back to top
10.5 C
Tirana
E shtunë, 21 Dhjetor, 2024

Persekutimi dhe dënimet e Familjes së Gjeneral Prenk Pervizit

Gazeta

Gjeneral Prenk Pervizi (1897-1977)
Gjeneral Prenk Pervizi (1897-1977)

Persekutimi dhe dënimet e Familjes së Gjeneral Prenk Pervizit

nga Lek Pervizi

Dokument i lëshuar nga Lek Pervizi, i biri i Prenk Pervizit,
përjetues i gjithë kohës së persekutimeve dhe dënimeve
të pjestarëve të familjes së tij,për të përcaktuar mirë kohën e dënimeve,
të cilat mund të figurojnë të pasakta në dokumentat
e Ministrisë së Drejtësisë dhe asaj të Brendshme
si edhe në zyra të tjera që merren me këto çeshtje.
Të mos harrojmë, se interrnimet dhe dëbimet janë bërë pa vendime gjyqsore,
por në mënyrën më barbare, duke i hequr njerëzit nga shtëpitë e tyre
dhe ngarkuar nëpër makina:pa emra e lista, ashtu rifuxho,
si t’ishin thasë byku dhe jo qenie njerëzore.

Gjin Pervizi i Skurajve
Gjin Pervizi i Skurajve
Në nderim të kujtimit të Gjeneral Prenk Pervizit,
që u largua nga kjo botë më 6 shtator 1977
dhe vuajtjeve të Familjes Pervizi!
 
Lek Pervizi është një nga të mbijetuarit e Tepelenës. Ai jo vetëm e ka rrëfyer me fjalë jetën në atë kamp të tmerrshëm, por edhe ka përjetësuar atë përmes skicave. Sot, kur në Tepelenë kanë mbetur vetëm ca mure të rrënuara, e njohim kampin e vdekjes, vetëm falë vizatimeve të Lekës.
Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit ka ribotuar librin me dëshmi të të shpëtuarve të këtij kampi pune “Kampi i Tepelenës – Dëshmitë e të mbijetuarve”.
Një botim, si pjesë e projektit “Përkujtojmë për të shëruar dhe parandaluar”. Ndër dëshmitarët janë Dine Dine, Fatbardha Saraçi, Kurt Kola, Gjele Gjikola etj. Mes tyre është edhe Lekë Pervizi. Këtë herë nuk na tregon ditët në Tepelenë, por kalvarin e gjithë fisit Pervizi. Janë 23 të pushkatuar e të vdekur burgjeve dhe 7 shekuj dënime e internime të bëra bashkë, për të gjithë pjesëtarët e familjes.
.
Mbas Treqind vitesh - Taf dhe Lek Pervizi
Mbas Treqind vitesh – Taf Pervizi i Hasit dhe Lek Pervizi i Skurajt

