back to top
9.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Perla në plagën e një martese* nga Marçel Hila

Gazeta

Valentin Pervizi ushtarak dhe mbas 45 vitesh interrnim
Valentin Pervizi ushtarak dhe mbas 45 vitesh interrnim

Drama jetësore e Valentin Pervizit…

nga Ilir Seci

Në një nga esetë e tij poeti dhe disidenti i famshëm polak Çeslav Milosh shkruan: “Vetëm një përqindje e vogël e vuajtjes njerzore mbrrin të mbartet në letërsi, ndërsa shumica e asaj vuajtje zhduket pa gjurmë!”
Koha me forcën e vet konsumuese fshin shumë nga gjurmët e jetës, shumë nga përvojat e tmerrit që për ata që i përjetuan ishin të rënda shekuj të tërë vuajtjesh të marra sëbashku! Vendi ynë, për fat të keq ka një trashgimi të hidhur të kësaj natyre. Si shumë vende të botës edhe ne kaluam nëpër tmerrin e totalitarizmit, periudhe e cila ka lënë shumë vragë në shpirtin dhe kujtesën e njerëzve, e për më tepër në gjithë vetëdijen tonë shoqërore.
Janë shumë jetë të humbura në dënime politike, shumë gjyqe të montuara, shumë vite jetë të ndrydhura burgjeve, shumë jetë të gjata të kaluara nën dhunë, të shumtë femijët që nuk njohën ligjësi tjera veç atyre të kampeve të internimit, realiteti rrethues i të cilëve kufizohej vetëm prej telat me gjemba!
Valentin Previzaj ishte një djalosh plot dëshirë për jetën! Ai studionte për ushtarak në Milano – aty ku ëndërronin të ishin akademistë edhe bij mbretërish… Në Akademinë Ushtarake Italiane!
Student i shkëlqyer, në shkollën e duhur! Aty njeh dhe vajzën e endrrave të veta, vajzë e një pedagogu italian, me të cilën njihen në një mbrëmje të shtruar për nder të studentëve më të mirë ku përfshihej ai vetë! Valentini dashurohet me italianen bukur por vëth në vesh ka fjalët e Babës:  “Mbaro studimet dhe kthehu në Atdhe!” …Dhe pavarësisht nurit marramendës të italianes Valentini i kërkon vajzës (Maria Gorizia Mannini quhej ajo) që nëse e dashuron, ata duhet të kthehen në Shqipëri!

Marcel Hila - Perla në Plagën e nji Martes
Marcel Hila – Perla në Plagën e nji Martes

Martohen në Itali dhe vendosin të kthehen në Shqipëri në fund-nëntorin famëkeq të vitit 1944!
Me të mbërritur në Shkodër, te godina e Postë-Telegrafit arrestohet! Çfarë ndodh mbas atij arrestimi është subjekt për filma… Nusen italiane e kthejnë në vendin e saj dhe Valentin Pervizi pret plot 47 vjet që të ribashkohet me gruan e tij!
Nuk ishte ribashkim pse e mallkuan orët a zanat e maleve, s’ishte nga ato nëmat e bjeshkëve… Jo, zemëratat e orëve dhe zanave idhnake të legjendave nuk mund të krahasoheshin me murtajën e kuqe të quajtur  komunizëm shqiptar! Diktaturë Proletariati, ku jeta e njeriut nuk kishte kurrfarë vlere nën shtypjen e asaj makine vrastare…
Një jetë!!!! Krejt jeta e këtij njeriu shkon burgjeve e internimeve vetëm e vetëm pse ishte djali i një gjenerali që diktatori e e kishte  cilësuar kundërshtar! Një jetë e një gruaje dhe nji jetë e nji burri që takohen pas 47 vitesh ndarje…
Në këtë vepër autori Marçel Hila ngre një parabolë ku evokon besimin, shpresën, dinjitetin, sakrificën…
Jeta e Valentin Pervizit ishte “Perla” e shpresës për atë vetë po edhe për gjithë bashkëvuajtësit, të cilet i mbajti gjallë gjatë viteve të kalvarit komunist…
http://illyriapress.com

