back to top
-0.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Përballë nji njeriu dhe monumentit të veprës së tij – ese nga Jozef Radi

Gazeta

Kolec Topalli - Fjalori Etimologjik i Gjuhes Shqipe
Kolec Topalli – Fjalori Etimologjik i Gjuhes Shqipe

Përballë nji njeriu dhe monumentit të veprës së tij

ese nga Jozef Radi

Janë do miq kohnash të lashta, që kur takohesh me ta, ta bajnë të bukur edhe vjeshtën e tretë; ta bajnë aq me shije qytetin ku ti kthehesh e rikthehesh, herë me gjetë ndoj copë të humbun të vedit e herë me i dhurue do plagë hikjeve t’tua. Ndodh, që edhe ashtu tuj vrapue midis shiut të nandorit dhe frymës së librave t’nji Panairi, (që asnjiherë s’ka pshtue pa u lagë), e ndjen at knaqsinë e rrallë se duhet me trokitë ndër të parat dyer, nji porte fort të dashtun, t’nji miku të vjetër që i ka gjithnji krahët hapë me të pritë e me të ftue n’nji bisedë të shtrueme, me ta ba aq të ambël mbramjen e nandorit, sa ti harrohesh në të, e orët të duken veç dekika.
Kam mbrenda vedit nji gëzim të madh, nji gëzim që nji mik i jemi, ka mbyllë nji kapitull jete: e më duhet me urue për at libër të madh e të randë, plot 1984 faqe t’nji gëzimi, numri i të cilave e ban pothuej oruellian…
Në Panair të Librit, munda me e shfletosë ket fjalor të vëllimshëm, nji punë tejet skrupoloze, nji mundim të pavërejtun, nji përkujdesje të përsosun, nji qëmtim ndër ma të thuktit… Asht fjala për monumentin ma të fundit të fjalës së gjuhës shqipe, naltue prej nji njeriu të vetëm, prej atyne njerzve me profil pothuej të zakonshëm, nji prej atyne me tone të ulta po me vepra të nalta, ndoshta ma të nalta se naltësitë zhurmuese t’nji vendi zhurmamdhenjsh të përthekun…
.
Profesor Doktor Kolec Topalli
Profesor Doktor Kolec Topalli
Edhe pse me kohë të paktë, e kam shfletue jo pa kujdes, “Fjalorin Etimologjik të Gjuhës Shqipe”, të tetëmbëdhjetën vepër studimore të profesor Kolec Topallit, ma të denjit akademik të së sotmes; ndër ata që i vijohen veprës madhështore të Çabejt, Rizës, Kamsit, Merlikës, Xhuvanit, Popës e të tjerëve.
Pra, kam trokitë me urue nji punë për të cilën e kemi bisedue me dhjetra herë, ku autori shpesh m’ka dëshmue se ka jetue edhe me frikën se ndoshta s’do mundej me ia dalë në fund, kurse unë gjithnji me besimin e plotë se duhej me krye edhe ndonji tjetër vepër të domosdoshme, që kërkush s’mundej me e bà pos tij në naltësinë e duhun!
Dhe mbas përqafjes së ngrohtë e miqsore, libri asht njaty, si nji mal mbi tavolinën e tij të punës. Pothuej në dymijë faqe, flen Shqipja e zbërthyeme me themel: në pushtet të saj po edhe n’marrdhanie me gjuhët e botës! Nji libër, që të duket i pabesueshëm se mund të jetë vepër e nji njeriu të vetëm! Prej kopertine në të pasmen e saj asht nji njeri i vetëm! Pa redaktorë, pa korrektorë, pa faqosës, pa formatues, pa grafistë… Nji libër i rrallë, nji pasuni kombtare, nji vepër sizifiane që veç do njerëz zelltarë e të përkushtuem, që s’e kanë shkue hupë nji sekondë të jetës së tyne, veç do “murgj modernë” me shpirtna të përndritun i janë futë detit në kambë, e magjishëm kanë dalë në bregun tjetër…! E pabesueshme…!! Po, e pabesueshme, po ja që e vërtetë!
