back to top
6.5 C
Tirana
E mërkurë, 18 Dhjetor, 2024

Përkthyesi nga Ferri, i Poemës me Stalin, të autorit nga Mali i Zi… – Triptik nga Visar Zhiti

Gazeta

Stalini Moxarti dhe Maria Judina - Jevrem Berkoviç
Stalini Moxarti dhe Maria Judina – Jevrem Berkoviç

Përkthyesi nga Ferri i Poemës me Stalin, të autorit nga Mali i Zi

Triptik nga Visar Zhiti

1.
“…Lazër, dil jashtë…! …zgjidheni dhe lëreni të ecë…” – Ungjilli sipas Gjonit – Ashtu siç ka dhe emrin, vepra e Lazër Radit mbart një si urdhër qiellor ringjalljeje. Se ai para se të vdiste, pati dhe një vdekje të mëparshme. Vite e vite me radhë, nga Lufta e Dytë Botërore e deri sa ra perandoria komuniste, ai, si të thuash, u ndalua të jetojë, sepse u çua burgjeve dhe internimeve.
Një lloj vdekje kjo.
Lazri në Bibël, në ditën e katërt të vdekjes së tij ringjallet nga Jezusi. Për Lazër Radin duhej të kalonin, jo 4 ditë, por 4 dhjetëvjeçarë që të ringjallej vepra e tij dhe ai. Jezusi, në Ungjillin sipas Gjonit, çoi sytë nga qielli dhe tha: “…Hiqeni gurin… (është fjala për gurin e varrit), – Lazër, dil jashtë!” – nga shpella ku e kishin mbyllur sipas zakoneve hebraike… në qiellnajën e pafundme, edhe copa e qiellit të Shqipërisë, mbushur me vështrime plot dhëmbje nga poshtë, nga balta e vuajtjeve dhe lutje të fshehta, ofshama e klithma, ndërroi, aq sa na duket se u bë qiell i ri. U hoq guri nga portat e burgjeve dhe dolën jashtë të dënuarit. “Dhe ai që pat vdekur, doli jashtë i lidhur duarsh e këmbësh me rripa pëlhure. Fytyrën e kishte të mbështjellë me rizë. Jezusi u tha: “Zgjidheni dhe lëreni të ecë!”. Pjesët biblike i mora qëllimisht nga Dhiata e Re, përkthim i madh nga Dom Simon Filipaj, shqiptar nga Mali i Zi, në nderim të sakrificave të përkthyesve.
Lëreni Lazër Radin të ecë! Edhe ai e flaku qefinin dhe prangat. Kishte ardhur urdhëri suprem i kohës. Ecja e tij ishin veprat e tij që filloi t’i botojë njëra pas tjetrës, poezi, sprova, monografi, portrete, memuaristikë, shënime të ndryshme, letra, etj. Natyrisht edhe përkthime. Opusi i gjerë i Lazër Radit rierdhi së fundmi nga shtëpia botuese, që duket si e zgjedhur posaçërisht, me emrin biblik edhe ajo: “Jozef” në Durrësin e lashtë.
 
