back to top
0.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Përkthyesi i harruar i Dantes e Homerit… nga Azem Qazimi (2002)

Gazeta

Pashko Gjeçi, Ravena 2006
Pashko Gjeçi, Ravena 2006

Pashko Gjeçi:

Përkthyesi i harruar i Dantes dhe Homerit…

nga Azem Qazimi (2002)

Përkthyesi i harruar i Dantes dhe Homerit
ngrys ditën në harresë,
teksa çdo kush e di anën tjetër të vdekjes…
…Me t’u mbyllur porta e rëndë metalike pas shpinës së tij,
drita mbeti përjashta.
Kur terri nisi ta mbështjellë, grishi me emër shpirtërat e “Ferrit”.
Pashko Gjeçi, rron i rrethuar prej ndalimesh, i qarkuar krejt me harresë…

Azem Qazimi 2008
Azem Qazimi 2008

Në një apartament të skamë tek Pallatet e Shallvareve, midis bërtimave të tregtarëve dhe një bote që ka perënduar prej kohësh, po që ende rron në kujtesën e tij, osh ditët e pleqërisë Pashko Gjeçi, më i madhi përkthyes i gjallë i shqipes.
Për të e shkuara dhe e tashmja nuk janë të ndara. Prej vitesh, nuk e kujton më askush: as shoqëria e as miqtë e dikurshëm, të cilët, që prej kohës që ra në burg, i venin gjithmonë e më rrallë në shtëpi, përjashto këtu Eqerem Çabejn, gjuhëtarin e madh.
Pashko Gjeçi, rron i rrethuar prej ndalimesh, i qarkuar krejt me harresë. Shumkush e di në anën tjetër të vdekjes. Siç thotë dikush, ai ka lënën prapa me kohë të shtatëdhjetat që këshillon bibla. Megjithatë me 7 qershor, Pashko Gjeçi do të mbushë tetëdhjetë e katër vjet. Ai bënë pjesë ndër ata pak intelektualë, që nuk e lanë veten të rrëmbeheshin nga ai 50 vjetësh ndeshjesh të fëlliqura e zhgënjimesh nga pushteti.
E shoqja, Nezaqet Gagani (Gjeçi), nuk mban mend që ai të jetë ankuar ndonjëherë; “Nejse, – thotë ajo, – ky është i kënaqur! Nuk ka qënë kurr materialist është njeri shumë i thjeshtë, me thënë të drejtën, se tani unë nuk flas si grua. Po në këtë gjendje nuk lihet një njeri, një intelektual ndër orës së parë. Jo nuk lihet kështu. Sikur ne vijmë nga pylli, sikur ne s’dimë”. I rrethuar kështu me heshtje, endi shkronjë pas shkronje atë vepër që do t’i çelë përjetësinë.
Ndryshe nga shumë njerëz që duan të lozin një rol një pëllëmbë më të lartë se ai me të cilin i ka pajisur natyra, që kërkojnë të duken deomos të thellë, Pashko Gjeçi zotëron një thellësi të brendëshme që fle tek thjeshtësia. Nuk është zvetnuar kurrë më lavde e çmime. Për këtë Borghesi ka një frazë të mrekullueshme: “I jepet një çmim shumë i rëndësishëm një zotërie çfaredo, për të thënë se ai që ai s’e ka marrë çmimin është po aq mediokër sa ai që e ka marrë atë”. Për gjatë 40 vjetëve ka jetuar në një dhomë shumë të ngushtë, sipër apartamentit të tanishëm: “Ku do të përkthente ky ë? – bën çudi e shoqja – Po, i merrte librat kështi ndër krah dhe o ngjitej kodrave o shkonte nëpër plazhe, që t’i përkthente. Nuk ishte as materialist, që t’i fuste ato para në xhep, apo t’i harxhonte për një shtëpi të dytë andej, që të shkruante… se e kishte pasion. Pse e lanë Italinë këta?
 Erdhën në Shqipëri t’u jepnin kulturë..”


