendua pak, shtoi:
-U pa kjo punë! Sonte kini me fjetë gjithë sa jeni ke konakët e mi!
E kështu, sapo brigada ia mbërriti në shesh, hipën njëri pas tjetrit në katin e dytë dhe u shtrinë të kapitur në dyshemenë me dërrasa, lëmsh, kokë e këmbë te një konak i gjerë i shtëpisë së sekretarit. Berti, duke numëruar trarët, humbi në atë gjumë fshati me lehje qenësh. Për zgjimin nga ëmbëlsia e gjumit urdhërin e dha i pari gjeli shqirak i shtëpisë dhe kori i zhurmshëm i shokëve të tij, afër e larg, nga s’merrej vesh, se ku.
Për mëngjesin u shpërndanë në disa shtëpi aty rrotull mbi kodra. Një nga anëtarët e këshillit Bertin e Petraqin, Kiun e Gaqon, i caktoi te qendra, në shtëpinë e një burri të moshuar. E quanin Sulë. I priti buzëgaz Sula ata, u shtroi në sofër një tas balte me qumësht, bukë misri dhe një sahan fërgesë me gjizë e speca. Pastaj nisi ta pyeste Petraqin buzëgaz:.
-Çere brigate qekeni ju njishtu, pa dyfek ne pa kapele. Po patllake a kini, axheba?
-Jo, xhaj, ne mësojmë për doktorë, agronomë, inxhinierë e mësuses.
-Aha! Qekeni çuna shkolle, me demek! Fort bukur, vallaji!
-Do të ecim posi partizanët, poshtë e lart qyteteve e katundeve të jugut! – shtoi Gaqua.
-Shif, shif! Në kambë në kët’ vapë korriku keni me ecë!? Edhe unë kom qenë me dyfek në çetën e Pezës, veç jo si ju, por rrokull katundeve të Tironës e të Peqinit, bamp e çak notën kundër istikameve të italanëve, posi! Ma në fund jam kthye ke shpija jeme shnosh si molla dhe tash mbjell misër me robtë e mi. Kam dy lopë e dy qe, po edhe disa pula…
Vjehrri i Sulës, plak mbi tetëdhjetat, hyri në bisedë dhe nisi të rrëfente shtruar një ndodhi të vërtetë për thesarin e Vrapit.
-Zoti e desh tue punue tokën, gjetëm një hekër në fillim, masanej qitëm nji kazan florini, me nji klloçkë e zogj ari. Ishin dyzet e nji sende mrenë. Vojtëm ke nji mik në Pezë. Ai u hudhi nji sy e na tha ikni ke pazari i Durrësit me i shitë me mend në kry. I shitëm për nji dorë paresh letra. Nji kupë e mur konsulli austriak, nji pjesë e mur nji princ turk dhe shkoi në Turqi, pjesa që njeli ka shku’ dorë m’dorë larg, në Amerikë.
Biseda e këndëshme ashtu këmbëkryq u ndërpre nga thirrjet, që vinin nga jashtë. Pas një ore u mblodhën të gjithë përsëri në qendër. Komandanti tha:
-Duhet të nisemi menjëherë tani, para se dielli te ngjitet lart. Mund të dalim në Peqin pas tri orësh.

Vrap – rrënoja të lashta

Vrap – vapë, shkreti, Peqin!

