Agime Pipa, autorja e këtij shkrimi të kahershëm, të cilin ma kishte pru në të gjallë të saj me e botue në revistën “Arbëria”, sot na mungon prej 20 vitesh. Ajo ishte nji grua e rrallë e nji familje të nderueme, si Pipat, grua e sakrifikueme burgjeve dhe interrnimeve, e martueme me nji njeri të rrallë e me kulturë të pashoqe, si Mit’hat Araniti, dhe zoti iu fali nji vajzë të vetme, Odetën, edhe ajo e rritur kampeve, po vajzë e denjë e prindësh të rrallë e fisnikë, që edhe në fatkeqsitë e mëdha të jetës, shëndritën jo vetëm mirësie po edhe vlerash!
Fati i kësaj familje, kishte tejet simetrik me atë të familjes sime… Sepse M’it’hati dhe Lazri u lauruan në jurisprudencë, po ishin njiherësh edhe njerëz të letrave, po mbi të gjitha edhe përkthyes të zot. Edhe në burgjet e komunizmit, po edhe në kampet e internimit ata ishin sëbashku si në kampin e Kuçit të Kurveleshit… Agimja ashtu si edhe nëna ime Vitorja, u dënuan të mjaft të reja dhe vuajtën burgjeve, dhe mbas burgjeve i takoi t’i lindnin e t’i rrisnin fëmijët rrugave…
I kam pasë miq fort të dashur edhe Mit’hatin edhe Agimen, edhe me Odetën kemi ndarë jo vetëm vite pune bashkë po edhe respekt dhe stimë reciproke… Agime Pipa – Araniti, nga mesi i viteve ’90, më kishte dhanë disa fletore dorshkrimesh të vjetra, cilat unë ia zbardha e ia shtypa në kompiuter, dhe ia nisa shumë vite ma parë… Sot më dhemb fakti, që në një kompiuter që m’u prish mes shumë të tjerash i humba edhe ato shkrime të saj. Por, e bija, Odeta më tregoi se po mundohet t’i rishkruajë… e kjo më gëzoi. Le të shpresojmë…!
Sot është 20 vjetori i mungesës së Agime Pipa – Aranitit, por unë i falenderoj Zotin, që më dha mundësinë t’i njoh e të ndajmë çaste të papërsëritshme me njerëz si Agimja Mit’hati dhe Odeta…
I përjetshem kujtimi i atyne dy njerëzve të mrekullueshëm, e në veçanti i kësaj gruaje të paqme dhe fisnike që vuajti aq shumë padrejtësisht, po që kurrë s’e lëshoi veten!…
jozef radi, 4 maj 2021
.
Përkujtojmë ata që s’flasin ma!
nga Agime Pipa
Kryengritja e Postribës me 9 Shtator të vitit 1946, u kthye në një masakër të vërtetë për Shkodrën. Në grumbullin e madh të postribasve të thjeshtë që u arrestuan, u përfshinë intelektualë, klerikë, juristë, pedagogë, arsimtarë e studentë të gjimnazit si dhe pronarë private e tregtarë. Mbas tri ditësh me 12 Shtator më vjen në shtëpi Elez Mesi, i cili më arreston me fjalët: “Eja pak për pesë minuta, se të kërkon Myzaferi!” Myzafer Pipa, kushëriri im, avokat i njohur i mbrojtjeve në Gjyqin Special dhe gjyqet e tjerë, i pari që demaskoi Koçi Xoxen si teneqexhi injorant, ishte arrestuar dy ditë përpara, fill pas ngajrjes. Për figurën e tij është folur dhe shkruar, por unë këtu do ta përkujtoj së bashku me emra viktimash të tjera, të pafajshme, me të cilët kam bashkëvuajtur në dhoma të ndryshme të burgjeve të Shkodrës të asaj kohe.
