back to top
10.5 C
Tirana
E enjte, 26 Dhjetor, 2024

Sonatë me violinë për Zysh Shiren – nga Jozef Radi

Gazeta

Shire Caka - Kasapi
Shire Caka – Kasapi

Sonatë me violinë për Zysh Shiren

nga Jozef Radi

Rreth viteve 1967-’69, duke qenë se në katundin ku jetoja, Savër kishte vetëm shkollë fillore, shkollën tetëvjeçare u detyruam ta bënim në një katund 2-3 kilometra larg, në Karbunarë. Sigurisht, për mua si fëmijë do t’ishte një eksperiencë e vështirë, por që na edukoi të ngriheshim më herët, ta kuptonim shkollën si sakrificë, po edhe të njihnim diçka përtej asak ku jetonim! Duke qenë se ishim mjaft shokë t’nji moshe, mëngjeseve bëheshim grup e me shpirt aventure shkonim në Karbunarë, e cila me thënë të drejtën, duke qenë vend paksa kodrinor e shkolla ishte diku majë kodrës, para se të fillonim mësimin bënim një vërdallje nëpër territorin rrotull shkollës, gjenim shtigje, “preknim” diku nëpër baçe, hypnim diku nëpër pemë ullinjsh të mbetur jashtë rrethimeve, sepse të ardhur prej një katundi midis fushës, si vend pa emocione, Karbunara plot me kodra shtufi të butë, plot pemë e rrugica, plot kafshë e mister ishte një atraksion tërheqës, e për botën tonë fëminore, të mprehur me Tom Soyerin e Hekëlbërri Finin, apo me djemtë e Rrugës Pal, befas për ne ajo merrte një sharm magjik.
Kështuqë, ajo eksperiencë dy vitesh, mbetet ndër më të bukurat e fëminisë, pse shpesh gjenim shpirtin e aventurës dhe misterin e një bote të panjohur, hapësirat për të shetitur si të huaj dhe zbulime që i quanim tonat, si të vetmen mundësi si fëmijë për të ndryshuar diçka brenda vetes sonë…
E theksoj se shkolla e Karbunarës ishte majë kodre, dhe grupi ynë i aventurës me Mirashin, Zeqirin, Gorin, Lumin, Dikën, Vasin, Luanin e ndonji tjetër, shmangien e fiskulturës së mëngjesit e kthenim në rikonjicion të terrenit, dhe vetëm kur kryhej britma “Gjithmonë gati” ne zbrisnim vrulltas nga mbas shkollës dhe futeshin secili në klasë të vet… 
Në Karbunarë, një pjese e mirë e mësuesve ishin cilësorë. Mund të përmendja mjaft emra prej tyre, që kanë pasur ndikim jo të pakët ndër ne, e ku shpirti i pedagogjisë dhe komunikimit, ka lënë mjaft vlera, por sot dëshiroj të ndalem te një mësuese e vetme, të cilës i ka mbetur një vend të veçantë brenda meje, e me të cilën sot e kësaj dite vazhdojmë biseda herë reale e herë virtuale dhe ajo çka vlen të theksoj, se në adoleshencën tonë ajo ishte mësuesja më e re e shkollës, dhe jo vetëm aq, po edhe më e bukura, çka na e bënte edhe më joshëse mësimin me të! Si e tillë ajo shpeash ishte më konfidenciale, sikur sillte një frymë të nfrohtë, ndjehesh ajo dhe ne më të shlirtë, sepse ajo ishte mësuese e gjuhës dhe leximit, lëndë që i kisha mjaft për zemër, po nganjëherë edhe e muzikës… 
Pse ta fsheh, në kët rrëfim të vonë për zysh Shiren ruaj diçka më shumë se për një mësuese, si të thuash një sentiment adoleshencial, o afeksion platonik, që ende e ruaj si një ikone të shenjtë varur e fshehur diku në muret e kujtesës, e ndodh të kthehem aty veç të fshij pluhurin e viteve të ikura dhe atë siluetën e saj, që më dukej sikur i jepte dritë shkollës në majë të kodrës…. 
Vlen ta theksoj, se Zysh Shirja ishte vendase, dhe së bashku me Adriatike Këmborën, Cen Manko, Eqerem Xhekën përbënin grupin e mësuesve vendas të shkollës, që për çudi shumica tyre na jepnin gjuhë dhe lexim… 
Zysh Shirja i përkiste fisit Kasapi, një prej pesë gjashtë fiseve të mëdha të Karbunarës, midis Shehlerëve e Sulenjve, Çelëve dhe Ymerëve, Çanakëve o ndonjë fisi tjetër.
