Përsiatje Gjuhësore
nga Artan Kafexhiu
Jam i bindur se parësia e gjuhës së folur kundrejt asaj te shkruar në zhvillimet gjuhësore dhe trajtimi si një e vërtetë e pranuar në studimet linguistike është një princip e ide kyçe e lingustikës në studimin e evoluimit të çdo gjuhe.
Sistemi i të shkruarit të anglishtes është morfo-fonemik, jofonemik. Duke qenë të shkruarit morfo-fonemik, i reziston ndryshimeve. Të shkruarit nuk ndryshon (ose ndryshon shumë pak) edhe sikur të shqiptuarit të ndryshojë për të lehtësuar, bërë më të rrjedhshëm, thjeshtuar shqiptimin e fjalëve.
Po sjell ca shembuj, të fjalëve që mbarojnë me “ight” (night, light, bright). Të shkruarit e tyre i ka mbetur besnik shqiptimit në Old English, i përdorur 800-900 vjet më parë. Germa “i” shqiptohej “ee” dhe “gh” shqiptohej “h”, kështu që fjala “night” shqiptohej “neeht” deri në shekullin e XV; të shkruarit reflektonte me besnikëri shqiptimin. Në anglishten e vjetër tingulli i “h” që përfaqësohej në të shkruar nga “gh” historikisht lidhet me “h” e fortë gjermane në fjalën “nacht” (night). Të shkruarit ka ndjekur ndryshimet në shqiptim, por më një diference në kohë prej 500 vjetësh. Kjo tregon se sa konservatore janë disa gjuhë si anglishtja.
Sot këto fjalë shpesh paraqiten në një forme të re të shkruari, si për shembull “nite” and “lite”. Nite Lite është një brand baterishë dhe Bud Lite një lloj birre. Duken “fancy” dhe tamam për reklama.
Por ky lloj të shkruari të fjalës nuk është “avant-garde”, si diçka e re, por thjesht, një kthim në anglishten e mesjetës ku fjala shqiptohej si “leeteh” (“i” shqiptohej “ee”) or “leet”. Pra gjithmonë të shkruarit në shërbim të shqiptimit duke ndjekur besnikërisht, reflektuar shqiptimin. Në rastin e anglishtes është morfo-fonemizmi, nevoja për të ruajtur historinë e të shqiptuarit, për të ruajtur së fundi, një korpus të tërë literature të shkruar prej shekujve.
Për të dëshmuar parësinë e të folurës karshi të shkruarës, a nuk do të mjaftonte si argument se, pavarësisht se sa e si është shkalla e ndryshimit, gjuha hidhet në tekst e del nga teksti, para së gjithash, duke reflektuar komunikimin e gjallë, të folurin, fonetiken, akustikën si rezultat i të artikuluarit të fjalëve të shkruara.
Teksti, fjala e shkruar nuk ndryshon vetveten apo të folurin e njerëzve. Nuk ka se si. Teksti merr jetë dhe ndryshimi vjen veçse prej njerëzve që e përdorin në të përditshmen e tyre duke reflektuar në të shkruar modifikimet e ardhura prej gjuhën së folur.
Përdorimi nga ana ime i “…gjuha e shkruar të tingëllojë…” i afrohet shumë te vërtetës të 2/3 e kombit shqiptar në raport me drejtshkrimin, të shkruarin sipas standardit. Tingëllim mund të përdoret si metaforë, metaforikisht (si shembull: kjo gjë, ngjarje, punë, nuk më tingëllon mirë), por edhe kuptimin e mirëfilltë prej ku ka edhe origjinën.
Për të parë logjikë në përdorimin e fjalës – tingëllim i gjuhës së shkruar – midis metaforës dhe akustikës – mund të mendohet kështu: për një geg është e panatyrëshme shqiptimi, tingujt e fjalëve të shkruara sipas drejtshkrimit të standardit me idenë që ka ai për shqiptimit e të njëjtave fjalë (por edhe që mbartin të njëjtin kuptim) në gegërishten e tij.
Drejtshkrimi i standardit është jashtë sistemit fonemik që ai normalisht përdor, komunikon. Njohuria fonemike e tij është krejt e ndryshme nga ajo që i afron standardi. Ai përdor njohurinë e tij fonemike për të folur gjuhën e tij gegërishte, të cilën ai e flet rrjedhshëm, kupton të folurin e shpejtë apo edhe kur është e artikuluar keq gegërishtja, di të bëj e të kuptoj shakatë, të folurin me kunja, arsyetimin, dramën njerëzore, të lozë me tingujt për të komunikuar situata të ndryshme, e kështu pa fund.
Por para drejtshkrimit të standardit, ai është në një dilemë, i pasigurt, në dizavantazh për shkak të diferencës të madhe midis fonetikës të drejtshkrimit dhe fonemikës të tij gege.
Midis gegërishtes dhe drejtshkrimit të standardit ka një boshllëk, hendek të madh midis fonetikës të drejtshkrimit dhe fonemikës, imagjinatën akustike, idenë (që ka gegu) për shqiptimin, tingujt për fjalët që bartin të njëjtin kuptim.
Po kështu duke aplikuar drejtshkrimin, për gegun, do të ketë një bjerrje tjetër më të madhe, atë kulturore, kujtesën e tij historike, historinë e të shqiptuarit, për të ruajtur korpusin e një literature të tërë të shkruar prej shekujsh; t’i fshish nga historia kulturore autorë si Mjeda, Fishta, etj. që për ta janë njëlloj si për skotët Robert Burns apo për amerikanët Robert Frost.
Pavarësisht se si vjen në jetë standardi, duhet të ketë fuqinë e një shteti nga pas për të patrulluar, për t’u bërë polic i kufijve të vetë.
Ruajtësi më i mirë i standardit është veçse drejtshkrimi. Prandaj insistohet gjithmonë tek drejtshkrimi. I vetmi problem është se ky lloj polici gjuhësor, nuk mund të bëjë asgjë nëse standardi perceptohet nga një pjesë si i njëanshëm. Humbja e prestigjit, mungesa e respektit mbetet problemi më i madh për standardin.
Prestigjin standardi zakonisht e fiton veçse forcërisht, nëpërmjet pushtetit ekonomik ose politik. Kjo është eksperience botërore. Kur fuqizohen këto lloj pushtetesh, fuqizohet dhe standardi, rritet prestigji i tij. Prestigji i standardit është i lidhur me fuqinë politike dhe ekonomike të atyre që duan ta imponojnë. Në të njëjtën masë që i rritet prestigji standardit, po aq i ulet prestigji varianteve të tjera, që konsiderohen të korruptuara e të prapambetura.
nga muri i Fb i Artan Kafexhiu, 28 prill 2022