back to top
0.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Persekutimi Shtetëror i Musine Kokalarit sipas dokumentave – nga Uran Butka

Gazeta

Musine Kokalari para gjyqit komunist
Musine Kokalari para gjyqit komunist

Persekutimi Shtetëror i Musine Kokalarit sipas dokumentave

nga Uran Butka

“…Unë s’jam fajtore!” kjo klithmë e Musine Kokalarit dëgjohet edhe sot. Përse regjimi komunist e dënoi aq mizorisht?
Së pari, sepse rridhte e përfaqësonte një familje të madhe atdhetare e intelektuale të Gjirokastrës. Vajzë e vetme e juristit të njohur Reshat Kokalari, motër e vëllezërve Muntaz, Vesim dhe Hamit Kokalari, veprimtarë të shquar të kulturës shqiptare, themelues të Librarisë “Venus” dhe të shtëpisë botuese “Mesagjeritë shqiptare”, që botonte dhe përhapte vepra të vyera nga literatura botërore e shqipe, mes tyre edhe “Kosova -djepi i Shqiptarizmit”, të Hamit Kokalarit, librat e Musinesë etj.
Kryetari i komunistëve Enver Hoxha, i cili e kishte kushërirë të dytë Musinenë, nuk e kurseu jo vetëm atë, por tërë fisin e Kokalarëve. Më 12 nëntor 1944, terrori i kuq me urdhër të tij, pushkatoi pa gjyq 11 personalitete të shqura në Tiranë, ndërmjet tyre vëllezërit e saj Muntaz Kokalari dhe Vesim Kokalari. Hamiti ishte i sëmurë me tifo, ndaj shpëtoi. Po ashtu u pushkatuan edhe Syrja Kokalari dhe Emin Kokalari; Hivziu, vdiq në burg dhe Isai në internim. Musineja u burgos dhe u internua. Bijtë dhe nipërit e tyre u hodhën rrugëve, u internuan dhe u persekutuan pa fund.
Arsyen e këtij persekutimi familjar na i rrëfen në një letër vëllai i Musinesë, Muntaz Kokalari, i cili u pushkatua më 9 nëntor, tri ditë pasi shkroi këtë letër: “Po përjetojmë ditë të vështira. Kam vendosur me brengë në zemër, të largohem nga Shqipëria ime e bukur, nga familja e dashur… Këtë vendim e mora mbasi më njoftuan disa nga miqtë e mi të besuar, se jeta ime dhe e të afërmve të mi është në rrezik nga bashtua, Enver Hoxha. Ai ka urdhëruar djajtë e kuq kundër nesh. Kjo kuptohet: thjesht për motive personale… Kjo është fatkeqësi e kombit tonë dhe e Shqipërisë së gjorë, që ka rënë në duart e një njeriu të përbindshëm, tinzar, hakmarrës, inatçi, dinak, megaloman, egoist që i do njerëzit nën vete, kumarxhi, gënjeshtar edhe kur qe jashtë për studime nuk dha asnjë provim etj. Ne intelektualët gjirokastritë ia dimë të gjitha sa i vlen lëkura, prandaj kërkon të na asgjësojë…”
Së dyti, Musineja ishte një intelektuale, që ishte ushqyer me ideologjinë kombëtare të Rilindësve tanë të mëdhenj, e quante veten nxënëse të Sami Frashërit dhe kishte idhull Naimin dhe Mid’hat Frashërin, ajo kishte kulturë përëndimore, ndërkohë që ishte kundërshtare e çdo ideologjie totalitare dhe iu kundërvu si nazifashizmit ashtu edhe komunizmit.
Musineja kishte studiuar në shkollat me emër, shqiptare dhe të huaja: Instituti “Nana Mbretneshë” dhe mandej “Universitetin i Romës”. Kishte shkruar vepra letrare, kujtime e studime të njohura, që e kishin vendosur atë në mesin elitës shqiptare të kohës. Dhe dihet se regjimi diktatorial goditi për vdekje në radhë të përë këtë elitë, që kishte studiuar në perëndim.
