Për librin e Anna Cohen “Flower of Vlora”
Artikull vlerësues nga Thanas Gjika
Për ta kuptuar më mirë përmbajtjen dhe vlerat e librit “Flower of Vlora – Growing up Jewish in communist Albania” (Lulja e Vlorës – Rritja e ebrenjve në Shqipërinë komuniste) të shkrimtares Anna Kohen, bijë e komunitetit ebre të Shqipërisë, më duhet të jap së pari disa sqarime mbi historinë e këtij populli.
Populli ebre/Jewish, ka një histori tragjike. Mbas peripecish të shumta ky popull arriti të krijonte në territorin e quajtur Palestinë shtetin e vet të lulëzuar të ndarë në dy krahina, krahina veriore quhej Israel dhe ajo e jugut, Jude (si dy krahinat tona Gegëria dhe Toskëria). Kryeqytet i tij ishte Jerusalemi, ku sunduan mbretër të ndryshëm, midis të cilëve u shquan Davidi dhe Solomoni. Mirëpo më vonë ky popull ra nën zgjedhën Babillonase, u kthye në skllav dhe u shpërngul në Babiloni. Pas 75 vjetësh mundi të rikthehej në trojet amëtare e të vijonte jetën e vet. Në shek. VII krijimi i Perandorisë Arabe solli si pasojë shpërnguljen/ dëbimin e dytë të këtij populli. Kjo ishte shpërngulja më e madhe dhe më e gjata.
Ky popull i shpërndarë në shtete të ndryshme të Europës, Azisë dhe Afrikës mundi të mbijetonte duke u organizuar nëpër komunitete, ku jetonin afër njëra-tjetrës familjet e judenjve me sinagogën e tyre (tempullin e fesë). Gjatë shekujve diaspora judaike e humbi gjuhën amëtare dhe pervetësoi gjuhën e vendit ku jetonte, pra gjuhësisht u asimilua. Në gadishullin Hiberik judenjtë përvetësuan spanjishten si gjuhë shtëpie, në gadishullin Ballkanik përvetësuan greqishten; në Europën Qendrore, gjermanishten dhe në Perandorinë Cariste Ruse, rusishten.
Diaspora ebraike ka një meritë të madhe, ajo i dha njerëzimit një fenomen madhështor: mbijetesën si etni kombëtare ndonëse jetoi më shumë se një mijë vjet larg trojeve të atdheut mëmë edhe pasi humbi gjuhën amëtare. Kjo mrekulli nuk ndodhi rastësisht: Kudo ku shpërndaheshin judenjtë merrnin me vete një kopje të librit “Torahs”, si quhet prej tyre pjesa e parë e “Biblës”. Kapituj të këtij libri u komentoheshin besimtarëve çdo të shtunë prej rabinëve (priftërinjtë ebrenj) nëpër sinagoga, ose prej kryefamiljarëve në shtëpi. Libri madhor “Torahs” luajti rolin e “Atdheut kulturor/ Atdheut virtual” që i mbrojti bijtë e diasporës ebraike nga asimilimi…
Nazizmi gjerman kreu masakrën më të madhe ndaj këtij populli, shfarosi gjashtë milion ebrenj nëpër kampet e internimit. Për shkak të përndjekjes shekullore dhe sidomos të përndjekjes naziste ky popull u quajt “Popull Martir”. Qeveritë e shteteve që fituan luftën kundër nazizmit në vitin 1948, mundën ta krijonin shtetin e Israelit në një pjesë të trojeve të lashta amëtare të Palestinës, për t’i krijuar mundësinë e jetesës popullit martir në një shtet të pavarur, këtij populli që i ka dhënë kulturës, artit e shkencës botërore shumë njerës të shquar.
Në trojet shqiptare gjatë pushtimit turk u vendosën disa komunitete ebrenjsh sidomos në qytete si Preveza, Parga, Janina, Vlora, Kavaja, Durrësi, dhe deri në Manastir (Bitola), Shkup, Prizren, Prishtinë, etj. Zyrtarisht Perandoria Osmane i quajti ebrenjtë e Ballkanit “Ebrenj Romanjotë”, dmth të greqizuar.