Në pararojë u nisën Aliu, Pandi e Anesti. Kur brigada mori udhën, Berti eci më shtruar, lehtë e lehtë nën hijet e pemëve e përmes shkurreve dhe mbeti prapa. Shtegu kalonte nëpër një tokë të djegur, Ata që ishin më përpara filluan t’i hidhnin hapat çalë – çalë, të krusur si pleq, me peshqirët e hedhur mbi kokë. Vapa, pak nga pak, e kapi edhe Bertin. Zheg i padurueshëm. Ujin e ngrohtë të pagures herë pas here e derdhte mbi kokë e mbi fytyrë. Mirëpo buzët e goja i ishin tharë si eshkë; gjuha në qiellëz si kockë nuk i lëvizte më, veshët i gjëmonin. Edhe ai nxori peshqirin, e njomi me ujin e mbetur në pagure dhe e hapi prapa kokës. I bëhej se shtegu – shkretëtirë nuk do të mbaronte kurrë. Befas pa grykën e një pusi të vetmuar në faqen e një kodrine. Me sa dukej, dikush e përdorte për ujitjen e perimeve.
U thirri ai me zë të mekur atyre, që shkonin përpara, zvarrë – zvarrë, por përveç Gaqos nuk e dëgjoi askush. Vapa i kishte shurdhuar të gjithë. Atëherë, la shtegun dhe mori përpjetë. Sapo mbërriti atje, ujin ngjyrë balte të pusit, që arrinte gjer në grykë, mundi ta prekte me kënaqësi me dorë. Zhyti paguren disa herë në ujin turbull, piu e piu e s’u ngop. Lagu kokën, qafën, supet, gjoksin e shpinën dhe u ndie më mirë udhës deri në Peqin. Nga tri orë që mbante ajo rrugë, ai e bëri për katër orë e gjysëm.
I gjeti të gjithë të shtrirë e të kapitur në hijen e pishave, para çesmës në të hyrë të Peqinit, afër Xhamisë dhe Sahatit. Dy hoxhallarë atje jepnin e merrnin me komandantin e shtabit. I thoshnin se mund të pushonin e të flinim aty, se xhamia, përveç faljes shërbente edhe si strehë për udhëtarët e largët. Kështu, më në fund, të gjithë u shtruan atje dhe i mori gjumi menjëherë. Në mëngjes, Berti u zgjua i pari, kur të tjerët bënin gjumë të thellë. La xhaminë dhe doli në të vetmen rrugë të qytetit. Kaloi nën harkun e portës së kalasë dhe u ndodh para një sheshi të gjerë, me gurë e bar të djegur nga dielli. U ul te një hije me shpinë pas murit, e u dha fund shënimeve për udhën nga Peza në Peqin. Për kalanë shënoi vetëm këto rreshta: “Ky truall ushtarak prej shumë kohësh mban emrin Pazari i Peqinit. Pra vendin e kalorësve të një kohe të largët e kanë zënë tregtarët, blerësit, e gomerët me samar të lidhur në muret e rënuar. Në frëngjitë e kalasë shihen edhe sot tre topa të zinj, një tjetër mbi qytet në vendin e quajtur Kodra e Topit. Gjatë muajit të Ramazanit gjëmimi i tyre shungullon e dëgjohet deri në fshatin më të largët, përtej kodrave e luginave përqark.
Pastaj Berti shënoi shpejt e shpejt çfarë dinte për Peqinin:
“Sipas librave të histories, xhamia është ndërtuar nga Abdurrahman Pashë Peqini, Më pas u ndërtuan shtatë xhami të tjera, u hapën tri medrese dhe pesë mejtepe me nxënës të zgjuar, që mësonin përmendësh vjersha të gjata. Popullsia e qytetit ishte e etur për dituri. Qyteti dikur quhej Peklin, më vonë Peqin. Ky qytet i vogël me histori të lashtë, edhe tani dëshmon për pastërtinë e vet përmes portave të hapura të shtëpive elbasançe, pranë rrugës së makinave, ku para dyqaneve e kafeneve duken burra me qeleshe, teksa pushojnë këmbëkryq mbi karrike druri me ndenjëse të thurura me kashtë, duke soditur kalimtarët e makinat e rralla që lëvizin ngadalë nëpër qytet. Në qendër ndertesat tërheqëse, xhamia e Sahati me gurë të kuq, Kalaja në fushë, të gjitha tregojnë edhe sot për një vendbanim të madh të kohëve osmane. Ndërsa diku pranë, mbetjet e rrugës Egnatia, flasin në heshtje për shkaqet, që disa i dinë e disa aspak, pse qyteti i madh i dikurshëm, që na vjen nga lashtësia ilire, ka shkuar mbrapsht drejt zvogëlimit.
Peqini radhitet ndër qytetet më të vjetër të Shqipërisë, si Berati, Durrësi, Kruja e Shkodra. Në kohën e Perandorisë Romake quhej Klodiana. Ishte atëherë me rëndësi strategjike dhe qendër ekonomike, sepse ndodhej në kryqëzimin e rrugëve, që vinin nga Apollonia e Durrahiumi dhe që vazhdonin deri në Kostandinopojë, në Stambollin e sotëm. Peqini ka qenë vendpushim për karvanet me udhëtarë e kuaj drejt Apollonisë, Durrësit e Stambollit. Në kohë të ndryshme zhvillimi i jetës në Peqin i ka ngjarë detit, me batica e zbatica pa mbarim.”
Në rrugën e qytetit Berti vuri re nga larg djemtë e brigadës, tek hynin e dilnin nga dyqanet. Me çantat, pushkët e batanijet krahëqafë, u ngjanin komitëve të çetave. Me ta u bashkua edhe ai deri pranë Sahatit, Ndërkohë djaloshi durrsak, i njohur si poet, i shtrirë në sofatin e xhamisë, ankohej për dhimbje të forta në bark. Komandanti e pa dhe aty për aty i tha të kthehej në shtëpi. Pra, udha e mundimshme deri në Peqin, mesa kuptohej, e mposhti dhe e bindi poetin të mos vazhdonte udhën më tej. Por dyshimi se ai shtirej kaloi nëpër mendjet e disave, që u ndodhën pranë tij. Edhe Berti, që piu ujin e turbullt të pusit, ishte shëndoshë si molla. Ai tha me vete: “A ka vend më të këndshëm se Durrësi me det në kohë korriku? Dhimbja në bark e poetit dhe ai vetë do të harroheshin shpejt fushave të blerta, arave të korrura, pyjeve, hijeve dhe maleve me ajër e ujë të pastër.”
Po atë ditë brigada kaloi në vah Shkumbinin dhe u hodh në breg për të vazhduar marshimin nga Dumreja, drejt Jugut. Më tej brigada eci përmes Kuçovës.
Qyteti ishte ndryshe nga të tjerët, me banesa të reja e rrugë të drejta, por ajri mbante erë gazi e vajguri. Vende – vende shiheshin sondat e puseve të naftës, që uleshin e ngriheshin. Andej u larguan, duke ecur përmes arave të korrura dhe ndaluan në fshatin Moravë me ciganë. Bëhej festë me këngë e valle, me qemane. e def për bashkimin e tokave në kooperativë. Kryetari, burrë i zeshkët, gjatosh e thatim, ia kishte marrë me qemane këngës së Piperit. Asnjë nuk ndaloi shumë kohë atje, sepse një mizëri mushkonjash u sul mbi fytyrat e tyre, Natën brigada e kaloi si s’ka më mirë, në Berat. Të nesërmen, aty nga ora dhjetë, pasi kaloi urën mbi Osum, u kthye djathtas përpjetë për nga Qafa e Sinjës. Udhës në atë zheg korriku paguret u zbrazën krejt.

