Përkujtimore… per Pandeli Evangjelin
nga Klodi Stralla
65 vjetori i vdekjes së një figure të ndritur të historisë shqiptare
“Përkujtimoret” nuk janë as biografi dhe as histori për personin që përkujtohet, të cilat mund t’i gjesh me shumicë në tituj librash, monografish dhe në shumë linke në internet. Ato janë një gjini më vete, të shkurta nga forma por të ngjeshura nga përmbajtja domethënëse. Ato, më shumë se të informojnë, të kujtojnë se kjo Shqipëri që kemi sot, me të mirat dhe të këqiat e saj, është bërë nga shpirtra atdhetarë, të përkushtuar, idealistë, pasuria e vetme e të cilëve qe vepra që lanë pas dhe që, pas kaq e kaq vitesh, kur ata nuk janë më midis nesh, na “detyron” t’i kujtojmë e nderojmë në çdo përvjetor.
I tillë është edhe Pandeli Evangjeli (1859-1949), ky bir i Korçës tonë, që ndrroi jetë 65 vjet më parë, në 14 shtator 1949, në qytetin e tij të lindjes, i braktisur, i haruar, i nëpërkëmbur nga “çlirimtarët” e porsaerdhur në pushtet, por i dashur dhe i respektuar nga korçarët që e njihnin dhe vlerësonin punën e tij të palodhur shumëvjeçare në dobi të çështjes kombëtare.
Fare i ri, djalë 19 vjeçar, mori rrugën e kurbetit për në Bukuresht të Rumanisë, ku shumë shpejt, kafeneja e tij bëhet qëndra e lëvizjes atdhetare. Zgjidhet Kryetar i shoqërisë “Dituria”, falë të cilës u botuan “Abetarja” e shkollës të parë shqipe dhe librat e Naimit e Samiut me shokë. Delegat i kolonisë të Bukureshtit në “Konferencën e Paqes” në Paris 1920, ku diskutohej qenia ose jo e shtetit shqiptar, mandej Prefekt i Korçës në qeverinë e dalë nga Kongresi i Lushnjës, ministër i jashtëm, kryetar senati dhe kryeministër i Shqipërisë në vitet 1921 dhe 1930-1935…
Kjo është përmbledhtazi karriera atdhetare dhe politike e këtij personaliteti idealist.
Në këtë ditë përkujtimore dua të veçoj një fragment nga intervista e tij, dhënë gazetës “Posta e Korçës”, më 18 qershor 1921, ku si prefekt i qytetit të Korçës, ai shpreh pikpamjet e veta për organizimin dhe funksionimin e shtetit, që mbeten aq aktuale edhe për kohën tonë.
Gazetari: Ç’mendoni në lidhje me administratën shtetërore?
Pandeliu: Për çdo mënyrë administrimi, masa më e parë që duhet marrë është për të zgjedhur nëpunës me karakter e kompetence, që të shqyrtojnë çdo çështje me paanësi.
Gazetari: Ç’mendoni në lidhje me drejtësinë?
Pandeliu: Pa drejtësi nuk ka qeverim. Qeveria ka për detyrë të marrë masat e duhura që kjo institutë të arrijë në lartësinë e saj, që kështu të ndjejë populli se drejtësia jepet me paanësi të plotë. Përveç kësaj, të merren masa të rrepta kundër nëpunësve që abuzojnë prej këtyre dy fuqive (ligjore dhe ekzekutive).
Gazetari: Ç’mendoni për arsimin dhe kulturën?
Pandeliu: Shqipërinë e bëri shkolla dhe arsimi. Qeveria duhet të përkujdeset për shkollat dhe për të gjitha institucionet kulturore. T’i shtojë e modernizojë ato.
Gazetari: Për çfarë forme qeverimi jeni?
Pandeliu: Shqipëria duhet të jetë një shtet konstitucional dhe kurrë absolutist.
Gazetari: Ç’mendim kini për një memorandum, të propozuar nga Koço Kotta, në lidhje me një administratë autonome për jugun e Shqipërisë?
Pandeliu: Në asnjë mënyrë jo! Kjo do të ishte hapi i parë i federalizimit të Shqipërisë dhe shumë shpejt, pas saj, do të vijë edhe copëtimi i saj.
Pandeli Evangjeli, ndonse autodidakt në formimin e tij kulturor, ai ishte para së gjithash një atdhetar i përkushtuar, modeli i nëpunësit besnik ndaj shtetit dhe popullit të vet, frymëzim për funksionarët e sotmë të shtetit, që duhet të ndërgjegjsohen se pushteti nuk është mjet për pasurim vetiak, por shërbim ndaj popullit tënd. Ai do të mbetet njëherazi edhe një krenari qytetarie dhe nderçmërie për Korçën tonë.
“Posta e Korçës”, më 18 qershor 1921,