back to top
8.5 C
Tirana
E diel, 17 Nëntor, 2024

Për lirimin e të burgosurit politik Rexhë Meta, u angazhua edhe diplomacia amerikane – nga Pertefe Leka

Gazeta

Rexhë Meta - me veshjen e Universitetit të Kembrixhit, viti 1932
Rexhë Meta- me veshjen e Universitetit të Kembrixhit,
viti 1932
Po të dërgoj një shkrim për një student brilliant
të Kembrixhit, Rexhë Meta. I dëbuar nga serbët nga Vuthaj
dhe i vendosur në Shkodër, më një histori të trishtë.
Me familjen e tij i kemi pasë shtëpitë përballë.
Me të bijën e tij Bora Meta kemi qënë mike.
Besoj se vlen të evidentohet si personalitet i shquar i kombit shqiptar…
Pertefe Leka
Rose Wilder Lane (1886-1968)
Rose Wilder Lane (1886-1968)

Për lirimin e të burgosurit politik Rexhë Meta,

u angazhua edhe diplomacia amerikane

nga Pertefe Leka

E nis këtë shkrim nga një barcoletë që qarkullonte në Shkodër, por që kishte të vërtetën në brendinë e saj: “Një ekip i Komitetit të Partisë se Punës, kishte inspektuar një ndërmarrje në Shkodër. Ndërmjet të tjerave, ata kishin udhëzuar, që punëtorët duhet t’i nënshtroheshin kurseve të kualifikimit për t’iu përgjigjur cilësisë së prodhimit. Drejtori i ndërmarrjes, kishte thënë, (sigurisht në intimitet dhe për humorin shkodran) se edhe rojen e kemi me Kembrixh, pa le të tjerët… Roja në fjalë, ishte Rexhë Meta, biri i Maleve të Kosovës, i mbetur jetim dhe i adoptuar nga shkrimtarja e mirënjohur amerikane, Rose Wilder Lane.
Ajo është autore e dhjetra librave letrarë e filozofikë, por shumë e njohur në publicistikë.
Për të përshkruar jetën e saj duhet një studim i veçantë, por interesi ynë është të njohim atë pjesë te jetës, kur ajo erdhi ne Shqipëri dhe lidhjet e saj me Rexhë Metën.
Për herë të parë Rose, erdhi në Shqipëri në vitin 1921, me mision humanitar. Ajo ishte ngarkuar nga Kryqi Kuq Amerikan të observonte veprimtarinë e këtij misioni në Europë e Azi pas ngjarjeve të
Luftës së Parë Botërore dhe ta publikonte në Buletinin e Kryqit Kuq.
Në Shqipëri, ajo erdhi me një grup misionarësh, për të ndihmuar refugjatët nga Kosova dhe trojet shqiptare jashtë kufijëve, të dëbuar me forcë nga serbët. Ata punuan me përkushtim në emër të “Komitetit për mbrojtjen e Kosovës”.
.
Rose Wilder Lane - The Peaks of Shala
Rose Wilder Lane – The Peaks of Shala
Udhëtimin e parë e bëri në Veri të Shqipërisë, në Luginën e Shalës për të hapur një rrjet shkollash në ato zona të thella.
Misionin e shoqëronte një djalë i ri i quajtur Rexhë Meta, i cili kishte ardhur me prindët në Shkodër, pas dëbimeve masive. Vuthjani i vogël shpejt mbeti jetim dhe ishte marrë nën mbrojtjen e Kryqit të Kuq Amerikan, që vepronte në Shqipërinë e Veriut. Ai në grupin e fëmijëve refugjatë ishte i dalluar, pasi në një kohë rekord kishte mësuar anglishten, paçka se nuk i ishte dhënë mundësia të vazhdonte rregullisht shkollën.
Si përkthyes i Roses, ai e ndiqte hap mbas hapi atë, sidomos në atë terren të vështirë të Shalës, ku një ditë asaj i rrëshqiti këmba dhe desh e ra në humnerë, por guximi i djalit i shpëtoi jetën. Rose ndihej e obliguar ndaj të riut Rexhë dhe i ofroi një ndihmë me para. Rexha krenar i refuzoi duke i thënë: “Ju jeni gazetare, shkruani tani edhe për Shqipërinë!” (marrë nga Bora Meta, vajza e Rexhë Metës.)
Rose e mahnitur nga sjellja fisnike e djalit, e adoptoi dhe e afeksionuar pas të birit, bëri çmos ta shkollonte. Fillimisht ajo e regjistroi në Shkollën Teknike Harry Fulltz, ku ai habiti personelin mësimor për arritjet e shpejta në të gjitha lëndët. Pastaj ajo vazhdoi të investonte për të edhe kur ai ishte student në Universitetin e Kembrixhit, e ku emri i tij ndodhet i shkruar në Librin e Artë të këtij Universiteti.
Ndërkohë Rose shkonte e vinte në Shqipëri dhe me lidhjet shpirtërore që kishte, vendosi të jetonte përgjithmonë në Tiranë, ku ajo ndërtoi dy shtëpi, një për vete dhe një për familjen e Rexhës, tashmë i martuar.
Rose, gëzonte se vajza e Rexhës mbante emrin BoraRose, që ajo ta kujtonte gjithmonë gjyshen amerikane dhe djali Fitim simbol i progresit.
Ngjarjet e Luftës së Dytë Botërore i rrokullisen ëndrrat e Roses. Autoritet fashiste e internuan Rexhën me familje në kampet e përqëndrimit në Itali, si antifashist.
