back to top
14.5 C
Tirana
E enjte, 26 Dhjetor, 2024

Për mihalin, mihalet dhe mihaleizimin e shoqërisë shqiptare… – reagim nga Jozef Radi

Gazeta

Gra dhe vajza te Savres...
Gra e vajza te Savres… Takim pas 30 vitesh…

Për mihalin, mihalet dhe mihaleizimin e shoqërisë shqiptare…

reagim nga Jozef Radi

Mihal Ll. i përket nji kohe të hershme, rinisë sime ai iu shfaq ai një njeri i errët, e keqja do ta kishte lakmi shpirtin e tij, e zeza do të ndjehesh e turpëruar para veprimeve të tij. Nëse do të ishte veç i rinisë sime, do të ishte e keqja më e vogël, sepse mund të ishte edhe qëndrim subjektiv, e ndërkohë, të njëjtën gjë mund ta thoshte edhe ai për mua!
Por unë jam i sigurt, janë me qindra ata që e njohin e të mos kenë diçka të keqe për të thënë për të.
Mihal Ll. ka edhe ai një pjesë të jetës së tij në Savër, po jo si i ndëshkuar, si ndëshkues. Ai mbaroi nga mesi i viteve ’60 gjimnazin e qytetit, dhe punoi për gati 10 vite si mësues, diku nga zona midis Peqinit dhe Darsisë, në tetëvjeçaren e Gjuzajt, kohë gjatë së cilës ai ishte bujtës i rrallë në Savër, derisa do të shfaqej befas me dy detyra që nuk kishin lidhje me shkollën. Nuk dihet mirë pse e braktisi shkollën, apo e përzunë prej saj, por ajo që dihet mirë, është së rikthimi i tij në Savër që me dy detyra të rëndësishme, më shumë se Partie: brigadier dhe kryetar këshilli!
Mbas kësaj Mihal Ll. do të ishte për 16 vite kryetar i këshillit në Kampin e Savrës, (periudhë tejet e gjatë, për një kryetar këshilli), çka tregon se ky njeri përtej detyrës, ka pasur zell të rrallë në kryerjen e detyrës. Duke marrë parasysh, se Savra më shumë se gjysma ishte me të interrnuar, jetëgjatësia e këtij kryetari këshilli, është e justifikuar me shërbime të veçanta, si: spiunime, kontrolle, ndëshkime, demaskime, arrestime pse jo edhe interrnime… Pra këtij njeriu të errët jo vetëm në pamje, i përket nderi i tejkalimit në zell e devotshmëri i luftës së klasave, i kontrollit të jetës së çdo individi, në veçanti të interrnuarve, i kërcënimi i përditshëm e të vazhdueshëm të qetësisë së familjeve, mbasi ai ishte i aftë për të goditur çdo grimë lirie, që Savra e kishte në shpirtin e saj, qysh prej 1953, kur Partia e kishte krijuar, si qendër grumbullimi e gjithë të ndëshkarve politike dhe represionit që do të zhvillohej aty, me aktorë të zinj si Mihal Ll…
Me kalimin e viteve, ai do të ishte modeli i njeriut negativ, i hipokritit të pafytyrë, i maskarait të pashoq, i propagandistit mediokërr, figurë që e kishin në konsideratë vetëm minjtë e gjirizeve, e ca mjeranë që sot përpiqet t’na i shesë si e keqja e brendëshme e t’interrnuarve…
.
Ish Kryetari Këshillit Savër për 16 vite - Mihal Ll.
Ish Kryetari Këshillit Savër për 16 vite – Mihal Ll.
Mihal Ll. vinte nga një familje myzeqare. Prindët e tij ishin njerëz të urtë e të sjellshëm dhe kurrë s’u përzien në ndonjë situatë fyerje të banorëve të atij kampi. Motrat e tij Kristina dhe Drita, ishin zonja, Kristinën e kam pasë mësuese në klasë të tretë, dhe ruaj kujtime pozitive, kurse vëllai i tij, Miti qe llogaritari i përjetshëm i sektorit, edhe pse i sëmurë, qe njeri me humor, e shpesh tim eti, jo pa ironi i thërriste “Ku je Dom Lazër!”, si për të dëshmuar se krahas vlerave të tij, kishte edhe pak urtësi prej prifti… e megjithatë i vëllai i tyre ky njeri i zeshkët, me atë buzëqeshjen hipokrite e cinike, që i gatshëm të përdortë terminologjinë ideologjike e për t’ia vënë përballë Partinë e të ndëshkonte këdo…
