back to top
9.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Perceptim i shtremnuem i realitetit! – nga Arben Borshi – mbi librin e Lea Ypit

Gazeta

Lea Ypi "Libera"
Lea Ypi “Libera”

Perceptim i shtremnuem i realitetit!*

nga Arben Borshi – mbi librin e Lea Ypit

Ky libër i Lea Ypit m’u këshillua nga një shoqe italiane e grupit të leximit ku bëj pjesë.
Asaj i kishte pëlqyer shumë. E fillova librin 3 javë më parë, me entuziazëm sepse fliste
për vendin tim gjatë diktaturës, e shkruar nga dikush që në një mënyrë a tjetrën
ka parë vuajtjet e regjimit komunist në kurriz të njerëzve të saj më të afërt, në familje.
Kur lexova 100 faqet e para, ndalova. Nuk po e shtyja dot.
Nuk e dija që diktatura tek ne, të kishte qenë kaq e butë dhe kaq teorike…!!
U futa në disa grupe të kërkoja informacion sepse, edhe pse libër i suksesshëm,
po më sillte një ndjesi pështjellimi, më dukej gati një justifikim mbi ato krime
që u bën gjatë atij regjimi, mbi ate erresirë ku na fundosi,
pasojat e të cilit po i mbajmë në kurriz akoma sot.
E bleva dhe mund ta imagjinosh zhgënjimin tim kur e lexova.
Ky recensioni yt me erdhi si me porosi. Librin e mbarova veç dje.
Mund të vlerësoj stilin e autores por jo përmbajtjen, e cila më la një boshllëk
ku më jehojnë zërat e atyre që u vranë padrejtësisht.
Je tepër i saktë Arben. Çfarë m’u desh të përtypja për imazhin që komunizmi
po jepte në një vend ku nuk e njohin. E unë, me sa kam mundur,
jam përpjekur ta rrëfej nëpërmjet tregimeve të mia të botuara në Itali.
Erida Siqeca Petriti

