back to top
13.5 C
Tirana
E mërkurë, 18 Dhjetor, 2024

Për hatër t’nji poezije të vetme… – nga Rainer Maria Rilke

Gazeta

Rainer Maria Rilke (1875-1926)
Rainer Maria Rilke (1875-1926)

Për hatër t’nji poezije të vetme*

nga Rainer Maria Rilke

Ah, poezitë vlejnë kaq pak, kur i shkruan tepër herët në jetën tënde. Të duhet me pritë me mbledhë t’kuptuarin dhe amëlsinën përgjat jetës, e nëse mundet, me e pasë at sa ma t’gjatë, e atbotë, kur ka mbërritur fundi krejt, ndoshta ti mundesh me arritë me shkrujt dhjetë vargje të mira.
Sepse poezitë nuk janë, siç e mendojnë gjindja, thjesht emocione (njeriu n’rini ka emocione s’tepërmi) – ato janë eksperienca. Për me mujt me shkrujt veç nji poezi, ka me t’u dashtë me pa shumë qytete, shumë njerëz e gjana, ka me t’u dashtë me kuptu kafshët, ka me t’u dashtë me e ndje si flatrojnë zogjtë, e me dijtë xhestet mezi të pikasuna, t’cilat lulet e vogla i bajnë, kur mëngjezeve çelen.
Ka me t’u dashtë me kthy mendjen mbas, te rrugët e lagjeve të panjoftuna; te takimet e paprituna e te ndamjet, që kaherë i ke parashiku me ndodhë; te ditët e fëmijnisë, misteri i të cilave mbetet ende i pashpjeguem, te prindët, që dhimba ju shkaktove kur ata të sillshin veç gëzim/hare, e nuk ishe në gjendje ta përcillje mbrenda vedit (ishte nji gëzim/hare për dikë tjetër); te sëmundjet e fëmijnisë, që në mënyrë kaq të çuditëshme nisën, e me shumë shndërrime, aq të thella e të vshtira, te ditët në qetësi/paqtim, në hapësina të ngushta dhomash dhe mëngjesesh pranë detit, në det vetë, e në detna, netëve të nji udhëtimi, që nxitohej përgjat naltësive tek fluturoje sëbashku me gjithë yjet, – e akoma nuk mjaftesh me mujt me mendu për të gjithën.
.
Rainer Maria Rilke
Rainer Maria Rilke

Ti duhet me pasë kujtimet e shumë netve dashnije, çdo njena e ndryshme prej gjithë tjerave, kujtime të grave që britshin në dhimbat e lindjes, të lehta e të zbehta, vajza që flenin, t’cilat sapo kanë lindë, e po mbyllen përsëri. Por ty, t’asht dashtë me iu gjind pranë, atyne që janë për me vdekë, të asht dashtë me u ulë pranë të vdekunit n’nji dhomë me dritare të hapuna, e zhurmat gjithkah. E nuk asht mjaft, për me pasë kujtime. Duhet me mujt me i harru ato, kur bahen shumë, dhe ty të duhet me pas durim s’tepërmi, me prit derisa ato të kthehen. Vetë kujtimet, nuk janë të randsishme. Veç kur ato janë kthye në gjakun tonë, në shikime e xheste, e janë paemën, e s’munden me u dallu (n’se janë të ndryshme) prej nesh – veç njat herë mundet me ndodhë, që pikërisht, në nji orë të rrallë, fjala e parë e nji poezije të (çohet)/të shfaqet në mes të tyne (kujtimeve) dhe të ecë përpara (t’nisi rrugën e cytun) prej tyne.

Ⓒ Artan Kafexhiu (marre nga muri i fb i Artan Kafexhiut 29 shtator 2022)

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.