back to top
8.5 C
Tirana
E hënë, 23 Dhjetor, 2024

Perceptimi dhe Kujtesa në Autoportretet e piktorit Adriatik Baliaj

Gazeta

Adriatik Baliaj... Ekspozita e fundit
Adriatik Baliaj… Ekspozita e fundit

Perceptimi dhe Kujtesa në Autoportretet e piktorit Adriatik Baliaj

nga Ilir Seci, New York

Me 23 Maj në Lehman College mbas një ceremonie hapëse me pjesmarrjen e trupës së pedagogëve të universitetit, studiuesve, kritikëve, miqve dhe afërmeve të krijuesve u paraqit ekspozita e piktorëve që diplomuan në vitin 2013, për master në artet figurative.
Ekspozita u paraqit në sallën e posaçme të ekspozimit që gjendet në këtë universitet në Neë York, ku u paraqiten 14 piktorë me punimet e tyre. Në mesin e këtyre artistëve që u ekspozozuan në Galerinë e Arteve ishte edhe piktori shqiptar Adriatik Baliaj. Një arritje profesionale e tij dhe një arsye më shumë për komunitetin shqiptar të ndjehet krenar për një artist të tillë që me punën dhe këmbënguljen e tij arriti të dalë në këtë skenë.
Adriatiku u paraqit me 11 punime… më shumë se çdo pjesmarrës tjetër në këtë ekspozitë. Në ftesën e printuar para kësaj ekspozite tek emri i tij thuhej: “Adriatik Baliaj’s work pursues the idea of perception and memory through self-portrait and still life.”, (Punimet e Ardiatikut gjurmojnë idetë e perceptimit dhe kujtesës përmes auto-portretit dhe natyrës së qetë…”

Baliaj - Autoportrete
Baliaj – Autoportrete

Adriatik Baliaj është piktor nga Tropoja, i cili ka emigruar në USA, dhe si shumë prej nesh nisi një jetë të re në vendin e ri… Pavarësisht vështirësive të jetës në emigrim ai nuk ju nda pasionit për artin figurative. Mbas viteve të para kur mësoi gjuhën nisi punën si mësues pikture në një shkollë private në Riverdale. Ndërkohë vijoi studimet për të marrë master në Lehman College, një Universitet në New York.
Në këtë moment të rëndësishëm, Adriatiku nuk ka mbërritur rastësisht, është ecuria e një artisti që lidhjet me pikturën i ka të hershme. Në vitin 1984, ai ka mbaruar shkollën e mesme artistike “Prenk Jakova” në Shkodër, ndërsa në vitin 1988, ka mbaruar Akademinë e Arteve në Tiranë për pikturë monumentale. Ndërsa arritja tjetër – diplomimi në New York ku merr mastër në pikturë dhe ishte artisti më me shumë punime aty, gjithsej 11 të tilla. Gjatë karrierës së vet krijuese ka patur disa ekspozita si “Portrete dhe peisazhe veriore” në vitin 1993, në Muzeun Historik Kombëtar; “Kolazhe eksperimentale” në qytetit e Bajram Currit. Pas mbrritjes në Amerikë ai hap ekspozitën e titulluar “Seri objektesh” në vitin 2000; në Frank Welles Gallery, Garnerville, New York, në 2012 ekspozitën “Mjetet e artistit” në Lehman College…

Baliaj... libri
Baliaj… libri i Verdhe

Punimet e paraqitura në ekspozite ishin natyra të qeta përfshirë në një seri të titulluar “Palimpsest” dhe seria tjetër ishte me autoportrete që i mëshojne idesë së vërejtur nga organizatorët e ekspozitës që “gjurmojnë idetë e perceptimit dhe kujtesës”. Janë natyra të qeta që kanë të njejtin objekt, një libër, të verdhë. Autori sikur kërkon të luajë pak me rregullat, paraqitja e të njejtit objekt sikur mëton të parodizojë idenë e natyrës së qetë, një trill që artdashësi i vëmendshem e gjen tërheqës. Këtu s’është thjesht objekti që duhet vërejtur, është thellësia e perceptimit dhe hapësira që nënkuptohet, libri i verdhë është një figurë që artdashësit shqiptarë e njohin më së miri, të gjithë ata që donin të dinë përtej caqeve të ideologjisë së socrealizmit e njohin frikën që përcillte qoftë edhe shqiptimi i togfjalëshit “Libër i Verdhë!!” Autori i jep udhë përsiatjes së artëdashësit, përmes një rrethi të tërë referencial që krijon asocime ideore, nëntekste, mesazhe…”Seria e portreteve, ka punime me vaj, në dru dhe kanavacë drejtkëndëshe, 12″ deri ne 24″ të lartë dhe 12″ në 20″ të gjerë. Kjo seri do të jetë një vazhdim i eksperimenteve të mia me perceptimin dhe kujtesën. Unë aty përshkruaj dy imazhe të ngjashme të miat në kanavacë, te njëjtë – reflektimi im në pasqyrë, ajo që unë shoh – perceptimi dhe ajo që unë di – kujtesa, dy rrugë në kërkim (jo me vetvete), si një reagim ndaj vetë pikturës tradicionale të portretit, ku jemi mësuar me një imazh të vetëm që zakonisht shikon tek ju. Kjo mënyrë paraqitjeje nga ana ime është edhe si një parodizim i përvojës së gjallë qe kam pasur me posterat impersonale, portretet groteske e impozante të epokës socrealiste me atë utopizmin e shkollës që mësonim!” – shpjegon Adriatiku i pyetur rreth mesazheve që përçohen nga vepra e tij…
Vërtet, që efekti pasqyrë në portretet e ekspozuara ishte një truk sepse pas një vëzhgimi më të vëmendshem vërehet diferenca mes punimeve, mes secilit portret, ato janë autoportrete të ngjashme në dukjen e parë, por ashtu si edhe vetë jeta e gjendjet tona shpirtërore ndryshojnë dhe asnjëherë nuk janë të njejta. Autori thekson idenë e Rubikonit “Nuk mund të kapërcehet dy herë i njëjti ujë në rrjedhë…”, të njëjta janë edhe grimasat në këto autoportrete ku pas kundrimit të vëmendshëm dallojmë jo një autoportret, por individualitete të veçanta në secilin syresh.

Baliaj - Autoportrete
Baliaj – Autoportrete

Adriatiku e merr portretin e vet edhe e bën dikotomi, pra bën ndarjen e së tërës në dy pjesë që nuk bëjnë pa njëra-tjetrën, por edhe janë të ndryshme… Simboli i dualizmit është arritur në këto punime ku autori ka mishëruar filozofinë e vjetër Yin dhe Yang, ashtu si e mësojnë urtitë budiste! Ashtu si janë mësimet e Budës se: “…gjithshka nis e mbaron te uni jonë, secili individ është një univers dhe brenda tij gjendet gjithmonë dy anë personaliteti…” Se cilën anë të personalitetit e shfaq njeriu ajo atëhere kushtëzohet nga mjedisi rrethues, mjedisi ku edhe artisti si njeri bashkëjeton.
Autori në këto portrete arrin të bëhet vëzhgues dhe i vëzhguar, është njiherit subjekt dhe objekt, falë dikotomisë që thamë më sipër, pasi arrin të funksionalizojë në art dualizmin që është në themel të filozofisë njerëzore. Krejt lirshëm, krejt natyrshëm me një tjetër formë Adriatik Baliaj na risjell të riaktivizuar mitin antik të Janusit, simbolin e fillimit dhe fundit të gjithshkaje, simbolin e vetë ciklit të jetës…
Marre nga Voal 10. 06. 2013

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.