Perla në plagën e një martese*

nga Marçel Hila

Kostandini dhe Doruntina
Kostandini dhe Doruntina

Ndërsa ishim te varrezat, shoh një burrë në moshë, plak, që na u afrua. Nga pamja, nuk ishte si ata të zonës. Një palë rroba elegante, pantallona të hekurosura, këmishë të pastër, këpucë luksoze dhe një kapelë në kokë, tregonin se ai nuk duhej të ishte banor i fshatit. Plaku më pyeti:
-Keni ardhë prej Shkodret?
-Po – i thashë.
-Kur doni me kthye?
-Sot, sapo t’hamë bukë, pas rreth dy a tri orësh.
-A mund të vij me ju? Kam edhe vajzën me vedi… – më pyeti.
-Po pyes italianin, – i thashë, – t’huajin që kam me vete.
Ia përktheva kërkesën italianit.
-Mirë – më tha – pa problem. Kemi dy vende të lira pas. Të vinë e të rrinë aty, – tha italiani.
Ia thashë përgjigjen Ai u gëzua.
Po shkonim te shtëpia e vendaliut dhe pasi të hanim bukë, do të niseshim. I thashë plakut që pas rreth dy orësh duhej të ishte afër shtëpisë së bujtësit tonë.
Në drekë na priste një qengj i pjekur. Uji i ftohtë e i lehtë na e treste ushqimin. Dikur erdhi ora të dilnim. Plaku me të bijën kishin ardhur e po prisnin afër makinës. U përshëndetëm me të zotët e shtëpisë që na kishin buajtur. Morëm pasagjerët e u nisëm. Filloi malorja, që do të na shpinte deri në lartësinë e rrugës së shtruar, Qafës së Thores. Italiani e kishte zakon që, pas buke, të flinte, të kotej në makinë. Uli kokën, u përgjum e pas pak, nisi të lëshonte një gërhatje të lehtë. Atëherë, për të thyer heshtjen, për të mos e lënë pa bisedë plakun, mora ta pyes:
-Për ku jeni nisur?
Më tha: -Për Tiranë, por nesër nisem për Itali.
-Kë ke në Itali? – i thashë.
-Kam familjen – tha. – Do të nisem me traget prej Durrësit për në Trieste.
-Keni kohë që keni ikur? – i thashë.
-Po – tha – rreth 8 vjet.
-Po si ike në këtë moshë? – i thashë. – Keni ba bashkimin familjar me fëmijët?
-Jo! – m’u përgjigj – por më ka marrë ni shok, ni mik i ngushtë. Manej, unë kam marrë familjen.
Ti – ia ktheva – kenke nji rast i veçantë. Të gjithë fëmijët kanë shkuar të parët, mandej kanë marrë prindërit; ti ke shkuar në këtë moshë e ke marrë fëmijët? Po më çudit!
-Po – tha – duket kështu, por mu m’mori ai miku, e manej bame dokumentat e bashkimit. Asht histori shumë e çuditshme, me fat.
-Si ka ndodhë? – e pyeta.
-Kam kenë i internuem n’Lushnjë – më tha – n’Gradishtë.
-Ashtu? Të internuar?
-Po, se ishim familje e persekutueme. Babën ma vranë forcat e ndjekjes. Edhe axhën. Vetëm se ishim shpi bajraktarit. Mandej, erdhi radha e jeme me më futë n’burg. M’arrestuen kur po kthehesha prej punet n’shpi. M’kanë çue n’Kodërshnjergj, se atje ishte dega e mrenshme e Shalës! M’kanë torturue e masakrue, saqë dëshirova deken. M’ka torture ni farë Xhemal Selimi, m’ka masakrue aq shumë, sa kam mallkue ditën që kam le. Manej m’kanë çue n’kamë