Kthehet Lazër Radi
…me Veprën disa volumëshe që mbart të vërtetën e tij dhe e çmuar sa ajo e vërtetë. Një dëshmi e fortë dhe tronditëse si jeta e Autorit, kumtuese si zëri i tij i përtejmë, e mirë dhe dinjitoze siç ishte vetë Zotni Lazri.
Një Vepër e vuajtjes me përvuajtshmëri, me zanafillë në rininë e hershme të tij, me ëndrra për veten dhe Atdheun, një rrugëtim magjepsës nga vendlindja, (u lind në 29 janar 1916) Prizreni, kryeqyteti përbashkues i shqiptarve, në Tiranë, kryeqyteti i ri e pastaj në Shkodër, kryeqyteti kulturor dhe më tej përtej detit, në Europë, në Romën e përjetshme, kryeqytetin perandorak, për të studiuar në Universitetin e madh e të hershëm: “La Sapienza”, për Drejtësinë… që mungon aq shumë.
Ky shkrimtar kryeqytetesh nuk do të ketë fat. Zoti e ngarkoi me një misionin ndryshe golgotian, mbas Luftës së Dytë Botërore do të burgoset, e deri sa bie perandoria komuniste, Lazër Radi ndërron burgje e internime si rrathët e Ferrit, por qëndresa e Tij është e njëjtë, lufta për të mbetur Njeri në çdo rrethanë, dhe në skëterrë, pa ndryshuar karakterin, as besimin e dëshirën e të shkruarit.
Studioja e Tij do të ishin qelia, përkthyes brenda telave me gjemba dhe kasollja e mjerimit në internim, me hijen e policit mbi mur. Pas punës së rëndë e mundimeve për t’i siguruar “bukën e përditëshme” familjes, ai do të shkruante fshehurazi, do të lexonte e do të përkthente për kohërat që do të vinin. Ai nuk ishte më i së tashmes së Tij, por dëshmitar i saj. Zoti ia kishte ruajtur fatin për më pas.
Pas shëmbjes së Murit të Berlinit dhe perandorisë komuniste, ku diktaturat nisën të binin me radhë, Lazri plot gjallëri dhe vrull të riu do të vazhdonte të tregonte, si askush, Vitet 30′ të Shqipërisë, atë pluralizëm e zhvillim mendimi të pabesueshëm; Migjenin që njohu, njeri, shkrimtar i shenjuar nga vdekja dhe mik; Mirash Ivanajin – “Ministër i hekurt”, mësues i plotdijshëm, dhe bashkëvuajtës; Musine Kokalarin, shkrimtare, e para disidente grua në gjithë perandorinë komuniste, etj. Tregoi gjyqet, familjet e mëdha, rimëkëmbjen, etj, etj. Do të sillte Platonin, histori europiane, poetë ballkanikë, poezitë e veta, të shkruara dhe atje ku nuk i lejohej, gjithë pezm dhe dhimbje si një Ovid shqiptar.
Vepra e Lazër Radit është ende e hapur në duart e të birit, Jozefit, poet dhe ai, i lindur dhe rritur internimeve, por që vazhdon sakrificën dhe në Itali, ku edhe jeton, i cili sikur plotëson kështu jo vetëm amanetin e Atit, por dhe të Atdheut, se Vepra e Lazër Radit është vepër kujtese e të gjithëve, me thyerje dramatike si koha e me mungesa si vetë historia, jo vetëm e Tij, por dhe e Shqipërisë.
Vepra e Lazër Radit është ditar i popullit të tij.
 