Gjeneral Prenk Pervizi

Fisi i vjetër e fisnik i Pervizit të Skurajve të Kurbinit, ishte një fis i njohur e shumë i rëndësishëm, me besim katolik. Rrënjët e tij dallohen qartë që nga koha e qëndresës heroike kundër pushtuesit turk, në periudhën e Gjergj Kastriotit, të cilit i ndenji përkrah gjithë kohën e luftërave. Ishte kjo rrënjë e lashtë patriotizmi arsyeja kryesore përse fisi i Pervizit u persekutua nga turqit, dhe një pjesë u shpërnda dhe u largua nga krahina dhe nga vendi, deri dhe përtej detit, në Venedik apo në Pulje të Italisë.
Vite më pas, fisi e mori veten përsëri dhe u bashkua me lëvizjen e Rilindjes kombëtare, ku shquhet i pari i fisit, Gjin Pjetër Mark Pervizi i Skurajve, që i priu në ballë luftës antiosmane të Kurbinit e Krujës, me një qëndresë të armatosur deri në shpalljen e Pavarësisë. Pikërisht me 28 Nëntor 1912, në mëngjes ai ngriti Flamurin Kombëtar në Milot, me 300 e ca luftëtarë vendas, duke mbajtur pranë nipin 15-vjeçar, Prenk Pervizin, që do t’ishte pasardhës i denjë i tij. Prenk Pervizi, i datëlindjes 4 Maj 1897, kreu shkollën e mesme në Shkodër më 1914, dhe Akademinë Ushtarake në Vienë më 1918, dhe hyri në shërbim të Ushtrisë shqiptare si komandant operacionesh për dëbimin e serbëve dhe qetësimin e vendit nga bandat grabitëse dhe rebelizmi politik.
Dallohet në të gjitha detyrat e ngarkuara. Përkrahu Zogun, me të cilin kishte lidhë miqësi qysh në Vjenë, dhe i qëndroi pranë që nga fillimi deri në fund të Mbretërisë, duke ia zgjidhur të gjithë situatat kritike që rrezikonin atë vetë dhe shtetin e ri shqiptar. Më 1929-1934, vijoi e kreu Shkollën e Luftës në Torino, shkolla më e lartë ushtarake, e u gradua kolonel.
U ngarkua me misione përfaqësimi ndërkombëtar në Luftën e Abisinisë (1935-1936) e në Manovra ushtarake në Itali e gjetkë. Me ngjarjet e 7 prillit 1939, kur sulmoi Italia fashiste, i pa njoftuar nga askush veç nga radiot e huaja, vendosi të organizojë luftën popullore. Por i doli detyrë të mbrojë e të përcjellë mbretin në Greqi, e me urdhër të të cilit u rikthye në Shqipëri.
Në kohën e pushtimit qëndroi në dispozicion. Kur Ushtria shqiptare u përfshi në Luftën Italo-Greke, mori qëndrim dhe urdhëroi braktisjen e frontit nga Ushtria shqiptare, veprim prej të cilit italianët pësuan një disfatë të madhe, dhe më pas, nga frika e incidenteve të tjera më të rrezikshme, e hoqën Ushtrinë shqiptare nga fronti, kurse Prenk Pervizin e izoluan në Pukë. U gradua gjeneral me qëllim të zbutjes së acarimit për shkak të frontit grek, gradim formal pa rol komandues.
.
Gjeneral Prenk Pervizi ne Shtypin Shqiptar
Gjeneral Prenk Pervizi ne Shtypin Shqiptar
Aprovoi vendimet e Mbledhjes së Mukjes. Më 8 Shtator 1943, kur kapitulloi Italia, mori dorëzimin e komandës italiane nga gjenerali Dalmazzo, dhe më shtator 1943, u emërua ministër i Mbrojtjes me gradën Gjeneral Divizioni. Nuk e njohu lëvizjen e ashtuquajtur nacional-çlirimtare, duke e ditur se udhëhiqej nga komunistë të lidhur me politikën jugosllave e ruse.
U përpoq të organizojë ushtrinë kombëtare shqiptare, por gjeti kundërshtim nga gjermanët. Iu kushtua përforcimit të frontit të luftës antiserbe në Kosovë, ku shkoi vetë disa herë, për organizim, me qëllim që mbarimi i luftës ta gjente Kosovën të bashkuar me Shqipërinë. Me kundërvënien e Prenk Pervizit ndaj gjermanëve, këta nuk mundën të krijonin trupa SS në Shqipëri, por nuk lejuan që të krijohej Ushtria efektive shqiptare nën komandën e gjeneral Prenk Pervizit.
Kundërshtar i vendosur i komunizmit, qëndroi dy vjet në mal, me shpresën të organizonte një qëndresë të armatosur, në bashkëpunim me nipin e tij Mark Gjomarkun, e me t’arratisurit e tjerë. Kështu, në shtator 1946, u arratis në Greqi, me një aksion të guximshëm personal që mori përmasa legjendare, për strategjinë dhe guximin që u krye.
Kaloi në Itali ku i propozuan t’ia njohin gradat dhe t’i japin detyra të larta në Ushtri, me kusht që të merrte nënshtetësinë italiane, gjë që ai nuk e pranoi. U largua për në Belgjikë ku u bashkua me miqtë e tij të vjetër, Muharrem Bajraktarin e të tjerë patriotë. U sëmur befasisht dhe vdiq më 6 shtator 1977. Gjithë mërgata shqiptare e Belgjikës dhe Francës e përcollën duke e nderuar dhe e varrosën në parcelën e heronjve. Jeta e tij shpreh dramën dhe tragjizmin e një jete që iu kushtua krejtësisht çështjes kombëtare, nga fillimi deri në fund. Për këtë përkushtim ndaj çështjes kombëtare, regjimi komunist dënoi dhe persekutoi përjetësisht familjen dhe të gjithë rrethin e tij familjar, fisnor e miqësor.
Mosrikthimi i pronave dhe mosnjohja e shkatërrimeve që shkaktoi qeveria komuniste, mosshpërblimi i viteve të dënimeve të familjarëve që e kaluan gjithë jetën në kushte skëterre, ky ishte shpërblimi ndaj një figure madhore të historisë së Shqipërisë dhe përfaqësues i një familjeje të madhe, të përmendur e të nderuar. Të gjitha familjet e tjera të mëdha që kishin dhënë kontributin e tyre gjatë shekujve në mbrojtjen e atdheut dhe në fitoren e Pavarësisë pësuan të njëjtin fat nga diktatura sllavo-komuniste që sundoi në Shqipëri një gjysmëshekulli sa për 500 vjet të pushtimit turk, por edhe më e egër e antikombëtare.
.
Kampi i Tepelenës - Vdekja e Foshnjave - Pikturë nga Lek Pervizi
Kampi i Tepelenës – Vdekja e Foshnjave – Pikturë nga Lek Pervizi