Zysh Shirja si më e reja, më e bukura dhe më e shlirta aty mes baltës dhe pluhurit dukej si lule e çdo stine… e duke qenë se fisi i Kasapëve, shtrihej përgjat një kilometri në rrugën për në shkollë, që niste nga stallat e deri te përroi i Lunjës, shpesh na qëllonte që rrugës të bashkoheshim me zyshen e bukur dhe at segment rruge ta bënim bashkë duke shkëmbyer jo vetëm përshëndtjet po edhe pak konfidencë… çaste që për mua ishin kontempluese, mbasi më dukej sikur ajo xhvishej nga autoriteti i mësueses, e sillej me ne si një shoqe e mund ta pyesnim pa droje për gjëra që s’kishin lidhje fare me mësimet, sepse ajo kishte një mirësi e butësi që e kishte lënë Zysh Shiren brenda meje, më shumë se mësuese.
Dhe si një hajn, e ndiqja me sy sa herë shfaqej silueta e saj hajthme dhe e zeshket, me ata flokët e shkurtë e të zes, me ato veshjet e thjeshta që në trupin e saj bëheshin të spikatshme, ndër ato kohë të vështira e vende të varfra, ku kishte raste që vinin nxënës me çanta lecke, me opinga të grisura, shpesh të pangrënë, ndonjëherë edhe zbathur, e kur ndodhte edhe ndonjë epidemi morri, tablloja bëhej e plotë dhe ne djemtë duhej t’i zbathnim kokat, edhe pse e keqja vinte nga flokët e vajzave… Në atë realitet ngjyrash të trishta, Zysha ishte si të thuash nji thurje drite që na humbte mendjen e na e merrte vëmendja… Nuk e di pse, më ishte krijuar bindja se Zysh Shirja ishte e dashuruar bile përpiqesha t’i gjeja edhe ndonjë emër si për ta justifikuar pamundësinë time… E ndoshta ky fiksim i një dhjetë-njëmbëdhjetë vjeçari, ca nga ca e zbehu atë aureolë platonike ndaj Zyshës, në armiqësi me ndonjë figurë mësuesi që sigurisht ishte tejet larg asaj që mendoja unë…
Megjithatë zysh Shires vazhdoja t’i mësoja, ta ndiqja me vëmëndje atë kantilenën e shpjegimeve të saj, shpesh edhe pa e pasur mendjen çka thoshte, vazhdoja ta kqyrja me një mahnitje prej budallai, e t’i krijoja vetes kushedi ç’iluzione, sepse mendoja dhe besoja se bukuria femërore, mirësia shpirtërore, ishin arsye për të qenë i vëmendshëm, i sjellshëm, i mirë në mësime që të mund ta dehja zyshën, me ato çka më parë kishin rrjedhur ëmbëlsisht prej buzve të saj të trëndafilta e që më rrinin ndër veshe si një muzikë violinë që mund të dëgjoj edhe sot, mbas një gjysëm shekulli…
Ishte një shoqja e dikurshme e klasës, Flora Çela, ndjesë pastë, pse s’është më, që na bashkoi me Zyshën, e prej më shumë se pesë vitesh jemi miq, jemi shumë miq, e zyshja s’i mungon thuaj asnjëherë faqes time, ndodh që më le shënime të gjata, vlerësime me “yll” që me siguri s’i meritoj, derisa për çudinë time një ditë lexova prej Zysh Shires poezi mjaft të bukura, bile kishte botuar edhe libra, e siç po jua dëshmoj edhe në këtë faqe kushtuar asaj, dhe vetëm asaj, munda të mbledh ashtu vjedhtas edhe keto tufa buqeta prej luleve të saj, t’ia korigjoja, t’i bëja edhe ndonjë vërejtje a kritikë, e që ajo e merr aq seriozisht mendimin tim, si t’ishte e ndonjë shenjtori të fjalës, i dalë edhe prej mundit të saj…!! 
Sot sërish jam i dashuruar me Zysh Shiren, me atë imazhin e largët e të shprishur ndër kohra, ashtu e shlirtë e të fluturt e përkushtuar mësimdhënies, si dikur 53 vite të shkuara, kur ajo përpiqej jo vetëm të na nxiste ndër mësime po të na mbetesh ndër sy si ajo lulja e bukur mes pluhurit dhe baltës që kërkonte me gjithë forcën e shpirtit t’i jepte pak më shumë dritë asaj jete asaj bote, e që me siguri diku ajo drita e saj ka zënë vend…