* * *
Natyrisht që një vend të veçantë në punët e Lazrit tonë, biblik dhe ai, zënë përkthimet, libra nga klasikët antikë grekë, Platoni, por dhe nga bashkëkohorë, serbë, poetë modernë, një malazias, (fqinjët së pari, ata që janë më afër t’i njohim), por dhe anglezë, etj.. Dhe ja, tani i erdhi radha poemës “Stalini, Moxarti dhe Maria Judina”, e poetit bashkëkohor Jevrem Bërkoviç. Përsëri botuar nga shtëpia botuese “Jozef”, (që mban emrin e atit të drejtuesit të saj, Aurel Kaçulini).
Edhe Stalini ashtu quhej, “Josif”, por ai mori rrugën e djallit dhe u bë vetë djall.
Si një hakmarrje e përktheu poemën Lazër Radi, nga një gjuhë sllave, nga origjinali malazias, kur ishte e ndaluar, në internim, kur ishte punëtor krahu, bujkrob, por e botoi më vonë, pas ndryshimit të sistemit.
Dhe kjo poemë në shqip ka një histori. Ca rastësira që s’duhet të jenë dhe aq të rastësishme. Diçka tregohet edhe në parathënien time që shoqëroi dikur botimin e parë. Po e risjell.
.
Stalini, Mozarti dhe Maria Judina
Berkoviç – Stalini, Mozarti dhe Maria Judina –
Perktheu Lazer Radi Saver 1989
2.
Pagjumësia e diktatorit dhe pagjumësia e Përkthyesit
Ishte një kohë kur statuja e Stalinit në Tiranë, e errët, më këmbë, (sikur vinte direkt nga skëterra) endej kudo nëpër Shqipëri, hynte pa trokitur nëpër zyrat komode të Komitetit Qendror të PPSH-së, bisedonte me diktatorët tanë, dilte nga Universiteti, zbrazte një leksion si breshëri automatiku, ngjiste shkallët e pallatit arkiv(ol) të kulturës, kontrollonte një opera për gabime ideologjike; me gazetë në dorë u avitej periferive të shkreta, aty ku ankthi bëhej më i rëndë e, nëse do të hipte në ndonjë tren, do shtirej si naiv për të mbledhur pakënaqësitë antisocialiste të udhëtarëve për t’ia raportuar vetes e në muzg (gjithmonë muzg prej bronzit të tij ishte andej) do të bujte në ndonjë fermë internimesh. Aq shumë do t’i përbalteshin çizmet, gati sa shpirti!
Do bënte apelin e familjeve të disidentëve, do caktonte se kush duhej çuar përsëri në burg; gjithë natën si fantazmë do hynte në gjumin e secilit e në mëngjes do porosiste brigadat: Sa kuintal frikë të mbillnin për hektar!!
Andej jetonte edhe Lazër Radi, vazhdimisht rob që nga Lufta e Dytë Botërore. Kurrë s’e kishin parë njëri-tjetrin, por njiheshin:
Lazër Radi, i doktoruar në Filozofinë e së Drejtës në Romë, gazetar, i burgosur politik, memorialist, i internuar, përkthyes, punëtor krahu, me trup dy herë më të madh se të Stalinit, ndërsa ky i fundit, i përjashtuar nga shkolla, ajo e murgjve, sepse vidhte, sidomos lavdinë e të tjerëve në artikuj gjysmakë shkencoro-filozofikë, karakterizohej nga një inat i egër, që e çoi deri në krye të perandorisë.
Urrente gjithçka. Edhe statujat e veta që vazhdimisht mundoheshin të korrigjonin shkurtësinë e tij dhe ballin e tij të ngushtë.
Thashë, të dy s’e njihnin njeri-tjetrin; por gjithë jetën njeri-tjetrin do të luftonin.
Stalini kish në dorë gjysmën e botës, Lazri një gjysmë barake me qira në humbëtirat, rrëzave të Malit Tomorr, Olimpit të braktisur të shqiptarëve, ku digjej një si zjarr. Nuk ishte muzë… ishte drita e një reparti ushtarak.
Armatimi i Stalinit ishte i jashtëzakonshëm: ushtri milionëshe, tanke, avionë, valë, rreze, nëndetëse, shkolla, gjyqe, tradhëtira, helme; do të vriste dhe të shoqen, ndërsa Lazër Radi veç prangat kishte, dhe tre fëmijë të lindur në internim, gruan të burgosur, një kazmë dhe talentin.
I pari ishte idhull sllav, i dyti përzënë nga Kosova e pushtuar prej sllavëve të jugut.
Çizmet e Lazrit, çizme të çara bujku, do të ishin në armiqësi të përjetshme me çizmet diktatoriale.
Ndërsa Stalinin e njihte gjithë bota; statujat e tij shtoheshin kryeqyteteve, glorifikohej korpusi i veprave plot me poezi që i stërkushtoheshin atij, përkthehej kudo; Lazër Radi braktisej, harrohej me heshtje, anonimohej e përgjohej si një potencial i rrezikut intelektual, dhe vjershat e tij klandestine s’mund të botoheshin kurrë!
Njerit i qe caktuar pavdekësia; kurse tjetri… nuk duhej të kish lindur! Kështu ishin vendimet e atyre kongreseve…
Dhe për çudi fitoi Lazër Radi.
Statujat e Stalinit shkuleshin nga nofullat e rrugëve si dhëmbë përbindshërorë, Lazër Radi na jep sot një poemë kundër tij, të cilën, për çudi, e përgatiti që kur Stalini ishte “gjallë”.
Ku e gjeti? Si? E kujt është? Kush ja dha?
 
