back to top
8.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Për Eni Vasilin, Fred Pezën dhe debatin mbi mediat në Shqipëri! – nga Arian Galdini

Gazeta

Arian Galdini
Arian Galdini

Për Eni Vasilin, Fred Pezën

dhe debatin mbi mediat në Shqipëri!

nga Arian Galdini

Shantazhistë, gjobaxhinj, etj, ishin pak a shumë cilësorët që Eni Vasili përdorte për kolegët dhe konkurentët e saj të mbrëmjeve televizive shqiptare.
Ma tërhoqi vëmendjen ai shpërthim pothuajse interesant, jo për çka shkruante Eni, por për gjetjen e saj për t’i bërë marketing produktit të saj televiziv që prej kësaj të enjteje do të jetë në vitrinën e All Stars, siç e quan Fred Peza.
Fakti që po ndërhyj në këtë debat nuk buron as nga fakti se unë jam aktivist politik e as nga ndonjë dëshirë a prapamendim për të futur hundët aty ku ka lajm.
Aspak.
Raporti im me politikën ka qenë ngahera raport jopushteti. Kurrë nuk kam pasur asnjë ditë paqeje a bashkëpunimi me njerëz në fuqi. Për 27 vite kam qenë gjithëherë njeriu i politikës në liri, dinjitet e integritet të plotë. Kam qenë në bashkëudhëtime me parti a politikanë por veç në korsinë time, e kurrë në ditët e tyre në pushtet.
Edhe raportin me lajmin e kam tejet sqimatar e konservativ. Në asnjë rast nuk kam synuar të bëhem a bëj lajm me kotësi a prej të tjerëve. Jam bërë ose kam bërë lajm vetëm bazuar në nisma, ide e veprimtari që kam zhvilluar vetë.
E qëruar kjo, dua të kthjelloj se në këtë debat po ndërhyj si qytetar i shqetësuar për nivelet dhe treguesit e demokracisë dhe lirisë në vendin tonë.
1.Pyes Enin, Fredin dhe All Stars, a nuk ju bën përshtypje se vendi i dytë më i varfër në Europë ka numrin më të madh të mediave televizive, të shtypit dhe online?
E jo vetëm që numri i tyre është befasues, por edhe teknologjia dhe paratë e investuara në to janë mbresëlënëse.
Hidhni një sy në Greqi, Maqedoni, Serbi, Mal të Zi, Kroaci, etj, etj, e nuk do të gjeni kaq shumë media dhe kaq shumë investime marramendëse për teknologjinë e tyre.
Numri çmendurisht i lartë i mediave dhe investimi marramendës që bëhet në to e për to është paradoksi më i epërm kur mendon se jemi një vend kaq i vogël me vetëm 2.8 milion banorë.
E vërteta e hidhur që duhet ta themi të dashur Eni, Fredi dhe All Stars, është se Shqipëria nuk ka dalë dot nga ngërçi dhe kalbtësia e propagandës totale. Njëlloj si dikur në kohën e Diktaturës Komuniste kishim vetëm agjipropin e PPSH, sot kemi agjipropet e pluralizmit të partive e grupeve finaciare që kanë shumëfishuar modelin e PPSH.
Nuk kemi pluralizëm real, me parti e modele që konkurojnë me ide, liri, vizion, projekte, alternativa.
Kemi pluralizëm teknik, sepse gara bëhet mes partive e grupeve të ndryshme që bartin të njëjtin model.
Kjo ka sjellë këtë trallisje me kaq shumë para e teknologji në këtë det mediash që bëjnë agjipropin e partive tona.
2.8 milion shqiptarë janë çdo ditë nën elektroshokun e agjipropit total.
Politikë, politikë dhe vetëm politikë.
Paradoksi bëhet shfazues kur ti e di se vendi është i zhytur në skamje, varfëri, mjerim, papunësi, pashpresësi ndërkohë që politikanët tejkalojnë çdo fantazi showbizi hollywoodiane me pasuritë e tyre përallore dhe jetën ditore prej fashionistash nga Beverley Hills.
Pra e thënë açik, politikanët tanë pasurohen duke na sunduar e plaçkitur neve, ndërsa mediat lulëzojnë me paratë e plaçkës që bëhet mbi vendin e qytetarët, gjë që i kthen gazetarët dhe analistët jo në gjobaxhinj e shantazhistë siç i quan Eni, por në simbioza natyrale në këtë ‘lojë grykësie dhe imoraliteti’ pa kufij.
Arsyeja pse kemi kaq shumë media e kaq shumë para për mediat, gazetarët, analistët është pikërisht nevoja simbiotike e sistemit politik plaçkitës për agjiprop total.
Liria e çartur me një det mediash e pafundësi informacioni dhe interpretimesh prej analistësh majmërisht të paguar quhet në ditët e sotme si ‘Tirania e transparencës’ dhe është po aq vrastare e lirisë, sa edhe çensura e ndalesa e plotë e lirisë së shprehjes.
