Për nji çmim të vetëm, Nobel… Tregim nga Gjergj Kola
Mramë, mbasi asht nda çmimi për ma shumë se të njiqintën herë dhe antarët e jurisë, të lodhun nga festimi po hapshin dritaret e Akademisë për pak ajër të pastër, nuk po ju besonin syve, që në terrin e gjysëpërjetshëm të Suedisë shihnin çapitjet e nji njeriu t’krrusun qi shkonte ngadalë nëpër terr dhe vendoste i pari gurin me shishen e qumështit, në dyqanin aty poshtë… I moshuemi, i thyem përgjysë, ulet nji çast vetëm sa me u mbushë me frymë tuj pëshpëritë se njashtu si ai, edhe populli i tij nën diktaturë çohej nadje herët tanë shpresë.
-Kush vendoset i pari në rradhë, ai ka ma shumë shanse me marrë qumësht – e thrret ai kët urtësi të geneve të ushtrueme nëpër rradhat e gjata.
Antaret e akademisë vazhdojnë me shqye sytë, ndërsa i thonë atij se qumështi hala s’asht mjelë, as dihen ku janë lopët, as cila fermë i nis simjet ato, as cila firmë e merr përsipri transportin e landës.
Plaku ballkanas me gurët e rradhës n’dorë, me gjyslyktë si kavanoza ndër sy, e xen menjiherë rradhën i pari dhe as jua ven veshin atyne nalt, veç se sheh plot dyshim se kush po vjen i dyti mbas tij.
Mandej merr nji shkop çobansh në dorë dhe vendos distancën e të dytit qi ka me ardhë në rradhën mbas tij për qumshtin aq shumë të dëshiruem. Në grinë e nadjes, ai qet nji shami të kuqe dhe u afrohet xhamave ku janë të shkrueme gërmat e nji emni… i pastron edhe ma me kujdes ato e nënzà lexon: Alfred Nobel!
Sytë gati i përloten dhe si në mjegull i kujtohet heroizmi i popullit të vet nën diktaturë, ndërsa vuente urinë ndër radhë të gjithshkafjes e në veçanti të qumështit, dhe kët gja e bante vetëm me i kallxue atij se nji dite kjo vuejtje ka me i shërbye edhe për at rradhën e gjatë të Nobelit…
Ai ndodhet këtu dhe e di se i gjith populli asht në pritje bashkë me të… se askush nuk flen, as nuk han, madje as frymë nuk merr… veç pret bashkë me të, hapjen e dyqanit të qumështit që ai të marrë i pari shpërblimin.
Plaku i rradhës se gjatë e ndjen tashma se ky asht momenti i duhun. Brezi qi e ka mbështetë atë asht rritë me veprat e tija, s’ka lexue asgja tjetër as para dhe as mbas tij. Ky asht njaj brezi i “patenZot” brezi i “padinepaimanit”, brezi i njeriut të Ri, qi sot ka vendin në dorë dhe po e mjel ngadalë si ato lopët e çmimit… Mbas ktij brezi ateistësh tash vjen nji tjetër, qi ka me lexue tjerë autorë, qi ka me krijue vetë letërsinë e vet….
Veç kur nji hije i asht afrue krejt njitë dhe mbase i kalon para pa u ndje n’tentativë me ja xanë vendin e parë.
-Ndal – i bërtet ai – jam unë para gjithkujt këtu, ma para edhe se “të rivriteshin të rënët!”
Hija s’e pyet aspak, veç lëviz së bashku me të, dhe plaku me ato syze si prej kavanozash ndalet nji çast, mbushet me frymë dhe bahet gati më i ra në shkop, kur hija ndalet… Ai hjek syzet, ban sikur i pastron dhe hjedh sytë përreth me pa n’se asht kush a jo, mbasi tane paraditen asht ngatrru e asht ba copë me hijen e vet.
Duket se hija neurotike e çmimit të Madh i asht fut krejt thellë dhe ai me mundim të madh përpjeket me e mbajtë nën kontroll. I duket sikur nji rrjetë i ka ra përsipri dhe e ka peshkue prej detit duke e mbajtë n’ajër. Revista e gazeta fantazëm të pagueme prej tij o miqve të tij i kanë ardhë afër dhe i kërkojnë intervista…
-Këta duhet të dijnë diçka, – pëshpëriti ai – ndoshta ksaj rradhe e marr me t’vërtetë i pari qumështin.