Fjala është për poemën “Stalini, Moxarti dhe Maria Judina” e shkrimtarit të njohur bashkëkohës malazes, autor i mbi pesëdhjetë librave: Jevrem Bërkoviç.
Një poemë gati delirante, e rreptë, me kapituj si një kronikë e pamëshirshme e vrasjeve të mëdha, me stilin e një proces-verbali, rrëqethëse si hetuesitë, me portrete reale e njëkohësisht narrative, e cila është dhe dëshmi, dhe akuzë sarkastike, dhe art i dëshpëruar, dhe roman.
Stalini sëmuret nga pagjumësia makbethiane, nga ajo pagjumësi që të jep krimi, ku përzihen gjysmë-ëndrrat me baltën e varreve bolshevike, leshrat e Trockit, hija e Kremlinit, sekretarët, djajtë, Moxarti, gjaku dhe Maria Judina…
Tufani i revolucionit (që i hijeshoka burrat e i shëmtoka gratë), është shuar, vetëm ngrihen aty-këtu shtjellat artificiale të tij, aspak efemere, zërat meken e dyshimi i Kob Stalinit është më i rrezikshëm se nazizmi.
Marshallët e ndritshëm që s’ia vrau lufta, i vret ai vetë një e nga një, duke i poshtëruar! Internime të çmendura, vrasje të udhëve që s’mbërrijnë, korrupsion femëror që të kujton jo vetëm gjyqin e Nexhmije Hoxhës tek ne, por gjithë periudhën gjysmëshekullore të atij socializmi barbar që kaluam, me skenat dhe prapaskenat makabre enveriste.
Arti guxon të kundërshtojë.
Atë që duhej ta bënin marshallët, e bën pikërisht një pianiste, ekzekutuese e Moxartit, që futet krejt ndryshe në pagjumësinë e diktatorit, e pikon si hënë e vrerosur brenda në kafkën e tij.
Dhe pikërisht një pianiste tjetër, e largët, (jashtë këtij subjekti?) bëhej shkak që kjo poemë të binte në duart tona si një trakt, atëherë në diktaturë.
Vetë autori, Jevrem Bërkoviç pasionant, gjysmë i shkalur, siç janë poetët, mjekrosh si një re, e dhuroi librin e tij në Tiranë, ku kish ardhur në një takim ballkanik poetësh (ndërkohë që Ai bëri një akuzë të hapur ndaj qeverisë jugosllave që paturpësisht s’i kishte lejuar kolegët e tij kosovarë të merrnin pjesë). Pra, në një takim të tillë, ku në sallë më shumë se dashamirës kishte njerëz të Sigurimit, poeti malazez njihet dhe marroset pas pianistes së bukur, Mira Zy…
Duke qenë shoqe e jona, ajo na tregoi librat e dhuruar me autograf ku kuptuam vetëm fjalët “nga Knjazi i Juaj…”.
Dhe në një natë me shi, ne shkuam më këmbë, fshehurazi, në fshatin e internimeve, në Savër për t’ia çuar librat shkrimtarit Lazër Radi, njohës i mirë i disa gjuhëve dhe i serbo-kroatishtes.
Retë në qiell u ngjanin fantazmave të poetëve të Ballkanit. Vetëtimave rrugës ia kishim frikën, se mos nën dritën e tyre të beftë na njihnin informatorët.
Poema u përkthye shumë shpejt dhe shkëlqyer, redaktimin e së cilës e kreu më së miri i biri, Jozef Radi. Kapitujt e saj u futën në pagjumësinë e shqipëruesit, gjeneralisht ftohtë, cinikisht ngjashëm me një dëborë të bukur që ka brenda të mbuluara kufoma të ngrira…
Vetëm kështu mund të ecet nëpër këtë poemë cerebrale, që ne e shpërndamë fshehurazi ta lexonin edhe miqtë tanë – me shpresën se ai emocion do t’i përçohej edhe lexuesit të gjerë, që të besojmë në qendresën e njeriut kundër së keqes, që të besojmë se ai kurrë nuk është i vetëm, që të besojmë në pamposhtmërinë e tij, t’i besojmë artit, i cili edhe atëherë kur do të ngriheshin dhe do të binin statujat kobzeza të Stalinit, bëri që të mos vdisnim.
Bekuar qoftë arti! Amen!
Tiranë, 5 Tetor, 1993
 
* * *
Ngjarja më la mbresa të forta, aq sa vendosa ta bëj pjesë të romanit tim “Në kohën e britmës”, ku në një prej krerëve të tij janë personazhë edhe prizrenasi Lazër Radi dhe poeti malazias Jevrem B., të cilin e lashë me emrin e vet në libër.
 
