Për idolin e ri
Friedrich Nietzsche
Diku nëpër botë ka akoma popuj e kope, por s’ka më ndër ne, o vëllezër, nga anët tona ka vetëm shtete.
Shteti? Ç’është ky? Tani më dëgjoni mirë, do t’ju them fjalën time për vdekjen e popujve.
Shtet quhet më i ftohti ndër të gjithë përbindëshat e ftohtë. Ai është i ftohtë edhe kur gënjen; nga goja e tij zvarritet ky mashtrim: “Unë, shteti, jam populli”.
Dhe ky është mashtrim! Ata që krijuan popujt ishin krijues, ata i mbuluan këta popuj me besim e dashuri; kështu i shërbyen jetës.
Shkatërrues janë ata që ngrehin kurthe për shumëkënd, e këta quhen shtet; ata varin mbi njerëzit një shpatë e njëqind pishtarë.
Atje ku populli ekziston, ai s’e kupton shtetin dhe e urren si syrin e keq, si shkelje, dhunim të zakoneve dhe të së drejtës.
Këtë shenjë po ju jap: çdo popull flet gjuhën e tij të së mirës dhe së keqes: fqinji s’ja kupton. U shpik gjuha si për zakone ashtu dhe për të drejtën.
Por shteti gënjen në të gjithë gjuhët e së mirës dhe së keqes; çfarëdo të thojë, mashtron, çfarëdo që të ketë në pronësi, e ka të vjedhur. Gjithçka në të është e shtirë; me dhëmbë të vjedhura kafshon kafsha. Edhe zorrët e barkut i ka të shtira.
Ngatërresë e gjuhëve për të mirën e të keqen: këtë shenjë ju jap unë si shenjë për shtetin. Vërtet, kjo shenjë tregon vullnetin e vdekjes! Vërtet, kjo të kujton predikuesit e vdekjes!
Shumë njerëz lindin; për njerëzit e tepërt u shpik shteti!
Shihni si i tërheq të shumtët, si i përlan, si i përtyp dhe si i ripërtyp.
“Mbi tokë s’ka gjë më të madhe se unë: unë jam gishti rregullues i Zotit!” – kështu ulurin bisha. Dhe në gjunjë s’bien vetëm gjysmë të shurdhërit e miopët!
Ah, edhe tek ju, o shpirtra të mëdhenj, pëshpërit ai mashtrimet e tij të regjura! Ah, ai zbulon zemrat e pasura, ato që me dëshirë jepen!
Edhe ju, ju zbulon, o fitimtarë mbi zotin e vjetër! Ju, ju ka lodhur lufta dhe tani lodhja juaj i shërben idhullit të ri.
Me heronj, më të ndershëm e të nderuar do të dëshironte të qarkohej ky idhull i ri. Bishës së ftohtë i pëlqen të nxehet në diellin e ndërgjegjeve të pastra!
Gjithçka ju jep, po ta adhuroni, ky idhull i ri: kështu ai blen shkëlqimin e virtytit tuaj dhe vështrimin e syve tuaj krenarë. Do të peshkojë shumicën nëpërmjet jush! Po, na u shpik një makinë ferri, një kalë i vdekjes me tingëllimë zilesh të ndereve hyjnore.
Po, na u shpik një vdekje për shumicën që na mburr veten dhe shpalli jetë; vërtet ky ishte një shërbim i përçmueshëm për predikuesit e vdekjes.
Shtet unë quaj shoqërinë ku të gjithë janë të ngopur me helm, si të mirët ashtu dhe të ligjtë; në shtet humbasin të gjithë vetveten, si të mirët, ashtu edhe të ligjtë; në shtet vetëvrasja graduale e të gjithë na quhet “jetë”.
.
Vështroni njerëzit e tepërt! Vjedhin veprat e shpikësve dhe thesarët e të urtëve dhe kulturë quajnë grabitjen që bënë – gjithçka për ta kthehet në sëmundje, në lëngim!
Vështroni të tepërtit! Janë gjithnjë të sëmurë, vjellin vrerin e tyre dhe e quajnë gazetë. Nganjëherë e gëlltitin dhe nuk mundin as ta tresin.
Vështroni të tepërtit! Fitojnë pasuri, dhe nga kjo bëhen më të varfër. Duan pushtet, dhe para së gjithash, çelësin anglez të pushtetit, paranë, këta impotentë!
Shihini si kacavirren, të shkathtit majmunë! Kacavirren mbi njëri-tjetrin, e së bashku bien në baltë e në humnerë!
Të gjithë duan të na arrijnë fronin; kjo është çmendia e tyre – sikur mbi fron të qe ulur vetë lumturia! Shpesh mbi fron ulet balta – madje shpesh froni qëndron mbi baltë.
Budallenj, majmunë kacavjerrës, manjakë janë të gjithë këta për mua. Idhulli i tyre qelbet, bisha e ftohtë; të gjithë qelben, këta adhurues idhujsh.
O vëllezër, a doni të asfiksoheni në frymën e shtazës tuaj dhe në atë të dëshirave të tyre?
Më mirë do të bënit të thyenit xhamin e dritares e të kërcenit jashtë.
Larg frymës së qelbur! Larg idolatrisë së të tepërtëve.
Larg frymës së qelbur! Larg erës së flive njerëzore.
Për shpirtrat e mëdhenj e lirë është edhe sot toka. Ka vende bosh akoma për vetmitarë e çifte të vetmuar, rreth të cilëve fryn aroma e deteve të qetë.
Akoma është e lirë për shpirtrat e mëdhenj jeta e lirë. Vërtet, ai që pak zotëron aq më pak zotërohet, andaj bekuar qoftë varfëria!
Atje ku mbaron shteti, fillon ai njeri që nuk është i tepërt, atje fillon kënga e të nevojshmit, ajo melodi e vetme dhe e pazëvendësueshme.
Atje ku mbaron shteti – atje vështroni, o vëllezër! A nuk shihni ylberin dhe urat e Mbinjeriut!
Kështu foli Zarathustra.
.
(“Kështu foli Zarathustra”, Phoenix, Tiranë, 2001. Përk. Lluka Qafoku)