Së treti, sepse Musine Kokalari u shqua edhe si politikane socialdemokrate, rivale politike e E. Hoxhës. Së bashku me nacionalistin, Skënder Muçon, i cili më vonë u vra nga pushtuesit gjermanë, themeloi në tetor 1943 Partinë Socialdemokrate Shqiptare, si alternativë e Ballit Kombëtar, i cili edhe vetë kishte një program social-demokrat (Dekalogu). Themelimi i një partie social-demokrate europiane, ishte një nismë e re politike në Shqipëri, një mishërim i demokracisë sociale, një udhë mes të djathtës dhe të majtës, siç shprehet vetë Musineja tek traktati “Si lindi partia socialdemokrate” dhe një mundësi më shumë pluralizmi politik demokratik në Shqipëri. Programin e hartoi së bashku me Isuf Luzin.
.
Çertifikata e lindjes e Musine Kokalarit
Çertifikata e lindjes e Musine Kokalarit
Në janar të vitit 1944, nxori edhe gazetën “Zëri i Lirisë” në 6 numra, ku përmbahet edhe programi thellësisht kombëtar dhe demokratik i Partisë Socialdemokrate, i ngritur mbi katër shtylla kryesore:
Ideali i vëllazërimit e i bashkimit kombëtar; luftë e gjithë forcave mbarëshqiptare kundër okupatorëve nazifashistë për çlirimin e vendit; liri politike dhe drejtësi shoqërore.
Mbas Luftës, kur në Shqipëri po vendosej diktatura komuniste, Musineja, bashkë me demokratët e tjerë jashtë dhe brenda Frontit, themeluan Opozitën e parë “Bashkimi Demokratik Shqiptar”, një aleancë e partisë socialdemokrate, Fronti i Rezistencës, Grupi monarkist dhe një grupim i flakur nga Fronti NÇ, që kryesohej nga Gjergj Kokoshi. Musineja hartoi programin e opozitës të bashkuar, një program thellësisht demokratik dhe kombëtar, duke përfshirë edhe zgjidhjen e çështjes së Kosovës mbi Kartën e Atlantikut.
Në hetuesi, Musineja depononte: “Ky është një program demokratik… Nuk kemi pasur qëllim të rrëzojmë pushtetin me dhunë.”
Gjithashtu, ajo hartoi edhe Notën drejtuar qeverive demokratike perëndimore, për të mundësuar në Shqipëri zgjedhje të lira dhe pjesëmarrjen e opozitës në to.
“Është e vërtetë, – thotë Musineja në gjyq, – notën e bëra në emër të tre grupeve. Çështja u shtrua si një koalicion demokratik, por secili grup me programin e vet të paraqiste kandidatët e vet”.
Ky opozitarizëm ishte i mjaftueshëm për diktaturën që ta asgjësonte Musinenë, për motive politike. Siç dihet, PK eliminoi gjithë partitë, grupimet dhe individët, që ishin jashtë Fontit NÇ edhe nëse ata luftonin me mjete paqesore demokratike, apo luftonin kundër okupatorëve… E thotë vetë Musineja: “Ju po më dënoni, jo se kam bërë faj, por se ju komunistët nuk lejoni parti tjetër dhe gjeni sebep e thoni se doni të përmbysni pushtetin!”
Së katërti, Musine Kokalari nuk ishte dhe nuk u bë kurrë bashkëpuntore apo vegël e Enver Hoxhës, apo e Sigurimit të shtetit. “S’jam komuniste dhe ky nuk mund të quhet faj, – deklaroi ajo në gjyq. – Ju fituat në zgjedhje, por në burg nuk duhet të jem. Unë jam demokrate!”
Së fundi, Musineja ishte një kundërshtare e vendosur në bindjet e saj, që nuk u kthye nga rruga e saj, që nuk u nënshtrua, prandaj dhe hakmarrja dhe ndëshkimi qenë të pamëshirshëm. “Komunistët më varrosën për së gjalli, se nuk u kërkova falje në gjyq për aktivitetin tim. Dhe pse do kërkoja falje? Unë s’jam fajtore…” (Dorëshkrimin“Mbi jetën time”)