Ndaj tash kam ndër sy e ndër duer kët të pabesueshme, kam ndër mendime e ndër fjalë njeriun e kësaj pune, njashtu në kufijtë e 80 viteve, me at buzqeshjen që e lshon si tel i akorduem violine, sa herë ti ia dhuron kët mundësi! Dhe asht i lodhun, pak edhe i mpakun, me nji kollë që e mundon, por i paqëm, i ngroftë, me nji mirsi të pashtirun, me nji gëzim që i ndjehet herë në dritën e fjalëve që thotë e herë nën përndritjen e misionin ma të vështirë të jetës së vet, tashma të kryem !
“Me kët libër, i kam vu çatinë krejt punës seme, çfardo që mundet me ndodhë, shkoj pa asnji peng. Nuk due me punue ma, pse çfardo që të nisi, mundet të më mbetet e pambarueme. Mandej asht edhe diçka tjetër. Kjo asht ma e nalta punë e jemja, e s’mundem me e zbritë nën kët nivel, e me nisë punë tjera! E kisha studiue kaherë kët punë: Ky Fjalor asht krejt Heroikja e veprës seme! Tash ndjehem i kryem!”
Mandej biseda shtyhet ndër kurreshti të mia e ndër debate që i kemi pasë gjithherë të bukura… Unë me shpirtin e kërkimit dhe gërmimit, dhe entuziazmin poetik të fjalës së folun, herë-herë edhe me mosbindje ndaj së shkruemes; ai me qetësinë dhe me natyrën e tij të shtrueme, me ftohtësinë e gjuhtarit dhe shkencetarit, e hera-herë pranues e paqtues me mendimit tim oponent!
-Shumë fjalë të hueja, gjuha shqipe profesor!
-Vërtet Shumë! Sigurisht shumë!
-A duhet konsiderue kjo si frikë apo duhet pranue si fakt, apo edhe si pamundësi e argumentimit përmes së shkruemes sonë të vonë?!
Ai qesh lehtë, dhe rrudhos pak shpatullat. E nis me më shpjegue se sa i vështirë asht konfrontimi me thelbin e fjalës.
Unë kambnguli se “…gjuha ka dy jetë: të folunën dhe të shkruemen! Nëse nji popull ka nji fuqi të jashtzakonshme konservuese në të folun s’ka pse të merret gjithnji për bazë vetë e shkruemja! Mendoj se nji gjuhë e kodifikueme fort mirë në të folun, siç asht shqipja, s’asht e thanë të jetë kryeultë përpara atyne që janë shkrue para saj! Pushtimet dhe pushtuesit vërtet kanë diktue si kodet e tyne të fjalës, edhe supremacinë e mjeteve të përdorimit, po kjo tregon sa e hapun dhe sa fuqi absorbuese ka Gjuha Shqipe, ndaj atyne që edhe pse sundonin në trojet e saj, nuk e nënshtronin dot në gjuhë!
Profesori Koleci asht i ftohtë. Argumentimi i tij edhe pse asht tejet bindës, unë vazhdoj me mosbindjen time! Hera-herë atij i pëlqen mendimi im edhe pse e kundërshton njashtu butë e paqshëm. Ai ka konsideratë për filozofinë e Gjuhës që trajtoj, dhe më përmend nji emëm anglez, (fort i njoftun për të), që i ka trajtue gjanësisht këto probleme, e kambngul se gjuhët e shkrueme për shkencëtarët janë ma kokforta në argumentime…
Mandej biseda kalon sa te toponimia, te fuqia e gjuhëve pushtuese, sa te administrata, te arkivat, sa te dialektet dhe deformimet gjuhësore, te transformimi i fjalëve ndër kohna, dhe përsillemi te primordialiteti i nji gjuhe që krijoi bazat mbijetuese të nji populli me dy trajtat e mëdha dialektore, dhe pamundësia e koordinimit dhe mbyllja ndër male, duke krijue enklava të shumta dialektore!
E pyes se kur mund të jetë ngjizë si strukturë gjuha shqipe dhe a mund të kenë bashkjetue ndonjiherë dy dialektet bashkë?!
-Simbas meje – vazhdon ai duke fërkue gishtat e dorës që i mpihen, – në periudhën midis shekullit të IV dhe të VI, gjuha shqipe ka pësue ndryshimet e saj ma të fuqishme, te nyjet e përparme dhe të prapme, të cilat janë krejt të afërta në të dy dialektet. Simbas meje këtu asht nji pikë e fortë nisjeje.
