back to top
13.5 C
Tirana
E mërkurë, 18 Dhjetor, 2024

Përkthimi në osmanisht i dokumentit origjinal të vendimeve të Kongresit të Elbasanit

Gazeta

Kongresi I shkolles Shqipe Elbasan (2 - 10 shtator 1909)
Kongresi i shkolles Shqipe Elbasan (2 – 10 shtator 1909)

Përkthimi në osmanisht i dokumentit origjinal

të vendimeve të Kongresit të Elbasanit.

Dokumenti origjinal në shqip i vendimeve të këtij kongresi
ashtu si edhe dokumenti origjinal i pavarësisë nuk dihet ku ndodhet…!
Dokumenti në osmanisht që u zbulua vjet në Arkivin e Stambollit,
është me shumë vlerë në këto kushte dhe mban firmën
e Dervish Bej Biçakut, kryetarit të komisionit të Kongresit.
.
Vendimet e Kongresit te Elbasanit ne osmanisht (1909)
Vendimet e Kongresit te Elbasanit ne osmanisht (1909)

Përmbajtja

Vendimet e Kongresit Arsimor Shqiptar që u organizua në Elbasan me datën 2 shtator 1909, dhe vazhdoi deri me datë 8 shtator 1909.
Në kongresin e mledhur me datën 2 shtator 1909, me delegatët e dërguar nga klubet dhe shoqëritë që gjenden brenda Shqipërisë dhe jashtë saj, që vazhdoi deri me datën 8 shtator 1909, u morën vendimet që gjenden më poshtë:
Pika 1: Këtë vit në Elbasan në muajin shtator do të themelohet dhe çelet një shkollë pedagogjike me gjashtë klasa. Mbështetja financiare e kësaj shkolle do të sigurohet nga gjithë klubet, shoqëritë dhe personat atdhedashës brenda dhe jashtë Shqipërisë, të cilët dëshirojnë përparimin e popullit shqiptar. Nëqoftëse klasat do të arrijnë numrin e caktuar dhe numri i nxënësve do të kapë shifrën e dëshiruar, për mbarëvajtjen e shkollës në fjalë do të caktohet kontributi një lirë osmane në vit. Nëqoftëse numri i nxënësve do të jetë i pakët dhe klasat nuk do të mund të formohen, për mbarëvajtjen e shkollës do të grumbullohen 700 lira osmane në vit. Kongresi përgatiti edhe rregulloren e shkollës që do të shtypet dhe botohet.
Pika 2: Kongresi vendosi çeljen e një arke ndihme në emër të Shoqërisë për Përparimin e Shkollave Shqipe që gjendet në Korçë. Administrator i nderit për këtë arkë do të caktohet një deputet në parlamentin osman. Kjo arkë do të financohet nga klubet dhe shoqëritë shqiptare, si dhe personalitetet e nderuara që dëshirojnë përparimin e popullit të tyre. Fillimisht arka do të mbulojë shpenzimet e domosdoshme për mbarëvajtjen e shkollës pedagogjike që do të çelet në Elbasan. Më pas arka do të mbulojë shpenzimet e shkollave që do të çelen në Shqipëri, e nuk kanë të ardhura që të sigurojnë mbarëvajtjen e tyre, si dhe do të paguhen shpenzimet e botimit dhe shtypshkrimit të librave dhe teksteve mësimore që do të përcaktohen nga një komision shkencor që do të formohet me këtë qëllim.
Pika 3: Vendoset që të kërkohet mbështetja e qeverisë për shkollat që do të administrohen nga shoqëria e Korçës.
Pika 4: Shoqëria e Shkollave në Korçë, pas plotësimit të nevojave të shkollës pedagogjike në Elbasan, do të ndërmarrë çeljen e shkollave në zonat e varfra të Shqipërisë. Kongresi ka përgatitur dhe botuar një rregullore për veprimtarinë e Shoqërisë së Shkollave me qendër në Korçë.
Pika 5: Do të punohet që të sigurohet mësimi në gjuhën shqipe në të gjitha shkolla shtetërore dhe private që gjenden në Shqipëri.