Ura e Goricës foto Agim Xh. Dëshnica

Mbi një fshat, që nuk ia dinin emrim, dy çuna, një i madh, tjetri pak më i vogël, të qethur me gërshërë, po ruanin dhentë në livadhin pranë udhës. Komandanti u shkëput nga brigada e u vajti pranë.
-O çuna, – u tha, – a ka ndonjë burim këtej?
-Po! – iu përgjigj më i madh – Shkoni tek ato shkurret atje sipër, kthehuni në të djathtë, pastaj drejt, bëni pak më lart dhe do të shikoni tre burime.
-Ec, bre, djalkë me ne dhe na trego vendin!
-Jo, s’vij dot. Kam dhentë unë këtu.
-T’i ruan ky, shoku yt, bre!
-Jo, jo! Nuk vij dot.
-Ec, more, djalkë!
-Jo, jo! Nuk vij!
Befas, u dëgjua krisma e revolverit të Koços. Të dy barinjtë, dyllë të verdhë në fytyrë, duke u dridhur bënë përpara.
-Ti i vogli, ktheu e ruaj dhentë! – tha komandanti.
Ndërkohë, i madhi, pa e kthyer kokën, priu përpjetë, nëpër labirinthin e shkurreve. Vetëm atëherë, kur ujërat nisën të rridhnin nën këmbët e të eturve, që ecnin dhe hidhnin sytë djathtas e majtas me padurim, u duk qartë vendi i bekuar i burimeve.
Bariu u ndal te burimi më i madh, pastaj bëri të kthehej. Por, komandanti e ndaloi. Djali u hutua.
-Neço, jepi dy palë opinga gome këtij djalkës!
Kur dëgjoi zërin atij, që shtiu me kobure, djali u trondit.
-Jo, nuk i dua, nuk i dua! – thiri dhe u shtri për tokë.
Koçoja e ngriti në këmbë, duke i folur urtë e butë:
-Mos, bre kështu, merri! Një palë jepja shokut tënd!
Djali e mblodhi veten, tha diçka nën zë, shtrëngoi opingat në gjoks dhe ia dha vrapit tatëpjetë. Kurse djemtë e brigadës, të etur siç qenë, u sulën te burimet, pinë atë ujë aq të ftohtë dhe mbushën paguret. Pasi u shlodhën në hijet e shkurreve, vazhduan udhën drejt Qafës së Sinjës, që dukej lart nën qiellin e kaltër. Matanë Shpiragut i prisnin Ballshi, Selenica, Vlora, malet, Kuçi, e përtej Kuçit fushat, Gjirokastra, Korça dhe prap malet deri në Tiranë.

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.