Përmirësimi i situatës…
dhe jo zgjidhjet radikale për arsimin në Kosovë*
nga Anton Berisha
Letër e hapur kryetarit të SBASHK-ut, z. Rrahman Jashari,
“Askush nuk mund të kalërojë mbi kurrizin tënd,
nëse ti nuk përkulesh.”
Martin Luther King
.
Rrahman,
ka kohë që nuk jemi parë e nuk kemi ndejtur bashkë. Në fakt, ka dekada, ndonëse jetojmë në të njëjtin qytet. Por, ne njihemi që në fëmijëri. Besoj, i mban mend ato kohë të rinisë, që në dallim prej sotit që kalohen me telefona e në objekte të mbyllura, ne i kalonim në natyrën e bukur të kodrinave të Pejës, në grykën e Rugovës, herë në futboll, herë në lumë e herë ngjiteshim malit. Më vonë jeta mori rrugën e vet, tash të shohë vetëm si udhëheqës i SBASHK-ut.
Nga ajo kohë, ka pasur raste kur jemi shoqëruar, sa mbaj mend, ke qenë te unë në shtëpi, dhe bindja ime e atëhershme ka qenë e mirë. Nuk kam pse të dyshoj as tash.
Besoj që angazhimi yt për të drejtat e mësimdhënësve ka qenë i sinqertë dhe hakikat – si i thuhet një fjale. Nuk është punë e lehtë e as përgjegjësi e thjeshtë. Arsimi është thelbi i shoqërisë, këtë duhet ta dijë çdo kush.
Megjithatë, insistimi yt, që me çdo kusht të vazhdohet me grevën, respektivisht me paralizimin e arsimit në nivel shtetëror është befasues për mua. Është Rrahmani, që nuk e kam njohur. Është pretendim, përtej të drejtës së çdo individi në një shtet, pra edhe në shtetin e Kosovës. Është një mandat që nuk i ipet askujt, në asnjë shtet demokratik. Sado i rëndësishëm të jetë personi, sado i rëndësishëm të jetë SBASHK-u, nuk mund të jetë vendimarrësi i fatit të arsimit, që është një sistem i përbërë, shumëpalësh dhe me dimensione që kalon edhe kufinjtë shtetëror. Është, me një fjalë universal.
Rrahman,
rezistenca thelbësore ndaj okupimit ka qenë arsimi, arsimtarët, nxënësit, prindërit, ata që shtëpitë i bën shkolla, kontributi i të gjithëve brenda e jashtë, me qëllimin që të mos ndërpritet shkollimi dhe të mos paralizohet sistemi arsimor.
Sot, megjithë pakënaqësitë, të arsyeshme, objektive e aty këtu subjektive, as përafërsisht nuk jemi në atë gjendje. Nuk ka vend në Europë që e paralizon arsimin.
Çështja e arsimit, sado që rrogat janë të rëndësishme, nuk mund të redukohet vetëm në rroga. Arsimi don një reform të gjithanshme e me pjesëmarrje të të gjithë faktorëve relevantë, në një proces që nuk do të jetë i lehtë e as i shpejtë. Prandaj, me plotë të drejtë kërkoni që të dialogoni me qeverinë, për rrogat, për kushtet, për cilësinë, për disiplinën, orarin, për të gjitha çështjet, por jo me metoda paralizuese.
Unë njoh shumë arsimtarë, e besoj që janë shumica, që janë për përmisimin e kushteve, por edhe për mbajtjen e mësimit. Të mos flasim për prindërit. Zgjidhjet radikale u takojnë sistemeve të shkuara, dialogu i arsyeshëm është karakteristikë e shoqërive demokratike.
Rrahman,
prandaj të kërkoj, që në të mirën e arsimit, që edhe vet ia ke kushtuar jetën, të japësh kontributin tënd, të normalizimit të gjendjes.
E përsëris, pretendimi që një person, apo edhe një grup personash për të marrë një vendim të tillë është i tepruar, është i pashembullt në Europë.
As Ti, as ministri i arsimit, as kryeministri, as presdidenti, as askush nuk e ka atë mandat.
Arsimi u takon të gjithëve, që nga koha e etërve të gjuhës tonë e deri më sot, e prej sot e deri në të ardhmen e pakufishme.
Anton Berisha
*Titulli redaksional nga Radiandradi.com
.
Marrë në murin e fb të Anton Berishës, 21 janar 2019