Terrori komunist mbi familjen e Prenk Pervizit

Fillimisht brigadat komuniste morën urdhër të lëshuar nga vetë diktatori Enver Hoxha për të sulmuar drejt Veriut të Shqipërisë, duke vrarë, djegur e pjekur. Këto brigada, në shembullin e hordhive barbare të Mesjetës së hershme, sulmuan në Laç të Kurbinit, ku, në mesin e shtatorit 1944, dogjën shtëpinë e Gjeneral Prenk Pervizit me gjithçka kishte brenda.
Kjo shtëpi ishte goditur më parë disa herë edhe prej gjermanëve me artileri. Djegia përfshiu bashkë me sende me vlerë antike e artistike, edhe dokumente të rëndësishme shekullore të familjes dhe të historisë së krahinës e të Shqipërisë. U plaçkitën pasuritë dhe gjëja e gjallë, si dhe u konfiskuan të gjitha pronat tokësore. Ditën e vdekjes së Skënderbeut, më 17 janar 1945, sulmuan edhe në fshatin historik të Skurajt, ku dogjën tri palë ndërtesa të tjera që njiheshin si “Kullat e Gjin Pjetër Pervizit”, udhëheqës popullor, patriot e luftëtar i shquar, të djegura dy herë rresht prej turqve dhe që u dogjën kësaj here për së treti nga barbarët e kuq sllavo-ruso-shqiptarë.
A ishte rastësi data? Njëra nga kullat ishte e Prenk Pervizit, dy të tjerat të kushërinjve që u përfshinë gjithashtu në valën e persekutimit. Burrat kishin marrë malin për të mbrojtur lirinë si dikur të parët e tyre përkrah Skënderbeut. Familjet e tyre u internuan bashkë me familjen e Gjeneralit, e disa prej tyre vdiqën në kushtet e internimit. Të tjerë u vranë e u pushkatuan. Njëkohësisht, në Tiranë u konfiskua shtëpia-vilë dhe dy troje në qendër të kryeqytetit etj., që nuk i janë kthyer akoma të zotëve.
Ky ishte terrori komunist mbi familjen dhe fisin e Gjeneral Prenk Pervizit, për ta shfarosur përfundimisht këtë familje si një nga kolonat e kombit shqiptar, me rrënjë të thella shekullore, lidhur me emrin fisnik prestigjioz të Skurajve e hynte në radhën e familjeve të mëdha të mbetura me dëshmi të dokumentuara në historinë e Shqipërisë e të kombit shqiptar, familje që provonin autoktoninë e kombit dhe luftën e pashterur të shqiptarëve për liri. Më poshtë jepet një pasqyrë e detajuar për persekutimin e anëtarëve të familjes dhe të fisit me vitet e dënimeve faktike, të kaluar në gjendje dënimi, në kundërshtim me dokumentet e zyrave shtetërore, që tallen me fatin e atyre që sakrifikuan gjithçka për atë liri dhe demokraci që iu kthyen pas një gjysmëshekulli shqiptarëve.
.
Stema e Skurajve - Muzeu Kombetar
Stema e Skurajve – Muzeu Kombetar

Pjestarë të familjes Pervizi që u dënuan me burgje e internime,

ku disa vdiqën dhe të tjerë e kaluen gjithë jetën në dënime.

