back to top
6.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Përmes dallgëve… rrëfim i nji emigrante

Gazeta

Anija e Shpresës - Gusht 1991
Anija e Shpresës – Gusht 1991

Përmes dallgëve…

rrëfim i nji emigranteje paemër

Sqarim: Kjo është histori e një emigranteje shqiptare paemër…
Nji rrëfim në kufijtë e së pabesueshmes…
Nji film i rrëfyer me vetëm 1600 fjalë…
Mbasi e lexova, mendova se mjaftonte…
Më pas, pata nji seri hamendësish dhe kureshtjesh…
Shkrimi ishte i paemër, dhe u mundova të gjeja ndonji emër… Po asgjë.
Shkrimi kishte pasur 1304 bashkëngjitje, nji pafundsi lexuesish
dhe pafundësi komentesh nga më të ndryshmet.
Bëra nji analizë të thjeshtë shkrimit.
Nji gjuhë të thjeshtë dhe bindëse, shkruar me densitet dramatik,
ngjarje të besueshme po pak si tepër të ndodhura një njeriu të vetëm,
e në mosrespektim të shumë rregullave gramatikore…
E mora përsipër paraqitjen e këtij shkrimi,
sepse aq shumë i ngjan nji filmi… aq afër së vërtetës së jetuar.
Mendoj se edhe sikur të mund të jetë nji sajim,
(mundet) ka plot elemente të vërtetë brenda tij…
E korigjova, pa i lëvizur asgjë nga stili dhe dinamika e rrëfimit…
Uroj që e zonja e këtij shkrimi kaq shumë të lexuar e komentuar,
dhe kaq shumë të shpërndarë në botën virtuale… të këtë kurajon,
siç e ka dëshmuar edhe përmes këtij rrëfimi prekës… të thotë: Jam unë…!
j.radi, maj 2014
.
Dhimbje gruaje...
Dhimbje gruaje…

Unë jam një vajzë tashmë 29 vjeçe, historia ime fillon në vitin 2000, kur në Shqipëri ende kishte armë kudo! Isha vetë 15 vjeçe atëhere dhe jetoja me mamin, vëllanë e vogël dhe gjyshërit e sëmurë. Babi kishte ikur ilegal në Itali.
Jetonim të qetë, edhe pse ishim të varfër… deri atë ditë që na morën në telefon dhe na thanë se babi im, që punonte në ndërtim kishte rënë nga skela dhe meqë punonte në të zezë, pronari thjesht e kishte çuar deri në spital dhe e kishte lënë aty…
Duhej dikush të shkonte dhe të kujdesej për të, dhe ta identifikonte, sepse nëse nuk shkonte askush spitali e nxirrte dhe e linte në mëshirën e Kryqit të Kuq dhe shoqatave të emigrantëve.
Mami nuk shkonte dot për shkak të vëllait të vogël. Asnjë kushëri i joni nuk e mori përsipër. Atherë i thashë mamit se do ikja unë, por nuk më lejoi… kështu ika pa lejen e saj, takova vetëm gjyshen, e cila më dha disa para. I preva flokët si djemtë (zero) dhe u nisa për Durrës.
Në port hipa në disa tragete, por me nxorrën disa herë me të shtyrë… Kur më zbritën nga trageti i fundit, një grua me 3 fëmijë të vegjël më tha: “Ik biro se nuk të lëjnë qenat të kalosh!”. Të ishte për mua, ikja andej nga moli dhe hipja në gomone, po kam hall se më vdesin fëmijët. E pyeta se ku ishte moli dhe u nisa… Po errësohej… Ecja përgjat bregut për dy kilometra duke fshirë lotët dhe duke pëshpëritur me vete: “Do vijë unë babi, ke për të parë, do vij dhe do të gjej… Gjallë a vdekur…!
Nga larg pashë zjarre… U afrova, ishin rreth 50 vetë dhe 4 gomone. Iu afrova njërit prej pronarëve më të vjetër në moshë dhe iu luta të më merrte, po më tha: “Ik se nuk hyj në gjynah me një fëmijë…” Duke qarë ia tregova hallin tim. Më në fund, pas shumë e shumë lutjesh të mia, më tha: “Hip se nuk je dhe aq i rëndë, por me kusht që çantën mos e marrësh!” Mora vetëm qesen e bukës… dhe hipa… në gomone. Ishim 12 vetë… dhe në det të hapur nisi të bënte ftohtë…
Dridhesha e gjitha… një djalë rreth 18 vjeç më tha të mbështillesha nën xhaketën e tij… Hapa bukën dhe i dhashë gjysmën atij… Ai u hutua, por e mori… rrugës më zuri gjumi në kraharorin e tij. U zgjova nga klithmat… kishin nisur dallgët dhe gomonia po rëndohej… Ai që e drejtonte tha që: “Njëri do të hidhet në det që të shpëtonin të tjerët… unë isha aty pa paguar, por ai nuk më hodhi mua. Gjeti atë që ishte më i shëndoshi dhe e hodhi… U tmerrova… e pashë me sytë e mi. Tek mbytej ai thirri: “Ma bëj hallall nanë për…” dhe nuk foli dot më tepër… U shokova, por nuk nxorra zë… Më zuri përsëri gjumi dhe kur u zgjova pashë që dukej toka italiane.