Ps. Duke qenë se me 5 mars Zysh Shirja, ka një përvjetor të saj, ky rrëfim i vonë dhe kjo tufë poezish “të vjedhura” nga kopështi i saj, mbeten një dhuratë modeste për gjithçka pozitive që ajo ka mbjellë te unë po edhe ndër të tjerë… Shumë Urime Zysh Shirja!
janar – shkurt 2022

Klasa e V-B maj 1967
Klasa e V-B maj 1967 (i treti ne te majte siper)

Cikel Poezish

nga Shire Caka – Kasap

Ky det gjithë dallgë…!

Ky mall i madh i përsëritur,
Ky det gjithë dallgë përplaset keq 
Seç zbardh një varkë diku e fikur
Një marinar vozit në breg
I zhveshi vjeshta gjethe, drurë 
I rëndë më duket ky ndëshkim
Ku ka dallgë dhe stuhi ka,
Ku ka vjeshtë, ka dhe harrim…! 

.

Ja erdh ky mëngjes pak i mugët

Në gji seç fsheh një përmallim, 
Nuk dukesh ti, prandaj s’ka zë…
Sa pak dritare të hapura rrinë
Edhe kam “frikë” hapur t’i mbaj 
Mos vrulltas futet një tufan
Nuk di a mundem t’i bëj ballë 
A e zbraps dot të madhen dallgë?
Se kur vrulltas ajo vjen, 
çdo gjë merr para, e përlan, 
unë vuaj ta ndal, ajo shpërthen
Sa kthehet në një tramundanë…! 
I qasem afër ta qafoj
Mundohem, vrullin t’ja ndal pak,
Por është bërë keq, zulmën s’e ndal,
Asgjë nuk jep, asgjë nuk fal…!
.

Shire Caka - Kasapi
Shire Caka – Kasapi

Do vij…!

Do vij tek ti të marr pak ajër,
Pak baltë e bar të njomë të marr,
Mjafton të jenë nga vendi i lindjes
Të mbajnë erë Karbunarë…!
Do vij tek ti të marr pak mall,
Mall nga malli yt i madh
Do vij një çast si zog i rrallë…
Oh, sa më dhemb ti Karbunarë!
Më dhemb malli që po le
Më dhemb çdo plis e çdo gurë
Më dhembin rrugët me pluhur e baltë
Më dhembin rrugët gjembashpuar
Do vij, por a mundem të iki prap,
A thua këmbët do më bëjnë?
Unë bëj të largohem, ato më mbajnë
Më mbajnë se zemra shumë më dhemb.
Hap krahët të të pushtoj
Pse s’mi hap ti, zemra ime?
U mërzite që po shkoj
Më përcjell me ligjërime?
Po unë mendjen kam tek ti
Dhe do vij shpejt, nuk do rri gjatë
Sa më lëndon kështu, e dashur
S’më beson që do vij prap?
.

Unë isha e dashuruar me ëndrrat…!