prej Thethit n’Shkodër. Thashë se po des prej lodhjes. U dënova; mora dhetë vjet burg, por bana shtatë. Kur dola prej burgut, ktheva këtu, te shpija e jeme. Mbas pak u martova. Pak vjet mbrapa, disa familje t’Thethit u arratisën në ni natë me stuhi e borë prej Qafës së Boshit, atje, te ajo gryka atje, te ajo maja –  e malësori kthehet pak e më tregon me gisht një majë mali të mbuluar me borë. Nuk munda ta ktheja kokën shumë, sepse po grahja makinën, por e pashë atë kreshtë. – Atëherë, prej friget se mos kjo gja mund u përsërite, pra që mund t’ikshim edhe na t’persekutuemt e t’ia mbathshim ba me na u dhanë munsia, ne, familjeve me probleme, ni ditë t’vjetit 1965, pa paralajmërim, na mblodhën t’gjithë sa kjemë, na hypne n’kamiona e na çuen n’internim, n’katunet e Lushnjës. Aty na lanë e s’na prunë ma ktu n’Theth. Desht Zoti që isha i martuem e me familje, me grue e fmijë. Xume vend n’atë strofull e atje mbetme. Punë vetëm n’bujqësi. Kam gjashtë fëmijë. Sot i kam t’gjithë me vedi n’Itali. Janë n’punë te tanë. N’Lushnjë, n’internim, n’Gradishtë, xuna ni mik t’mrekullueshëm. Ni mirdituer. Ai kishte msue n’Itali. Ishte martue atje me ni italiane. Kanë ardhur n’Shqipëri me jetue e ç’atë ditë që kanë ardhë, e kanë arrestue. Kish pa qëllue me kenë e nesërmja e hymjes t’komunistave n’Shkodër. E kanë arrestue e dënue n’vend, ndërsa t’shoqen ia kanë nisë m’Itali. Ai, derisa ra komunizmi, vetëm burg e internim ka ba. Deri sa erdhi liria e u bashkue me t’shoqen. Ai m’ka marrë mue e manej, mora familjen. Sa ishte ai gjallë, tanë ditën rrijshe me të, ç’atje, m’Itali. Tashti diq, kët dimën, vjet. Kam mbetë vetëm, po due me t’thanë se s’kam shok tjetër ç’atje, s’kam miq e t’njoftun. Pranej, kam ardhë me gjet vorret e shpisë teme, me i rregullue e me i pasë gadi për kur të des, se ai i shkreti hini m’dhe n’tokë t’huaj. Mos e thashtë Zoti me u vorros m’tokë t’huej, por ia kam lanë me amanet fëmijve me m’pru ktu, kurdo që t’des. Tashti që s’kam ma miq e shokë, s’më kalon koha. Mërzitem shumë…
-Kush ka qenë ky mik – i thashë – që të ka bërë këtë nder?
-S’ma merr mendja se e njeh – më tha.
-Po ndoshta edhe e njoh. Ti ma thuaj emrin e tij, se ndoshta edhe ia kam ndigju zanin.
-Valentin Pervizi; por tham se s’e njeh, je i ri.
-E kam njohë shumë mirë! – i thashë.
-Kë? Valentinin? Ku e ke njoftë? – më pyeti. I thashë se:
-E kam njohur te një i afërm i imi, që ka kenë edhe ai n’internim n’Lushnjë, n’Gradishtë e n’Grabian, vite ma parë; atje njeriu im e kishte njohur Valentinin. E ka pasur mikun ma t’ngushtë; kur ky i afërmi im ka martu vajzën e tij, e ka thirrë Valentinin n’darsëm. Ka ndenjur nji javë n’Shkodër atëherë. Atje e kam njohur dhe në nji prej atyne ditëve që po rrinte atje, m’ka kallzu historinë e martesës së tij. Nji vuejtje e madhe.