Prej Degës (Seksionit siç i thoshim ne atëherë) më çuan në burgun e “Togës”, në një dhomë të vogël pesë hapash të gjatë e dy të gjanë. Memzi e lejuan familjen të më sillte një batanije për shtresë. Shtatë fytyra burrash të vuajtur e të rreckosur nga mundimet më pritën me keqardhje e shprehje ngushëllimi. Postribasit e mirë të keqtrajtuar si kafshë deri dhe me morra, shtoheshin çdo ditë deri sa u bëmë katërmbëdhjetë vetë. Një ndjenjë e thellë dhimbjeje e dashurie na jepte forcë për me durue këtë trajtim çnjerëzor. Në kondita të tilla, dyzet centimetër vend në dhomat e tjera të ndërtesës vuanin të shpërndara edhe shoqet e mia D. Kosturi, V. Kuka arsimtare si unë, T. Pali dhe pak më vonë A. Daja studente të gjitha në lulen e rinisë e të adoleshencës, derisa mbas izolimesh në burgje të tjera gati mbas dy vitesh hetuesie na grumbulluan të gjitha dhe me fshatarë, rreth 15-16 veta në një dhomë të vetme në “Burgun e Madh” ku kryem dënimin. Na bashkonte një forcë karakteri e qëndrese e papërkulur, një frymë e heshtur revolte, ndjenja të thella altruizmi e dashurie, ndjenja këto që edhe sot e kësaj dite i ruajmë në shpirtin tonë. Ajo dhomë e vogël e “imja” ndodhej afër derës së hyrjes. Kështu që ata të sigurimit, që nga polici i thjeshtë e deri tek shefat e lartë të qytetit e të Tiranës, ndaleshin tek dritarja tue na shikue si në kopështin zoologjik, me kërcënimin e vahzdueshëm të zhdukjes. Në atë godinë me britma e rënkime rrënqethëse, ankthi i vdekjes ndjehej edhe në frymëmarrjen tonë. Me këtë ankth në shpirt kalonin orët e panumërta, aq sa arritëm të mos kishim më frikë as vdekjen. Ndihesha në vetvete e fortë dhe e vendosur me e mbrojtë të vërtetën deri në fund.
Ndërkohë bashkëvuejtësit e mi, ndërroheshin; disa thirreshin për në Degë, të tjerë silleshin aty. Ndërsa shkruaj sot, kam para syve trupin e cfilitur, gati në agoni të një burri nja dyzetvjeçar që u lëshua mbi dysheme. Kishte qëndruar 15 ditë në kambë natyrisht i lidhur pa ngrënë e pa pirë asgjë. Mbas disa ditësh memzi e mori veten sa të fliste e të lëvizte. Fatkeqësisht nuk e mbaj mend emrin e tij pas kaq kohësh. Po kështu më është fiksuar pamja rrënqethëse e A. Kazazit i hedhur e i shtrirë kokëposhtë përgjat shkallëve e i gjakosur.
Për nja tre muaj n’atë dhomë qëndroi edhe intelektuali demokrat profesori Kolë Prela. Në zgjedhjet e Dhjetorit të 1945, ishte zgjedhur deputet. “Vetëm se jam deputet më thoshte – parandjej se do t’më shkojë kryet”, përndryshe nuk kanë asnjë fakt”.
Në diskutimet e tij prej sociologu kishte nuhatjen e kategorizimit dhe të gjykimit të njerëzve. Muaj apo një vit më vonë – tashti nuk di ta përcaktoj mirë – e shoh përsëri profesorin e letërsisë po në çfarë rrethane! Ndodhesha në Degë e po qëndroja në kambë pranë një dere zyre gati për t’u marrë në pyetje. Diku aty më zunë sytë një arkë të madhe me një deriçkë e vogël që mbyllej me kyç e që rrasej në murë. Ndjeva një si kollitje, e pyeta se cili ishte, e kur më tha emrin shtanga. Shpejt e mblodha veten, e pyeta si i kish punët? Më është dashur t’i pranoj disa gjëra. U mundova të shoh nga e çara ku arka nuk puthitej me murin, po çfarë të shihja… një krijesë me mjekërr të gjatë i lidhur këmbë e duar me pamjen e një egërsire që dergjesh aty kruspull kushedi prej sa kohe. Nuk mora vesh asgjë për torturat e tij e mundimet e tij, i thashë fjalët e mia ngushëlluese dhe u drejtova shpejt tek dera, mbasi ndjeva disa hapa tek shkallët. Si për koinçidencë tragjike e pashë për të fundit herë në seancën e gjyqit. Ishim ulur në bankën e dhomës 14 vetë. Më kujtohen M. Çoba si dhe avokatërit P. Pali, D. Miçaço, Q. Dani, prof. M. Daiu e të tjerë. Prisnim rradhën, kur profesor Prela u pyet dhe u gjykue për fakte të trillueme, u dënua me vdekje, duke u larguar së bashku me P. Palin na u drejtua me fjalët e fundit: “Na e bani hallall”.