Arben Borshi
Arben Borshi

Këtë libër, për brezin e ri, atë të lindur në fund të viteve ’80 , asht e mira ta lexojnë ma së pari librin-dokumentues të at Zef Pllumi “Rrno për me tregue”, po edhe librin e Ahmet Bushatit, “Në gjurmët e nji ditari”, pse jo edhe librin e Fritz Radovanit, “Nji monument nën dhè”. Të tre këta libra që nënvizova ma sipër, janë të karakterit historiko-denoncues.
Çka don me thanë kjo? Kjo don me thanë se nëpërmjet rrëfimit të këtyne autorëve vehena në dijeni të historisë së vërtetë, asaj historije që partia terroriste komuniste shtrembnoi qëllimisht. Janë libra denoncues, sepse nëpërmjet fakteve të përjetume prej seicilit prej tyne, por edhe të dosjeve të sigurimit, denoncohet krimi ndaj njerëzimit, Gjenocidi i ushtruem për pothuajse gjysë shekullit, ndaj nji pjesë të mirë të shoqnisë shqiptare. Prandaj, për me e kuptu ma mirë dhe me nxjerrë konkluzione konkrete, i ftoj lexuesit t’i lexojnë ma parë kto tre libra, që përshkruejnë me saktësi se si u vu në praktikë ideologjia marksiste e luftës të klasave dhe diktatura e proletariatit, ideologji të cilën autorja mundohet të na e paraqesë si “të shtremnueme” prej atyne vendeve ku u zbatu pikë për pikë diktatura.
Dimensioni apokaliptik i krimeve që u kryen nëpër vendet me regjim marksiste-leniniste, nën siglën: “për nji shoqni të drejtë dhe pa shfrytezues”; “për lumturinë e proletariatit” , u ba i mundun të ketë edhe nji numër të viktimave, nëpërmjet dokumentave top-secret të desekretuem mbas ramjes të Murit të Berlinit, dhe që kap shifrën e frikshme prej 100.000.000!!! Por ksaj shifre i mungojnë pothuej edhe nji herë aq viktima të regjimeve komuniste, të cilat të ekzekutume pa gjyqe, ose të vdekun prej vuejtjeve, të çmendun nën tortura, fmijë të porsalindur të vdekun prej paushqimit apo sëmundjeve të pakurueme, etj.
(Burim i informacionit “Libri i zi i komunizmit” i Stephane Curtois dhe 5 bashkëautorevë të tij!)
Në fillim të librit, Ypi na ban përshkrimin e fundviteve ’80, nji “realitet” që e jeton mbrenda familjes dhe në shoqni. Ky realitet i perceptuem prej fëmijës Ypi, len gjurma të pashlyeshme në ndërgjegjen e saj. Takimi që ajo ka me statujën e Stalinit, ndërsa rrok kamtë e statujës për me shprehë dashninë ndaj ktij monstre përgjegjës i rreth 60 milion viktimave vetëm në BRSS, na jep menjiherë kuadrin e ideologjisë që bombardonte fëmijët qysh në moshë të mitur me rrena dhe mashtrime. Protagoniste e ktij bombardimi psikologjik asht mësuese Nora, nji arsimtare pjellë e ideologjisë vllavrasëse marksiste-leniniste, që përhap me besnikëri dhe bindje të plotë ideologjinë komuniste nëpër mendjet e pafajshme të fëmijve.
Përtej ktij aspekti, të ban përshtypje nji tjetër, jo ma pak absurd: diskutimi filozofik i Leas me mësuesen Nora për sa i përket filozofisë të Hegelit dhe Marksit. Kujtojmë se flitet për nji moshë diku tek 8 apo 9 vjeçe!!! Me këtë, autorja don të na japë nji mesazh: gjindemi përpara nji gjenije, nji individi të superzhvilluem intelektualisht!!?? Në fakt, për mendimin tem modest, kena përpara nji autore që vuen prej delirit të madhështisë, ndër tjera!!
Tuj vazhdu leximin ndeshena prap me “dilemën” politike të Leas për të zgjedhë rrugën që e çon te “shpija” ndërmjet tre rrugëve të ndryshme: majtas, midis apo djathtas, tuj ia bashkangjit ksaj zgjedhjeje dilemën tjetër po aq jetike se cila prej këtyne tre rrugëve mund t’ia dhuronte “lirinë”!!
Duke u kthyer mbrapa, në bashkëbisedimet e Leas me gjyshen, na jepet nji kuadër tjetër, ku del prap deliri i madhështisë: flet vetëm frëngjisht në shpi, aq sa për me u futë në klasë të parë nën moshë, paraqitet para nji komisioni të komitetit të partisë, ku i jepet të lexojë nji vepër e Enver Hoxhës në frëngjisht!!! Dhe shokët e shkollës e thrrasin me ironi: madmazuel!!!
Kah ana tjetër i jati, që asht i nipi i Xhafer Ypit, (kuislingut siç e quen vetë Lea) dhe ka të njajtin emën por vetëm për “rastsi”, shpreh nëpërmjet diskutimeve që përshkruen Lea, idetë e majta. Aq sa arrin me e quejt të bijën, “brigatiste” tuj iu referu “brigatave të kuqe” formacione terroriste të armatosura të komunistëve në Italinë e viteve ’70.

Kohe diktature - Koha e Njeriut te Ri
Kohe diktature – Koha e Njeriut te Ri

***
I gjithë libri përshkohet prej ksaj tentative që kërkon të paraqesë fytyrën e kuqe prej gjakut të mbi 100 milion viktimave, të marksizmit dhe teorisë të luftës së klasave, dhe si rrjedhojë nji interpretim i gabuem i ksaj teorije. Fakti që kjo autore jep edhe leksione marksizmi nëpër institucione universitare, të lejon të kuptosh se propaganda e komunizmit asht mjaft e gjallë dhe aktive në perëndim. Falë ksaj propagande, asht ba e mundun që ky libër të botohet edhe në Itali, por edhe në Angli e SHBA, i shoqnuem gjithmonë prej recensioneve “zemërgjane” të gazetarëve apo intelektualëve me tendenca të thekuna marksiste.
Megjithatë, edhe Lea ka të drejtën e sajë e Lirë të shprehë mendimet dhe të shkruaj ashtu siç ajo e përcepton realitetin. Përndryshe, mohimi i të shprehurit apo i mendimit ndryshe, kishte me na çu edhe nji herë nën diktaturën marksiste të proletariatit.
Prandaj në fillim u shpreha që për me pasë nji kuadër të saktë dhe sa ma afër realitetit, për ata që nuk kanë pasë fatkeqësinë me e përjetue “diktaturën e proletariatit dhe luftën e klasave” dy shtyllat mbi të cilat mbahet e gjithë teorija marksiste, duhet me lexu ma parë ato libra që nënvizova. Përndryshe, leximi i vetëm ktij libri prej brezit të ri, çon në atë që quhet: distorsione cognitiva della realtà (perceptim i shtremnuem i realitetit!!)

Marre nga Muri i FB i Arben Borshit, 17 gusht 2022. *Titulli redaksional radiandradi.com

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.