back to top
11.5 C
Tirana
E martë, 5 Nëntor, 2024

Për Dite Vere n’Stuhi Bore… esse nga Jozef Radi

Gazeta

14 mars 2017, Stuhi Bore, Hawley (PA)
14 mars 2017, Stuhi Bore, Hawley (PA)

Për Dite Vere n’Stuhi Bore…

esse nga Jozef Radi

14 marsi i vitit 2013,
Eshtë dita e para e paraqitjes si sitit www.radiandradi.com.
Nji periudhë katërvjeçare pune dhe mundimesh,
mbi 2500 shkrime, mbi 5000 foto, mbi 3600 informacione enciklopedike,
dhjetra promovime, mijra personazhe të letërsisë, kulturës,
historisë shqiptare dhe të përbotshme, politikës; ngjarje, analiza, kronika
mbi 200.000 lexues, afro 650.000 lexime…
Shifra që jo vetëm të mbushim me entuziazëm,
po më së shumti ta shtojnë shpirtin e përgjegjësisë…
Ju falenderoj të gjithëve Ju, që shkruani, që lexoni dhe që e shpërndani këtë punë
e cila tashmë s’është vepër e një njeriu të vetëm po e të gjithëve Ne bashkë…
jozef radi, 14 mars 2017
.
Ndërsa këndej po bjen mesnata… e n’anën tjetër të globit asht tuj zbardhë mëngjesi… s’e gjeta n’arsye teme me u përplasë për shtrat pa ju urue atyne të anës tjetër; që mund të jenë çue a jo; që e ndjejnë a jo si rast urimi “Festën e Ditës së Verës”…
Mbasi e vuna shënimin me gjithë link, prej dritares ia hodha nji sy qendrës së katundit, ku tashma pritesh stuhia e madhe dhe kuptova se parathania e borës kish nisë me u shkrue gjithkah… Eh parathania – mendova me vedi, – asht nji parathanie që m’duhet me shkrue me krejt zotsinë time, në emën të nji dashnie që ringjall, por që me e shkruejtë si duhet m’donte edhe pak kohë…
Si i lindun në qytetin e “Ditës së Verës” që e kam fort të dashtun jo veç prej faktit rastësor të lindjes, kujtova ditët e kësaj feste të kalueme aty n’at qytet, do magji emocionesh të shkueme, e kurrë të harrueme… Ndërsa jashtë bora e pat shtue ritmin e po shtronte me kujdes frymën e saj, isha zhytë e përhumbë ndër mendime t’mia e botë të largëta, që shpesh as i shkonin për fill njena tjetrës; e megjithatë mendova se paganizmi i kësaj feste mbetet ndër magjitë e pakta ende të ruejtuna, që vazhdojnë me u mbajtë gjallë e në kambë prej nji force ende të panjoftun…
A din kush me m’shpjegue, çka do me e thanë me e ndje stuhinë e borës si festë vere… Ndoshta, por unë po përpiqem me e kallzue n’at mënyrën teme të kësaj dite…
Ti flen përhumbun… dhe nga jashtë të vjen nji qetsi e butë, e ambël, e ngroftë… njashtu përgjumshëm s’shef asgja veç ndjen se bota asht ba njish me vedin edhe me ty… Nuk ekziston ma asgja, as zhurmë, as njerëz, as kafshë, as zogj… ndoshta edhe ti vetë je në dilemë je a s’je: po nëse je, ku je? e nëse e merr vesh ku je, çka dreqin të ka hjedhë këtyne anve, dhe i ke lanë edhe barin, edhe lulet, edhe festën, edhe ritet që ta shënojnë ndër gene të lashtën tande…
Ç’ka t’përgjigjesha… Hesht, veç heshta dhe mendova lulet e para të verës anëve t’mia;
.
Lulet e kajsisë në Ditën e Verës
Lulet e kajsisë në Ditën e Verës
Po lulet e kësaj dite kanë emën bore. Edhe atje në qytetin tim të lindjes, shumica e vajzave janë me emna lulesh erëmira, si përjetim i pafund i nji feste dhe stine që edhe kur t’mos jetë festë, edhe kur ato t’i jenë larg atij qyteti, ai të mbetet nji ndërmjetës i përjetshëm dashnie.