Në atë katror të vogël të dhomës, ruaj edhe kujtimin e Fratel Gjonit. I kërkojshin inventarin e Muzeut. Më vonë kur gjindesha në Burgun e Kishës, ndigjojsha rënkime nga muri ndarës i dhomës tjetër. Ishin dihatmat e fatziut njeri-viktimë që e pashë për rrëshqitmas të lidhun me fasha, tue ecë rrëshqanaz nëpër koridorin e gjatë. Dikur s’e ndjeva ma. Nuk di në çfarë dhome të burgut vdiq i masakruar.
Nëpër atë korridor të ngushtë të Burgut të Kishës, përmes të çarës së derës pashë dhe fola me Qemal Draçinin. Na kishin izoluar nga dy-tre vetë nëpër dhomat e shumta të ndërtesës. “Mërzitem shumë më tha”; gjë e natyrëshme në ato rrethana ku burrat vazhdimisht qëndronin të lidhur këmbë e duar në pranga ashtu si dy fshatarët e dhomës sime O. Haxhia i Postribës dhe D. Tuku nga Bërdica. Fytyra e tij, buzëqeshja krejt e çlirtë shprehte kthjelltësinë e të pafajshmit. Parandjenim dhimbjet e torturave të ardhëshme, mbasi ne “të shkolluarit” na kishin lënë për në fund. S’na shkonte aspak mendja se profesori i ri i dashur i letërsisë, letrari i talentuar, ti linte kockat aty në birucat e Degës. Britmat dhe fshamjet e atij shpirti që po shuhej përhapeshin në ndarjet e tjera të atij korridori kobzi, ku ndjehej vetëm era e gjakut dhe e vdekjes.
Atë shtator, ndodhesha edhe unë në ato biruca. Ishin të posa mbaruara n’ato ditë. Ishin fare të vogla, sa gjatësia e njeriut, një katror pa dritare vetëm me një sportel të vogël hekuri tek dera. Aty ku më futën, muret si dhe çimentoja poshtë kishin një shtresë uji. Më rrasën brenda drejt e në çimento pa asnjë shtroje. Mbaj mend që kur shtrihesha nga lodhja së qëndruari në këmbë, vejsha për jastëk tek kryet, bukën që na sillshin si dhe nën trup dy këpucët e mia me taban gome.
Qëndrova ashtu për tri ditë e tri net, derisa u sëmura rëndë. Më çuan në spital në repartin e të burgosurve, ku nën kujdesin me shumë mirësi të doktor Tahsin Karagjozit, i cili më ka shpëtuar jetën, qëndrova aty duke u kuruar për një muaj rresht. Bëra këtë përshkrim të shkurtër për të dhënë një ide të atyre trajtimeve çnjerëzore që bëheshin mbi ne, e që rëndonin dyfish mbi vajzat e reja siç ishim ne n’atë kohë.
Në një repart të tillë spitali-burg, përkujtoj me dhimbje F. Logorecin, i paralizuar që qëndronte gjithnji në shtrat e bisedonte me shprehje inteligjente… Vdiq në burg pa e parë më familjen dhe fëmijën.
