Për vjedhsit e kohës dhe dhuruesit e emocioneve
nga Jozef Radi
Reflektim rreth shkrimit
“Esenca feminile në poezinë sotme shqipe”
nga Aristea Kola, botue në gazetën Mapo, 10 shtator 2017
Shpesh më ndodh me lexue shkrime, për të cilat në fund, më dhimbset koha e harxhueme leximit… por më ndodh jo rrallë, që mbas leximit ta kem mendue kët gjà dhe në reflektime kam thanë: Ma mirë që e kam lexue, vërtet kam vra pak prej kohës seme të shtrenjtë për do gjepura, po ama s’duhet me i lanë gjepurat me plagosë e me vra shpirtna të ndjeshëm e guximtarë, shpirtna që mendojnë luftojnë me prodhue vlera dhe bukuri aty ku bërlloku e shëmtimi asht tashma: mision i përfshim n’ethet e lavdisë!
Kur mbarova shënimin kritikues të Aristea Kolës “Esenca feminile në poezinë sotme shqipe”, ndjeva nji dhimbje të madhe për nji të panjoftun të vogël, për nji gjylpanë femnore, e cila në vend që t’kishte mësue me qindisë e me ildisë kishte mësue ma së pari me pickue njashtu hidhtë dhe egërsisht, e me u ra kryq me të zezë, shumë njerzve njiherit, përmes nji frymë fyemjesh që rrallë ndodhë me e ndeshë kaq haptas e kaq shlirtas, e ku në çdo fjali potencimi i hidhtësisë e fshik aq lehtë helmin sa me t’u dhimbtë krejt ajo stuhi e së keqes, (krahasue me Irmën e Karaibeve që i qiti gaforret në autostradë) e mbrujtun aq me krenari dhe shpërfillje cinike!
.
Analizën disi të përciptë të këtij shkrimi denigrues më duhet me e fillue me nji rrëfim të hershëm nga jeta e Sokratit, i cili si zakonisht, i ndjekun prej dishepujve të tij e kthente natyrën dhe gjithçka të sajë, në objekte mësimi, diskutimi dhe reflektimi. Në nji baltovinë buzë rruge nxanësit e tij mbasi kapërcyen nji qen i ngordhun kahera, e në një stad të avancuem dekompozimi, prej erës së qelbtë, krejt dishepujt që kaluen n’at shteg zunë hundët dhe pështynë pa përjashtim mbi kafshën e ngordhun. Mbasi kaluen të tanë, ata si kureshtarë, ndaluen me pà çka do të bante mësuesi tyne! Dhe Sokrati, u ndal para kafshës së ngordhun, e kqyri me vëmendje, e shpërfilli kutërbimin e qelbët dhe tha: “Sa dhambë të bukur paska!”
Pra, mesazhi i tij shtegton prej 2500 vjetësh: përpiquni me e gjetë të bukurën edhe atje ku s’beson askush s’e mund të gjendet! – si porosi e filozofit plak…
Fakti që e kam jetue trishtueshëm kohën e orgjive të fletërrufeve, “shkrue me gërma të mëdha, dhe pa frikë”, dhe e kam përcjellë si njilloj ndërsyemje e njerzve prej partisë dhe pushtetit, ndaj çdo mendimi ndryshe, sinqerisht e ndjeva kët shpirt fletërrufeje të tranplatuem me aq zell prej realitetesh të hershme shqiptare në ma të vonat ditë të së sotmes prej nji vajze që sinqerisht e besoj të re. Mbas leximit, Aristean s’mund ta konsideroja ndryshe veç nji fletërrufeiste e përkryeme, e cila mund t’i bante ma shumë shërbime kohës së hikun se asaj që vjen, por s’e kam ndërmend me i dhanë asnji lëvdatë ma shumë se meriton asaj, por kët fenomen që ajo ka marrë përsipër me e përfaqësue, e konsideroj paksa të vështirë e tejet të ashpër për shpatullat e saj të njoma, çka më len edhe ndonji hije dyshimi në bashkautorsi… Gjithsesi do mundehem me ja lehtësue barrën e së keqes, që ka marrë përsipër, duke ja zbërthye disi punën, për me e lexue dhe kuptue vedin pak ma ndryshe, për tjera punë e shkrime që e presin në të nesërme!
.
E para, çka më bani mjaft përshtypje, ishte si mundet nji grue a nji vajzë me ju turrë kundra 8 grave s’pari me shprehjen “pretendojnë se shkruejnë poezi” kur shumica e tyne e kanë ba ma së pakut nji libër?! N’mos asht cmirë, çka dreqin mund të jetë?! Urdhën!!! Mandej, kur sulmon dikush shumë veta njiherit, a nuk të lejon me mendue se problemi asht ai vetë dhe jo ata që sulmohen!?
E dyta, kur nji jopoete turret ndaj 8 vargzueseve mediokre (po i quejmë kështu, me ia ba qejfin artikullshkrueses), a s’ishte e mundun me gjetë qoftë edhe nji varg të vetëm me nji fill drite, qoftë edhe nji mendim pozitiv, ndër krejt këto vajza, të cilat me shpirt nëpër dhambë, guxojnë me shkrue shlirtë, dhe me e përmirsue dukshëm verbin poetik, të dalë prej gjuhës së drunjtë të realizmit socialist, dhe masakrës ndaj feminilitetit, jo veç si Fejsbukiste si pretendon autorja… po edhe libra të vërtetë duke konkurue jashtë hierarkive letrare…!!