Dhe ai fillon me ju tregue për luftën e fundit Ballkanase, për miqtë e tij Nobelista si Haveli, Solzhjenicini, e të tjerë, të cilët megjithse s’kishin fort lidhje me luftën, prapseprap kishin xanë rradhën si ai për at qumësht të bekuem… Tashma ai ka nji linjë të drejtë dhe të pagabueshme qi e ndjek ndër intervista. Qysh t’parën ditë qi e propozuen për qumësht, ai e njek vazhdimisht kët linjë, mbasi miqtë e tij të vërtetë, janë tashma veç nobelistat, ata qi ja mbrritën mbas pritjes pafund në rradhën e qumështit me ia dalë me shishet plot ndër duer. Antarët e Lidhjes së shkrimtarucve të kuq të shtetit ballkanas, as që i përmend fare, sepse fundja ata ishin ujq që përpiqeshin t’i hapnin varrin njeni tjetrit dhe as e dijnë se ku bjen dyqani i qumështit.
Tash sapo hidhet në kambë dhe sheh nga larg se mos po afrohet ndokush dhe me qi rruga asht e lirë e mbron fort radhën qi ka zanë i pari dhe ju kthehet gazetarëve, të cilët të etun për dijen e tij e e pyesin se cila asht dita ma e lumtun e jetës.
-Dita e dytë ma e bukur se e para s’ka ardhë akoma. – u buzëqesh ai.
-Po pra – dojnë me dijtë ata – dita e martesës, lindja e fëmijve, ardhja e demokracisë, cila asht kjo ditë?!
Nji gazetarasnjanës i thotë se kishte me kenë e mbara qi ai të merrej me letërsi, të hidhte rrjetën e artit në detin e turbulluem shqiptar të postdiktaturës e të nxjerrë prej aty peshkaqenë, balena e peshq të tjerë grabitqarë qi po e kafshojnë anijen e fatit të shqipove. Ai e sheh gazetarin me dy sy picërrues dhe i thotë se tashma letërsia e tij e ka kapërcyer vendlindjen e vogël, si nji fëmijë gjigand qi e kapërcen djepin e vet.
-Ti je fanar ndriçues i Adriatikut për krejt letrat e botës – i duartrokasin budallejtë e platesë që s’kishin shkrue kurrë nji rresht dashnijet në jetën e tyne.
Ai ju buzëqesh si Eskili, për të cilin ka shkrue se ishte “humbës i madh” i radhës së qumështit…
Ishte nji ditë tetori kur ai mori vesh se kishte hy në rrethin e ngushtë të 5 personave që do t’kishin shansin e madh me marrë qumështin, apo ma mirë shishen e mbushun me langun magjik. Nji here t’vetme ka hi në kët rreth të përzgjedhun dhe ndoshta kjo i mjafton për tanë jetën.
Gojët e liga thojnë… se n’at kohë kish plasë lufta në Ballkan dhe Akademia desht me kallxu se asht e ndjeshme ndaj ksaj dhe kështu futi edhe nji ballkanas në pesshe, megjithse shishen e mbushun me qumësht e mori nji femen amerikane me ngjyrë.
Tash për çdo vit, maune dhe autobuzë me njerëz zbrazen përpara dyqanit të Alfred Nobel, ku rreth 200 shkrimtarë e poetë xejnë rradhë e presin aty deri në muejin tetor. Në kët muej hapen dritoret e akademise dhe lajmohen të 5 kandidatët për qumësht… tjerët marrin maunet dhe autobuzët dhe nisen kah kanë ardhë…
Randsi ka se prej vendit të tij, në brigjet e Adriatikut, nuk asht propozue kërkush para tij dhe kjo ia lehtëon sadopak peshën e pritjes.
Dikush kohët e fundit i pat thanë se edhe nji tjetër asht futë deri në pesëshen e famshme të rradhës së qumështit dhe ai ishte rrezik me ju vu letërsisë si rrasë vorrit, porse ai e kundërshton energjikisht:
-Kush??? Ai prifti reaksionar, konservativ e njëherësh dekadent! Po çfarë i duhet atij ore aman, qumështi i nobelit…? Ta marrë në parajsë me vete! – u indinjue ai si nji ateist i vërtetë.