Mrika Pervizi: nëna e Gjeneral Prenk Pervizit, 5 vjet internim, internuar në Berat e Tepelenë në 1945-1950; vdiq në internim në 1950 në moshën 90-vjeçare. Nuk i gjendet varri. Nënë Mrika ishte nga ato gra, që, si nga familja ku lindi ashtu tek ajo që u martua njohu luftën kundër turqve dhe qëndresën e Kurbinasve me Gjin Pjetër Pervizin e Skurajve në krye. Qëndroi pranë luftëtarëve në rrethimin e Skurajt, për t’i furnizuar me municione, ushqime dhe kujdesur për të plagosurit. Turqit i kishin djegur edhe shtëpitë prindërore kur ishte vajzë më 1881. Dëshmitare e gjallë e asaj kohe heroike, e nderuar dhe e respektuar prej të gjithëve, si në jetën e lirë ashtu edhe në kushtet e kampit të Tepelenës ku vdiq si martire e lirisë..

Prena Pervizi: e shoqja, 32 vjet internim. Një grua me ndjenja të larta patriotike, që përballoi me krenari si jetën e lirisë, ashtu edhe atë të dënimeve ndër kampet e internimit, veçanërisht të Beratit, Tepelenës e Porto Palermos ku ishte mbyllur, bashkë me dhjetëra familje të mëdha e me mijëra të internuar të tjerë. Kurajoze dhe e vendosur, ishte mbështetja morale e gjithë grave e vajzave të reja, që diktatura kishte pllakosë në ato rrathë skëterrore, ku disa prej tyre lanë jetën ose u mplakën pa krijuar familje dhe ku, një pjesë e tyre, humbën fëmijët që vdiqën aty prej vuajtjeve, mjerimit e sëmundjeve, viktima të pafajshme..

Valentin Pervizi - oficeri akademist, i dënuari i përjetshëm
Valentin Pervizi – oficeri akademist, i dënuari i përjetshëm

Valentin Pervizi: 47 vjet burgim-internim, djali i madh i Preng Pervizit, oficer, kishte kryer studime akademike në Itali, në periudhën 1927-1942; I burgosur në Shkodër, 1944-1946; internim, në Berat, Porto-Palermo, Tepelenë, Çorovodë, Lushnje 1946-1954; Izolim në kampet e Shtyllasit të Fierit e Kuçit të Vlorës, 1954-1958; Internim në Gradishtë të Lushnjës, 1958- 1991. Pas 47 vjet, bashkohet me të shoqen në Bolonja të Italisë, ku jeton e vdes më 1999.

Gorizia Manini, e shoqja, vdes më 2004. Nuk patën fëmijë. Një shpresë e ardhme e Ushtrisë shqiptare, oficer i dalë nga shkollat ushtarake dhe akademitë e Italisë për t’i shërbyer atdheut, por që shteti komunist nuk ia njihte meritat, si shumë të tjerëve, kolegë të tij, dhe e degdisi në burgje e kampe për 47 vjet rresht, duke e ndarë edhe nga gruaja italiane po për aq kohë. I sprovuar në luftë kundër gjermanëve në mbrojtjen e Romës, ku ishte caktuar me detyrë si komandant reparti tankist. Në tetor 1944, u kthye në Shqipëri për t’i shërbyer vendit; në dhjetor 1944, u arrestua e u burgos, dhe nuk doli më nga ajo gjendje dënimi, burgu e internimi për 47 vjet. Shembull qëndrese në ato kondita dënimi, e frymëzues i të rinjve për t’i bërë ballë terrorit e torturave të diktaturës. I pamposhtur gjithmonë, u jepte zemër të tjerëve si një hero i vërtetë i asaj qëndrese e lufte të heshtur kundër ideologjisë shtypëse të atij regjimi totalitar e kriminel.