Valentini dhe shoqja Maria Gorizia (1941)
Valentin Pervizi dhe shoqja Maria Gorizia Mannini (1941)

Dhe ia tregova me pak fjalë, por pa episodin e asaj gruas që i kishte parë letrat.
-Vetëm – i thashë – se ai ishte i sigurt se ndamja e tyre do të zgjaste 47 vjet. Kështu m’ka thanë.
-Po – tha – ai ka pasë ni histori t’dhimbshme, t’lidhur me ni paralajmërim.
-E di – i thashë – por s’desha me ta thanë. Ma ka kallzu, por edhe m’ka thanë se rrinte me shpresë, me shpresën e bashkimit. Veç di edhe nji diçka. Sipas asaj që m’ka thanë, viti 1991 duhej t’ishte viti i bashkimit t’tyre. A ndodhi tamam kështu? A u bashku tamam n’vitin 1991?
-Po, po, tamam ç’ashtu ka ndodhë.
-Po si asht bashku me gruan? – i thashë. – A di gja si e gjeti? Nëse s’gabohem, ai s’e kishte ma adresën e s’shoqes e as ajo adresën e tij. S’kishin çu letra e ishin nda, kishin humbë lidhjet.
-Ah – më tha – si e kanë gjetë njani-tjetrin? Ka kenë e dhimbshme. Janë gjetë në nji mnyrë që s’ndodh kurrë, ka kenë e dhimbshme shumë. Ka kenë vjeta 1991. Prill. S’e di a t’kujtohet, por ishte koha kur njerzia po merrshin barkat n’Durrës e n’Shnjin e ikshin m’Itali. E shoqja e tij i paska pa kto punë n’televizion. Ka pa shqyptarë tuj ia msy t’unshuem e t’maruem që vidhshin barkat e mdha e mrrijshin gadi t’dekur n’breg t’Italisë, kuku ma mirë, e kërkojshin nimë. Atëherë, ka thanë me vedi: ‘Teshti njerzia po ikë, e s’po u thotë kush gja ma!”. Si duket, punët po ndryshojnë’. Kshtu që, e pleqnoi me e zgidhë në nji mnyrë…
-Po si?
-Po ta tham: N’prill të vjetës 1991, Valentini vazhdote me jetue n’Gradishtë, n’Lushnjë, se hala s’kish pa marrë rrugë kjo puna e jonë, e t’internuemve, por ai s’kish ku me shkue n’Shkodër a n’Mirditë e as me gjetë strehë diku – filloi plaku të më tregonte përsëri. – Fëmijët e t’vëllait gjetën rrugën e ia mbathne edhe ata. Ikne n’Jugosllavi e manej shkuen n’Amerikë. Ka kenë gjenje e keqe fort. S’kishte kurrgja. As bukë, as furnizime, askurgja. S’e di si kena teprue gjallë. Ai i shkreti, manej, ka vuejtë shumë, sepse ishte vetëm, s’kishte ma kërken. Kena jetue afër krejt. Na bleme ni televizion bardh e zi, t’përdorun. Kjo, aty kah shkurti i vjetit 1991. E bleva nji ditë, n’Lushnjë, te nji dyqan vjetërsinash. Shkojshim e vijshim te njani-tjetri si zakonisht, por kur mora televizonin e n’ditët e tjera, Valentini filloi me ardhë te na ma shpesh, se shihte lajmet e ndonji program, se italishten e dite e zhurmues s’kishte ma. Nji ditë, i shkreti, ah, sa na e ka kputë shpirtin atë ditë, – erdhi te na me pa televizion. Ishte e diele. T’dielën, te italiani u nepke ni farë: Domenica in. E mbaj mend shumë mirë atë ditë, sepse, aty… i shkreti” – dhe plaku ndalon për një çast fjalën e humbet në mendime… Priti priti, dhe fshiu një lot që ia veshi sytë. Pastaj, ia nisi edhe njëherë: – “aty, atë ditë ka vuajtë shumë, i shkreti, i shuemi. Ishte kund kah ora dy e gjysë mbas mjesditës. Sa kish pa hangër nji kashatë bukë e erdh me nejë te na. Ishte ul n’ni karrige, si zotni i madh që ishte. Rrinke pa fjalë, e s’trazojke kën, me kryet pak t’përkul, i lodhun e i këputun. Filloi programi. Duel nji burrë që flet shumë, flet shumë ai, me gra del gati gjithmonë, me fjalë të mdha, nji farë Pipo Baudo, se e shohim edhe tashti atje, n’Itali, me kangë e dyzene. Ky Pipo, e hap programin me kto fjalë n’italisht – na s’kuptonim gja, por Valentini po. Ky Pipoja sa ka dalë – se na i kallzoi Valentini manej – kish fillue emisionin e kish pa thanë: – Po e hapim këtë emison me ni lajm t’fortë. Kena nji kerkesë t’randsishme, t’madhe. Me shpresën që televizioni italian shihet edhe n’Shqypni. Valentini i shkretë, kur kishte nigjue fjalën Shqypni, sikur i kishte hapë pak sytë. Ai