Në radhë për qumështin e jashtzakonshëm, njeriu mëson ma shumë mbi marrjen e këtij çmimi se nga krejt librat qi janë shkrue mbi të. Kështu para do vitesh ai kishte ndigjue se çmimi i asaj rradhe kishte me ju dhanë nji autorit nga vendet islamike… dhe në çdo intervistë e theksonte se “…ne shkrimtarët muslimanë, si përfaqsues të një numri të konsiderueshëm njerzish afrojmë një letërsi të re dhe të panjohur më parë…!|”
-Po letërsia juej asht shkrue në nji diktaturë ateiste – e kundërshtonin.
-Edhe diktatori Hoxha vdiq si ateist, por u varros si musliman… – ja ktheu ai me gojën shpatë.
Nji vit tjetër mendohej që qumeshti i çmuar t’i jepej nji shkrimtari prej vendeve ku ishin shkelë të drejtat e njeriut dhe sidomos ku shtypeshin pakicat. Në kët rast, ai u shpejtue aty në radhë të qumështit, me shkruejtë mbi pakicën e katolikëve në vend, të cilët ishin shtypë prej komunistave, megjithse kishin aspirue gjithnji për nji Europë demokratike…
Tash qi gazetarët po e lejnë të qetë, ai e sheh se ka ardhë mesi i ditës dhe rreshti i shkrimtarëve dhe poetëve e ka mbushë rradhën, prandej e shtrëngon fort dhe e tund shkopin e çobanit me i mbajtë në distancë të tjerët, deri andej kah mbasditja… kur del nji anëtar i Akademisë dhe lexon pesë emnat e përzgjedhun për qumështin e jashtzakonshëm…
Syzet prej kavanozi i bien përtokë… kur ndigjon se emni i tij nuk asht as kët vit… dhe ai duhet tashma me ju ba vend pesë të përzgjedhunve të rradhës…
Krejt njerzia marrin makinat e maunet e largohen në heshtje, po atij s’i ban zemra me hikë. Shkon deri në fund të rrugës dhe mshehet atje dhe pret… mos ndoshta kushedi del del dikush dhe e thrret… fundja edhe ata njerëz të gjallë janë e mund t’kenë bà ndonji gabim në leximin e emnave…!
Ai rrin njaty si partizan i panjoftun, mbas te pestëve dhe pret tuj folë mbi nobelistat, miq të tij, qi kishin pasë fatin para tij me marrë njat qumështin e rradhës… miq të cilët ai i njeh nji për nji, dhe nëse ata s’e njofin… shpejt kanë me pasë rast me e njoftë, bile edhe me e pranue në gjinin e tyne.
Në mbramje, para se me u nda çmimet… ai mori guximin e marrë dhe hyni brenda. Hapi derën me nji të rame të shkopit të çobanit dhe i shtyu me vrull pesë kandidatët qi prisnin në rradhë. Para tij ju shfaq nji gavigj i madh plot e përplot me qumësht. U zvarrit nëpër të dhe mandej mbylli sytë… mori vrull dhe u hodh mbrenda tuj ndje langun e bardhë me shtresën prej kremit ndër buzë.
…dhe ka nisë me pi me sa forcë qi kishte me të dyja duert, pa mbrritë me pa se kush asht rrotull tij, pse babëzija s’po i njehte kufij. Dikush po rrehte fort me rrema, kremin e qumështit si në nji centrifugë ndërsa trupi i tij rrotullohej e rrotullohej nëpër langun e trashë… ndërsa ai po e ndjen se po e lshojnë forcat… e kupton se po i xehet fryma dhe po zhytet thellë e ma thellë në lang… Anëtaret e Akademisë të shqetsuem kanë zbritë poshtë dhe të tanë njiherit kanë bërtitë:
-Nji mizë ka ra në qumësht e s’po din me dalë!
2013
Ps. Unë s’jam nji prej atyne qi m’vjen keq për njerëzit veç kur ata vdesin. Unë guxoj me ju shfaqë dashninë teme edhe kur ata janë gjallë, dashni njerzore, asnjiherë me komplekse qi s’i njoh… sepse nji akt artistik s’asht kurrë as nji akt urrejtje dhe as kotsije… gjk