Genc Pervizi: 43 vjet burgim-internim, djali i mesëm i Preng Pervizit, aviator, arsimuar në Itali (1929-1944); U burgos në Tiranë e më pas në kampe pune për 10 vjet, 1947-1957; u internua në Savër e Gradishtë të Lushnjës më 1957 deri 1989, ku edhe vdiq. Edhe Genci studioi e u formua në Itali ku kreu shkollën e aviacionit në Forli, më 1943. I përfshirë në valën e terrorit komunist, u arrestua dhe u dënua 10 vjet me burg, pasi kaloi disa muaj hetuesi të tmerrshme. Edhe më pas, ai nuk njohu asnjë ditë lirie, sepse gjithë jetën e kaloi i internuar në kampin e Gradishtës së Lushnjë tok me familjen Pervizi plot 33 vjet, gjersa vdiq. Ky djalë me kulturë, por edhe trim, mori pjesë në organizimin e arratisjes së të atit, Gjeneral Prenk Pervizi, me mençuri e vendosmëri të pashoqe. Edhe pse u torturua, qëndroi i pathyeshëm dhe i vendosur, si një shqiptar i mirë dhe si një pinjoll i një familje fisnike e patriote, që kishte dhënë prova të lavdishme qëndrese kundër pushtimit turk, ashtu si edhe kundër regjimit komunist.

Genc Prenk Pervizi (1923-1989)
Genc Prenk Pervizi (1923-1989)

Albina Pervizi (Marashi): 40 vjet internim, e shoqja e Gencit. E bija e Major Llesh Marashit, ekzekutuar me varje në Shkodër. Internuar në Berat në vitet 1945-1946, pastaj në Fier në vitet 1952-1958 e në Gradishtë në vitet 1958-1991. 156 vitet e dëbimit të fëmijëve: Që në moshën fare të re internohet në Berat, më 1945 dhe, më vonë, në Fier e Gradishtë të Lushnjës, si vajzë e Majorit Llesh Marashit dhe si e reja e Prenk Pervizit. Duke qëndruar gjithmonë e vendosur dhe duke u përballuar me sakrifica e mundime të mëdha tërë jetën për rritjen e fëmijëve në ato kondita të mjerueshme. Babanë ia vranë. Një vëlla, dënuar me 20 vjet burg, vdiq sakat me këmbë të prera. Një tjetër vëlla ia vranë në Paris, agjentët e sigurimit. Çifti pati gjashtë fëmijë, dy vajza e 4 djem, lindur e rritur në kampin e internimit të Gradishtës. Ato kaluan pas ’91 në Amerikë dhe jetojnë në New York.

Lek Pervizi i ri
Lek Pervizi i ri

Lek Pervizi: 40 vjet burg internim, djali i vogël i Preng Pervizit, mbaruar shkollën fillore e të mesme në Romë në periudhën 1936-1944; i dëbuar më 1945-50. Internuar në Porto Palermo, Tepelenë, Lushnjë, 1950-1954; Izoluar në Shtyllas të Fierit e Kuç të Vlorës, 1954-1958; Internuar në Gradishtë e Pluk të Lushnjës, 1958-1990. I përfshirë që në moshën 15-vjeçare në valën e terrorit komunist, fillimisht mbeti në Tiranë. I përjashtuar nga të gjitha shkollat, me prishjen me Jugosllavinë, arriti të futet me konkurs në Liceun artistik, më 1948, ku menjëherë u dallua për talentin e tij të spikatur. Por, kështu nuk mendonte as partia e as qeveria dhe më 1950 arrestohet, e pasi kalon birucat e sigurimit, degdiset e mbyllet me gjithë vëllanë e madh, Valentinin, në burgun-kala të Porto Palermos. Pastaj në kampin e Tepelenës dhe në Kuç të Kurveleshit, ku ishin izoluar elita e mbetur gjallë e intelektualëve të fundit shqiptarë të paraluftës. Kaloi gjithë jetën në internim deri më 1990, duke u shquar për qëndresë. Dallohet, ndonëse i dënuar, si piktor e poet i ndaluar. Lek Pervizi është nga dëshmitarët e rrallë, është piktori që vuajti internimin në kampin e Tepelenës dhe që me talentin e tij skicoi planimetrinë e kampit të Tepelenës, tablo-skica të mjedisit të brendshëm të kampit dhe të të internuarve, disa tablo për ngjarjet e rënda të ndodhura në kamp realizuar drejtpërdrejt aty, duke i kthyer ato në një instrument të së vërtetës së hidhur të krimit komunist të mbuluar për vite e vite në Tepelenë. Ky fakt, që piktori ka qenë i pranishëm, pra, bashkëvuajtës dhe që skicat-tablo janë realizuar drejtpërdrejtë kur ka ndodhur ngjarja, ka vlerë të jashtëzakonshme, sepse ato luajnë rolin e fotografisë së kronikës apo filmimit që nuk mund të ishin të pranishëm. Tablotë-skica të piktorit, Lek Previzi, janë një dokument unikal në shkallë kombëtare e ndërkombëtare, që nxorën në dritë kampin e tmerrshëm të Tepelenës. Pasi përfundoi mbylljen në kampe, ai vijoi internimin në fushat e Myzeqesë, në Pluk të Lushnjës, ku u martua, në 1965, me një vajzë gjithashtu të internuar, Gjuliana Malaj, nga Vermoshi, ish fëmijë-foshnje e kampit të Tepelenës, të cilën, për faktin se shpëtoi për mrekulli nga vdekja, e mbiquajtën dhe vazhduan ta thërresin Beba, – ndër të rrallat bebe që i shpëtoi vdekjes që kositi njëherësh shumë foshnje të tjera.