Kujtoj me dhimbje shoqen tonë nga Kaçinari i Mirditës A. Marku (Bardha) të cilën e kisha njohur në një dhomë izolimi, për t’u bashkuar përsëri në burgun e madh. Aty nga mundimet, torturat në ujra të ftohta. Filloi të manifestojë sëmundjen e tuberkulozit. Qëndroi kështu e sëmurë mes nesh derisa duke u shuar dita-ditës vdiq e vetmuar në spital.
Përkujtoj me nderin patër Frano Kirin. Në një dhomë me dritare të vogël, kalonim ditët në pritje të procesit. Rrinim mendueshëm, e ai gjithnji më thoshte: “Lutu, lutu Zoti asht i madh…” Dikur na ndanë: mu tek Pjerin Kçira… ndërsa atë – siç më ka thanë ma vonë Drita Kosturi – e ka pa të lidhur për një hu të gjatë tu e shkapetë me forcë sa andej këndej. Dikur shpëtoi nga ato tortura të tmerrshme duke vdekur brenda atyre mureve.
Figurat e Myzafer Pipës, Kolë Prelës dhe Qemal Draçinit më përlotin sytë sa herë i kujtoj, edhe pas kaq vjetësh.
Myzaferin e kam pa për herë të fundit, gjysëm të xhveshur të rreshtuar në formë gjysëmharku me plot të burgosur të tjerë në hajatin e ndërtesës së Burgut të “Togës” ndërkaq më çonte përshëndetje e gajret me të burgosurit që na binin ujin përmes hekurave të dritares. Parandjeja diçka të rëndë ndaj tij. Po s’e mendoja kurrë se do ta zhduknin aq shpejt. Në një ditë t’asaj vjeshte të kobëshme, ndalet tek dritarja shefi i Degës, Zoi Themeli. Burrat e dhomës u çuan në kambë. Unë që vloja në shpirt revoltë therëse ndaj tij që më kishte jetën në dorë, nuk lëviza vendit; m’u duk absurditet një respekt i tillë në ato kondita shfarosëse. Mbaj mend që kisha veshur një fustan shtëpie si në të errët. M’i nguli sytë si bishë, me një urrejtje të tillë sikur donte të më hante të gjallë duke më thënë:
-Pipë e mallkuar, nuk begenis të çohesh në kambë, si zonjë e madhe.
-Jo, – iu përgjigja – nuk jam për etiketë këtu, kam mërzitë e mia.
-Je veshë me të zeza, mban zi! – më tha. Aty për aty s’e kuptova atë domethënie, sa iku ai bashkëvuajtësit e dhomës K. Prela, A. Boletini e të tjerë për delikatesë s’më kishin thanë, më treguan se Myzaferin e kishin vrarë. Qava në heshtje. Motrat përjashta mbajtën zi. Ma vonë familjarët më treguan se mbasi nëna jonë interesohesh për Myzaferin si për mua, duke qëndruar shpesh te dera e Degës e thirrën për t’i komunikuar zyrtarisht versionin e vrasjes “për tentativë arratisje nga burgu”. Ai, Zoi Themeli, i gjallë por i mallkuar edhe vetë përfundoi andej në Çermë të Lushnjes, mund të tregojë vendin ku u degdisën kockat e tij. Mbas kaq vitesh, aty në atë pikë të lokalizuar ku s’besoj të ketë mbetur ndonjë gjurmë, le të ngrihet një përmendore që të përkujtojë figurën e tij të nderuar, si dhe sa e sa të tjerëve të pushkatuar pa asnjë faj, të cilët në tre të mëngjesit, kur i nisnin drejt vdekjes, kthenin kokën nga dritarja jonë duke thënë: “Na e bani hallall…!”
I shkrova këto kujtime, aspak për t’i nxjerrë heronj, mbasi n’atë skëterrë askush nuk kishte hyrë për të kryer heroizma. I shkrova që bijtë e bijat tona, studentët heroikë, e të gjithë ata që luftuan për ta përmbysur këtë pushtet kriminal, të njohin përmes episodesh të tilla të jetuara, vuajtjet e viktimave martirizimin e demokratëve të parë.
.
Agime Pipa
Ish e burgosur e ndërgjegjes
.