Në Ballkan, ndoshta disa ebrenj ishin tërhequr prej ebrenjve të vendosur më herët. Në Sarandë arkeologët kanë gjetur një shandan judaik të ndërtuar me gurë mozaiku në një dysheme, që dëshmon ekzistencën e një sinagoge judenjsh që në shek V-VI. Ndryshe nga popujt e tjerë populli shqiptar nuk i pa me zili banorët e komuniteteve ebre, por i rajtoi si të barabartë. Madje gjatë L2B populli ynë i mbrojti prej nazistëve gjithë ebrenjtë e Shqipërisë së Bashkuar dhe ata që erdhën nga Gjermania, Austria, ish-Jugosllavia. Bujaria dhe mbajtja në besë e ebrenjve prej popullit tonë rrëfehet me dashuri në faqet e këtij libri. Në vitin 2012, autorja shkoi me gjithë bashkëshortin në fshatin Trevllazër dhe i takoi pasardhësit e familjes së Kadri Lazaj, që kishte strehuar familjen e saj gjatë L2B.
Gjatë viteve të diktaturës komuniste në Shqipëri u shquan disa bij të diasporës ebraike si doktori Nuni Theodhosi, Zino Matathia, inxhinieri Marko Menahem, përkthyesit at’ e bir Robert & Edvin Zhvarc, etj. Midis tyre shkëlqen dhe doktoresha stomatologe Anna Kohen, mjeke e shquar dhe aktiviste shoqërore, që ka merituar disa medalje e vlerësime nga shteti shqiptar e amerikan. Tani së fundi ajo u rendit dhe si krijuese e letërsisë memuaristike…
Mora pjesë në promovimin që iu bë në Worcester MA librit të saj “Flower of Vlora – Growing up Jewish in communist Albania”, ku ajo vetë tregoi shkurt disa momente të jetës, me të cilat na preku të gjithëve. Pasi e bleva librin, e lexova dhe nuk mund të rri pa shkruar një vlerësim për të mbasi u qartësova plotësisht për jetën e komunitetit ebre të Vlorës dhe ecurinë e jetës plot zgjuarësi dhe guxim të Anna Kohen, aftësitë e së cilës shpërthyen kur ajo doli në botën e lirë, mbasi u largua nga Shqipëria (1966). Mbrojti tituj e grada shkencoree si dentiste stomatologe, hapi klinikën e saj, punoi dhjetë vjet si Prof. Assistente Restorative Dentristy në Universitetin e mirënjohur të Nju Jorkut, Dental School; drejtoi për njëzet vjet Shoqërinë e grave shqiptaro-amerikane “Motrat Qiriazi”; organizoi mbledhje dhe dhurime të shumë ndihmave për Universitetin e Tiranës; riatdhesoi 37 judenj të Vlorës në ShBA (1990); ndihmoi për të strehuar e punësuar shumë e shumë të shpërngulur me dhunë nga Kosova (1999), etj.
Jeta plot mund e sakrifica e heroinës së kësaj vepre memuaristike mendoj se do t’i ndihmojë shumë të rinj e të reja për të gjetur rrugën sesi të bëhen më të vlefshëm për vete dhe familjet e tyre, dhe për mbarë botën shqiptare.
* * *
Ky libër biografik shquhet për rrëfimin realist të jetës së familjes Kohen në Shqipëri, Greqi dhe ShBA. Titulli “Flower of Vlora” (“Lulja e Vlorës”) për mua mund të merret alegorikisht sikur nënkupton gjithë komunitetin ebre të Vlorës si lulja e qytetit. E them këtë sepse pjesëtarët e komunitetit ebre të Vlorës me jetën dhe punën e tyre i ishin imponuar vlonjatëve si një model i qytetërimit europian.