Gjuliana (Beba) Pervizi - Malaj
Gjuliana (Beba) Pervizi – Malaj

Gjuliana Pervizi (Malaj): 42 vjet internim-dëbim, e shoqja e Lekës. E bija e Nikoll Prek Malaj, i arratisur politik jashtë shtetit më 1948; Internim në kampin e Tepelenës, nga 1948-1954, në Plug të Lushnjës, internim dëbim, në periudhën 1954-1990. 72 vitet e dëbimit të fëmijëve: Pas kampit të Tepelenës, ku Gjuliana ishte një nga fëmijët që i shpëtoi vdekjes dhe për këtë arsye e mori emrin Beba, ajo e kaloi gjithë jetën në Pluk të Lushnjës, ku ishte internuar me të ëmën. Aty u martua me Lek Pervizin, duke siguruar përfundimisht dënimin e saj deri më 1990, vit që shënoi rënien e diktaturës, fillimin e demokracisë dhe kur u mundësua që ajo të largohet familjarisht për në Belgjikë. Gjatë asaj kohe, pësoi edhe një demaskim e gjyq para popullit, ku vërtet i shpëtoi burgut, por u damkos me epitetin armike(!). Çifti pati tre fëmijë, djem, lindur e rritur në kampin e Plukut deri më 1990, kur u larguan për në Belgjikë.

Zorka Malaj: 21 vjet internim, nëna e Gjulianës, vjehrra e Lek Pervizit, internuar me të bijën në Berat e Tepelenë nga 1948-1954, për arratisjen e burrit të saj, Nikoll Malaj. Internuar në Pluk të Lushnjes në vitet 1954-1969; dëshmitare e tmerrit të kampit të Turanit ku vdiqën 33 fëmijë në një natë, e shumë të tjerë, pothuaj gjithë fëmijët e shoqeve te saj nga Vermoshi. Duke mosrezultuar me nënshtetësi shqiptare, por malazeze, familja dhe vëllai i të shoqit (i dyti, vdekur në Pluk) arritën ta tërheqin dhe kështu u largua nga Shqipëria për në Mal të Zi, ku kishte prindërit, në 1969 dhe pastaj në Belgjikë, ku kishte vjehrrin e vajzës së saj, Gjeneral Prenk Pervizin. Por 21 vjet i kaloi në kushte internimi.

Shuma e dënimeve për gjithë trungun familjar të Gjeneral Prenk Pervizit arrin në 750 vjet, shtatë shekuj e gjysmë! Vitet e dënimeve, ku përfshihen ato të burgjeve, të internimeve dhe të dëbimeve janë si më poshtë: 482 vjet dënime me burgje, internim e dëbim vetëm për trungun familjar të Gjeneral Prenk Pervizit. Kushërinj e nipa të Gjeneral Prenk Pervizit, të vrarë, pushkatuar e vdekur në burgje për arsye politike e qëndrese të vendosur antikomuniste, luftëtarë e dëshmorë të lirisë janë si më poshtë:

Piktori Leonard Pervizi INRI
Piktori Leonard Pervizi INRI

Të vrarë, të pushkatuar e të dënuar si kushërinj, nipa e të afërm të Gjeneral Prenk Pervizit, thjesht për motive politike.
Zef Gjok Pjetri – i vrare nga Sigurimi më 1946
Pjeter Mark Pjetri – pushkatuar nga brigatat partizane më 1945.
Ndue Pal Gjini – i vrarë nga Sigurimi më 1952.
Gjin Pal Gjini – i vdekur në Tepelenë më 1951.
Nikoll Pal Gjini – vrarë nga UDB në Prishtinë më 1950.
Ndue Gjergj Lleshi – vrarë nga Sigurimi më 1951.
Mhill Gjergj Lleshi – pushkatuar në burgun e Tiranës më 1949.
Preng Llesh Gjergji – vrarë nga Sigurimi më 1952.
Zef Hyseni – vrarë nga Sigurimi më 1951.
Të gjithë familjet e këtyre kryefamiljarëve (gra e fëmijë, pleq e plaka) u mbajtëm në internim në Kampin e Tepelenës deri në vrasjen e burrave, nga 1945 deri 1952.
Janë burgosur edhe disa kushërinj, gjashtë vetë, me afro 20 vjet dënime.
Pati dy gra dhe dy fëmijë që vdiqën në kampet e Beratit e të Tepelenës.
Gjithsejt të vrarë e të vdekur në burgje dhe arrati, 12 burra.
Gra të vdekura në kampet e internimit 4
Fëmijë të vdekur në kampet e interrnimi 3
Gjithsejt viktima 17

Prenk Pervizi & Julian Amery
Prenk Pervizi & Julian Amery
Të gjitha familjet e këtyre, gra e fëmijë, pleq e plaka, u mbajtën në internim në kampin e Tepelenës deri në vrasjen e burrave, nga 1945 deri 1952, por edhe në vazhdim, të persekutuar egërsisht në krahinën e tyre.
Pavarësisht nga mbiemrat e ndryshëm, ata i përkasin fisit Pervizi. Janë burgosur edhe disa kushërinj të tjerë 10-12 veta, me afro 40 vite dënime. Pati dhe dy gra e dy fëmijë të kushërinjve që vdiqën në kampet e Beratit e të Tepelenës. Shuma e përgjithshme e dënimeve, për gjithë familjen dhe të fisin te Gjeneral Prenk Pervizit arrin në 750 vjet, shtatë shekuj e gjysmë!
Viktimat e vërtetuara janë 23 vetë, të vrarë, pushkatuar e vdekur në burgje e kampe, prej tyre pesë gra e pesë fëmijë. Këto fakte jetësore të familjes së Gjeneral Prenk Pervizit, janë dëshmi e saktë për egërsinë, barbarinë dhe urrejtjen antishqiptare e antikombëtare me të cilën regjimi enverist komunisto-sllavist goditi një nga familjet shekullore atdhedashëse e kombndërtuese shqiptare.
Me të njëjtën egërsi, regjimi enverist komunisto-sllavist goditi të gjitha familjet veriore dhe familjet e tjera që u internuan, duke u trajtuar si “armiq të popullit” pikërisht ata që ishin thelbi i kombit dhe i atdhedashurisë. Dëshmoi Lek Pervizi, djali i vogël i Gjeneral Prenk Pervizit, i mbijetuar, sot 90 vjeç, në kuadrin e njohjes së krimeve të komunizmit dhe krimet e bëra mbi familjet e mëdha të Shqipërisë, ndër të cilat ajo e Pervizit, është nga më të masakruarat.
.
Ded Gjonmarkaj, i pari ulur në Kuç të Kurveleshit të Vlorës 1957, Skënder Qyteza, Nikoll Paluca, Ernest Dosti, Thabit Rusi. Në këmbë Lek Pervizi, Viktor Dosti, Mit'hat Araniti, Valentin Pervizi, Fatbardh Kupi, Tomorr Dine.
Ded Gjonmarkaj, i pari ulur në Kuç të Kurveleshit 1957,
Skënder Qyteza, Nikoll Paluca, Ernest Dosti, Thabit Rusi.
Në këmbë Lek Pervizi, Viktor Dosti, Mit’hat Araniti, Valentin Pervizi, Fatbardh Kupi, Tomorr Dine.
Lek Pervizi, Bruksel, më 20 korrik, 2018


Related Images:

More articles

2 KOMENTET

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.