back to top
9.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Përsëri me vargjet e Fishtës… nga Tonin Çobani

Gazeta

At Gjergj Fishta (1871-1940)
At Gjergj Fishta (1871-1940)

Përsëri me vargjet e Fishtës…

nga Tonin Çobani

Reagim për shkrimin e Mustafa Nanos
“Shqiptarë dhe serbë, të gjithë kemi nevojë për një ‘catharsis’”
(Mapo, 5 shtator 2017)
 
Në një reagim të para disa javëve shtroja pyetjen nëse Mustafa Nano e ka lexuar ose jo deri në fund “Lahutën e Malcisë”? Sot jam i bindur se nuk e ka lexuar as pjesërisht. Ndërkaq vazhdon aventurën e vet, duke u fryrë edhe më shumë borive, se edhe me dy vargje të shkëputura nga “Lahuta…” mund të rrëzojë atë Poemë të vetme Kombëtare (me rreth 17 mijë vargje). Këtë siguri, si duket, ai e mbështet në faktin se patriotizmi (ose më saktë, shqiptarizmi) ka dalë tashmë përfundimisht nga moda.
Dhe të dy vargjet e shkëputur janë: “Ne shqyptarë, ata janë shkje/ N’mní t’shoqishoqit kemi le”, të cilët i citon Mustafa Nano në artikullin e vet (drejtuar një kolegu në Beograd: Dragi Zorane), duke akuzuar Gjergj Fishtën si… nuk e di se çfarë, por Poet Kombëtar e ballkanik, jo.
Mustafa Nano nuk e trajton atë dyvargësh as si një dyvargësh poetik. Sepse, po të trajtohej si një dyvargësh poetik, nuk mund të ishte njësoj me një dogmë (apo frazë në thonjëza, sikundër shkruan Nano) të “Memorandumit famëkeq të Akademisë serbe të Arteve e të Shkencave në vitin 1986”, ku thuhet: “Kosova është djepi i ekzistencës historike serbe.”
Nuk mund të jetë njësoj edhe për faktin se dyvargëshi poetik i Fishtës, që ka sajuar Nano, i përket fillimit të shek. XX (shkruar më 1902 dhe botuar në Zarë të Kroacisë më 1904\5), ndërsa neni vërtet dogmatik (dhe shovinist) i Memorandumit të sipërpërmendur vjen nga fundi i atij shekulli (1986). Është shekulli (shek.XX) me genocitin antishqiptar më të egër, në të cilin ka qenë përfshirë hapur vetë shteti fqinjë (shteti apo republika serbe) dhe institucionet e tij akademike e fetare, pa përjashtuar edhe vargje poetësh anonimë a të kultivuar.
Por në rastin konkret të përdorimit të vargjeve të “Lahutës…” për një retorikë kinse moderniste të Mustafa Nanos, unë dua të shtroj dy objeksione sa për të tërhequr vëmendjen e lexuesit tek (pa)serioziteti shkencor i opinionistit tonë. Shtoj këtu se objeksionet janë në vazhdën e reagimit tim “Gjergj Fishta në gjyqin e Mustafa Nanos”, Koha jonë, 22 korrik 2017.
Objeksioni i pari ka të bëjë me dyvargëshin e cituar prej opinionistit Mustafa Nano si zbulim të antisllavizmit fatal të Gjergj Fishtës. Vargu i parë (“Ne shqyptarë, ata janë shkje”) në origjinal është: “Un shqyptar, ata janë shkje”. Ka një ndryshim të madh, apo jo? Është edhe keqdashës për marrëdhëniet në përspektivë të të dy kombeve. Ai varg rimon me vargun e dytë të Nanos, por në origjinal nuk na vjen ashtu. Në mes të të dy vargjeve është hequr një varg tjetër: “Né na (n)dán nji gjak e ‘i fé”.
.
Gjergj Fishta - Lahuta e Malcis
Gjergj Fishta – Lahuta e Malcis