Unë asnjëherë s’i kam dashur “prangat”
“prangat” vallë kush i deshi, më thuaj…!
unë isha e dashuruar me ëndrrat
dhe ëndrrat dashuruar ishin me mua…!
“Pranga” për fjalët, pranga për të qeshurit me zë
“pranga” për shokun e miken e delire… 
pranga për veshjen dhe muzikën e dëgjuar
“pranga” për vajzën e bukur dhe djalin e mirë…
Eh, sa shumë “pranga” në jetë kemi pasur
i kemi këputur apo kapërcyer s’e di?!
se ishin mjaft, sa shumë të vrisnin
sa do të doja të merrnin arratinë…!
Sa ëndrra kemi vrarë, sa ëndrra na kanë vrarë…
sa dëshira në sirtar mbetur…
dhe unë dhe ti dhe ata dhe ato
ëndrra që diku janë tretur…
Endrra rinore, ëndrra të delira
ëndrra me të cilat ishim dashuruar…
por ah, kohë vrastare, kohra të këqia
kur në këmbe ngrihej hipokrizia…
dhe griseshin e treteshin ëndrrat më të mira!
ëndrra të përzëna, ëndrra të ndëshkuara…
jo, mos më ikni, rrini këtu me mua,  
ëndrra të hirta, ëndrra të diellta
jo, mos më ikni, s’e dini vallë sa ju dua?? 
.

Kujtime nga Puka…

Në qytetin e magjishëm migjenian
Me pishat e larta gjer në re… 
Shkova e vogël si mësuese
“U rrita” me ata njerëz atje…
Të varfër siç i përshkruan Migjeni,
por të pasur me shpirtin “kala”’
ato shtëpi me dritare frëngji e me rrasa guri
për mua ishin me shumë se pallat…
Atje jetonin njerëz të mrekullueshëm..
në Fletin e largët dhe shumë krenar
i doja, më donin ata njerëz të mençur, 
ata njerëz të mençur atje lart në mal……
-Hajde Bujrum, – të ftonin të gjithë
nga më i vogli, gjer te më i madhi
…a mund të mos hyje n’ato shtëpi “të varfra” 
…a mund të mos shkoje në ato shtëpi “të pasura” 
Të vinin përpara grosh e turshi…
turshi të tilla kurrë s’kisha ngrënë
Po sa shijonte ajo bukë e madhe valë..
sa të shijonte ajo bukëvale e gatuar në magje!
Sa ngrohtësi kishin brenda vetes ata njerëz
ata sikur diellin “brenda vetes” kishin
Ah, sa të varfër ishin… por sa shum’ “të pasur”, 
shpirtin“thesar” ata njerëz e kishin…

Ndaj këto vargje sot me zemër i shkruaj
Në respekt të pakufi për ata njerëz lart!
.
Shire Caka - Kasapi me te birin
Shire Caka – Kasapi me te birin

Në mundsha…!

T’i merrja pyllit fëshfërimën,
në mundsha dot t’ja merrja!?
t’i merrja lumit gurgullimën
me to doja t’ju dehja…!
Një copëz borxh nga hëna 
a mund ta merrja vallë,
në shpirtin tuaj ta sillja 
dhuratë margaritarë?
Kaltërsinë qiellit t’ja “vidhja”
një grusht me yllësi desha
të thurja një kurorë 
me shpirt t’ju përshëndesja…!
Do doja t’isha flutur
brenda lules të rrija
t’i merrja asaj nektarin
ushqim për ju ta sillja…
Atje ku fresk ka ëndrra  
brenda një pikëze vese
ëndrra më shumë t’ju zgjoja
si mijëra luledele…!
.

Lot fëmije…!

