back to top
14.5 C
Tirana
E mërkurë, 18 Dhjetor, 2024

Për diskutimin e kufijve Kosovë-Serbi – nga Thanas L. Gjika

Gazeta

Prishtine - 17 Shkurt 2016
Prishtine – 17 Shkurt 2016

Për diskutimin e kufijve Kosovë-Serbi

nga Thanas L. Gjika

Këto ditë po diskutohet problemi i korigjimit të kufijve midis shtetit të Kosovës dhe shtetit të Serbisë. Po marr guximin edhe unë të shpreh shkurt mendimin tim:
Ideja e krijimit të shteteve kombëtarë në Gadishullin e Ballkanit ku të përfshihen gati gjithë territoret ku flitet gjuha e popullit të tyre, më duket ide e drejtë. E them këtë sepse popujt e Ballkanit janë larg nga mendësia e tolerancës europiane. Ideja e krijimit të shteteve kombëtare në Ballkan shpie tek krijimi i një shteti kombëtar Shqiptar në Ballkanin Perëndimor, një shteti Serb në Ballkanin Qendror, një shteti Bullgar në Ballkanin Perëndimor. Pra nuk ka pse të krijohen dy shtete shqiptare dhe një Maqedoni ku shumicën e përbëjnë Bullgarët e Shqiptarët.
Nëqoftëse shtrimin dhe zgjidhjen e problemit të krijimit në Ballkan të shteteve kombëtare e marrin përsipër ShBA-të dhe BE-ja, atëhere nuk ka pse të shqetësohemi dhe nuk ka pse ta kundërshtojmë.
Bashkimi me shtetin e Kosovës i Luginës së Preshevës ku shqiptarët përbëjnë shumicën dhe bashkimi me shtetin e Serbisë i Mitrovicës së Veriut ku serbët përbëjnë shumicën, siguron paqen midis këtyre dy shteteve dhe nuk e dëmton Kosovën. Puna është që ky proces të shpihet deri në fund, pra deri tek krijimi i shtetit kombëtar Shqiptar, shtetit kombëtar Serb dhe shtetit kombëtar Bullgar.
Fjalët se Mitrovica e Veriut përbën “zemrën e Kosovës”, ose pasurinë e saj më të madhe, etj, nuk duhet të na shqetësojnë, ato janë fjalë e asgjë tjetër.
Begatinë e një shteti dhe të banorëve të tij nuk e sjellin pasuritë nëntokësore, e mbitokësore, as fushat e gjera dhe as brigjet e bukura të deteve. Begatinë e një shteti dhe të banorëve të tij e krijojnë njerëzit, sidomos qeveritarët me punën e tyre. Nëse një shtet e drejtojnë njerëz të ndershëm dhe atdhetarë, ai shtet dhe populli i tij jetojnë në begati e paqe. Nëse një shtet e drejtojnë njerëz të pandershëm dhe jo atdhetarë, ai shtet dhe populli i tij jeton në varfëri. Shembujt janë të shumtë, por unë po ju sjell vetëm një:
Populli i Zvicrës, popull i një shteti të vogël me shumë male me pak fusha e pak minerale, dhe pa bregdet, jeton në begati; kurse populli i Rusisë, popull i një shteti të madh me fusha të gjera, plot pasuri minerale e brigje të shumta detare, jeton në varfëri. Për të njejtat arsye jetojnë në begati si populli i Zvicrës edhe populli i Belgjikës, Hollandës, Danimarkës, Suedisë, Norvegjisë, etj. Dhe po për këto arsye jetojnë në varfëri si populli i Rusisë dhe populli i Indisë, Meksikës, Kongos, etj.
Pra dhe populli i Kosovës në ditët tona dhe ai i Shqipërisë së bashkuar nesër, si dhe ai i Serbisë së sotme dhe ai i Serbisë së bashkuar nesër, do të jetojnë në begati e paqe nëqoftëse do të drejtohen nga burra shteti atdhetarë e të ndershëm dhe jo se do të kenë nën qeverisje edhe këto ose ato krahina.
Popullit shqiptar nuk i duhen disa shtete, por një shtet i vetëm kombëtar ku të përmblidhen sa më shume territore ku shqiptarët përbëjnë shumicën. Ekzistenca e shtetit të Kosovës si shtet shqiptar i pavarur, ishte një zgjidhje e përkohëshme derisa t’i mbushej mendja klasës politike të shtetit Serb se Kosova nuk ishte pjesë e Serbisë. E tani që u kuptua se për shtetin Serb është më mirë të bashkojë territoret ku populli Serb përbën shumicën dhe të mos pretendojë më për Kosovën dhe Luginën e Preshevës, problemi i bashkimit në një shtet shqiptar i trojeve ku populli shqiptar përbën shumicës merr rrugën e zgjidhjes.
Në rast se Kosova pasi të lëshojë Mitrovicën e Veriut dhe të marrë Luginën e Preshevës, do të vijojë të jetë shtet i pavarur, lind problemi: shqiptarët e Maqedonisë do të jenë minoritet i shtetit Shqiptar të Shqipërisë apo minotitet i shtetit Shqiptar të Kosovës?
Zgjidhje më e mirë dhe paqesjellëse është bashkimi i Republikës së Shqipërisë me Republikën e Kosovës në një shtet dhe shkrirja e shtetit të Maqedonisë midis Bullgarisë dhe Shqipërisë së bashkuar. Përderisa shqiptarët e Ballkanit Perëndimor, që sot jetojnë të ndarë në disa shtete luftuan kundër pushtuesit osman dhe shtetit Serb me një flamur të përbashkët, flamurin e Gjergj Kastriotit, do të thotë se ky popull duhet të krijojë një shtet kombëtar nën këtë flamur. Zgjidhjet e tjera janë afatshkurta…

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.