Pika 6: Me qëllim arritjen e synimit të lartë të zhvillimit dhe përhapjes së arsimit dhe shkencës në Shqipëri, do të bashkëpunohet me të gjitha klubet, shoqëritë dhe individët shqiptarë atdhedashës, të cilët do të kontribuojnë financiarisht në arkën e Shoqërisë së Shkollave Shqiptare në Korçë.
Pika 7: Do të ekzistojë vetëm një zyrë qendrore për të gjithë klubet dhe shoqëritë.
Pika 8: Klubi qendror ngarkohet me detyrën që të kërkojë nga qeveria që gjuha shqipe të bëhet gjuha e mësimdhënies në të gjithë shkollat fillore dhe tetëvjeçare që gjenden në Shqipëri.
Pika 9: Për periudhën dy vjeçare në vijim Kongresi ka zgjedhur klubin Bashkim në Manastir si klubin qendror dhe ka përgatitur një rregullore që do të botohet në lidhje me rregullat e sigurimit të bashkëveprimit mes klubit qendror dhe klubeve të tjerave që do të varen prej tij.
Pika 10: Do të kërkohet nga qeveria osmane përmes qendrave administrative të vilajeteve ku jetojnë shqiptarët, themelimi dhe çelja e shkollave agrare në çdo vend që ka të nevojshme shkolla të tilla.
Pika 11: Dialekti i Elbasanit kuptohet lehtësisht në çdo anë të Shqipërisë, prandaj meqë duhet përcaktuar një dialekt bazë Kongresi i lutet të gjithë autorëve shqiptarë që do të botojnë libra dhe tekste në gjuhën shqipe që të përdorin dialektin e Elbasanit.
Pika 12: Për zgjedhjen dhe caktimin e komisionit drejtues të Shoqërisë së Shkollave, vendoset që një komision i formuar nga Mit’hat beu, Dervish beu, Neki beu, Ahmet efendi Dakli, Kristo Dako, Sylejman Bloshmi, Qirjazi, Irfan beu dhe Haxhi beu të shkojnë në Korçë.
Pika 13: Nëqoftëse edhe një prej klubeve, shoqërive apo shkollave që do të kërkojnë lirinë e mësimdhënies në gjuhën shqipe, si mjet për përhapjen dhe zhvillimin e shkencës dhe diturive në Shqipëri, do të përballet me ndonjë procedim penal ndaj saj, të gjithë klubet dhe shoqëritë që janë bashkuar rreth këtij uniteti do të veprojnë si një trup i vetëm dhe do të ndjekin të gjithë rrugët ligjore që të hiqet procedimi penal.
Pika 14: U vendos që me datë 2 shtator 1912, të mblidhet kongresi asimor i radhës në Elbasan ku do të diskutohen dhe trajtohen nevojat e përgjithshme të zhvillimit të diturisë tek shqiptarët.
Pika 15: Kongresi i delegon klubit të Elbasanit detyrën e organizimit, informimit dhe njoftimit në kohën e përshtatshme për kongresin që do të organizohet në Elbasan pas tre viteve.
.
Kongresi Arsimor i Elbasanit - Shtator 1909
Kongresi Arsimor i Elbasanit – Shtator 1909

Në fund:

Lëndët mësimore që do të mësohen në shkollën pedagogjike që do të themelohet në Elbasan:
Matematikë, filozofi, fizika, zoologji, rregullat e gjuhës shqipe, gramatikë, sintaksë dhe letërsi, gjeometri, psikologji, dituri natyre, miniera dhe gjeologji, turqisht, frëngjisht (me detyrim)
Algjebra, logjika, anatomi, gjeografi, anglisht, greqisht (me zgjedhje), trigonometri, pedagogji, edukata e trupit, historia osmane, vizatim astronomi, kimi, botanika, historia e Shqipërisë, gjimnastikë
.
Përkthyer nga shqipja në turqisht, njësohet me origjinalin, data 8 shtator 1909
 
Kryetari i kongresit arsimor shqiptar në Elbasan
Dervish Elbasani [Biçakçi]
“Përkthimi në osmanisht e origjinalit shqip të vendimeve të Kongresit të Elbasanit.”, 1909-09-02, Arkiva Dixhitale Shqiptare, aksesuar më 3 shtator 2021.
.
Marrë nga https://www.facebook.com/arkivadigjitaleshqiptare.ad/posts/1814113292105760

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.