Pipo kishte vazhdue e ka thanë se nji grue kërkon burrin e vet, që asht n’Shqypni, e që janë da qysh prej 47 vjetëve, kanë hupë lidhjet me njani-tjetrin për arsye të regjimit, se ai ishte i burgosun e i internuem e s’kanë mujtë me majtë lidhjet. Valentini kishte hapë sytë. Pipo ka thanë se kjo grua asht ktu e kërkon burrin e saj: Valentin Pervizin. Na vetëm kena ndigjue emnin e Valentinit në televizionin italian e kena hapë sytë me pa si ishte puna. Kur kena pa ni grua t’bashme, n’moshë, aty kah 65 vjeçe që përshnette me dorë kah ekrani, me shpresë që ai ta shihke. Kur Valentini ka hapë sytë e ka pa Goricia Maninin, gruen e vet, t’plakun, atëherë ni lot i ka rrjedhë faqeve. Desht me folë, me hapë gojën, me na thanë ne diçka, por s’mujti i shuemi e ra përtokë, kalahum. Nji dhimbje e kapi në gjoks. I ra infarkt. U mbulue n’djersë, u zverdh e mezi merrke frymë. Ç’ka kena hjekë me e pru n’vedi. Dy djemtë e mi kanë dalë menjiherë me vrap n’rrugë t’madhe për me gjetë nji makinë. Kanë vrapue fushave, se shpia e jonë ishte pak larg rrugës s’makinës, te zona e t’internuemve. Sa kanë mbërritë n’rrugë t’madhe, kanë fillue me i ba me sheja e me duer kamionëve që kalojshin… s’janë ndalë. Nji makinë, kur ka pa prej s’largut djemtë që i kanë ba me sheja se ishte puna për nji rast urgjent, ka ndalë. Atëherë, i kanë shpjegue shoferit se nji i sëmutë randë me infarkt ishte n’rrezik për jetën, mund të diste po kje se s’çohet n’spital. Shoferi ka ardhë deri te vendi ku jetojshim, te shpia e jonë. Atëherë, e kena çue n’spital. Atje, unë e grueja e jeme i kena nejë te kryet për shumë ditë. Dy djemtë e mij ma t’mdhaj kanë shkue n’Ambasadën Italiane n’Tiranë e kanë dhanë informacion se ku asht e ku jeton Valentin Pervizi, aj burri që e ka kërkue e shoqja prej televizionit, prej Domenica in. Manej aj u përmirësue pak n’spital. N’atë kohë ka kenë ambasador italian nji farë Torkuato Cardili, s’e di a e mban mend? Unë e mbaj mend, se ai u interesue me e zgidhë punën e tij. Bani t’pamujtunen që t’nisshin menjiherë praktikat për bashkimin familjar t’Valentinit me t’shoqen. E ia bane letrat. Tashti mbetej vetëm puna sesi do t’u bate takimi mes të dyve. Mbasi ambasada italiane ka folë me t’shoqen, i ka kallzue asaj edhe se ai kishte pasë infarkt e se gjendej n’spital. Valentini tashti e dinte se grueja e kish pas gjetë, se letrat po u bajshin gati, e se aj do t’u bashkojte me të. Puna ishte se ku do t’u bante takimi i parë mbas 47 vjetëve. N’shpi? Nuk kishin siguri ta nxjerrshin. T’prisnin deri sa ai t’përmirësohej? Ai ishte përmirësue, edhe mirë. Gjithsesi, nji ditë do t’u takojshin, s’mund t’vazhdojshin me nejë t’ndam prej frikës se po iu krijojshin emocione t’forta. Veç t’mos u takojshin aspak! Por kjo s’kishte kuptim. Atëherë, mbasi e menuen punën, e shoqja, ambasada e doktorat, vendosën me e ba takimin n’spital. E shoqja thotë se, edhe po t’pres nji vjetë, a ma garanton kush se s’ka me pasë ai i shuemi emocione t’forta? Doktorat thojshin se puna ishe se a i bante ballë zemra e tij n’takim? Pra, gjanat s’mund t’prisnin ma gjatë. Kështu që u pa ma e arsyeshme që Goricia t’vijke n’Shqypni për takimin që do t’u bante n’spital, ku kishin me kenë edhe doktorat aty, që po pati kriza a gja tjetër prej emocineve t’forta, ata t’ia garantojshin nji ndërhymje menjiherë. Kështu Goricia, e lajmërueme prej ambasadës, erdhi n’Shqipëri. Iu tha se takimi do të bahej n’spital. Ditën s’e mbaj mend. Ka mundësi që ka kenë fillimi i majit i vitit 1991. Atje, n’spital, atë ditë, kam pa skenën ma prekëse t’krejt jetës teme, ma t’vuejtun që mund t’kem pa qysh kur jam në ktë jetë e që s’do ta harroj sa t’jem gjallë; ma t’dhimbshmen, por edhe ma t’bukurën.