Prej ngroftësisë së shtratit ndjej krejt pushtetin e nji stuhie bore… E luej pak perden, dhe kuptoj se vetëm bora mundet me e lshue dekun krejt botën! Njashtu butë, pa asnji zhurmë, pa asnji klithmë, tuj ja mbyllë rrugët gjithkujt dhe gjithçkaje, tuj ia mbajtë hovin çmendinës së kësaj bote që ngarend në të marrë të vet, a thue se do me mbrritë ndër tjera planete, kur hisja e shkrueme e gjithsecilit asht mbas ndonji guri, n’livadh të ndoj pylli.
Dhe ti nis me e lexue borën ndryshe. Nis me e kuptue pushtetin gjithpushtetshëm të saj, se ajo asht ma e fuqishme se pushteti i njerzve, se pushteti i parasë, se pushteti i luftës… A e kujton kush vallë, se bora i ka shndrrue edhe fitimtarët e mëdhenj në humbsat ma të mëdhenj…?! Pra, ruejuni borës, asaj të butës, asaj të bardhës, asaj të urtës, asaj të pazhurmtës, asaj të ndrojtunës… asaj që e ka ba kët katund të vogël të Pensylvanias, strehë e pakditshme e jemja, veç me e dëshmue se kjo stuhisë me emën të bukur Stella, asht nji dhuratë që meriton shkrue…
Mandej erdh zgjimi. Përcolla do urime të pakta e të përtejme, tuj dashtë me qenë sa ma larg borës e sa ma afër luleve; sa ma larg heshtjes solemne e sa ma afër festës së verës…
Prej Nju Yorku, më shkruejtën se “…të gjithë kena mbetë të ndrymë në shtëpi, e askush s’ka mujtë me dalë pse asht e pamundun, e s’qarkullojnë as mjetet… – Ja u ka ba zoti festë! Festoni Ditën e Verës! – ju them! Zoti i paganëve ka qenë ma i pari… Ai ka mendue për Ju! – dhe qeshem…
Nga atdheu me shkruejnë:
“Jam ndër ciganë… Eh si kërcejnë këta o zot…! Për qejf të shpirtit të tyne, larg çdo hipokrizie… Dhe unë vdes tuj qeshë me ta, dhe bahem si ata… Janë të shlirtë, të natyrshëm, të dashtun deri në të pabesueshme. Tash po hajmë ballokumet e Festës e po i fshijmë gishtat ndër teshat e trupit. Kur t’shkoj kam me jua falë fundin që kam veshë, po s’di me çfarë të kthehem… Hahahah, kjo asht jeta e festës këtu… Jam te vajza e Remiut, mikut tem cigan, që më thrriste për çdo festë vere, tash që ai ka ikë më thrret e bija… S’ka Amerikë që mund t’më bajë me u ndje kaq mirë, sa ndjehem mes këtyne njerzve.
.
14 mars 2017, Stuhi Bore, Hawley (PA)
14 mars 2017, Stuhi Bore, Hawley (PA)
Si t’i përgjigjesha këtij mesazhi, zhytun midis borës që s’e ka ndërmend me rreshtë dhe heshtjes që edhe pse mjesditë s’piptin asgja e gjallë.
Ulem dhe shkruej. Njashtu i kërcyem pup prej shtrati drejt e para monitorit… Pa i la sytë. Pse sot due me iu hjedhë atyne borën e kësaj stuhie me emën grueje. Dhe shkruej e shkruej… për Borën e Madhe… e  përballë m’rri Dita e Verës strehue thellë në vedi, dhurue prej njatij qyteti, të cilin kado që shkoj s’mundem me e shkulë prej vedit….
Kjo ditë papritmas më bahet si ajo monedhë florini e mshehun n’laknuer. Lum kujt i bjen fati me e gjetë… Asht bukur se ngado ta kthej sot kët monedhë, e gjen ndaç Ditë Vere e ndaç Stuhi Bore…
E mue m’bahet sikur dikush m’thotë: Hidhe për qiell e mshehe ndër pllambë tua, mandej kqyre: ke me gjetë fatin tand njaty në dorë tande, ku je hjedhë stuhie bash në kët ditë të lume, veç me e dëshmue se kudo që të ndodhesh ajo Festë asht ndër shpirtna e kërrkund tjetër…
Hawley, (PA) 14 mars 2017
.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.