back to top
0.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Për Frankon… me Frankon – opinione

Gazeta

Kantautori Françesk Radi
Kantautori Françesk Radi

Për Frankon… me Frankon – opinione

Ti sillje aromë lirie, rinie, optimizmi…

nga Gazmend Mullahu

Dhimbje dhe trishtim për humbjen e një artisti por që merr përmasa shumë herë më të mëdha e rëndohet kur ai është miku, kolegu shoku me të cilin kemi ndarë të gjitha eventet e jetës sonë prej dekadash.
Françesk Radi do mbahet mend gjatë si njeriu i mirë, miku i ndershëm, artisti që krijoi portretin origjinal në skenë nuk do e kemi më. Artisti që krijoi këngët nga më të sinqertat e repertorit shqiptar të cilat zbukuronin çdo repertor artistik dhe të çdo eventi. Franko u bë zë i rëndësishëm i spektakleve dhe mungesa e tij ndjehej. Njeriu që donte muzikën ashtu si dhe jetën, shoqërinë, vetveten. Të gjitha këto ishin elementet që e shoqëronin përgjat jetës.
I vëmendeshëm e plot kujdes për shëndetin, shëndetin, fizikun. Kurrë nuk abuzonte, larg të gjitha veseve: “Respektoj dhuntinë e falur nga Zoti” thoshte që herët – “Zerin”!
Franko ynë i paharruar, me paraqitje elegante dhe sportive, me humorin e pandalshëm dhe natyral, plot plane dhe projekte, optimist dhe djaloshar ikën papritur, pa imagjinuar kurrë se do ishte Lamtumirë!
Kam dhimbje miku im të them këtë fjalë për ty.
Mijra kujtime do më ngushëllojnë. Mbetesh në mendje dhe zemrat miqve të tu e të mijra simpatizantëve në sa e sa familjeve që u sillje aromën e lirisë, rinisë, optimizmit dhe shpresës.
Lamtumire Franko, miku im i çmuar, i një brezi plot dhimbje e sakrifica, gëzime e trishtime si kurrë brez më parë.
Fat për Engjejt të të kenë pranë!
U prehsh në paqe!
.
Françesk Radi (1950-2017)
Françesk Radi (1950-2017)

Heshtja e dhimbeshme e kitares se Frankos…

nga Adriatik Riza Dosti

Nuk ja ka dalë dot ta mposhtë sëmundjen e rëndë dhe në mesditën e së hënës së 3 Prillit 2017… kantautori i njohur, miku ynë i mirë Françesk Radi është larguar nga kjo botë…
Jo, Franko, nuk e kishe as kohën e as moshën miku ynë i vyer të ikje nga jeta e nga kjo botë kësisoj
Jam i sigurt, që kishe ende shumë për t’i thënë e për t’i dhënë… vetes tënde, familjes tënde të shënjtë e të respektuar… shoqërisë e publikut shqiptar që të donte e të respektonte aq shumë, por edhe ne shokëve e miqve të tu të hershëm që të sinkronizonim prej vitesh e vitesh njësh me kitarën tënde që s’tu hoq kurrë nga dora e nga shpirti…
Do të na mungosh shumë mik i shtrenjtë… do të na mungojë Live zëri yt sa i ëmbel aq edhe i veçante e unikal..
Do të na mungojnë fort “Adresa”, “Biçikleta”, “Rroku i Burgut”, “Ne të dy”, “Hapma derën”, “Zemër e lodhur”, “Në telefon” etj etj perla të repertorit tënd të mrekullueshëm…
U prehsh në Paqe, e të qoftë i lehte dheu TY… njeriut fisnik e kantautorit special: Franko Radi!
Kitarra jote tashmë do të heshtë dhimbshëm, por jam i sigurt se përmbi dhimbjen e saj do të ngrihen qindra kujtime, krijime e interpretime tuat të shkëlqyera, të cilat nuk ka vdekje që t’i fshijë dot e t’i lerë në pluhurin e harresës…
Lamtumirë mik i shtrenjtë!
.

