back to top
4.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Për Andronikën e Kaninës… Donikën e Skënderbeut

Gazeta

Donika (Andronika Arianiti) Kastrioti
Donika (Andronika Arianiti) Kastrioti

Për Andronikën e Kaninës…

Donikën e Skënderbeut

Andronika Arianiti, lindi në Kaninë, më 1428.
Ky vit i lindjes së saj del nga shumë të dhëna të historianëve të ndryshëm, të cilët thonë se ajo ka qenë 23 vjeç, kur u martua me Skënderbeun.
Martesa u bë në vitin 1451. Skënderbeu ishte dyfishi i saj në moshë, 46 vjeç. Andronika thirresh ndryshe edhe Donika. Ishte vajza e madhe e Gjergj Arianitit.
Gjergj Arianiti ishte martuar dy herë. Me gruan e parë, Marie Muzakën kishte pasur gjashtë vajza: Donikën, Gojsavën, Anën, Halenën, Dhespinën dhe Komitën. Me gruan e dytë, Pietra Franko, ai pati tetë fëmijë ndër të cilët mund të përmendim vajzat: Marie, Teodora, Katerina, Mara si dhe djemtë: Thoma, Kostandin, Arianit, pra gjithsej pati 14 fëmijë.
Donika ishte e para e të gjithëve. Ajo lindi dhe u rrit në Kaninë të Vlorës. U martua me Gjergj Kastriotin – Skënderbeun më 23 prill 1451. Dasma nisi në Kaninë dhe zgjati tri ditë, 21-23 prill. Për dasmën e këtij çifti të shquar të Arbërisë ka gojëdhëna, vargje popullore, të dhëna historike. Thonë se Skënderbeu erdhi në Kaninë me 500 kalorës. Kënga dhe vallja buçiti dhe Kalaja e Kaninës llamburiti nga pishat dhe fenerët e shumtë. Aty u bë shkëmbimi i unazave. Në Qishbardhë (Kishën e Bardhë) afër Kaninës, çiftit iu dha bekimi ungjillor. Më pas ceremonia vazhdoi në Manastirin e Ardenicës, në afërsi të Lushnjes, dhe më pas u mbyll në Kalanë e Beratit. Populli buçiste e duartrokiste kudo ku shkelte çifti.
.

Kalaja e Kanines
Kalaja e Kaninës

Ja disa vargje folklori për dasmën e tyre:

“…Ç’dasmë që bën Araniti/ Atë natë kalaja ndriti,
Kënga dhe vallja buçiti/ Çelën llamba, ndezën pisha
Plot tryeza me të gjitha,/ Mish dashi, Labërie, / Verë Parge Çamërie…”

Vargu i dasmorëve lebër e përcolli çiftin, deri tej Vjosës. Më 26 prill 1451, atyre iu dha kurorëzimi në Berat. Për bukurinë e këtij çifti kanë folur, pikturuar e vargëzuar shumë njerëz të artit, midis tyre dhe poeti i madh Naim Frashëri:

“…Dhëndëri si dielli ndriste,/ Edhe nuseja që prunë,
Porsi hëna vetëtinte,/ Dritënë në dritë e shtunë…”

Manastiri i Ardenices
Manastiri i Ardenicës

18 vjet jetoi me Skënderbeun Donika, duke shkëlqyer si një bashkëshorte dhe këshilltare e urtë dhe virtuoze e të shoqit. I qëndroi besnike atij deri në grimën e fundit të jetës së saj. Ata patën një djalë, Gjonin.
Ai ishte 12 vjeç, kur i vdiq i ati Gjergj Kastrioti – Skënderbeu. Lindi aty nga viti 1456, sipas përqasjeve të historianëve, (P. Petta, F. Babinger)
Vëllai i Donikës, Kostandini, ishte përgjegjës i gardës së Skënderbeut. Atë e dërgoi i ati atje, për të ruajtur jetën e kryetrimit, të motrës dhe nipit të vogël, Gjonit.
Donika e edukoi të birin me virtytet e larta të së atit dhe të derës së saj fisnike, Gjergjit Arianitit të Kaninës së Vlorës, të cilin e thërrisnin edhe “Skënderbeu i dytë i Arbërisë”. Ajo, Donika e edukoi edhe nipin e saj, Gjergjin e dytë, me krenarinë e të qenit shqiptar.

