Përballë nji fotoje… ku pavdeksohet çasti… Jozef Radi
Shpesh njeriu, edhe ai sadopak i kultivuar, kur ndodhet përballë nji vepre arti, të përmasës së kryeveprave ndalet… Jo! Në të vërtetë ai nuk ndalet… Ai ikën… po asht ajo… kryevepra atje në mur që e kap për xhakete a për fustani, për mjekrre a për hunde që e shkund dhe i thotë: “Ndalu, ku shkon mor i verbt… mor të plaçin sytë e ballit… A s’po sheh se jam unë këtu… A s’e ndjen se çka baj?! A s’e kupton çka po them…? Kam jetë e jetë që s’lodhem së përsërituni të njajtën gja ndër shekuj, dhe e baj botën mbarë jo me u ndalë para meje, po me u shtangë krejt, me u ba gur e mos me lëvizë vendit… Ja njikjo jam Unë!
E kam ndje n’lëkurë kët britëm kryeveprash, edhe në Galleria degli Uffizzi, edhe në Vatikan, edhe në Moma, edhe në El Prado… e gjithkund ku m’asht dhanë rasti me u ndeshë ndër kryevepra të artit, sepse ato, për fatin tonë, janë magjike, hipnotizuese, po edhe arrogante… Na kapin ne vizitorve të zakontë, e të pavëmendshëm për sysh dhe na e bajnë shikimin nyje, derisa na gozhdojnë për orë e orë para tyne, bile na detyrojnë shpesh edhe me u kthye e rikthye, thjesht prej asaj magjie të quejtun art, dhe prej atij pasioni njerzor e gjenial që pavdeksohet në kësi kryeveprash të papërsëritshme…
E megjithatë… s’duhet me harrue, se sado gjenij me prodhue njerzimi, të gjithë ne jemi përballë Nanës Natyrë, dhe natyra në vetvedi asht nana e krejt gjenialiteteve, asht pushteti i saj pafund që pikon edhe ndër ne, asht ai pushtet i ngjyrave dhe i dritës, i sfumaturave dhe detajeve, i egërsisë dhe ambëlsisë, i magjikes dhe trishtueses, i ujnave dhe qiejve, i çorodisë dhe harmonisë, i maleve dhe stuhive, i reve dhe stinëve… me nji fjalë i gjithçkaje çka prek syni dhe rrok mendja dhe ku çdonjenit prej nesh, qoftë edhe atij ma të hutuemit i ka takue me u shtangë përballë qoftë edhe nji çast prej ndonji kryevepre të saj… Nji kryevepre që sigurisht mandej ka lindë tjera kryevepra…!
Krejt kjo çka thura deri tash, m’ka ardhë prej nji çthurje të vogël…
Prej kohësh ndjek me andje fotot e nji mikes time të rishtë, Alida Jolie, dhe me thanë të drejtën, shpesh ma grabit përqëndrimin dhe më shtyn herë mbas herë me shkrue ndonji grimcë emocion të vërtetë ndër foto të saj… Shpesh ndodh që edhe tallemi bashkë, sepse në fotot e saj ka shumë lojna dritëhijesh bardhezi, ka shumë shi e mjaft trishtim, aq sa nji ditë n’humor e sipër i thashë se “…kam bisedue me forca të epërme që kët javë të mos ketë shi… Kështuqë merru pak ma tepër me dritën…!” Nuk asht se ajo më ndigjon, ajo vazhdon me ndjekë dritëhijet, shiun, vjeshtën me instiktin e saj prej grueje dhe artisteje… derisa nji ditë ta përzanë, sepse ka me i lodhë, me at fokusin që e mban gjithnji gati dhe me at çantën e shpinës hedhun vend e pa vend, veç me kapë do marrina, që asaj i asht mbushë mendja me i quejtë art, po që edhe unë mbas saj, po ia mbush mendjen vedit se ajo po ban art, bile nji art të nji sensibiliteti të veçantë…
Prandej, për me qenë ma i qartë, sot m’u desht me u ndalë, te nji foto e veçantë e saj, e cila ma zhguli vëmendjen… Asht nji foto e nji thjeshtsie dhe bukurie të pabesueshme. Asht foto vjeshte… kur shfaqja e brymës bahet shenja ma dalluese se po futemi në kufijtë e dimnit… Ajo asht ndalë mbas nji xhami dhe duket se e ka kapë at imazh jo me fokus po me shpirt, s’ka ngjyra marramendse vjeshte, s’ka as dehje kontrastesh, s’kuptohet nëse asht mbramje a mëngjes… Diku në skaj asht nji burim drite që derdhet po në diagonale të saj asht terri, shumë