back to top
13.5 C
Tirana
E mërkurë, 18 Dhjetor, 2024

Perla poetike të poetit heretik Fatos Arapi – Në nderim e kujtim të tij, përgatiti Anton Çefa

Gazeta

Poeti Fatos Arapi (1930)
Poeti Fatos Arapi (1930)

Perla poetike të poetit heretik Fatos Arapi

Në nderim e kujtim të tij, përgatiti Anton Çefa

Stuhia

Njërin krah të pulëbardhës e mbushte jugu
tjetrin krah tramundana.
Në gojë të dallgëve e reve
klithja e zogut digjej nën shira.
Mbi mua e nën mua shpirti
apokaliptik i një perëndie të egër.
 
Gjeni e poezisë buzëqesh
dhe sundoje tani kaosin.
.

Akeronti rrjedh, po Karont nuk ka

Si të kthehem prapa kur udhën s’e di?
Prej pikëllimi lumi buçitës i natës
rrah brigjet e errëta këtu.
 
Akeronti rrjedh, po Karont nuk ka.
Tregomë një va ku të kaloj.
Ti i njeh guvat e vorbullat e frikshme.
Tregomë një va, vëllai im,
ku të kaloj Akerontin
dhe të arrij.
Akeronti rrjedh, po Karont nuk ka.
 .

Perëndia e shqiptarëve

Kot – luftë.
Kot – vdekje.
Kot – shpresë.
Perëndia e shqiptarëve akoma mendon…
 
Demagogë idealet.
Tragjike liritë.
Komike shpresat.
Perëndia e shqiptarëve mvrenjtet,
shtriqet,
akoma mendon.
S’e thotë që s’e thotë
një fjalë perëndie… 

Gjiri i papirë

“Në çdo gjysëm sekonde vdes në botë një fëmijë…”
 
Një arkivol i vogël, gjysma e sekondës… 
T’u flas senateve, parlamenteve,
burrave të shteteve?
 
Si fëmija që heq gishtin prej goje,
me gisht t’u tregoja një gjysmë sekonde
që kundron brenda një varri?
 
Do të doja prej zemrave të nënave
të shkulja rrënjët e errëta të dhimbjeve,
që ndjell gjiri i papirë.
Dhe ju, duke shkelur mbi gjysma sekondash,
pse të shkoni në varreza fëmijësh,
ku trëndafilët ngatërrojnë fjalët e para –
të jetës apo të vdekjes?
 .

E sajoi reja zogun

E sajoi reja zogun e furtunës.
Sa ndjeu prekjen e krahut mbi valë,
u drodh deti im.
E qeshi e qau me dhimbje stërkalash.
 
Tani zgalemi tek unë godet,
rreh sqepin e fortë në shkëmb,
fjalë për fjalë rrokjëzon
shpirtin e tij.
 
Nuk është i bindur zogu,
a e kujton deti
dhe unë. 
 .

Si s’të desha pak më shumë…

Unë e desha përtej vdekjes,
ashtu dashurova unë.
Edhe prap s’ja fal dot vetes:
Si s’e desha pak më shumë… 
 
Pak më shumë ku shpirti thyet,
t’i them ndarjes: – Prit, ca pak… 
të gë mallin që s’shuhet,
kujtimin të gënjejmë pak.
 
Përtej vdekjes, përtej botëve,
atje ku nisë “ca pak” tjetër, –
Asaj që më rri mes Zotave:
 
“Si s’të desha pak më tepër…”
 .

Si mund të kalohet Llogaraja pa ty

Si mund të kalohet Llogaraja pa ty?
Me një kokërr portokalle në dorë,
Llogaraja si mund të kalohet pa ty…
Të pengohesh nëpër folera yjesh
të zgjosh e të trembësh zogjt’ qiellorë
që fluturojnë e fshihen fundeve të detit…
Një dhimbje bardhësie të kaltër,
njerëzore gjer në përjetësi!
Në duart e mia,
ky dallgëzim qiellor i deteve,
si dikur drithërimë e përmallshme e ijeve
të tua imcake.
Ky mall i përjetshëm Llogaraje
më mbeti në sy.
Akrokeraunet 
Vazhdojnë punën e tyre të përhershme:
prodhojnë vetëtima.
.

Mjellma e Liqenit të Ohrit

E uli qafën e brishtë
tek brinjë e Orionit.
 
Derdhur e tëra prej malli.
Mbi konstelacione yjesh
e fatesh lundron,
hutim i bardhë, mospërfillës i liqenit.
Befas shpirti i natës ndizet,
shkrumohet në këngën e saj.
 
Brerimë e lotëve shuan,
atje përposh,
prushanën e ndezur të Mjellmës Boreale.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.