2.A nuk ju bën përshtypje se ne kemi më shumë analistë dhe moderatorë emisionesh televizive për banorë, sesa mësues, mjekë, agronomë e veterinerë?
Shërbimi i agjipropit total fillon në mëngjes e nuk mbaron e as pushon për asnjë çast deri në mëngjesin tjetër, e kështu pandalshmërisht…
Shqiptarët mund të mos kenë shërbime mjekësore, mund të mos kenë as mësues, ama pa lajme e analistë nuk mund të lihen…
3.A nuk ju bën përshtypje se pronarët e mediave ku ju punoni janë kreditorë të këqinj në Banka e tek Politika?
A nuk ju bën përshtypje që juve ju dridhen leqet e këmbëve kur ju vjen pronari, kur ju telefonon pronari, kur ju sms pronari e ju tregon kë të doni, e kë të mos doni?
A nuk ju bën përshtypje se pasurimi dhe fuqia e pronarëve tuaj është bërë njësh me plaçkitjen dhe pushtetin e politikanëve tanë?
Nuk është shantazhist e as gjobaxhi askush që punon për pronarë klientelistë.
Është simbiozë dhe kaq. Secili bën të vetën natyrale brenda makinerisë dhe sistemit të së keqes.
4.Nuk ka njeri që nuk e di se nuk ekziston në Shqipëri ai emision, televizion, gazetë, gazetar, moderator e analist që nuk komandohet, përpunohet, orientohet apo merr leje nga 3 apo 4 Kujdestarë për Mediat të Kryetarëve të partive.
Të gjithë e dimë se ju punoni veç me listëporosi nga Kujdestarët Mediatikë të Kryetarëve të Partive, nga pronarët tuaj, nga klientët tuaj, nga tarafet, miqësitë e tavolinat tuaja të bankës së qokave.
Ju nuk keni liri.
I keni mbytur mediat me vetëm 50 njerëz që i shëtisni dhe i shkëmbeni gjithë ditën e çdo natë nga njëra studio në tjetrën.
A nuk e kuptoni se jeni bërë paradoksalë e të papërtypshëm?
Jemi vendi me rekord global, me numrin më të madh të mediave dhe emisioneve e moderatorëve dhe çuditërisht me numrin më të vogël të njerëzve që promovohen e shfaqen në to.
Vetëm 50 njerëz me listëporosi sheh në çdo ekran.
Edhe fytyrat e reja që prodhoni i merrni me listëporosi nga klientelat politike, financiare apo universitare.
Ju nuk lejoni lirinë të veprojë.
Për ju çka ndodh pa lejen e politikanëve plaçkitës, pa lejen e pronarëve tuaj dhe pa lejen e klientelave tuaja, nuk ekziston, është asgjë.
Andaj mos shani kot njëri-tjetrin sepse jeni pjesë e pandashme e simbiozës në këtë sistem të fëlliqur të politikës plaçkitëse dhe agjipropit total.
Dhe e fundit.
5.A nuk ju bën përshtypje e a nuk e ndjeni si kriminale këtë risi të politikës dhe agjipropit total që flet vetëm me gojën, fytyrën, fjalët dhe gërmat e gazetarëve e analistëve për gjithçka?
E keni mbytur këtë shoqëri me analistë e analiza që vetëm interpetojnë për llogari të Kryetarêve të Partive, pronarëve e pagesave të majme.
Qytetarët nuk votojnë analistë.
Qytetarët votojnë politikanë.
Qytetarët nuk ua paguajnë rrogat me taksat e tyre analistëve, por politikanëve dhe funksionarëve publikë.
Pse kaq pak politikanë të zgjedhur e kaq pak funksionarë publikë të ftuar në studiot tuaja?
Qytetarët meritojnë t’u jepet llogari, jo t’u bëhen analiza dhe interpretime.
Politikanët dhe funksionarët publikë e kanë për detyrim të japin llogari.
Nuk mund të na e vrisni lirinë dhe të drejtën e llogaridhënies duke na marë frymën me analistë e analiza.
Një shoqëri pa llogaridhënie është një shoqëri e vrarë.
Një shoqëri e mbytur nga analizat dhe interpretimet është një shoqëri e palirë.
Kryetarët e partive e kanë të lehtë të rrethohen me kaqola, kur nuk u duhet më të nxjerrin politikanë që të japin llogari.
Me kaqola vrasin demokracinë e brendshme ndërsa me analistë na interpretojnë neve sesa e bukur duket hëna kur pjell mushka.
Mjaft më.
Lejoni lirinë. Punoni për lirinë.
Ky është misioni i gazetarëve të vërtetë.
https://www.cna.al/2018/02/02/per-eni-vasilin-fred-pezen-dhe-debatin-mbi-mediat-ne-shqiperi/
 
 

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.