Nëse do të bëhej një anketë, prej shumë atyre që kanë jetuar me kët Uriahip në 16 vitet e kryetarllëkut, që ia humbi mbiemrin, mbasi prej të gjithve thirrej: o “Mihal Këshilli”, o “Mihalja”, sot do të kishim një katalog të rrallë dëshmish të trishta, të dhimbshme e të frikshme, që ky njeri, që s’ishte as në parti, po ishte më i keq se vetë njerëzit e partisë; ky njeri që s’ishte nëpunës Dege, po ishte më i keq se operativët e Sigurimit; ky njeri që s’kishte asnjë kompetencë për të dënuar, po që u përbetohej shumë njerëzve se: “Pa të dënuar ty, plaça!”; ky brigadier plehu, më i pistë se plehu, kishte rreth vetes veç gjirizin e spiunëve dhe ndjehesh krenar me ta! Ky njeri gjoja parimor, hiqej armik i pronës dhe i punëve private, se gjoja ishte kundra parazitizmit, ndërsa e çonte gruan e tij mbrëmjeve të qepte në lagjen e të interrnuarve, te ata që i kishte, edhe “miq të rrëfimeve”! Ky lafarak, që edhe kur të qeshte, kishte ndër dhëmbë skërmitjen e qenve…!  
Në fund të fundit, diktaturat egërsinë dhe poshtërsinë e kanë në themel të tyre, po njerëz të ulët, cinikë e me shpirt të zi si Mihal Ll. janë modeli i vërtetë i terrorit të diktaturës, janë krijesat e saj shembullore!
Në Savër, përpara Mihal Këshillit, kishin qenë kryetarë Sulo Lame – Stërneci (përmetar) dhe Hetem Hajdini (skraparli), po asnjë prej tyre s’mund të krahasohet me këtë korrozi të paskrupullt, i cili me kohë u shtrembërua, u deformua dhe u përkeqësua… si shembull i Njeriut të Ri, çka përbën thelbin e kësaj qenie, po thelbin e gjithë atyre që devotshmërinë ndaj diktaturës e kanë ende në DNA e tyre…
Në ato “16 vite të arta të Mihal Këshillit”, në Savër u dënuan njerëz pafund. U arrestuan dhe u dënuan me burg dhjetra presona… Për të qenë korrekt po jap vetëm disa prej tyre… U dënuan me burg: Nikollë Merrnaçaj, Spiro Gjoka, Avdulla Nela, Musa Sina, Thoma Buzi, Xhevat Ago, Agim Poda, Vasfi Cane, Fiqiri Hoxha; u demaskuan publikisht: Lazër Radi, Sherif Nela, Bardhok Zefi, Vocërr Sherifja, Ilir Biçaku; u interrnuan dhe u përzunë nga Savra drejt Bedati e Grabjan: Koço Plasoti, Ylli Iliazi, Ymer Spahiu, Flamur Spahiu, Mehmet Mustafa; u internuan aty në Savër: Ali Dema, Vasfi Cane, Najada Spahiu, Zef Grishaj… e plot të tjerë (ndonjë edhe e kam harruar). Në të gjitha emrat që përmenda është dora dhe fytyra e zezë e Sigurimit të Shtetit, por vegla simbol e kësaj pune mbetet: Mihal Këshilli, i cili fluturonte mbi një biçikletë kineze blu 26, për të çuar sihariqet e spiunëve, (që për fat të keq disa prej tyre ishin nga familje të interrnuara), po edhe dora e zeze e bashkëpunëtorëve të Sigurimit, miq zemre të Mihales si: “Aparati”, “Qytetërimi”, “Vëzhguesi” “Portokalli”, “Vepruesi”, “Guximtari”, “Pëllumbi” e plot skrunde shoqërore, që nga një anë ndanin vuajtjen e përbashkët, nga ana tjetër i shërbenin diktaturës me llumin që hidhnin mbi shokët e tyre… E Mihalja e njeh mirë ata, e njeh mirë këtë formë komunikimi, i njeh mirë gjirizet sepse ka qenë frymëzues i tyre…
.
Djem e vajza nga Kampi i Savres 1964
Djem e vajza nga Kampi i Savres 1964