Gomone klandestinësh...
Gomone klandestinësh…

Njerëzit nga gëzimi harruan se ishim në gomone dhe po kërcenin… Nuk e kuptova mirë se si, sepse isha dhe përgjumësh, por pashë që gomonia po fundosej… Kësaj rradhe do të vdisnim të gjithë… Ishim gati një kilomtër larg bregut… Po mbytesha, se nuk dija as not. Në momentin e fundit ndjeva një dorë që më kapi nga beli… e pashë ishte ai djali. Më bërtiti: “Nuk duhet të vdesësh… më dëgjove… do të jetosh se s’bën… Më dëgjon???” Tre metra më tej ishte një gomë makine, nëse e kapnim atë shpëtonim… përndryshe do fundoseshim të dy… Ik – i thashë – shpëto veten! – por ai nuk më lëshoi, arritëm të dalim deri në breg me ndihmën e atij objekti… Ishim të lodhur, të vdekur…
Në Bari kisha një kushëri të mamit. E kisha shënuar numrin e tij të telefonit. Ai do të më merrte dhe do të më niste në Gjenova, tek babi, në spitalin ku na kishin thënë… Por në breg, kur më thanë ta lija çantën, e kisha harruar numrin aty, dhe nuk e gjeja dot më atë të afërm në gjithë atë Bari, duke i ditur vetëm emrin…
Ai djali që më shpëtoi quhej Gjergj, dhe ishte nga Puka… Kur e pyeta pse më shpëtoi më tha: “Sepse ti ndave bukën me mua duke e ditur që në Itali do vdisje urie… Ti je njeri i mirë!”
Ai vendosi të më ndihmonte të gjeja babin, pastaj secili në jetën e vet. Në Bari blemë një kovë e dy sfungjerë dhe vendosëm të lanim makina, por askush nuk ndalonte sepse ishim aq shumë të pisët… Më kujtohet një grua që më dha lekë vetëm të mos ia prekja xhamin e makinës… Na u mbushën të dyve sytë me lotë nga veprimi i saj… Kishim hall sa të bënim lekët e biletave, e nuk do punonim më aty…
Një mbrëmje na rrahën bullgarët, sepse ne pa e ditur po punonim në territorin e tyre, na bënë të vdekur… Kur u përmenda e gjeta veten afër kazanit të plehrave të gjakosur. Ata nuk e kishin kuptuar që isha femër… Gjergji ishte pak më tej, ai nuk lëvizte, ishte më keq se unë… i përgjakur… Na i kishin marrë dhe ato pak para të fituara me mundim… Qaja mbi fytyrën e tij dhe nuk e di sa qëndrova ashtu… Dikur Gjergji lëvizi…  Ishte gjallë! “Falemnderit o Zot!” – thirra. Kërkoi ujë… Aty na ndihmuan disa marokenë. Na morën në një kapanon ku jetoninn më shumë se 300 emigrantë… për ne nuk kishte vend, prandaj na çuan në një dhomë të vogël diku në fund. Na sollën vetëm një copë sfungjer dhe një copë bukë… E ula Gjergjin që ishte katandisur më keq se unë… Bukën e ruajta për të… nuk doja të vdiste.
Të nesërmen njoha dy shqiptarë dhe iu tregova historinë. Ata na sollën bukë. Pastaj menduan të bëja ndonjë punë. Ishin punësuar në një fabrikë që bënte lëng frutash. Me sollën nëntë arka me portokalle e një shtrydhëse mekanike. Në mbrëmjë erdhën dhe morën lëngun. Kështu vazhdova një javë. Duart m’u enjtën dhe m’u bënë me puçrra. Bukë haja pak, sepse pjesën më të madhe e ruaja për Gjergjin… Udhëtoja çdo ditë tre kilometra për të blerë qumësht dhe bukë për të… Flija përtokë që të shërohej ai… Shumë netë trëmbesha në gjumë. Shumë netë na zinte gjumi duke qarë. Derisa një natë i thashë: “Gjergj, kam dëgjuar se nëse ia shpëton jetën dikujt, ajo jetë të përket ty… Ai qeshi dhe tha: “Mes nesh nuk ekziston asnjë borxh! Rri e qetë…! Pasi kaloi një javë shkoj të marr lekët që më takonin nga puna. Pronari më pyeti se nga isha. I thashë të vërtetën dhe gjithçka tjetër që më pyeti. U prek nga historia ime dhe vendosi të na e paguante ai biletën për në