Një kontestator i paepur…

nga Edison Ypi

Unë që dëgjoja Beethoven, Vagner, Verdi, Shopen, Shtraus, Shostakovich, Çajkovski, Neil Diamond, Joan Baes, Franco Battiato, Fabrizio De Andre, David Boëie, Neil Young, Rod Steëart, Deep Purple, Santana, Patti Smith, Paul Simon, do gënjej aq tepër sa hunda do më bëhet e gjatë sa nuk do dal dot nga shtëpia, dhe do mëkatoj aq trashë sa do më djegin flakët e ferrit, po të them se e kam dëgjuar edhe Françesk Radin. Megjithatë, është më e pakta të thuash se Françesk Radi ishte i talentuar. Françesk Radi ishte një kontestator i paepur, një antikonformist i papërkulshëm. Bezdia, neveria, urrejtja, që Françesk Radi kishte ndaj kurvit, kurvizmit, kurvistave, ishin lehtësisht të konstatueshme. Jetoi në teh të thikës. Atje ku po ta kishte tepruar edhe një milimetër, me siguri do ta kishin burgosur. Nuk e takova kurrë. Mirupafshim i dashur dhe i paharruar Françesk. Në pllajat e Parajsës. Ku do kemi kohë të flasim për të gjitha. Edhe për këta katunarët që mua dhe Ty po duan të na mësojnë Demokracinë, hiqen sikur kanë dëgjuar muzikë, dhe thonë se për ty u vjen keq.
.
Ferdinand dhe Françesk Radi (2002)
Ferdinand dhe Françesk Radi (2002)

Heshtni sonte!

nga Alfred Moloholli

Heshtni sonte! – Në djall televizioni, radioja, magnetofoni, kasetofoni i makinës!
Heshtni sonte! – Në djall këngët, tekstet e vjedhura, muzika e vjedhur, hip-hopet me shalë putanash!
Heshtni sonte! – Në djall bythëzbuluarat, gjoksedalat dhe prostikëngëtaret që tregojnë ”zogun” e tyre me gisht!
– Heshtni sonte! …Shuhet një yll nga Galaktika e këngëve pa mort!
Françesk Radi

.

Personazhi më i veçantë i botës muzikore shqiptare!

nga Edmond Hasani

Iku dhe një Njeri që veç muzike, ëmbëlsi, mirësi, art, kulture prodhoi e transmetoi tek të ngjashmit e tij e jo vetëm!
Iku hidhësisht i ëmbli Françesk Radi, e ndërsa me Biçikletë kërkoj Adresën e Burgut ku këndohet rock, kujtoj takimin e parë e të fundit me idhullin e rinisë time diku tek lulishtja pranë kinemasë andej nga 1978, kur Franko Radi ishte personazhi më i veçantë i botës muzikore shqiptare!
RIP Franko dhe falemnderit për muzikën dhe zërin tënd që na embelsove në vite të hidhura, në vite pa shije.
.
Françesk Radi ne vitin 1970
Françesk Radi ne vitin 1970

Ia kam borxh mirënjohjen

nga Shpend Sollaku

Me ra rasti, dikur, andej nga fundi i viteve ’90, t’i jepja të dëgjonte Adrianos një cover tjetër të këngës “Sussana”, të kënduar më parë në italisht po prej vete Celentano-s. Ai, sipas mënyres së vet, komentoi kështu: “Po ky jam unë, dmth, duhet të jem unë, dmth, nuk jam unë, por një që më duket më mirë se jam unë…”
I fola që këngëtari që po dëgjonte ishte shqiptar, që quhej Françesk Radi, një kantautor i shquar që edhe e kish pësuar prej muzikës së tij në kohën e diktaturës. I premtova që do tʼi dërgoj një CD të plotë të Françeskut tonë, porsa të më binte në dorë…
Këto mʼu kujtuan sot, tek dëgjova që kitarra e tij ka heshtur. Tani për tani. Pas ca kohe do të rishihemi me të, në ndonjë cep të qiellit, ulur mbi ndonjë stol të drunjtë, me kitarrë akustike në dorë. Kam për ta kërkuar unë, pasi ia kam borxh mirënjohjen për emocionet e krijuara prej muzikës se tij në rininë tonë të ndrydhur, të muzikës së dëgjuar fshehurazi, të pantallonave të shqyera, të flokëve të qethura deri tek “kocka e partisë”. Kompozimet e tij qenë ndoshta më modernet e asaj periudhe, ato na bënë të kuptojmë që edhe shqipja kishte mundësi të shprehej me muzikë të stilit perëndimor. “Adresa”, e “Biçikleta” qenë kulme që na çuan në ekstazë. Sa herë i kemi kënduar, edhe kur autorin e detyruan t’i këndonte sharrëxhinjve. Edhe ai vetë ishte nga ata personazhe që kanë lindur për të qenë ndryshe nga të tjerët, si shqyerës të monotonisë në të cilën jeta e përplas njeriun normal. Ai kishte portret të veçantë, zë të veçantë, tip të veçantë; ishte nga ata lloj njerëzish që vijnë mbi këtë tokë si dhuratë e qiellit.
Rallë më ka ndodhur të trishtohem kaq shumë nga largimi prej kësaj jetë i një artisti. Jam ndjerë kështu keq me ikjen e Battistit, të Pavarottit, të Callas. Si ata, edhe Franko ishte një nga dobësitë e mia më të mëdha.
Po të kisha mundur të merrja pjesë në funeralin e tij, do ë kisha kënduar “Adresën” versione gospel.
 