Duke treguar në glob Atdheun tonë,
Atë të shtrenjtim, të bukurin, të mirin
Enia e pa se Shqipëria shënohej e vogël
Oh, ç’lot i brishtë n’ata sy fëmije…
-Po pse, pse është kaq e vogël,
O ba, pse kështu Shqipëria ime??
Unë dua të jetë shumë e madhe, 
Dhe lotët breshëri i binin…!
-E madhe ka qenë Shqipëria…
Nisëm ngadalë ta qetësonin,
Por shtetet fqinjë grabitqare
Nisën me radhë ta kafshimin…
-Po le të kafshojnë dhe ne 
Nga një copë në këto shtete
Të bëhet e madhe Shqipëria ime, 
Të jetë zonjë për vetë…!
Dhe fliste e fliste e ëmbla, 
Dënesat jo, s’i pushonin
U munduam që ta qetësonin, 
Por e vogël, ç’mund t’i shpjegonin…???
Dhe më erdhi keq për lotët e mbesës,
Më erdhi dhe mirë sigurisht
Që e do vendin e saj të shtrenjtë, 
Të jetë i madh për të gjithë…!
E përkëdhela leht’ nga flokët
Dhe ja putha sytë e bukur
Ata sy të mbushur lotë
Asnjëherë si sot s’më janë dukur…
-O ba, më ço te Shqipëria 
Kur do vemi të Shqipëria e bukur
Më ka marrë malli shumë, o babi
Katër vite atje pa u dukur…
-Do vemi ne, shpirt i babit
Ja sa të mbarojë virus Korona…
-Na premton vërtet, o babi im,
Se Shqipëria është e jona…!
.

Kafe me nxënësin tim

Është bukur të takosh një nxënës,
Të ulesh e ta pish një kafe me të,
Para sysh të shfaqen lloje momentesh,
çaste që shpirtin peshë ta ngrenë…
-Mirëmëngjes, e dashur mësuese, 
A më njeh? Elsid Saraçi jam 
Nëse mundesh, ta pinim një kafe,
Kujtimet e shumta bashkë të ndajmë…!
Dhe u ulëm bashkë në tryezë
Harruam kovid e gjithë ç’qe
E shikoja në sy nxënësin tim
Diç, si dikur, doja të dalloja atje…
Dhe folëm e folëm sa gjatë 
Dhe koha na iku fluturuar
E shihja me mall nxënësin tim
Sa shumë malli ngarkuar…
-Mësuese, trazovaç i madh kam qenë
Dhe ju me të drejtë më qortonit,
-Por ishe i vogël, o i ëmbli im 
Disa gjëra mirë s’i kuptonit…
Nganjëherë një dackë doja të të jepja,
Por buzëqeshja jote aq e pastër 
Më ngrohte trup, më ngrohte shpirt
Dhe largohej sjellja e ashpër…
Dhe kuvenduam si dy miq kohëlarguar
Dhe koha na iku ashtu pa kuptuar
E shihja, të rritur, të “pjekur” nxënësin tim
Dhe veten e ndjeja qortuar…
Harrova kovid, pranë iu afrova
Të mirit, të ëmblit nxënësit tim,
Pastaj me mall e përqafova 
N’at përqafje gjithë nxënësit e mi…!
.

Mbushma një gotë…!  

Mbushma nje gotë me vargje shpirti 
Tjetrën me buzëqeshje e tua
Eh, sa kam mall të jem me ty 
Kam mall për grindjet e tua…!
Për mua grinndje nanuritëse janë
Me dashurinë time sa një det 
Mbushma një gotë me ngrohtësine tënde 
Kam mall përsëri të të bëj mbret…!
Mbushma një gotë me dallgë shpirti 
Me dallgë shpirti siç je ti vetë
Mbushma në daç edhe me mall syri 
Apo me heshtjen që gëlthet.
Mbushma një gotë me lule mali,
Tjetrën ma mbush me luledele
Më ka marrë malli për ty, i dashur 
Për ty dhe t’ëmblat përkëdhelje!
.

Më ndjeu

Vura këmbën, shkela tokën
E ndjeva që më ndjeu
Ëmbël bisedoj me dheun
Zemra m’u drodh, trupi mornica shpërtheu..!
.

Ibrahim Sheh Karbunarës!