3.
Jevrem B. personazh,
Ja një pjesë nga romani:
tregon pianistja shqiptare:
 
…Në ditën e fundit të takimeve, kur prezantuesja tha se do të dëgjonim poetin malazias Jevrem B. u krijua një heshtje e thellë. Ishte bërë i njohur. Më pasionanti. Gjithçka do t’ia afronte skandalit ai. Nisi duke kritikuar… “Kufinjtë i kthejnë në tabu të kufizuarit”, – bërtiti. Kur nisi të recitojë poemën për Stalinin dhe një pianiste që e linte pa gjumë, (është e tmerrshme pagjumësia e tiranit), përdori po ato britma dhe atë gadishmëri për skandal. Erdhi drejt meje: -Ja, pianistja, – tha dhe më puthi dorën. Kurrë s’më kishte ndodhur. Gjest i ndaluar. Më pas më ftoi të iknim, ku kishte det. S’i duronte dot muret, as shkretimin e tokës. “S’duhet të ketë qenë gjithmonë kështu”, -më tha. “E as duhet të jetë”, -shtoi. Aty e kuptova se unë mund të kuptoja dhe kur më flisnin italisht apo frëngjisht, pa i folur kurrë këto gjuhë. Mund të merreshim vesh me të tjerët.
-Në Durrës vemi, – i thashë.
-Taksi, taksi, – bërtiti, – Për një taksi jap gjithë perandorinë komuniste.
-Dëgjo, ti fol në gjuhë tënde, -më tha, – Ashtu më shijon. Besoji komunikimit përtej semantikës së fjalëve. Edhe unë do të flas në gjuhë time. Dhe ke për ta parë që do të merremi vesh…
Po flisnim pa u kuptuar. Kështu dukej, por jo, kuptonim më tepër, se po të përdornim një gjuhë të tretë.
…Dallgët na vinin te këmbët… Ai hoqi xhaketën dhe e hodhi mbi rërë. Iu afrua ujit, shkeli dallgët e para. U fut në det me gjithë këpucë, pa i përveshur pantallonat. Thellë e më thellë. Dhe u fliste pulëbardhave. “Juve s’ju duhen pasaporta!”, -bërtiste… Kur doli, flokët e gjatë dhe mjekrra i kullonin. Ashtu e përfytyroja unë poetin, kur isha fëmijë… Kafetë i pimë tek pista. Era dhe dielli ia than ca rrobat. U kthyem.
-Taksi, – tha prapë, – Po sikur e shitëm njëherë perandorinë komuniste! A kthehemi më këmbë…?!
…Pyesja veten rrugës, pse u la me gjithë rroba dhe s’gjeja dot përgjigje… Jemi mëkatarë, ka dashur të të thotë, jo vetëm ne, por edhe veshja jonë. Duhet të lahemi bashkë me to. Mendo pastaj uniformat e kryepolicëve, të xhelatëve, çizmet dhe helmetat, shkopinjtë e gomës, stilografët e poetëve të realizmit socialist, varretë që thyejnë gishtat e tjetrit, veglat e torturave. Armët. Sa neveritëse kostumet dhe borsalinat e sekretarëve të partisë, të tretëve, të dytëve e deri te kostumi i zi sterrë, i Sekretarit të Parë, i ambasadorëve të tij, që e imitojnë. Le të mbajnë këmisha të bardha, asgjë s’i zbardh ata…
Në port ishin grumbulluar turmat, më shumë se para ambasadave dhe donin të çanin përpara. “Te anijet”, – bërtisnin dhe ngrinin dy gishtat lart si V, si nëpër mitingje…
Shkrimtari J. Bërkoviç:
I njohur në Ballkan dhe më gjerë, ai është dhe historian dhe veprimtar, kritik pasionant dhe oponent i politikave të mëparshme sidomos, por dhe të tanishme, figurë e dashur e jetës publike të Malit të Zi.
Ka lindur 29 dhjetor 1933 në një fshat afër Podgoricës, Seoca, në Mbretërinë e Jugosllavisë.
Jetoi në Beograd, poet romantik në fillim, nacionalist jugosllav, etj, por gjatë luftrave jugosllave në vitet ’90 ai shfaqi një qendrim malazes anti-serb, si dhe kritik i regjimit të Milo Gjukanoviçit. Nga shkaku i përndjekjeve iku nga Mali i Zi.
U fsheh në Tiranë. Në Kroaci më pas. U kthye në 1999, kur sipas tij “Mali i Zi u bë edhe një herë malazez” dhe u bë përkrahës i fortë i pavarësisë së vendit të tij.
Ndërkaq ai themelon Akademinë Dokleane të Shkencave dhe Arteve, është dhe president i saj, paralele me akademinë zyrtare proserbe të vendit të tij, por e kundërt me atë, se akademia e Bërkoviçit dëshmon me studime se malazezët nuk kanë lidhje me serbët.
Vepra e tij shquhet dhe për gjuhën vulgare e të pacipë, për qëndrimet skajshmërisht të ndryshme, ndonjëherë edhe me veten…
Në 24 tetor 2006, ai dhe truproja e tij u sulmuan nga tre të panjohur, shoferi vritet, ndërsa Bërkoviç merr plagë.
Thonë se shkak u bë një libër i tij: “I dashuri Doklean”, ku tallet me jetën publike bashkëkohore dhe me miqtë e ngushtë të kryeministrit Gjukanoviç.
Djali i Jevremit, Balsha Bërkoviç, është gjithashtu një shkrimtar i shquar malazias si i ati, por që ecën ndryshe. “Është më i mirë se ty”, – i thonë Jevremit. “Prisni, të rritet dhe ca!”, – përgjigjet ballkanasi kryeneç.
 