terr… janë do bulëza të imta bryme që ndërkohë bahen bulza djerse, nji pafundësi bulzash që s’të lejojnë me pa, po të shtyjnë me ndje… ndërsa mbas xhamit në sfond nji degë që trishtueshëm i humb ato gjethe të pakta tuj e ndje gjithkas drithënimin e vjeshtës… S’di si syni i saj asht ndalë dhe e ka zhgulë prej harrese nji foto kaq sensibile… nji foto ku ndjehet mjeshtria e kapjes së nuancave dhe grimcave ma të paimagjinueshme… aq sa s’duket si fotografi po si diçka frymore… Se shpesh mjafton pak, krejt pak… për me dëshmue shumë, pambarimisht shumë… Oh, ky asht sy mjeshtri them! (që shqip mund të përkthehet “ma shumë se artist”)…përndryshe si mund të kapesh ajo frymë shpirtnash që e kish mbushë me bulza drite xhamin…
Dhe unë e kqyri… Dhe sa ma shumë e kqyri aq ma i thellë më bahet ai kuadër… ku ajo çka asht spontane të mahnit, ma mban frymën pezull, dhe ti e ndjen se e ke të vështirë me e kuptue, se ksi detajesh ndoshta ne i rrëshqasin me qindra në ditë prej pavëmendjes… kurse ajo asht ndalë… e ka përjetue dhe e ka përjetsue… në trajtën ma të thjeshtë e ma të bukur të mundshme…
Janë edhe do njolla drite të derdhuna nëpër të, por kapja e kësaj fotoje ka gjithçka që të detyron me u ndalë. E nëse s’ndalesh, ajo ka me të kapë për xhakete, me të dëshmue se ti vazhdon me mbetë nji njeri i pandjeshëm, që të ka marrë teposhta e ngarendjes së përditshme…
Ajo çka më habit e më mahnit njiherit te fotot e Alida Jolie-s, asht fakti se ajo jeton në qytetin ma të madh e ma të zhurmshëm të botës, në qytetin që shpërndan dinamikë botës mbarë, dhe ajo çuditshëm, s’e drejton njiherë fokusin ndër majat e rrokaqiejve, as te ai lum njerzor që derdhet gjithkah, ajo rri në përgjim të vogëlsinave, të imtësinave, të gjanave parandsi… e bindun se njeriu e ka nji përmasë të vetën dhe mund ta derdhë kudo, dhe se askush s’mundet t’ia vrasë atë çka asht magjike mbrenda tij…
1 nandor 2013
Skeda Alida Jolie
Alida Jolie (Shehaj) asht emni artistik me të cilin ajo ka pagëzue vedin. Jeton prej 13 vitesh në metropolin amerikan të Nju Jorkut dhe ka mbarue studimet në degën e Biznesit Ndërkombëtar/ Marketing… Impakti me fotografinë, si duket përban sublimitetin e dashnisë së saj dhe po bahen vjete që ajo ndjehet e përkushtueme ndaj saj. Punon pjesërisht si fotografe. Muza e saj mbetet natyra, e në veçanti vjeshta, për të cilën thekson se “…Ka një ndikim shumë të fortë tek unë. Ndoshta mund të identifikohem me vjeshtën më shumë se me stinët e tjera, pse aty më duket sikur përtërihem… edhe pse vjeshta ka një tis trishtimi dhe vdekjeje brenda saj… Ndoshta tingëlloj paksa kontradiktore, por ja që kështu e shoh veten… dhe kështu dua të vij edhe tek ju…”
Alida Jolie mbetet nji adhuruese e artit, dhe kët gja e thekson me fjalët: “E bukura më tërheq me shpirt, qysh e vogël e kam pasur këtë ndjesi…” Besoj se edhe ju, mbas këtij prezantimi të Alida Jolie-s keni me qenë të mendimit se ajo s’ka me e humbë kurrë kët ndjenjë, thellësisht e saja…
Vërtet, foto mjaft artistike dhe profesionale, do të thosha të rralla per nga mënyra si e vëzhgon botën dhe shpesh mund të dallosh edhe një bukuri mahnitëse…!! Me të vërtetë për t’u admiruar!! Pa harruar se meritë ka edhe autori i ketij shkrimi, që na e vuri në dukje kët punë të veçantë të kësaj fotografeje artiste…
Z. Jozef,
Ju përgëzoj për komentin (përshkrimin) mbi fotot më shumë artistike të Alidës.
Stilistika në gegërisht që keni përdorur e bën edhe më të goditur artistikisht këtë shkrim.
Ju falenderoj për vlerësimin ndaj fotove të Alidës