Kur vdiq Skënderbeu, Donika lajmëroi mbretin e Napolit, Ferrante, për gjëmën që i ra Arbërisë. Ky, (Ferrante) i shkroi: “Skënderbeun e kemi pasur si një baba të dytë pas Alfonsit”. Dhe dërgoi menjëherë në Krujë njerëzit e tij, për të marrë familjen e Skënderbeut në Napoli. Donika me Gjonin shkuan atje dhe Ferrante i vendosi në feudin e Galantinas, duke ua falur atë si pronë. Mbreti i Napolit e kishte ndihmuar Skënderbeun me ndihmë në ushtarë, armatime, të holla, sepse edhe Skënderbeu e kishte ndihmuar atë, për të mposhtur kundërshtarët e tij në Itali. Disa feude ia kishte falur Skënderbeut që në gjallje të tij.
Donika dhe i biri Gjoni, shoqëroheshin nga një shpurë me gra e vajza. Edhe Venediku u kishte siguruar atyre si vendqëndrim ishujt Lezina e Kucola, por këta shkuan në Napoli. “Do t’ju pres si nënën dhe djalin tim” – i pati shkruar Ferrante Donikës.
Në Napoli, Donika kaloi pjesën më të madhe të jetës së saj. Mbretëresha e Napolit, Xhoana e Tretë, motra e Alfonsit, e mori Donikën shoqëruese të saj të parë. Të tillë e mbajti dhe mbretëresha tjetër, e shoqja e Ferrantes, falë zemërgjerësisë së saj njerëzore e mirënjohëse, për veprat e lavdishme të luanit shqiptar, të shoqit të Donikës. Atje, Donika, me shkëlqimin e saj si mbretëreshë arbërore, e rriti dritën, autoritetin dhe prestigjin e prejardhjes së saj mbretërore.

Gjergj Kastrioti (1405-1468)
Gjergj Kastrioti (1405-1468)

Qëkur ishte në Krujë, Republika e San Marco (Venedik) e kishte shpallur Skënderbeun si dhe gruan e tij Donikën, “Qytetarë Nderi të Venedikut” dhe Gjonin, megjithëse i vogël, e shpallën “Bujar të Venedikut” (1462); Zot të Krujës (1468-1474); Kont të Salentos (Itali), 1478; Zot të Galianos në Napoli, kont të Galantinës, 1495; komandant të gardës në Venedik, etj.
Një motër e Donikës, Katerina, pas vdekjes së burrit të saj të dytë, u martua me epirotin e famshëm, Mërkur Bue Shpata, nga dera e dëgjuar e Shpatajve të Çamërisë. Ai u bë gjeneral dhe kont në shumë shtete të Evropës.
…Donika kryente detyrën e zonjës së parë të oborrit mbretëror të Napolit; i shoqëronte dy mbretëreshat e takime e vizita të ndryshme. Ajo mbante lidhje me motrat dhe vëllezërit e saj. Kur e motra, Angjelina e martuar me princin ballkanas, Stefan Brankoviqin, ra nga gjendja ekonomike, Donika e ndihmoi atë. Po kështu edhe motrat e tjera në Arbëri e Itali. Ekzistojnë shumë dokumente financiare në arkivat italiane për këto ndihma. Ajo ndërhyri pranë Këshillit të Venedikut, për të ndihmuar vëllain e saj, Kostandinin, i cili i shërbente papatit të Romës dhe mbeti një figurë e ndritur e asaj kohe, sepse shmangu një përplasje të mundshme midis Italisë dhe Francës. Për shërbime të tilla të mëdha, Konstandini kur vdiq, u varros në Kishën e 12 Apostujve, në Romë.
…Siç u tha, Gjoni qëndroi në feudet e tij në Napoli, për më se dy dekada. Më pas ato feude i kaluan sërish Napolit. Gjoni mbajti titullin “Dukë i Shën Pietrit”. Së bashku me të birin Ferdinantin, nuk u përzie në jetën e oborrit, por u aktivizuan në botën e fisnikërisë së lartë provinciale. Ai mbeti ushtar besnik i mbretit Ferrante. Më pas, për pak kohë mori anën e spanjollëve… (Petta), duke rekrutuar stratiotë shqiptarë në vitet 1480-1481, Gjoni 25 vjeç, iu përgjigj thirrjes së atdhetarëve të tij në Arbëri dhe u vendos në krye të kryengritjeve gjatë bregdetit shqiptar e në Himarë. Erdhi me një forcë arbëreshe nga Italia, e së bashku me luftëtarët e shumtë të bregdetit theu forcat turke nga Durrësi në Himarë. Aty u kap rob edhe komandanti turk Sulejman Pashë Eunuku, të cilin Gjoni e mori me vete dhe ia çoi si dhuratë Mbretit Ferrante në Napoli. Në këto inkursione historike bashkë me të ishte edhe Konstantin Muzaka.