Unë e konsideroj si të vonë kët periudhë… ai rrudh shpatullat dhe buzqesh: “Unë mendoj kështu!”
Mandej flasim për shuemjet mashkullore përgjat luftnave të shumta, në veçanti gjatë dhe mbas kohës së Skënderbeut; mbijetesa e dhe ruajtja e autoktonisë, kryesisht prej grave, që edhe ndër emigrimet e përtejdetit e mbrojtën dhe dhe e shumuen genin shqiptar, ndërkohë që luftnat, politikat dhe pushtimet e egra kishin tendencë me shfarosë gjithçka…
Dhe biseda nuk asht vetëm gjuhësi, po edhe histori, edhe gjeografi, edhe albanologji, edhe kulturë e gjanë çka e ban ndejën të papërsëritshme…
-Ku je mbështetë profesor, për gjithë kët punë? – vazhdoj unë si gjithnji me pyetje
-S’kam lanë fjalor të gjuhës shqipe pa trajtue. Aty s’asht veç fjalori i Gjuhës së Sotme Shqipe po edhe ai Elezit, edhe Kristoforidhit, edhe i Gazullit, i Benedikt Demës, edhe fjalori i Merlikës… po janë trajtue edhe tekste të Mjedës, Fishtës, Koliqit, Kutelit, Poradecit, Camajt, Haxhiademit e plot të tjerëve të mavonshëm… Pra nji punë e gjatë, e lodhshme, po sigurisht edhe nji kënaqësi e madhe, shumë e madhe që mujta me e krye e me i dalë në fund…
Dhe dora e tij asht mbështetë mbi kopertinën e lëkurtë kafe, me gërmat e gdhenduna në ngjyrë ari, si të ishte fjala për nji libër të shenjtë…
Pse, a ka ma të shenjtë se gjuha shqipe?! Ja njashtu e mbledhun fjalë mbas fjale, me rranjë e me degë, gjithkah ku flitet e ku shkruhet dhe e futun tash e zbërthyeme n’nji libër të madh si ky…!?
-Jo s’ka! – them unë, dhe përqafem me trupin e brishtë të profesor Kolecit, me urimin e mirseardhjes së kësaj vepre monumentale dhe me premtimin se gjithçka që mund të ndodhë në të përcjellun të saj vepre unë do të dishroja me qenë i pranishëm…!
Janë do njerëz, buzqeshja e të cilëve, e ka miratimin dhe pozitiven edhe me nji gjest krejt të thjeshtë…
.
Kolec Topalli - Fjalori Etimologjik i Gjuhes Shqipe - Kopertine mbeshtjellese
Kolec Topalli – Fjalori Etimologjik i Gjuhes Shqipe – Kopertine mbeshtjellese
Jashtë ndjehet i ftofti i fundnandorit.
Eci nëpër terr dhe ndjej se shiu i pak orëve ma parë u ka dhanë mjaft shkëlqim rrugave ku derdhja e dritave përplaset aq bukur ndër ujna! Trotuaret e qendrës janë përplot pllanga gjethesh të ngjituna si duer për trotuare dhe kalimtarë që nxitojnë duke shkelë pa kujdes mbi to.
Ti bahesh pjesë e tyne me nji ndjesi të papërcaktueme. Ke prekë monumentin e veprës së jetës së nji njeriu, dhe ke komunikue aq paqshëm ndër do akorde aq miqsore që s’mund të shlyhen lehtë! Ndoshta më dhemb disi, pse ajo bisedë aq me ngjyra ka kalue e pashkrueme, por kjo s’ka me ndodhë. Shpesh ne ruejmë me kujtesë shumë ma tepër se kanë muejtë arkivat e vjetra, apo kujtesa e sotme e mjeteve moderne…
Tretem mes njerzish të shumtë i humbun ndër mendime të mia. Dhe pyes vedin: “Si asht e mundun që nji vepre, i janë vu n’themel gjashtë vite të përditshme jete, pa asnji orar të përcaktuem, pa harrue se aty asht edhe krejt nji jetë e përkushtueme…?!”
Dhe era e vjeshtës shkon tuj rrëzue gjithkah gjethe, e tuj i lëshue ndër ujnat e përndrituna të qytetit të madh…

23 nantor, 2017

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.