Për liderin e shekullit të ri
nga Marjana Bulku
E ke të vështirë të shmangësh subjektivizmin kur ndjek komunikimin e një bashkëmoshatareje me të cilën ke ndarë kohë të bukura në auditore universiteti, por objektivizmi real, që buron prej kualitetit komunikativ, dijeve të paana dhe elokuencës vibrante të bëjnë ta përjetosh shumëfish suksesin e tjetrit, mik apo edhe i panjohur qoftë.
.
Iris Halili mbërriti në Federatën Panshqiptare Vatra me botimin e saj më të fundit “Lideri nuk lind… bëhet” një libër që ka marrë vlerësime maksimale nga Bukinist, kritikët, analistët dhe lexuesit e shumtë. Ajo udhëtoi nga Florida drejt Nju Jorkut, sepse zgjodhi pikërisht “Vatrën” si vendin nga ku historia, letërsia dhe patriotizmi u ndërthurën përmes dhjetra fijesh duke endur kështu rrënjët tona që këtu në emigrimin e largët konturojnë identitetin tonë.
Prezantimi i veprës “Lideri nuk lind…bëhet” shpalosi nëpërmjet një komunikimi interaktiv profilin e një akademikeje, ish pedagoge e letërsisë moderne në Universitetin e Tiranës, atë të studiueses dhe analistes që nuk i mungon shtypit të ditës me analizat dhe refleksionet e saj si dhe njohëses brilante të politikës së Tiranës dhe jo vetëm, ish shefe e kabinetit të Presidentit Alfred Moisiu dhe doktoruar në USA mbi çështjet e Lidershipit.
Gjatë gjithë komunikimit të saj në Vatër, Irisi solli shembuj nga historia, studimet e shumta, rastet shqiptare duke nxitur debat dhe refleksion mbi rolin e liderëve dhe ndikimin e tyre në realitete të ndryshme kulturore ku fuqia e ndjekësve dhe ndikimi i tyre në fatet e politikave mbetet një çështje e hapur dhe mbase shteg nga ku buron shpresa e ndryshimit. Alternimi i dijeve të kultivuara me përvojat profesionale e jetësore sollën një komunikim që pati efekte të shumta në mes të pranishmëve duke nxitur pyetje, komente dhe reflektime nga më të larmishmet mbi politikën e ditës.
“Lideri nuk lind… bëhet” i konceptuar si një material i koncentruar studimesh mbi teoritë e lidershipit botuar nga shtëpia botuese “Dituria”, erdhi tek lexuesit shqiptaro-amerikanë edhe si tekst, por edhe përmes një zbërthimi të detajuar të autores, e cila për rreth një orë prezantoi tiparet e liderave që udhëhoqën botën dhe aftësitë e ndjekësve apo dhe paaftësinë e tyre për të pranuar ose jo fatin apo fatalitetin nën trysninë e liderave toksikë, izolacionistë, që iu imponuan skenave politike për arsye të shumta e ku padyshim ndjekësit dhe fuqia e panjohur e tyre në arenën e politikës radhitet si faktori x i ndryshimeve maksimaliste.
Frymës patriotike të Vatrës, të cilën e mban gjallë historia dhe mendjet e ilustruara me pendë, iu bashkua edhe një libër i ri, një mendimtare e re, një patriote në shpirt e në veprim, që erdhi në Vatër si vizitore e largët nga Florida dhe mbetet e paharruar aty përmes mendimit dhe veprës së saj.
.
Marrë nga Gazeta Telegraf – 21 Shtator, 2021
.