Dante Alighieri 1265-1321
Dante Alighieri 1265-1321

Si amëshohet njeriu?

Përkthimi ka qënë kurdoherë ai thjeshtri, që si gjendej muzë në Parnas t’i bëhej krah. Po: “Pas folklores, e cila është zemra e gjuhës, – thoshte përkthyesi Skënder Luarasi, – përkthimi, themi përkthimi i mirë, dmth shqipërimi nga një gjuhë e huaj në gjuhën amtare është elementi më i nevojshëm për pasurimin e gjuhës…!”
Zanafillën e përkthimit të shqipes me ç’dimë e bun një përkthim: “Meshari i Dom Gjonit”; veprat e shkrimtarëve tanë të vjetër, të Budit e Bogdanit në masë të madhe, përkthime janë gjithashtu.
Po mëtimi se më të arrirat vepra të shqipes në lëmë të letrave janë shqipërime, mund të erëmojë herezi. Megjithatë…
Me sa duket çdo njeri gjenial ka një fat të çuditshëm, ndoshta ngaqë ngjarjet, të cilat kanë endur jetën e tij kanë mbrujtur atë karakter, që do të formohej më vonë.
Homeri thotë: (“Odisea”, VIII, viti 690-692) se perënditë i sajojnë dhimbjet, me qëllim që poetëve mos tu’ mungojë lënda për këngë…
Kur e arrestuan më 4 shtator 1947, “për fajin Pjesëmarrje në grup kundra Pushtetit”, Pashko Gjeçin e kyçën, për tre muaj në një dhomë izolimi. Me t’u mbyllur porta e rëndë metalike pas shpinës së tij, drita mbeti përjashta… Ditët e para, i mbështjellë nga kundërmimi i lagështisë nuk arrinte ta perceptonte hapësirën.
Kur terri nisi ta mbështjellë, grishi me emër shpirtrat e “Ferrit”. “Burgu më ka ndihmu – thotë Pashko – Ato kiamete më kanë shty me vazhdue Komedinë se në fillim pak vargje kishem përkthye…”
Për ta populluar në njëfarë mënyre qelinë me një vendim të vullnetshëm, kujtoi në terrin e saj personazhet e “Ferrit”, që ishin vënë prej kohësh në përgjim. Madje i duket tani, qysh prej moshës 10-11 vjeçare, pas një ngjarje që s’ka dyshim meriton këmbënguljen time dhe vëmëndjen tuaj: Në orën e italishtes, për ndonjë paudhësi të kryer në klasë mësuesi e dënoi të qëndronte me një këmbë para dërasës së zezë, kur qenë shkruar tre terzina (strofa treshe me rimë) te “Ferrit” të Dantes. Pashko u kthye gjithnjë në një këmbë, kah dërasa e zezë, zuri me dorë shkumësin dhe i përktheu të nëntë vargjet, krejt sikur t’ia kishte diktuar ndonjë frymë e përjashtme: në versionin e tyre përfundimtar, në një njëmbëdhjetërrokësh e me rimë, ashtu siç mund t’i lexoni edhe sot e gjithë ditën. Teksa e shqetësonte pandehma se mund t’i përtërihej dënimi për këtë “faj” të ri, dera u çel dhe mësuesi italian, që u dha në prag, shtangu. Pyeti: Kush ka zhgarravitur në dërrasë? Kokulur Pashko iu përgjegj: “Un zotni mësues…!” dhe nuk e dënuan kurrë më. “…Kur kam kenë në shkollën e Jezuitëve, na dënojshin kaijherë për sjellje të keqe. Na lejshin pa hangër. Do t’i shkojshim në shtëpi, po do shkojshim me vonesë. Nji orë ma vonë na u dukte kjamet, se dojshim me shku me hangër, edhe shkrova në dërrasë të zezë disa vargje të Dantes. Mandej m’pritshin mirë si t’thush.”
Rrethanat ngadonjiherë përcaktojnë prirjet e mavonshme. Episodi që posa zurëm në gojë, përcaktoi në një masë të madhe udhën e përkthyesit të ardhshëm. Edhe pse jo plotësisht e botuar vepra përkthimore e Pashko Gjeçit nuk shkohet lehtë nëpër duar: “Komedia Hyjnore” e Dantes, “Odisea” e Homerit, “Fausti” (pjesa e parë) i Gëtes, “Hamleti” i Shekspirit, “Andromeda”, dhe “Atalia” të Rasinit, nji dorë prej poezive të Xhakomo Leopardit, një esse për poezinë e Lasgush Poradecit, që është renditur ndër essetë më të mira të shkruara në shqip, në njiqind vjet; një esse tjetër për Mjedën: “Kam pasë qejf kritikën letrare, – thotë – kur ishem i ri dhe shkruejsha kështu noj herë…” dhe kaq!
Siguria që gjërat më të mira janë shkruar prej kohësh, e bëri të hiqte shpejt dorë nga poezia? “Poezi origjinale? Jo, se kur lexojsha poetët të m’dhenj, jo Leopardin, jo Danten, ato të miat s’më dukeshin gja. Kështu ma mirë iu vuna me i përkthye ata, se sa me shkrue ndonji gja vetë n’origjinal…”