.
Françesk Radi - ne vitet '80
Françesk Radi – ne vitet ’80

Françesk Radi – këngëtar unik

nga Arif Elezi

Françesk Radi nuk vdes asnjëherë! Ai mbetet një paralajmëtar i pakontestueshëm e vlerave të reja artistike europerëndimore dhe botërore tek shqiptarët. Kultura shqiptare duhet të bartë përgjegjësi ndaj tërë asaj që ka bë dhe asaj që nuk ka bë për këngëtarin unik, Zotni Radin.
Kujtoj kohët kur i duhej të këndonte në Lausanne (Zvicërr), sa për të siguruar ekzistencën! Sa herë vritet dhe vdes artisti ndër ne?!
.

Deshën ta vdisnin… Deshën ta harronin…

nga Miranda Haxhia

Fike radion e makinës! Kush po këndonte? Gugi? Xhesika? Enca? Veri flakën gjithë dyqanit ku shitet muzika e këtyre viteve. Sepse për pak kohë dua të dëgjoj muzikën e Françesk Radit!
Deshën ta vdisnin vite me parë, atëhere kur të gërryente fytin diktatura. Ai mbijetoi.
Deshën ta harronin gjatë kësaj stuhie muzike me shalë e pa poezi, por kitarra e tij i nxirrte tingujt mbi lartësinë e baltovinës muzikore.
Nxirri nga radari stacionet dhe videoklipet muzikore plot këllirë e silikon.
Mbaje frymën, dëgjo muzikën e Françesk Radit.
E dëgjove? Të hyri në shpirt?
Ai e ka fituar parajsën dhe mirënjohjen.
.

Françesk Radi
Françesk Radi

Mik i pukjanëve, i njerëzve të thjeshtë… 

nga Muhamet Cufaj

Françesk Radi ndrron vendbanim, pasi ai është i përjetshëm.
Të pavdekshëm e ka bërë talenti i tij, zëri i tij, aktiviteti e kontributi i tij në fushën e krijimtarisë dhe të interpretimit të këngës së lehtë.
Ai ishte një mik i pukjanëve, i njerëzve të thjeshtë: i sharrtarëve, minatorëve, kooperativistëve, i mësuesve dhe intelektualëve të qytetit tonë të punëtorëve, në mesin e të cilëve kaloi vitet e rinisë së tij.
Ishte kontribuesi kryesor i përpunimit të muzikës popullore të zonës dhe shndrrimin e saj në një muzikë qytetare; ishte kultivues i talenteve të reja, të cilët më vonë, në saj të punës së tij, zaptuan skenat e teatrove dhe me gjerë si: Marjana Leka, motrat Prishta, Tonin Haxhia, Vitore Rusha, Dave Gjergji, Sokol Asllani, etj; me fëmijët e nxënësit harrohej duke i mësuar e trajnuar për interpretim të këngës së lehtë dhe asaj qytetare.
Me aftesitë e tij ai arriti që në bashkëpunim me instrumentistët popullor të realizonte integrimin, në shumë orkestrime, instrumentin popullor me instrumentet moderne.
Ai ishte një mik i dashur i gjithë qytetarëve, i thjeshtë, i komunikueshëm, qytetar e familjar shembullor.
Qyteti im i Fushë-Arrezit është krenuar me këtë gjeni të këngës dhe krijimtarisë, krenari që di ta ruajë e do ta përcjellë në vijimësi.
I lehtë qoftë dheu, që do ta presë në banesën e tij të fundit…
 

 

 
 

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.