Më vonë, si anëtar i Lidhjes së Dytë të Prizrenit, në Shkodër, komunistët e arrestojnë, nga ku ai provoi kalvarin e gjatë të vuajtjeve çnjerëzore.
Rose e ndjeu shumë arrestimin e te birit nga komunistët, mbasi kishte dëgjuar shumë për terrorin bolshevik dhe e kishte njohur nga afër pasi ishte po me këtë mision në vendet e B. Sovjetik.
Ajo bëri gjitha përpjekjet për ta shpëtuar djalin e saj deri te presidentët e Amerikës. Ndërkohë i shkroi Bess Truman (gruaja e presidentit në ate kohë) dhe Herbert Hoover (ish president i Amerikës) për ta tërhequr djalin e saj nga Shqipëria.
.
Pertefe Dani Meta
Pertefe Dani Meta*
Pas shumë ndërhyrjesh, takimesh e letrash me personalitete të larta të politikës amerikane, Rose u këshillua nga familja e Rexhës, të mos vazhdonte ta kërkonte atë haptazi, mbasi familja do të kishte edhe më shumë konsekuenca. Atëhere Rose, ndoqi rrugën indirekte për t’u lidhur me gruan e Rexhës, Pertefen, e cila kishte studiuar te Motrat Stigmatine, ku kishte mësuar edhe anglisht. Përveç burgut të rëndë të burrit, asaj i kishin pushkatuar edhe vëllanë e vetëm, Bardhosh Danin. Kështu Rose e tmerruar nga këto ngjarje vuri në lëvizje miqtë e saj të Kryqit të Kuq që vepronin në Europë dhe mundi kështu të hynte në lidhje me familjen e Rexhës.
Rose, deri sa vdiq, nuk pushoi se kërkuari djalin e saj, sigurisht në mënyrën më të fshehtë. Kur po i ofrohej fundit të jetës me 1968, ajo ia la amanet djalit të dytë të adoptuar, amerikanit, Raxh (Roger Mac Bride) që të vazhdonte lidhjet me familjen e vëllait në Shqipëri.
Ishte viti 1990, kur Raxh mundi ta plotësonte amanetin e nanës Rose. Ai me ndihmën e Prof. S. Repishtit mundi të hynte në lidhje me vajzën e Rexhë Metës, Bora Rosën dhe arriti ta tërhiqte me familje nga Italia, ku ajo ishte refugjate dhe e vendosi në Florida ku ajo jeton edhe sot.
Të gjitha, çfarë Rose ka parë dhe ka përjetuar në Shqipëri, i ka përshkruar ne veprën e saj “The Peaks of Shala” (Majat e Shalës) dhe në përmbledhjen e artikujve te saj “Albanian Garden”
Vlen për t’u përmendur që edhe vepra e saj madhore “The discovery of Freedom” (Zbulimi i Lirisë) e ka marrë frymëzimin nga një ngjarje që ajo e përjetoi kur ishte me mision ne Malësitë e Veriut.
Mbas Edith Durham-it, ishte Rose që ka shkruar me detaje jetën politike, sociale, zakonet, mitet, këngët dhe shumë ngjarje historike të dëgjuara dhe aktuale, kur ishte në Shqipëri.
Shkrimet e saj janë një dëshmi e gjallë për historinë e popullit tonë.
.
Rose Wilder Lane me Presidentin Hubert Hoover
Rose Wilder Lane me Presidentin Hubert Hoover
Veprat e Rose Wilder Lane, asnjëherë s’u bënë të njohura gjatë periudhës së diktaturës. Ato nuk kishin më pak vlerë se ato te Durhamit, të Bajronit e të tjerëve të huaj që lartësuan vlerat e kombit tonë, kështu edhe ajo s’i shpëtoi luftës së klasave. Por sot duhet evidentuar kontributi i Rose për Shqipërinë e shqiptarët për ta përjetësuar me emrin e një shkolle, të një institucioni humanitar, të një sheshi a rruge që t’i mbetemi mirënjohës veprës së saj.
Po këtë mirënjohje duhet të kemi edhe për studentin e shkëlqyer të Kembrixhit, intelektualin patriot, që luftoi për bashkimin e trojeve shqiptare, Doktorin e lauruar në Ekonominë e Financave, Rexhë Meta, cili asnjëherë s’i gëzoi frutet e punës së tij. Sot duhet të vihet në vendin e nderit që i takon, jo vetëm për kontributin e tij në lëmin e ekonomisë, por edhe si delegat i Maleve të Kosovës dhe hartues i programit, të Lidhjes së Dytë të Prizrenit.
.
Rose Wilder Lane - Malesore te Pultit
Rose Wilder Lane – Malesore te Pultit
*Foto e marrë nga fototeka Marubi, Pertefe Dani Meta, Zonja e Rexhë Metës, studente e shkollës Stigmatine, njihte italishten, frëngjishten, anglishten. Profesioni i saj mësuese. Kur e kishte te arrestuar
të shoqin, i pushkatuan të vëllanë e vetëm në tri motra Bardhosh Dani, djali i avokat Danit, me dy te rinj të tjerë, Brahim Dërguti e Mark Caca, të cilët më shumë studentë të tjerë kishin formuar organizatën antikomuniste “Përpjekja Shqiptare”

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.