Komedia Hyjnore... Kopja e autorit
Komedia Hyjnore… Kopja origjinale e autorit

Kush është Pashko Gjeçi?

Pashko Gjeçi, djali i vetëm i Gaspër dhe Nina Gjeçit, lindi në Shkodër në 7 qershor, 1918. Mbaroi shkollën e Jezuitëve, si dhe Gjimnazin Jezuit në qytetin e lindjes. Nga pedagogët e Gjimnazit kujton me nderim të veçantë: Pashko Gecin, Henrik Lacajn dhe Eqerem Çabejn. Që në moshë fare të re, aty nga viti 1936, botoi disa poezi të përkthyera nga poeti i madh italian Xhakomo Leopardi. Në vitet 1937-1938 me pseudonimin Surgens botoi në “Cirka” në revistën e përkthyesit të “Pinokut” Cuk Simonit, këngët e para të “Ferrit”. Gjeçi kujton se: “Un’ kam studjue n’shkollën e Jezuitve në Shkodër. Kështu qi, qysh në moshë të re filluem italishten. Pastaj noj gjuhë tjetër. Kjo m’ka ba qi me tan shpirt të përpiqem e t’përkthej edhe për detyrimet shkollore, po edhe për qejf manej. Kjo asht origjina e prirjeve t’mia për letërsin’, për përkthimet. N’Gimnaz studionim edhe greqishten e vjetër dhe latinisht. Bile kan qen, si me than, kto gjuhë qi m’kan futë n’rrugën e përkthimit. Na do të përkthejshim për detyrim shkollor. Kshtu që përpiqeshim t’i përkthenim sa ma mirë. Kam vazhdue masandej rrugën vetë. Ky ka kenë fillimi i rrugës për te përkthimet… Pse italishten e patëm fillue në të tretë fillore në shkollën së Jezuitve…!”
Në vitin 1938, pas mbarimit të Gjimnazit me nji gjysëm burse, të siguruar nga qeveria e kohës, regjistrohet në Fakultetin e Letërsisë dhe Filozofisë, në Romë. Kujton me kënaqsi, leksionet e Profesor Ernest Koliqit, edhe pse shoqërimi me të do t’i kushtonte pesë vjet burg, pas kthimit në atdhe. Me 15 korrik, të vitit 1942, diplomohet doktor në Letërsi. Pas kthimit në atdhe, ende pa kaluar mirë pesë vjet, me 4 shtator 1947, ndalohet me akuzën: “Pjesmarrje në grup kundra Pushtetit, dhe në bazë të Ligjës 372, dt 12.12.1946, dënohet me 5 (pesë) vjet burgim, dhe humbjen e së drejtës elektorale për tre (3) vjet kohë, dhe konfiskimin e pasurisë…!” Dënimin e vuajti në Burgun e Durrësit. “Po arsyeja e vërtetë e arrestimit te tij, – thotë Gjeçi, – ka qenë shoqërimi me Ernest Koliqin, gjatë viteve të studimit në Romë…”
Simon Pepa rrëfen se: “kur e arrestuan njërin se kishte thënë: Ky qumësht i shtettit ka ujë, në fund të pretencës, i gjori shtoi: -Se zihet edhe qumështi kos e kam ditur, po se zihet edhe politikë, kjo s’ma ka shkuar në mendje!”.
