Përse t’i frikësohemi fundit të regjimit të frikës?
nga Albert Bikaj
Humbja e presidentit Gjukanoviq në zgjedhjet presidenciale për disa mund të këtë qenë befasuese, por për njohësit e politikës në Mal të Zi ishte e pritshme. Mbi të gjitha ishte më se e nevojshme. Ndonëse ky proces demokratik, në një shtet deri dje autokratik, duket i jashtëzakonshëm, abnormal, bile për disa i papranueshëm. Kjo flet shumë për sistemin që mbizotëroi deri dje: shteti identifikohej me një individ, me një parti. Kështu që rënia e tij deri në gushtin e 2020, propagandohej si rënia e shtetit. Natyrisht, narrativë klasike totalitare dhe autoritare – jo me kot qeveria e atëhershme e z. Gjukanoviq klasifikohej hibride, pjesërisht e lirë.
Por ndryshimet kanë filluar që dy vjete. Prandaj nuk e kuptoj panikun mbi zgjedhjet në Mal të Zi, sidomos brengosjen për shqiptarët. Shqiptarët në Mal të Zi nuk kanë qenë në pozitë më të mirë së kurrë; kryeministri është shqiptar, dy ministra janë po ashtu shqiptarë; tre komunat tona drejtohen nga vendasit. Institucione të rëndësishme drejtohen praktikisht nga shqiptarët e Malit të Zi.
Përse i gjithë ky panik? Nuk e kuptoj, për më tepër si shtet që është pjesë e NATO-s… Duket se traumat nga propaganda dhe narrativi i frikës tridhjetëvjeçare kanë lënë pasojat e veta. Frika është emocion i fuqishëm që të mjegullon arsyen.
Disa duket se harrojnë se Mali i Zi përbëhet prej popujve të ndryshëm, secili komunitet feston me flamujt e vet etnikë, kjo nuk është aspak çudi sado që ndokujt nuk i pëlqen. Qeveria 30 vjeçare abuzoi me pushtetin maksimalisht, kulturalisht i dha monopol kryesisht etnisë së vet, ndërsa politikisht dhe ekonomikisht vetëm rrethit të ngushtë. Jo më kot janë milionera…
Mali i Zi është shtet multietnik, pa dallim, asnjë flamur i popujve që jeton në Mal të Zi nuk është i huaj – na pëlqen apo jo. Të mos bëhemi më katolikë se papa. Mirë do ishte të respektohej ai shtetëror, por duhet fillua nga respektimi i kushtetues – me të cilin u abuzua këto tre dekadat e fundit. Pa këtë të fundit ky shtet nuk mund të jetë stabil, madje as shtet.
Prandaj nuk më vjen aspak keq që ish-krahu i djathtë i Millosheviqit që orkestroi bombardimin e Dubrovnikut dhe “Fluturimin e shqiponjës” humbi pushtetin. Ky regjim jetoi me përçarje dhe frikë; ky regjim është ndër faktorët kryesore që gjysma e Malësisë, Plavës dhe Gucisë emigroi në SHBA. Ky është ai regjim që mbajti peng, në varfëri Komunën e Malësisë. Po ashtu, ky është ai regjim që i keqpërdori shqiptarët si dekor politik, pa pushtet real; ne ishim rrota e tij rezervë pakusht, madje edhe atëhere kur malësorët tanë i keqtrajtonte dhe quante “terroristë”.
Ky është ai regjim që për dekada përbuzi dinjitetin tonë në mënyra të ndryshme, këtë e pamë edhe në zgjedhjet e tashme. E gjitha kjo për të mbështetë rrugën euroatlantike të Malit të Zi – të cilën si komunitet e kemi mbështetur të parët në Mal të Zi. Si komunitet të gjitha këto i përpime, por pa kurrfarë mirënjohjeje apo vlerësimi. Bile, na përbuzen; mos harroni se deri vonë flamuri shqiptar ishte ilegal! Janë këta që Dedë Gjo Lulit ia ndaluan shtatoren në Tuz, vendosën kishën ortodokse në Rumi, Nënë Terezën e shpallën “të papërshtatshme me parimet sekulare”, votuan kundër shtatorës së Skënderbeut në Tuz, etj. Të mos flas për gjuhën e turpshme ndaj Malësisë jo me larg se para 6 marsit…
Sidoqoftë, nuk jam entuziast as naiv për këtë fitore. Deri më tani dimë vetëm ato që kemi dëgjuar. Të presim e të shohim. Por për frikë dhe viktimizim nuk ka nevojë. E përsëris, pozita jonë si komunitet nuk ka qenë asnjëherë më e mirë qoftë ekonomikisht apo politikisht! Pa shqiptarët dhe pakicat tjera në Mal të Zi nuk ka formim qeverish, por as integrim në BE. Prandaj, flini të qetë!
.