Ju ishit lisa me shumë degë,
Por njera degë qe më e rëndë,
Ju ishit perëndia që prisnit rrufetë,
Ishit tramundanë në qiellin që dhemb…!
Nga një derë fisnike i zbrite Atdheut,
Sa shumë shtatin ja lartësove,
I ngrite një përmendore të artë,
Sa shumë atë e zbukurove!
Nder e krenari për Karbunarën,
Ti bir i saj i denjë, i bukur, inteligjennt,
I ndjeje shpejt erërat, stuhitë si frynin,
Atdheu sa shumë ty të dhemb!
Më 21 Janar në Lushnje mblidheshin krerët,
Në Lushnje do shkruhej historia,
Po merreshin vendime të rralla,
Të shpëtohej mbarë Shqipëria!
Mblidhen krerët, mblidhej Kombi,
T’i dalë për zot Shqipërisë.
Askush më të mos guxojë!
Është urim i perëndisë…!
Një përshpirtje po bënte Shehu,
Bir Karbunare i trimërisë,
Në dorë shpalos librin e shenjtë,
Të madhen porosi të perëndisë.
Në shtëpinë e Kaso Fugës,
Patriotët bënë betimin,
Para Flamurit dhe Zotit
Lushnjes sonë ia ngritën Himnin!
.

Nënës

Eh, sikur të mundja
Për ty, o nënë të këndoja
Gjitha këngët e botës
Në një do t’i bashkoja
.

Dhurata e rrallë

Nëse do më pyesnin, se ç’dhuratë do të doja
Përgjigje shpejt do jepja, të mirët miq,
Disa çaste jetë nga fëmijëria ime,
Ca çaste të ëmbla që i ruaj në shpirt!
.

Shire Caka - Kasapi me te bijen Amarden
Shire Caka – Kasapi me te bijen Amarden

Ballë për ballë…!

Bisedoj me ty, ballëpërballë jemi,
Por zemra urt s’rri, dorën nxit të prek,
Thyeje qelqin, të lutem të flasësh me mua,
Unë si trazovaçe, ti si shumë “i qetë”.
Thyeje pra qelqen që unë të afrohem,
Përse i dyzuar gjithmonë në jetë?
Do vij të të “vjedh” e të mbaj në duar,
Dua të të dua, siç dua unë vetë…!
.

Pensionistët

Me miken time në një tryezë ulur,
Pijmë kafe e bisedojmë me mall
Përballë nesh pensionistët ulur,
Të pinin një kafe, që e pinin rrallë.
U ndjemë të afërt dhe tryezat bashkuam,
Të bisedonim e halle bashkë të qajmë…
Të urtët pensionistë qindarkat numëruan,
Oh, ç’dhimbje ka rënë mbi flokun e bardhë!
-Një jetë punuar, – marrin fjalën të urtët,
Një jetë punuar Shqipërisë anembanë
Dhe si shpërblim barkun me bukë nuk ngopim,
Sot një shishe kosi e bëjmë tri dhallë…
Dhe për kafe ne rrallë dalim,
Se nuk mundemi shokëve “borxhin” t’ua lajmë…
Ndaj në lulishte domino luajmë,
Ndaj, moj bija, e lemë kafenë mënjanë…
Oh, ç’na dhembi zemra, shpirti na pikoi 
Për ta, për shpirtin e tyre të bardhë,
Për trupin kërrusur kodrave e gërxheve
Për rrudhat e shumta që jeta u kish “fal”…
Dhe ne si ata pensioniste ishim,
Por fëmijët në ndihmë na kishin ardhë.
E qortuam veten, se na dhembi shpirti,
A mund të bënim gjë për flokët e bardhë???
Në cep të syrit një lot na u zgjua,
Tryezën paguam të iknim sa më parë,
Një komkë në grykë ç’na u egërsua,
Një grusht shtrënguar për kë qe vallë?
Dhe larg ikëm, diku të qanim,
se lotin më sytë nuk duan ta mbajnë.
Na besoni, o njerëz, na dhembi shpirti,
Na besoni, o njerëz, na përvëluan xhanë…
Më ndjeni për dhimbjen që s’e mbaj dot për vete,
Dhe më vjen keq që lotët nuk mundem dot t’i mbaj 
Ndaj falje ju kërkoj, o njerëz, 
Ju njerëz të mirë që s’keni asnjë faj…!
.