Ariste, të qofsha falë, ma mirë t’kishe qëllue djalë, se së paku ndonji varg i këtyne “vajzave target”, do ta kishte limue sado pak shpirtin tand!!!
E treta, ka dy lloje analizash apo studimesh letrare: serioze dhe sharlatane! Kur do me trajtue qoftë edhe nji fetë të hollë poetike, edhe si horror letrar, si fjala vjen qëmtimi i Aristeas, jam dakort se disa prej vargjeve të pikasuna prej saj, i kanë do ngarkesa jo fort të ndriçueme, po kjo s’do me thanë se kjo asht krejt fryma e librave të tyne, çka e ka lodhë të shkretën Ariste me qitë sytë n’thes t’orizit për veç 10 kokrra meli!
Ar(t)istea, po ti pos e lbyrun terri s’mund t’ishe ndryshe! Ato vajza e gra, ti ke marrë shkopin veç me i rrahë, pse ndër vargje tyne ka njaq shumë dritë, sa s’mundesh me u ftillue e me u futë nëpër birë t’gjylpanës, e me përndritë shpirtin tand prej lajthize!
E katërta, si t’mos mjafton te përzgjedhja jote aq dashakeqe, ke përdorë pa asnji masë sarkazëm e ironi! Si t’ishte ti è pikluemja e qiellës, dhe njato të shkreta, krijuese e krijesa të natës, e ti i ke marrë për dore jo veç me i qitë prej territ, po edhe me i kallzue se kah mbrrihet drita!! Po jo moj Ar(t)iste jo… Duhet ma parë me ja zgjanue paksa dhomat zemrës tande e me u msue me e gjetë të bukurën edhe aty ku duhet lentja, përndryshe ky shkrim ka me të mbetë maja ma è naltë e nji mali me baltë, që ti ke dashtë me e rrzue ndër njerëz të gabuem…!!
E pesta, 8 vajza që kanë guxue me shkrue poezi që kanë pasë kurajo, qoftë ëdhe nëpërmjet virtualitetit, me u shfaqë poetikisht, (qoftë për like – apo për lajka si mendon ti) nuk asht dinjitoze me i marrë në trajtim kaq të ashpër. Drejt me të thanë m’u duke si prokurore dënimesh me vdekje, e do kohnave të shkueme! M’u duke pak edhe si zbuluese bandash dhe ti e gatshme si komandante e plotonit pushkatimit: e kundra kujt: ndaj bandës së vajzave të Shkodrës, e çikave të Kosovës, me dëshirën e zjarrtë me i bà fërtele. Jo Ar(t)iste… jo! Je tepër e re, për k’si gjanash të vjetra!
E gjashta, përdorimi i gegnishtes për sulme “nën vehte” kundra 8 poeteshave gege, që kanë guxue më shkrue njashtu si ju vjen ma ambël e ma natyrshëm, asht shëmtimi ma i plotë i punës tand! Së paku ta kishe përzie pak gjeografinë e poezisë dhe poeteve, jo për gjà po do të kishe qenë pak ma shumë è besueshme. Po ta kishe shkrue njat shpirt agresiv, në standart kishte me të dalë punë e harmonizueme fort mirë!!
E shtata, si të mos kishin mjaftue çikat, kishe “ngucë me krande” edhe do burra, krijues konkursesh, dhanës çmimesh dhe nxitës botimesh! Po pse moj Ar(t)iste, i sheh me tmerr mundësinë e cilitdo të kësaj bote me organizue diçka pozitive jashtë suazave t’njasaj politike përjashtuese dhe përçmuese çmimesh që kahera po ndjekin ministritë e kulturës! Edhe nobeli, ka lindë si çmim privat e aspak shtetnor, jashtë suazave të politikës, edhe pse gjithçka e kësaj bote vërtitet rreth politikës… Pra mësohu me i pranue ata që luftojnë me bà diçka ma mirë, diçka ndryshe, qoftë edhe tuj gabue, pse je aq shumë tuj gabue pa e kuptue as vetë pse.
E teta dhe e fundit asht tejet trishtuese kur sheh nji brez të ri, të përfaqësuem nga autorja e shkrimit, që edhe pse i ka të gjitha mundësitë e edukimit kritik, estetik dhe esseistik me e marrë pak ma seriozisht studimin e vlerave letrare të realizueme në postdiktaturë, e të shpërndame në nji gjeografi kaq të gjanë, ndërkohë që mësojnë gjamën e fletërrufeve, dhe masakrimin kolektiv të krejt atyne grave dhe vajzavë që luftojnë me e emancipue poezinë, letërsinë dhe shoqninë shqiptare…
.
Shpesh me ndodh me lexue shkrime që në fund të tyne ndjehem i vjedhun në kohë. Asht i lutun kushdo, që merr përsipër me shkrue, të mendojë mos me u bà vjedhës kohe i lexuesve që vrapojnë, po të luftojë të naltohet si dhurues emocionesh, e ku çdo lexues në vrap e sipër, të ndalet nji çast e të shfaqet falenderues… ashtu siç do të kisha dëshirue edhe unë të isha prej nji shkrimi të ardhshëm të Aristea Kolës…
15 shtator 2017
P.S. Pesë prej autoreve të sipërpërmenduna në kët shkrim, kanë faqet e tyne në sitin www.radiandradi.com, janë të lutuna Suada Halilaj, Rozafa Shpuza, Ervina Halili dhe Donika Dabishevci, nëse e gjejnë të arsyeshme, të paraqesin nji cikël poezish nga puna e tyne si nji kënaqësi e veçantë për autorin e sitit…