Kushtet e vështira ekonomike e politike ndikuan që autorja të rritej në një atmosferë të izoluar, ndonëse ajo e ndjente veten të gëzuar për shkak të optimizmit që i jepte mosha dhe kujdesit të prindërve e sidomos të gjyshes Aneta. Kjo gjyshe merrej me punët e shtëpisë: gatimin, edukimin dhe kumandarjen e fëmijëve, sepse nëna dhe babai gjithë ditët e javës punonin jashtë shtëpisë. Aneta ishte një grua me kulturë dhe me karakter të fortë që u imponhej si fëmijëve dhe njerëzve që e rrethonin. Në rini ajo kishte studiuar tek “Aleanca Franceze” e Janinës ku kishte mësuar frëngjishten, pasuri e rrallë kulturore për femrat e asaj kohe. Përpjekjet e saj për t’i ushqyer, edukuar, veshur, krehur e mbathur sa më mirë katër fëmijët e familjes Kohen, u ngjallën dashuri e respekt grave vlonjate të mëhallës, të cilat i quanin ata fëmijë “Lulja e Vlorës”. Këtë epitet këta fëmijë e meritonin për pamjen e jashtme edhe për edukatën e tyre. Ata shoqëroheshin me të gjithë fëmijët e mëhallës e të shkollës, myslimanë, katolikë e ortodoksë. Nuk ziheshin kurrë, gjithçka e zgjidhnin përmes zgjuarësisë me paqe. Mësonin rregullisht dhe nuk kurseheshin t’u shpjegonin edhe shokëve e shoqeve pjesët që nuk i kishin kuptuar.
Familja Kohen erdhi në Vlorë nga Janina e Greqisë, më 1928 pa ndonjë pasuri dhe në Vlorë nuk u bë e pasur, por jetonte me rregull e pastërti që binte në sy. Babai i Annas merrej me tregti ambulante. Ai nuk kishte dyqan. Mallin që shiste (fustane, copa për fustan, shalle, shami koke, etj) i vendoste në dy arka të cilat i ngarkonte mbi gomar dhe shkonte fshat më fshat ku ua shiste banorëve të fshatrave malore.
Guximi për jetën ishte tipar i këtij ebreu, tipar që ai e manifestoi jo vetëm gjatë udhëtimeve i vetëm nëpër fshatrat malore të Vlorës, por mbi të gjitha në krijimin e familjes së vet, jo me një ose dy fëmijë, por me katër në kushtet e vështira të L2b dhe mbas saj. Më 1943 familja e tij e re u shtua me një djalë, Elio-n. Gjatë vitit 1944, familja e tij u strehua në fshatin malor Trevllazër, prej familjes Lazaj. Sapo u larguan forcat naziste nga Vlora, ai me bashkëshorten Nina, si optimiste qe ishin, vendosën ta shtonin familjen edhe me tre fëmijë të tjerë, vajzën Anna, lajmëtarja e fitores, të cilën shoqet e quajtën Emi, djalin Abe (Mimi) dhe vajzën tjetër, Alice (Aliqi).
Si shumica e ebrenjve edhe David Koheni, të cilin populli i Vlorës e quante Xhon, ndiqte strategjinë e mbijetesës së popullit ebre: “përdor shtatë zgjuarësi dhe një trimëri, ose një hile”. Gjatë pushtimit italian ai u muarr me tregti mallrash italiane. Një herë, tregon autorja, babai i saj shkoi në Itali dhe bleu këpucë me shumicë. Mirëpo që të mos paguante doganë, i solli në portin e Vlorë me dy rrugë. Në rrugën e parë solli kutitë ku kishte futur vetëm këpucë të djathta, kurse në rrugën e dytë solli kuti ku kishte futur vetëm këpucë të majta. Në të dy rastet ai u ankua doganierëve: “Shikoni se ç’ qeratenj janë italianët, më kanë amballazhuar vetëm këpucë të djathta/ të majta, e ç’doganë të paguaj unë, nuk mund t’i shes dot këto këpucë.” Doganierët nuk e kuptuan hilenë e tij dhe kështu ai emori mallin pa paguar taksë dogane.
