Për Nënën time!
nga Nevila Jaupaj
Ajo sot është në vend të parë në zemrën time… Deri dje kam pasë babin… pse dihet tashmë që lidhjet vajzë-baba janë më të fortat shpirtërore, dhe mund të them se babi më ka dhënë shumë dashuri, ndjehem e sigurt se jam drita e syve të tij të bukur. Ai është i vuajtur deri në palcë, dhe ka gjithmonë humor….
Ndërsa mami është tjetër krijesë e rrallë…
Bijë e një ballisti dhe mbesë e një agai, ajo mbetet jetime 6 muajshe, mbasi babanë ia vranë në moshën 33 vjeçare. Iu konfiskuan të gjitha pasuritë në Trevllazër dhe u dëbuan familjarisht nga fshati, një fshat që siç më treguan në furgonin Vlorë-Trevllazër, kur shkova të gjeja varrin e gjyshit… e kishin krijuar tre vëllezër nga fisi i paraardhësve të mi… me mbiemër Lamaj… Ata qenë vendosur në këtë tokë të begatë dhe kishin mbjellë ullinj e vreshta, duke i dhënë vendit edhe emrin e Fshatit asaj bashkësie vëllezërish. Stërgjyshi im, Tahir Lamaj, ish agai fshatit… kish qenë një burrë që ma treguan me shumë fisnikëri… çdo çifti që martohej ai u falte disa rrënjë ullinj dhe një pjesë toke dhe u thoshte gjithmonë se: “Kush është i zoti ta shtron sofrën edhe me një kokërr ulli… po kush s’është i hajrit ta mbyll shtëpinë…!
Në vitin 1945, duke ngelur baba i dy djemve dhe me një djalë të vrarë, thosh gjithmonë nëpër fshat: “Më vranë më të mirin, e me lanë dy kllufjet… sepse gjyshi im ishte shkolluar në Itali, dhe ishte nga të parët që kish sjellë në fshat makineri vaji, makinë autoveturë, dhe çdoherë që kthehej nga studimet me pushime iu dhuronte gjithë njerëzisë në fshat dhurata.
Shtëpia e tyre u konfiskua dhe u kthye në shkollë fshati, të gjitha pasuritë i kaluan pushtetit popullor dhe i lanë edhe pa triska fronti si familje… Mamin tim e rritën gjyshërit dhe xhaxhai… dhe posa mbushi 17 vjeçe e martuan. Punoi 33 vite në bujqësi, në fermë me kazmë dhe lopatë… S’e dinte çdo të thosh e dielë, pushim apo ditë raporti mjekësor, dhe nëse ndonjë ditë e vendosnin në ndonjë punë të lehtë, hidheshin të preferuarat e brigadierit: “Pse atë ballisten çon ti?!” Gjithë jetën nuk e zuri kurrë në gojë babanë, shumë rrallë i shikoja një foto të tijën që e mbante gjithmonë me vete…
Kur erdhën vitet e demokracisë dhe pse ish pronare legjitime e gati një fshati të tërë, thosh kur s’gëzova babë e nënë nuk kam ç’e dua mall e gjënë… Le ta gëzojnë fshatarët e vuajtur.
Ka 24 vite dhe pse doli në pension të parakohshëm në Shqipëri, sepse i kish plotësuar vitet e punës, ka punuar për të jetuar edhe këtu kur i mora afër meje, por që kanë jetuar gjithmonë në shtëpinë e tyre, dhe sot që është 72 vjeçe nuk të pranon një kafe, por thotë: “Asnjëherë sa të kem këmbë, dorë e mendje s’do më kesh peshë, por ndihmë, moj bijë!”.
Prandaj them gjithnji se: Babai më ka dhënë shumë dashuri… mami Vlera!