Një biografi e shkurtë e Shire Caka – Kasapi

Jam lindur në Karbunarë të Lushnjes më 5 mars 1946.
Këtu kam kryer shkollën fillore dhe 7-vjeçaren e atyre viteve.
Kam mbaruar shkollën e mesme pedagogjike në Vlorë dhe UT në degën gjuhë-letërsi.
Kam punuar si mësuese e gjuhës dhe letërsisë shqipe në Karbunarë, shkollë ku asokohe vinin dhe rrethinat si Karbunara e Vogël, Savra, Kashtëbardha etj., pasi në këto fshatra nuk kishte 7-vjeçare.
Kishim fatin e mirë që kishim nxënës nga Savra, sepse ata bënin diferencën, pasi vinin nga familje me shumë kulturë dhe këta nxënës na nxirnin nga situata, në raste kontrolli.
Për hir të së vërtetës duhet të pranojmë, se ata ishin model bashkë me një pjesë të nxënësve që mësonin nga Karbunara.
Kam pasur fatin e madh të jem mësuese e atyre fëmijëve të etur për dije dhe jam mjaft e lumtur që disa prej tyre kanë çarë në jetë me zotësinë e tyre.
Pothuaj gjithë kohën kam punuar në Karbunarë, me përjashtim të dy viteve që kam shkuar vullnetarisht në Pukën malore, vite këto që për mua janë ndër më të bukurat për dy arsye: e para se atje njoha malësorët, këta njerëz të besës, punëtorë e zemërartë, të cilët ndanin me ne bukën e gojës.
E dyta në Flet, ku punova unë, ishim mësues nga: Puka, Shkodra, Lushnja, Fieri dhe Korça.
Atje kisha si drejtues, studjuesin e mirënjohur Agim Çaushollin, nga i cili mësova si të mbledh fjalën e rrallë të trevës sime e plot të fshehta të profesionit të vështirë të gjuhësisë.
Atje njoha Burhan Gjylbegun, mësuesin e urtë, por të talentuar të biologjisë, i cila çfarë nuk na sillte, kur ikte në Shkodër, deri radio me bateri, mbasi vitin e parë të punës atje, nuk kishin ardhur akoma dritat. 
Në Fushë-Arrëz, ku shkonim shpesh, njoha Tefta e Françesk Radin, dy profesionistë të zotë që të imponoheshin, me kulturën e tyre të punës, me entuziazmin dhe mirësinë që i karakterizonte.
Atje njoha mjekun e talentuar Alfred Serreqi, të cilin e donte dhe e çmonte e gjithë zona për përkushtimin në punë, korrektesën dhe mirësjelljen. Të gjithë këta njerëz kanë lënë gjurmë në formimin tim me modelin e tyre të mirë në punë e sjellje.
Ata atje ishin si të “internuar”, “me njolla në biografi, por unë do doja që kaq të mirë, kaq të talentuar, kaq të kulturuar, të ishin të gjithë njerzit. 
Pra Puka, në një farë mënyre ka qenë një shkollë e dytë për mua edhe për vështirësitë që kaluam.
Ndoshta nuk do ta besoni, por kemi fjetur në fier (barishte), me dru në vend të jastëkut dhe ndriçimi bëhej me pishë.
Pas një viti erdhën dritat dhe filluan ndryshimet.
Ne i përballonim vështirësitë, se kishim njeri-tjetrin, kishim dhe moshën shumë të re, kishim dhe fshatarët që na donin dhe respektonin shumë.
Sado të varfër, siç e përshkruan i madhi, Migjeni, ata nuk harronin të na ftonin në shtëpitë e tyre për dreka a darka.
Ishin të dashur e të mirë gjer në madhështi…
Në Pukë kam shkruar në gazetën “Puna” për heronjtë e minierës së Tuçit, për mësuesit, për nxënësit në gazetën “Mësuesi” etj.
Deri tani kam botuar: vëllimin me poezi “Vjeshtë”, “Lot fëmije” dhe së fundmi: “Të pres!”
Monografinë: “Karbunara, Krenaria jonë” dhe vëllimin me tregime, ese, refleksione, të titulluar “Vajza me gërshet”.
Jam gjithmonë duke shkruar e reflektuar.
.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.