Romeo dhe Xhulieta
Romeo dhe Xhulieta

Valentini e dinte se atë ditë do t’vinte e shoqja prej Italie për me u takue me të. Gjatë ditëve para ktij takimi kishte ba shumë përpjekje ta mbante veten, të mos dorëzohej, të mos lëshohej, të mos nxjerrte asnji pikë loti, si burrë i fortë që ishte, si burrë malesh e me zakone të nalta. Kështu që ishte përgatitë për atë takim. Unë, grueja e vajza e jeme, po i rrijshim te kryet, n’dhomën e spitalit, te Reparti i Zemrës. Ishin edhe njerëz t’tjerë, pjestarë t’familjeve t’internuemve që jetojshim bashkë atje n’koloni. Dy djemtë e mi e njerëz t’tjerë, pjesëtarë t’këtyre familjeve t’internuemve, kishin shkue me marrë Goricien. Na po pritshim. Kaloi kohë dhe… ndigjuem hapa n’korridorin e spitalit. Ishin shumë kambë e nji za gruajet që fliste italisht. Erdhne… dikush po përkthente. Ishte përkthyesi i caktuem prej ambasadës. Djemtë i kishin kallzue dhomën ku gjendej Valentini. Na ishim tuj dekë prej emocioneve. Kur… zani  u ba ma i fortë, afrohet. Nji grue n’moshë, e bashme, nji zonjë e vërtetë, hyni mrena e menjiherë hodhi sytë kah shtrati ku gjenej Valentini. Na po përpinim deri n’imtsitë ma t’vogla, çdo gjest, çdo lëvizje. Sapo grueja u pa te dera, gjaja e parë… ishte nji shikim i tyne, sy m’sy. Ajo u topit, u step, u trondit, menjiherë ia dha nji t’kjamje, nji vaji t’thellë e me lot, që i shkojshin rrkajë. Asi vajtimit s’kam pa kurrë n’jetën teme. Nuk donte t’kjante, se ishte e porositun prej ambasadës e prej doktorave. Ia kishin thanë kjartë që t’mos e lëshonte asnji pikë loti, për mos me e trazue e mos me e tronditë Valentinin. Por s’mujti, s’kje e zoja me e mbajtë vedin. Valentini i shkretë nuk kjau, por sytë veç s’ia hoqi për asnji dekik e shikjoi çdo gjest t’sajin. Manej, nji lagshtinë ia veshi sytë; dy lot t’madhj i rrodhën poshtë faqeve. Goricias iu afrue nji karrige. U ul afër shtratit t’Valentinit, te kryet. Filloi t’ia puthte faqet me gropa e t’vrame, ballin me rrudha, flokët e pakët e t’thijun, ata që i kishin mbetë, sytë e shenjtë e t’përvuajtë prej martiri të t’shoqit. Nuk flitnin, s’mund t’flisnin asnjani e as tjetri. Vetëm kjanin. Valentini me lot t’nxehtë, pa fjalë, n’heshtje që i shkojshin lumë. Goricia kjante me dnesë, me za t’mbytur, si zojë e madhe. Të gjithë sa ishim n’dhomë filluem me kja. Kurrë n’jetën teme s’kisha pa nji ksi gjajet. Ajo ia merrte duart e tij t’mdhana, krejt me eshna, prej vuejtjeve e lodhjeve t’shumta; i kishte i shuemi duert me kallo, si me pa kenë duer hamallit e ia puthte e ia