Me persekutimin e Musinesë u morën tre ministra e brendshëm: Koçi Xoxe, Mehmet Shehu dhe Kadri Hazbiu dhe hetuesit e Sigurimit të Shtetit: Nesti Kerenxhi, Nevzat Haznedari, Gjon Banushi etj.
Gjatë hetuesi ndaj saj u përdorën presione e tortura psikologjike e fizike të lemerishme. Sipas Drita Kosturit, shoqes së saj të burgut, “Xhelatët tërboheshin, nuk e duronin qëndresën shpirtërore të Musinesë, e thërrisnin, e merrnin në pyetje, e provokonin, po ajo e qetë, e papërfillshme, krenare e me kulturë – nuk u jepte kurrë shkas për asgjë!”
Pas gjashtë muajsh hetuesie, e nxorën në gjyq. Aktakuza e prokuror Nevzat Haznedarit, përmblidhej në këto pika:
1.Ka bashkëpunuar me krerët e Ballit e të Legalitetit.
2.Mbas çlirimit ka sabotuar pushtetin popullor.
3.Ka marrë pjesë në të gjitha mbledhjet e fshehta që ka bërë grupi Social Demokrat, grupi i rezistencës dhe ai monarkist, duke zgjedhur një Komitet të përbashkët.
4.Ka përgatitur nota e programe për Aleatët, duke kërkuar ndërhyrjen e tyre.
Shtoi këtyre akuzave të prokuror Haznedarit edhe të gjykatësit Frederik Nosi për terrorizëm: “Kjo grua zhvillon aktivitet të gjerë kriminal terrorist”!?
Ironi e fatit! Ata që ushtronin vetë terrorizëm shtetëror, duke shkelur edhe ligjet e kohës, ata e akuzuan Musinenë për terrorizëm!!!
Ajo u dënua me 23 vjet burg, me humbjen e të drejtave civile, si dhe konfiskimin e pasurisë. Provoi burgjet e llahtarshme komuniste të Tiranës, Shkodrës, Vlorës dhe Burrelit, duke u bërë simbol i qëndresës.
U lirua nga burgu më 1961 pas 16 vjet torturash dhe u internua përjetësisht në Rrëshen, ku për 22 vjet punoi në bujqësi e ndërtim si punëtore llaçi, e përgjuar ditë e natë nga agjentët pafund të Sigurimit të Shtetit, me pseudonimet Shkëndia, Zampuda. Brisku, Kalaja, Çajupi, Bamja e pjekur, Referati, Besniku, Lisi, Munella, Besa, Aparati, Pëllumbi etj. Ata njoftonin për çdo lëvizje e bisedë të saj, edhe për takimet e saj me Platonin, Bilal Xhaferrin, Ismail Gjetën, Sulë Harunin etj.
Të dhënat e tyre, shpesh shkojnë në favor të vlerave të Musinesë, bie fjala Besniku: Musineja ka thënë: “Unë kam qenë dhe jam kundër vijës së Patisë. Unë jam me ide tjetër dhe do të vdes me këtë. E nisa këtë rrugë në mënyrë të ndërgjegjshme dhe në luftë për jetë a vdekje. Unë humba dhe nuk arrita atë që ëndërroja, por prap jam kryelartë…” (raportimi i1 janarit 1975) Po ashtu raportohen thëniet e Musinesë për letërsinë kallp të realizmit socialist, të shkrimtarëve të shndërruar në robotë, që shkruajnë për gjëra të paqena, duke nxjerrë në pah, gjoja të vërtetën” Ndërkohë që ajo vlerësonte shkrimtarin Ismail Kadare.
Musineja sëmuret nga kanceri. “Ç’fat tragjik, – shkruante ajo në ditarin e saj, – Më doli edhe sëmundja kundër!” Edhe mjekët. E shtruar në Onkologjik, ajo thotë: “Këtu kuptova një gjë: “Për mua jo vetëm nuk interesohen, por kanë qejf të më zvarritin”. E operuan pas gjashtë muajsh, kur ajo kishte mbaruar.
Musineja ishte e vetmuar dhe në ditën e vdekjes. Dorëshkrimet dhe reliket e shtrenjta ia rrëmbyen djajtë e Degës. Mbi një kamion riportabël ngarkuar me zhavorr, u mbart arkivoli me trupin e saj.
Po komunizmi nuk i varrosi dot idetë dhe veprën e pavdekshme të Musine Kokalarit.
.
Instituti i Studimeve historike “Lumo Skendo”

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.