Jevrem Brkoviç - Autori i Poemes
Jevrem Brkoviç – Autori i Poemes

* * *

Një mbrëmje vere i vajta në shtëpi në Podgoricë. Mikpritja ishte proverbiale.
I madh si kreshnikët. Gjithçka te ai ishte e madhe, shtati, fytyra, balli, sytë dhe vështrimi, gjoksi dhe zëri, krahët dhe përqafimi, këmbët dhe këpucët ashtu si librat. Flokët e gjata, por të zbardhëllyera si borë e mbetur majave.
Pasi i thashë se e kisha personazh në një roman timin, ia tregova ngjarjen. Përkthente miku im Nezir Sefaj. U befasua. I dhashë poemën e tij në shqip, me përkthimin e Lazrit tonë, që nuk e dinte. U mrekullua. Po ku është Lazër Radi tani? Në Qiell… që nga 23 shtatori 1998. Bëri kryq. Më kërkoi t’i vizoja se ku ishin pjesët për të, në romanin tim. Dhe më tregoi për miqtë e tij në Kosovë, për Azem Shkrelin, e dija që e kishte përkthyer, dhe Ali Podrimjen, (e kam “probatin”, – shtoi), për ardhjen në Shqipëri, atë të cilën e kisha futur në roman, ndjekjet, njohjet me gratë, fotot e tyre në album. Më dha një dekoratë të akademisë së tij, u mëdysha, “është e vërtetë”, më tha; buzëqesha.
Para portës në rrugë më tregoi vendin e atentatit, ku ishte ai dhe ku prisnin vrasësit, ku ishte truproja e tij, shoferi, kur ra. Shkonte me hap të gjatë në vendet përkatëse, ku mori plagët…
Dhe hëna ishte ulur shumë, si një plagë e madhe.
Pse donin ta vrisnin? Kush i dërgoi vrasësit? Mbase Stalini, hakmerrej sërish si fantazmë për poemën që kishte emrin e tij diabolik, ku si për të zbutur ankthin, autori i kishte shtuar në titull dhe Moxart, dhe Maria Judina, pianiste, dhe…
Nën regjimin e Stalinit u vranë me miliona njerëz, jo vetëm në vendin e tij, por në të gjithë perandorinë komuniste, edhe në Shqipërinë e vogël, edhe në Malin e Zi… ende më të vogël, nga dishepujt e kuq.
Poema na rivjen si një dëshmi, kujtesë dhe art. Le të jetë ajo dhe si një “requiem moxartian” për ata shpirtra.
Tiranë, vjeshtë e parë, 2019

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.