Kurse gjatë viteve të diktaturës komuniste kur ai shkonte nëpër fshatra dhe ndonjë fshatar i varfër, pasi i shikonte plaçkat e tij, largohej pa blerë gjë duke psherërirë: “Eh kur s’kam pare t’ia blija këtë shami gruas/ nuses a vajzës sime”. Xhoni menjëherë i thoshte: “Hajde mor i dashur, merre falas. Mos e prish zemrën”. Dhe ia mbështillte e ia jepte.
Tregtari ebre e dinte se fshatari shqiptar ndonëse i varfër kishte sedër dhe sedra do ta detyronte që një ditë ta paguante. Në kohën kur fshatari vilte domatet, rushin, ullinjtë ia sillte te shtëpia zotit Xhon Kohen një kosh plot me prodhimet e tij, që kushtonin shpesh herë më shumë se malli që kishte marrë falas…
Autorja i tregon këto raste për t’i bërë të qartë se si përpiqej babai i vet për të mbajtur familjen duke fituar ç’mund të fitohej në Shqipërinë e varfër të asaj kohe.
Të shumta janë episodet ku tregohet urtësia e durimi i zotit Kohen, por mbi të gjitha më tërhoqi largpamësia vizionare dhe guximi i tij. Këto tipare shpalosen në vepër kur rrëfehen ndodhitë e vitit 1966. Anna ishte studente pa bursë për stomatologji në Tiranë dhe vijonte miqësinë me djaloshin simpatik Theodhor (Dhori) Çaushi, me të cilin ishte njohur që gjatë viteve të gjimnazit në Vlorë.
Qeveria shqiptare dha urdhër që të mbylleshin aktivitetet private. Kjo situatë e shkundi tregtarin ambulant. Pa e zgjatur ai vendosi që të mos vijonte më jetën në Shqipëri, por të përpiqej për të gjetur mundësi për t’u larguar në botën e lirë.
Ai kapi faktin që familja e tij ishte ebre e ardhur nga Greqia dhe nuk kishte ende qytetari shqiptare, quhej familje greke. Guxoi t’i kërkonte drejtpërdrejt diktatorit Enver Hoxha të drejtën për t’u riatdhesuar në Greqi. Anna e zotëronte shqipen në nivel më të lartë se anëtarët e tjerë të familjes, prandaj ai ia sqaroi asaj planin dhe kërkoi që ajo ta shkruante letrën, natyrisht sipas ideve të tij.
Mirëpo kishte një problem, një nyjë gordiane. Sigurimi i Shtetit dha sqarimin se duhej të riatdhesohej krejt familja, pra nuk mund të lejohej që familja të ndahej, një pjesë të riatdhesohej në Greqi e një pjesë të mbetej në Shqipëri. Para vajzës lindi problemi: të ndahej nga i dashuri për të bërë të mundur riatdhesimin e gjithë familjes, apo e gjithë familja të sakrifikohej për hir të dashurisë së saj e të qëndronte në Shqipëri.
Momente prekëse, ndonjë krijues mund të frymëzohet për të hartuar një vepër dramatike, skenar filmi, etj…
Në mendjen dhe zemrën e vajzës 21-vjeçare nisën të ndeshen ndjenjat e dashurisë me zgjuarësinë ebraike. Ishte në kulmin e lulëzimit të ndjenjave rinore, mirëpo pikërisht në të tilla rrethana i duhej të vendoste për fatin e saj e të mbarë familjes. Dhe Anna vendosi të sakrifikonte dashurinë për hir të së ardhmes më të mirë të krejt familjes.