Kjo nuk është ndonjë shëmbëlltyre e paracaktuar të rreshë të qeshura, sepse është e vërtetë. Ajo ilustron më së miri natyrën e “fajeve” të pjesës dërmuesë të të burgosurve politikë në Shqipëri.
Pasi u lirua nga burgu, me 27 shtator, 1952, pas disa kohësh e transferuan mësues në Fushë-Krujë… ku punoi shumë gjatë për përkthimin e “Purgatorit” e të “Parajsës”: “Aty ishem në vetmi… Fshat gati krejt… Aty kam vazhdue mjaft giat… Kishem qejf, e merreshe përdit me përkthimin e vargjeve të Dantes. Nuk ishte çashtja e vështërsis së vargut, kuptimit, po te rimat: tri rima asht e vshtir me i gjet. Dy rima gjinen, po tri rima… T’i mbash gjall tri rimat e tercinave të Dantes, asht shum e vshtir…!”
Kur e çoi për botim, në Ndërmarrjen Botuese “Naim Frashëri”, i thanë se, …tani që Noli do t’i futej punës për përkthimin e Komedisë, ai deshte s’deshte do të hiqte dorë…!”, “M’kujtohet, kur dërgova për botim “Komedinë Hyjnore”, ata ia propozun ta përkthente Noli. Po ai s’e muer përsipër nji gja të tillë, se po t’donte me e përkthye, e kishte përkthy… s’kishte nevojë me i thanë ata. Kështu qi unë e fjeta mendjen. Mir, mir, u thash, kur t’ju japi përgjigjen, n’daçi e merrni kët timen…!”
Të gjithë e dimë që Noli, nuk ndërmorri nji punë të këtillë. Si rrjedhim në prag të 700 vjetorit, të lindjes së poetit të madh, ata të shtëpisë Botuese, iu drejtuan sërish Pashko Gjeçit. Kështu, në vitin 1960, u botua kantiku i parë, apo pjesa e parë e Komedisë, “Ferri”. Vepra u shoqërua me nji hyrje prezantuese nga Llazar Siliqi, të cilin Pashko e ndërmen si nji mecenat të madh të arteve.
Menjiherë mbas botimit të “Komedisë Hyjnore”, ai nisi të përkthente “Odisenë”. Të gjitha honoraret e Komedisë, i harxhoi në ecejaket Tiranë-Durrës e kthim, për të përkthyer “Odisenë” kundruall detit: “…Tërë paratë, ky atje i çonte… ke deti… se frymëzohesh… – rrëfen e shoqja Nezaqeti – Për një varkë, – për shembull – nisesh në Durrës. Unë i thashë njëherë: Po ti pse i harxhon tërë këto para kështu?” “Po që të përkthesh nji libër, – më thoshte, – duhet të jesh si personazhi… dhe po s’harxhove nuk bëhen këto punë…” Pyetjes se sa zgjati kjo ecejake, ajo i përgjigjet: “Gjithnji, derisa e mbaroi…!”