Në 16 vitet e kryetarllëkut të Mihal Këshillit, si operativë të Sigurimit në Savër shërbyen Ali Ajdini, Selfo Islami, Gëzim Sadikaj, Edmond Rada, Agron Xhelili e të tjerë… këta së paku kujtoj unë… Jam i bindur se zelli i Mihalit, ishte përtej të gjithëve, edhe pse ata ishin përpunues të opinioneve në një kamp të madh interrnimi si Savra. Në fund të fundit Dega e Brendëshme, me operativët e saj, Mihal Këshilli dhe gjithë rekrutët e tyre ishin mekanizma që kontrollonin jetën e atyre njerëzve që kishin tre breza që jetonin me terrorin e burgjeve dhe kampeve, pa asnjë mundësi për të pasur një jetë njerëzore lineare… I gjithë ky kompleks institucional: Sigurimi i Shtetit-Dega e Brendshme-Operative; Organet e pushtetit si: Këshilli Popullor-Fronti Demokratik-Partia – së bashku bashkëpunëtorët dhe spiunët ordinerë përbënin atë hallkë që dje quhej diktaturë e kontrollonte krejt jetën e një shoqërie, sot ka një tjetër emër po nuk është fort larg… Këto mekanizma të përbindshme funksionojnë edhe sot, e Shqipëria përmes këtyre hallkave na dëshmon me dhimbje se ka realizuar mihaleizim i shoqërisë, atë zellin dhe devotshmerinë e individëve që tejkalonin edhe vetë hallkat strukturave diktatoriale…!!
.
Baraka sot... ku dikur përkthehej "Orlando i çmendun"
Barakat e Savres sot
Këtë shkrim, s’do ta kisha shkruar, po mos të më dërgonte një bisedë një miku im në Athinë, Stefan B. Ai më rrëfeu se kishte takuar Mihal Ll., (mbiemrin e plotë s’po e jap për të mos rënduar fëmijët dhe të afërmit e tij, po shumica e dinë). Ja biseda që ai më nisi:
Jozef i dashur!
Sot në drekë njofa një farë Mihali që ju e kishit atje në Savër, nga Divjaka me origjinë!! E di ç’më tha: Të gjithë ata që ishin në Savër kanë kaluar shumë mirë! Bëra debat të madh! Ju njifte mirë! Një enverist e kriminel i pandreqshëm!!! Këta njerëz nuk ndryshojnë kurrë!!
Po Mihal Ll… ishte! I thashë ti do të më thuash që Lazër Radi s’ka vuajtur!! U soll si karagjoz i madh!! Rastësisht ia hapa e bisedën, se më thanë miqtë se ka qënë në Savër, ngaqë kisha lexuar edhe historinë e demaskimit të Babës tuaj, ndaj m’u kujtua emri. Ai donte të ikte, po unë e mbajta Pa ulu, ulu këtu i thashë se kam historira me Savrën!
Ishte shpirtzi edhe në pamje! E pashë me një bastun! Ju paraqiste se nuk ishit në internim, por në kovaleshencë. E kujt, mua m’i thua ti këto i thashë? Kam qënë i vogël, por i mbaj mend të gjitha dhe baltën dhe bukën e misrit që vinte erë. Kallashnikovi s’e shponte, po edhe çangën…
S’ka pasur çangë – më tha! Ka pasur apel i thashë!! Grekët kanë një shprehje të bukur: “Si ke fytyrën ke dhe shpirtin!!” Ai ishte i zi dhe shpirtzi, dhe sigurisht ëndërronte përsëri atë kryetarin e këshillit!
Fatkeqsisht, Athina ka shumicën e spiunëve dhe sigurimsave të Shqipërisë!!
 
Kurse para pak ditësh, te një dokumentar mbi Savrën, befas, si i mbirë nga shkretëtira m’u shfaq me atë llustrën hipokrite të shenjtorit Mihalja, sikur s’kishte qenë ai simboli i së keqes për shumë vite në Savër, por të tjerët!! Një pafundësi njerëzish iu sulën dhe s’i lanë gjë pa thënë, duke rrëfyer bëmat dhe historitë e tij e të tyre… U ula edhe hkrova, për gjithë të këqiat e shkaktuara prej tij, po edhe për atë “dashurinë” e veçantë që kishte ndaj familjes sonë, në veçanti ndaj tim eti! Të Keqen, s’ta harron askush në këtë botë…!!
Në fund të fundit një maskarai ca gjëra i duhen thënë ballas, të mos mendojë se koha mundet t’ua mbulojë gjirizin, që ata e hodhën pa mëshirë mbi njerëz të pafajshëm…
.
Shkruar në kohën e karantinës së Covid -19

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.