Shkoi tek Theidori dhe pasi u sqarua me të, i tha babait se mund ta shkruante letrën. U ul dhe shkroi…
Pasi familja u riatdhesua në Greqi, Anna vijoi studimet për stomatologji. Edhe aty pati vështirësi financiare, por gjithnjë ishte ndër studentet me rezultatet më të larta. Natyrisht duke qenë e sukseshme dhe e bukur shumë djem i afroheshin për ta njohur. Me zgjuarësi ajo u jepte shoqëri, madje me njërin marrëdhëniet shkuan mjaft mirë, por nuk përfunduan me fejesë.
Babai me zgjuarësinë dhe vizionarizmin e tij, ndjeu se Greqia dhe Israeli nuk ishin shtetet ku duhej të vendosej përfundimisht familja Kohen. Me ndihmën e disa kushërinjve ai ariti të realizonte shpërnguljen në ShBA, pikërisht kur Anna ishte ende studente në vitin e fundit. Shkuan së pari nëna, babai, gjyshja, motra e vogël dhe dy vëllezërit. U vendosën në Nju Jork. Ana shkoi atje pasi mori diplomën. Shpejt u punësua në një klinikë si asistente. Aty filloi të bënte karierën e saj. Kurajua, zgjuarësia, vullneti i madh për punë e ndihmuan të ecte gjithnjë përpara vajzën e re. Rastet e ndihmuan të njihte shumë djem pretendentë për martesë, por asaj nuk i mbushej mendja. Nuk i pëlqeu as një jude i pasur, që jetonte në Meksiko City, i cili kishte mundësi financiare t’i krijonte jetë të lumtur.
Rasti e solli, që kur ishte duke u ngjitur drejt apogjeut të karierës së saj profesionale, një shoqe e njohu me një ebre me origjinë polake, me zotin Markus De Rowe. Në fillim Anna nguroi. Iu duk krejt i papërshtatshëm. Markus ishte 11 vjet më i madh, burrë i ndarë nga gruaja me dy fëmijë. Mirëpo Markus ishte burrë shumë i zgjuar, zotni në sjellje dhe brenda dy vjet e gjysëm marrëdhëniesh arriti t’ia fitonte zemrën plotësisht.
Ceremonia e dasmës u zhvillua në prani të 140 të ftuarve, kur Anna ishte 29 vjeçe e Markus 40. Mbas martesës çifti u shtua me dy fëmijë, vajzën Felicia dhe djalin Olek, të cilët sot kanë fëmijët e tyre. Mbas pensionimit Anna me Markusin u vendosën në vitin 2015, në qytetin Sarasota, Florida. Aty shkoi më vonë për të jetuar edhe Felicia me vajzën e saj të vogël, Alana, kënaqësia e gjyshes Anna. Djemtë e Markusit erdhën për vizitë disa herë nga Izraeli tek familja e babait në Nju Jork dhe në Sarasota FL, deri në prill të vitit 2023, kur Markus u largua nga jeta. Anna i priti gjithnjë me respekt e dashuri, si rrallë ndodh midis grave shqiptare.
Ndonëse jeta e DDS Anna Kohen eci gjithnjë përmes stresit dhe vështirësive, rrëfimi i ngjarjeve në libër karakterizohet nga një rrjedhje e qetë plot kuriozitete dhe bëma të këndshme. Libri lexohet me interes nga fillimi në fund. Lexuesit i mbeten në mendje shumë sentenca e këshilla të mençura që ka dhënë autorja, bëma të babait, gjyshes dhe njerëzve që jetuan pranë saj.
Leximi i këtij libri ma pasuroi botën shpirtërore, prandaj ua rekomandoj shqiptarëve dhe amerikanëve ta blejnë për ta lexuar sa më parë. Variantin anglisht mund ta gjejnë në Amazon.com, kurse variantin shqip të përkthyer nga Edvin Shvarc tek Libraria Tirana Times.
Në nëntor 2024, ky libër do të dalë nga shtypi dhe greqisht, variant që besoj se do ta blejnë e lexojnë emigrantët e shumtë shqiptarë që jetojnë në Greqi…