Kanë shkruar për Pashko Gjeçin

Aurel Plasari
Studiuesi Aurel Plasari

Aurel Plasari:
Si nji krijues madhor për t’u pasur zili: kështu ka hyrë tanimë Pashko Gjeçi në historinë e kulturës shqiptare. Nëse veç “Komedisë Hyjnore”, ka përkthyer andej këndej, edhe ndonjë gjë tjetër, kjo kurrfarë peshë më nuk ngre. Sepse mendja e tij e rrallë realizoi në kulturën tonë gjetjen e gjetjeve, duke u bërë dhe duke mbetur: “përkthyesi i Dantes”. Në kët kulturë emri i tij do të lidhet gjithnjë me atë të Dante-s. Dante është i jashtëzakonshëm nga madhështia e ndjenjave dhe mendimeve, për nga niveli i poezisë së tij, për nga përpikmëria gati e pabesueshme e dijeve të tij. Me një këso poeti, u ndesh qysh në të ri Pashko Gjeçi, edhe ia doli ta lakojë e t’ia nënshtrojë atë vargut shqip. Kështu ndodhi që falë Pashko Gjeçit, erdhën dhe u derdhën në gjuhën tonë, pasioni përvëlues i poetit, dashuria e tij ideale, trondja marramendëse nga e bukura.
Por poeti, të cilit iu pat “qepur” Gjeçi, ishte edhe njëri nga poetët e parë botërorë që pati ekzaltuar idenë e Atdheut. Sepse “Komedia Hyjnore”, është një poemë dashurie pafund dhe dhembjeje e paanë për atdheun. Askush nuk e pati adhuruar më shumë atdheun mosmirnjohës, e megjithatë gjithnji të dashur, se sa Dante. Edhe askush më shumë se ai, nuk i pati vajtuar mjerimet e tij. Çfarë të ket provuar vallë, botëndijimi i Pashko Gjeçit gjatë gjithë atyre viteve të gjata që ai u end, krah nesh, si një ndër qytetarët më të zakonshëm të atdheut të quajtur “Shqipëri”? Unë vetë kam përshtypjen se dhe një tjetër “sekret”, atë të vullnetit për ta përshkuar qetësisht rrugën e imponuar, për të mos u prozvaluar, për të qenë i vetëdijshëm për vlerën e vet, deri edhe për të bartur me dinjitet lavdinë e vet, edhe këtë “sekret”, pra kam përshtypjen që Gjeçi po nga Dante e ka nxënë, sikurse ai e pati nxënë prej një Brunetto Latini, mësuesit të tij, që ia pati mësuar: “come l’uomo s’eterna”… (si njeri mund bahet i perjetshem)

Sadik Bejko
Poeti Sadik Bejko

Sadik Bejko:
“…Pashko Gjeçi është një nga figurat më të rëndësishme të kulturës në Shqipëri, duke menduar që përkthimi, nuk është vetëm një zanat, por është një art, është një rikrijim i një modeli, ashtu si në pikturë, piktori ndodhet përpara një modeli jetësor, dhe prej tij del një figurë e mrekullueshme artistike. Shumë nga përkthyesit e mëdhenj shqiptar, duke i sjellë kryveprat botërore në letërsinë shqiptare, i kanë kryer asaj një nga shërbimet më të mrekullueshme. Puna kryesore e këtyre njerëzve, ndër ta si nga më të mëdhenjtë, Pashko Gjeçi, është se e kanë lëvruar gjuhën edhe në kohën, kur në Shqipëri vazhdonte një letërsi e shtampave, një letërsi e detyruar, një letërsi zyrtare. Pashko Gjeçi dhe të tjerët mbajtën gjallë tharmin, lëngun, brumin e gjuhës shqipe, sepse ata farkëtuan me një zjarr tjetër: me zjarrin e krijuesve shumë të mëdhenj…”
(Marrë nga Revista “Spektër” 24 gusht, 2002)

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.