Kjo zhvendosje ka ndodhur ndër vargjet e këngës “Te Ura e Rrzhanicës”, ku Fishta i drejtohet Zanës së vet të frymëzimit (“Ehi, moj Zânë, tý t’ kjosha true! \ A thue din ti me m’ kallzue…”, vv 52-53), duke e pyetur se cilët vojvodë bëjnë pjesë në ushtrinë e Mark Milanit. Poeti nuk i njeh ata se nuk është i një kombësie me ta, nuk i përket të njëjtës fe, madje, nuk mund të thuhet se ndër ato zona fqinjët kanë shkuar mirë me njëri-tjetrin. Vargjet në origjinal janë: “Pse s’ta njof asnji për bé (asnjë vojvodë): \ Un Shqyptár, ata janë Shkijé: \ Né na (n)dán nji gjak e ‘i fé: \ N’mní t’sho’shoqit kemi lé:\ Kem’ ndermjet nji qiell e ‘i dhé!…” (vv 56-60). Nano ka shkëputur vetëm dy vargje (“Ne shqyptarë, ata janë shkje/ N’mní t’shoqishoqit kemi le”), edhe ata të shtrembëruar.

Me këto ndërhyrje (ndryshimi i vetës nga Unë, në Ne dhe zhvendosja e vargjeve) edhe mesazhi poetik i Fishtës nuk është më i Fishtës, por i Mustafa Nanos. Më së paku, ai mesazh është cenuar dhe nuk mund të jetë aspak as ashtu si përpiqet ta përcjellë opinionisti ynë për ta barazuar me çdo kusht me atë të Akademisë Serbe.
Madje, duhet shtuar se antisllavizmi i Lahutës së Malcis (sipas Mustafa Nanos) vjen dukshëm i sforcuar edhe për faktin se është i shkëputur nga konteksti poetik i krejt poemës së Fishtës. Dhe ky është argumenti i objeksionit të dytë.
Ai objeksion ka të bëjë, pik së pari, me akuzat e rafinuara ndaj autorit të “Lahutës së Malcis” në atë shkrim të Nanos. Sipas tij, ai autor (Gjergj Fishta) është “një prej eksponentëve më të shquar të kulturës shqiptare”, por edhe “prift katolik”(sic!) e dogmatik (që krijon dogma të tilla, me të cilat “nuk është e lehtë të hahesh”). Dogmë është mesazhi i dyvargëshit të deformuar (që analizuam më sipër) dhe të vargjeve të zhvendosura arbitrarisht. Ajo dogmë nuk mund të jetë mesazhi i një poeme kombëtare, siç është “Lahuta e Malcis”.
Në atë poemë, me gjithë se konflikti kryesor është ndërmjet shqiptarëve dhe shkjeve të Ballkanit (konflikt që shkon paralel me atë midis shqiptarëve dhe Peradorisë Osmane), dhe se skenat e luftës zënë vendin më të madh, Gjergj Fishta ngrihet mbi atë konflikt e luftë të përgjakshme. Sa është realist (betejat zhvillohen të ashpra midis trimave të të dy palëve në konflikt), ai është njëheri edhe ironik me luftën e popujve fqinjë. Madje herë-herë edhe sentimental, si në vargjet: “Eh! mo’, Zot, mê keq per né,\ Qi na rá kjo namë-rrfé:\ Mos me mûjtë Shqyptarë e Shkjé\ Me bâ hije bashkë mbí dhé;\ Por me u vrá e por me u pré…”.
Më tej çdo koment do të ishte i tepërt. Prandaj unë, për të përfunduar, po risjell frazën, me të cilën kam nisur reagimin për librin “Sandwich: a është mirë me qenë shqiptar”, duke ndryshuar vetëm një fjalë (numrin dy në tre): “Një opinionist, cilido qoftë ai, nuk mund të gjykojë tri herë radhazi Poetin Kombëtar, Gjergj Fishtën, thjesht sepse shkrimtarët dhe veprat e tyre nuk mund të jenë objekt i punës së opinionistëve.
Shëngjin, shtator 2017

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.