Lagje ne Berat
Lagje në Berat

Turqit në bregdet patën mbi 1000 të vrarë. Më se 10 vjet principata e Himarës mbeti e lirë, duke njohur si kryezot birin e Skënderbeut – Gjonin. Për të gjitha këto veprime heroike Gjoni pati edhe bekimin e nënës së tij fisnike – Donikës.
Më vonë Donikës, mbreti Frederik i dha edhe një feud tjetër në Galiano. Gjoni ndërtoi atje për françeskanët një manastir e një kishë. Gjoni vdiq aty nga viti 1505, në moshën 50 vjeçare. Nga fëmijët e tij i rrojtën vetëm Ferdinandi dhe Maria. Rreth vdekjes së Donikës. Në librin e tij, Franc Babinger, thotë se “Andronika (Donika), në verën e vitit 1500 gjendej shëndoshë e mirë në Napoli, duke qenë zonja dashamirëse në pallatin e mbretëreshës. Ajo vizitonte Venedikun ku ishte “Qytetare Nderi”, së bashku me shpurën e saj. Po atë vit (1500) Donika bëri varroshin e të nipit të Skënderbeut – Kostandin Kastriotit. Mbi të skaliti stemën dhe flamurin e të shoqit – shqiponjën e zezë me dy krerë, me yllin gjashtëcepësh sipër.”
Një ambasador anglez i kohës shkruan se më 23 qershor 1503, ai vizitoi të dy mbretëreshat e Napolit, Xhoanën dhe të shoqen e Ferrantes. Ai thotë se “…aty ishte edhe një dukeshë… prej anëve pranë Greqisë”. Kush tjetër të ishte kjo dukeshë, veç Donikës së Skënderbeut, siç vërtetohet nga shumë historianë?!
Në një libër tjetër shkruhet se ajo (Donika) vdiq më 1506 dhe ajo u varros në Napoli në Kishën e Shën Trinisë.
Një gravurë e shekullit të 16-të, me portretin e saj, gjendet edhe sot në muzeun e Napolit. Pra, Donika ka vdekur rreth vitit 1506, sipas disa burimeve. Del që ka vdekur në moshën 78 vjeçe, 38 vjet pas të shoqit. Pas vitit 1506, nuk pati më lajmërim për të.
Ajo vdiq duke pasur me vete shkëlqimin e epokës Skënderbejane, të dragoit shqiptar, i cili mbrojti Europën nga zjarri turk. Ajo do të mbetet në kujtesën e njerëzimit si një grua-mbretëreshë e rrallë, bashkëshorte modele dhe atdhetare fisnike.

Andronika (Donika) Kastrioti ishte gruaja e Skënderbeut. Ajo ishte bija e princit të famshëm arbër Gjergj Arianiti, njerit prej prijësve më të mëdhenj të luftës kundër pushtimit osman. Andronika, pra ishte një dukeshë, ajo lidhi kurorë me Gjergj Kastriotin, kryekapedanin e Lidhjes Shqiptare, pothuaj një mbret pa kurorë, dhe u bë princeshe. Me gjuhën e sotme protokollare Andronika Kastrioti do të konsiderohej Gruaja e Parë e Arbërisë.
Marrë nga Wikipedia

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.