vente te faqet e saj; manej, filloi me ia lmue flokët e ballin. Ulej e ia merrke kryet e ia vete për faqe t’saj. Filloi me ia shi lotët prej faqeve. Hë ç’lot! Gëzimit a vuajtjet? Kush e din! Ashtu ndejen gjatë. Na vetëm shikojshm e kjajshim, pa fjalë, me dhimbje n’zemër. Kaloi do koh pa asni fjalë, pa as edhe nji fjalë. Po flitte vuejtja e halli. Nji plagë e madhe ishte para syve tonë, që s’ishte pa kenë mbyllë kurrë, tashti ishte hapë e po kullonte gjak. Ishte gazepi i madh i nji marteset që e kishin vra. S’po kjahej nji i dekun, por nji martëse e vrame. Po e shihshim kjartë vuejtjen, mallin, mungesën e njani-tjetrit, dashninë që ua kishin dhunue e që po na i bate zemrat copë. Vedit, sesi na erdhi nji respekt i madh e s’e hapi kurrkush gojën, por pa fjalë, rrijshim tuj shikjue: flitke halli vetë.
Ma n’fund, mbasi kaloi shumë kohë ç’ikshtu, mbasi u derdhën shumë lot, Goricia i foli Valentinit: “Qe Valentin, kaluen plot 47 vjet. Doli ajo fjala që na e pat thanë ajo gruaja. Ah sa kena vuejtë! 47 vjet t’shkueme kot. Humbme jetën bashkë, humbme fëmijët që s’i patëm. Nji familje s’u çue kurrë n’kambë!”
Goricia nisi edhe njiherë me kja.
Valentini doli edhe ai prej heshtjes s’gjatë e me zanin e tij t’butë, por t’vendosun, tha:
“Jo, Goricia, s’asht taman ashtu, s’ka pasë vetëm t’keqe prej ksaj ndamjes tonë. Ti s’e din, kjo asht e vërtetë: kjo ndamje, kjo vuajtje, ka shërbye shumë e ka shërbyer edhe për mirë!”.
“Për çka ka shërbye për të mirë Valentin?” – tha Goricia, e tronditur prej çudisë kur ndigjoi kto fjalë.
“Ka shërbyer për me dhanë shpresë e me mbajtë andrrat e shumkujt gjallë, Goricia. Unë ia kam kallzue shumë miqve e t’njohurve historinë tonë, perlën e paçmueme që kishte mbrendë plaga e martesës tonë t’ndame. Veç ta dish se sa vetë janë mbajtë me shpresën se komunizmi do t’rrzohej, se gjithçka e keqe do t’përfundonte, se do t’vinte liria, taman prej kësaj dhimbjet që vuejtëm e shpresës së madhe që ajo kishte mbrena”.

Dashuri Pertej Njerzores (pikture Nino Spahi)
Dashuri Pertej Njerzores (pikture Nino Spahi)

Pjesa e fundit e novelës me të njejtin titull e Marcel Hilës

 

 

Related Images:

More articles

1 Koment

  1. Historitë dhe tragjeditë shqiptare nën komunizëm shpesh kapërcejnë edhe legjendën.
    Kjo histori, ka në dukje ka gjithçka të pabesueshme, porpos faktit që është një e vërtetë… Nji dashuri dhe martesë që jetoi ndarjen për 47vite… dhe në fund ajo që as përrallat nuk e rrëfejnë!!!!

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.