Gjenova. Të nesërmen u nisëm. Sapo zbritëm, në Gjenova, bleva një kartë telefonike dhe mora mamin te telefoni i një komshijes. Babi ishte ende gjallë në të njejtin spital… Shkuam atje në spital. Ishin edhe gjashtë emigrantë shqiptarë me të njejtin dëmtim. I parafundit ishte babai im. E gjeta të shtrirë aty… Ishte rrënuar shumë… Ai qau nga gëzimi… kaluan disa ditë unë dhe Gjergji në Gjenova. Flinin te hyrja e një pallati. Një ditë drejtori i spitalit na thirri për të paguar faturën. Shkuam… I thashë se nuk kisha gjë tjetër veç shpirtit… Nëse lajmëronte policinë, thjesht do të na kthenin në Shqipëri ku kishim vetëm një shtëpi që po ta tundje me dorë binte… Ai nuk na bëri keq, përkundrazi na gjeti një vend në lavanteri dhe një punë… Të hekurosnim çarçafë… Ishte një mrekulli për ne. Do të kishim një strehë dhe do të ishim në spital, afër babit. Kjo normal që ishte një veprim ilegal. Pas tre muajsh, babi doli nga spitali. Ndërkohë u bë i gjallë një kushëri i tij, dhe i gjeti punë në një karburant. U kthyem në dhomën ku kishte jetuar babi më parë… Bashkë me ne edhe Gjergji filloi punë, por pas disa muajsh atë e merr në telefon daja që jetonte në Parma dhe ai iku… Kur e përcolla në stacion, gjysma ime vdiq me të. Do më mungonte tmerrsisht shumë miku im i mirë që më shpëtoi jetën dhe më respektoi si një motër.
Pas një viti morëm edhe familjen dhe u rregulluam mirë. Une mësova gjuhën e u futa në shkollë…
Kaluan pesë vjet dhe unë çdo ditë e kujtoja atë malësorin e ndershëm që më ndihmoi aq shumë… “Eh, sikur ta takoj një ditë!”- mendoja…
Një mbasdite, në sallën e leksioneve na erdhi një djalë. Ai kërkonte çantën e Profesor Luigjit. E njoha nga zëri. Po tashmë ishte një djalë i bukur, i pastër, i veshur mirë… Ishte Ai… Gjergji!!
U përqafuam… Ishte shoferi i pedagogut tim… Eh sa shumë mall kisha për të… Pas pesë vitesh ai ishte përsëri këtu… U ritakuam. Kishte dy vjet që më kishte kërkuar kudo nëpër Gjenova. Kishte shkuar tek shtëpia ku kishim jetuar të tre, por ne nuk jetonim më aty që kur morëm në Itali mamin dhe vëllanë. Më kishte kërkuar kudo ku kishim qenë bashkë dhe kurrë nuk i kishte humbur shpresat… Pas disa muajsh ai më tha se më donte, por jo thjesht për t’u lidhur, por për t’u fejuar… Ai ishte i bindur që më donte.
Tashmë ishim të rritur. Ai më tha: “Kur e ndeja si përpëliteshe në kraharorin tim e kuptoja që të doja, por ishte mëkat.. Ti ishe fëmijë. Isha unë që të zgjoja e të përqafoja, kur shihje makthe e thërrisje: “Baba, Baba… Po vij… Më prit të lutem”, isha unë që i ndjeja lotët e tu. Të kisha pranë, kur ti ruaje bukën tënde për mua, kur flije përtokë për mua… Kjo është dashuri… dashuri… dashuri… dhe tani që të rigjeta, ti je po e njejta, përsëri e brishtë… dhe unë dua të martohem me ty… Të lutem, më prano, kjo është dashuria e vërtetë!
Unë vetëm qaja…
U fejuam me dëshirën e të gjithëve. Babi im e dinte shumë mirë se kush ishte djali me emrin Gjergj…
Tashme kemi një djalë. Noa e quajnë! Jemi të lumtur. Unë nga Elbasani, ai nga Puka…
Një ditë Noa më pyeti: “Ku e ke njohur babin?!”
Dhe unë i thashë: “Përmes dallgëve!”

…Nuk duhet ta harrojmë asnjëherë, se sa shumë kemi vuajtur, për një jetë më të mirë.

Barkë e ndriçuar nga mjetet e Marinës Militare Italiane
Barkë e ndriçuar nga mjetet e Marinës Militare Italiane

Related Images:

More articles

1 Koment

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.