back to top
5.5 C
Tirana
E mërkurë, 25 Dhjetor, 2024

Përsiatje për veprën “Mosdënimi i krimit është krim i ri” të prof. Thanas L. Gjika nga Dr. Eris S. Rusi

Gazeta

Thanas L. Gjika Mosdënimi i krimit është krim i ri
Thanas L. Gjika Mosdënimi i krimit është krim i ri

Përsiatje për veprën “Mosdënimi i krimit është krim i ri”

të prof. Thanas L. Gjika

nga Dr. Eris S. Rusi

Libri i ri i Prof. Dr. Thanas L. Gjika “Mosdënimi i krimit është krim i ri” (OMSCA-1, Tiranë 2016, 450 f.), as me titullin e as me përmbajtjen e vet nuk tregon një dorëheqje, një lënie pas dore të autorit në ujdhesën e nostalgjisë dhe të kujtimeve prej së largu, por dëshmon një vitalitet që shtyhet drejt së vërtetës, ashtu siç e njeh dhe e përkufizon jeta e njeriut. Nga ana tjetër, ne nuk kemi të bëjmë me një dëshmitar të çfarëdoshëm që zgjohet papritur e dëshiron të lerë një shenjë të vetën në hapësirën e botimeve shqip. Përkundrazi, respekti për prof. Thanas Gjikën, vjen nga puna e përkushtuar në vite në fushën e studimeve shkencore, në atë të studimeve albanologjike. Ai është autor i më se shtatë librave studimore me më shumë se 2.500 faqe, si dhe i një morie artikujsh e kumtesash, ndaj vëmendja që tregova në leximin e tekstit ishte e një lloji tjetër.
Në parantezë, duhet të them që është e vërtetë që ka pasur dhe vijon të ketë një numër të madh njerëzish që kanë emigruar nga Shqipëria, e që zgjohen një ditë me dëshirën për të botuar libra në shqip, kujtime, memuare, histori të jetës si e patën ndjerë dikur. Në mesin e tyre ka mjaft autodidaktë të letërsisë, por edhe grafomanë, apo nga ata që nuk kanë patur synim tjetër veç për të lënë emrin mbi një kopertinë të lustruar letre. Ky është një realitet që na përket, por nuk mund të bëjmë dot me faj këtë kategori, ndoshta sepse Shqipërinë e lë, por ajo nuk të braktis, të mbetet përsipër si një identitet, si gjurmët, rrudhat, apo pamjet më të thella të shpirtit, të cilave u përket përgjithmonë. Prandaj botime serioze si të profesor Gjikës, janë një ndihmesë për të identifikuar brenda kësaj kategorie, përmes një analize kritike të mirëfilltë, autorët që vërtet i japin temp dhe gjallëri fushës së letrave shqipe.
Nëse qëndrojmë në strukturën e tekstit, e shohim atë të përbërë nga artikuj, ese, biseda, kujtime, etj. Të gjithë këto elemente janë të lidhur nga një filozofi ku përballet e djeshmja, Shqipëria nën regjimin e diktaturës, censura, tentativat për t’iu shmangur asaj, qasjet për të marrë ndoshta edhe hiret dhe ledhat e regjimit, me kohën e sotme, ku megjithë rënien e sistemit, ne vijojmë të jemi dëshmitarë të një kaosi, të një shembjeje të madhe, sidomos shpirtërore, ndërmjet shqiptarëve brenda dhe jashtë vendit. Filozofia që bashkon këtë mozaik teksti, i afrohet nevojës për t’u përballur me të vërtetën, për t’i quajtur gjërat me emrin e tyre e për t’i treguar vetes dhe botës, që rimëkëmbje s’mund të ketë, pa pranuar fajet e djeshme, e pa vënë në vend padrejtësitë e bëra në të kaluarën komuniste dhe gjatë tranzicionit.
Thënë kështu, ngjason problematike mundësia që përmes këtij libri, të luhaten qëndrimet e shtrembra, mendësitë që kanë zënë rrënjë tashmë në filozofinë e jetës të shqiptarëve brenda vendit. Së jashtmi ngjasojmë si një komb i mësuar me të keqen, që ka krijuar mitin se e keqja nuk ka ç’të na bëjë më tepër, por ky dorëzim është veç një stepje e intelektit, që s’merr guximin të përballet e të sfidojë rendin e gjërave, në emër të së mirës, të së drejtës dhe të vërtetës. Autori, e nis tekstin me emrin e një shkrimtari që ka shkuar në ferr, e njeh arkitekturën e së keqes, por njeh dhe fatalitetin e jetës së të mirit, Visar Zhitin.

Vepra të Thanas L. Gjikës
Vepra të Thanas L. Gjikës

“Ferri i krimit dhe ata që e kundërshtuan”, është punimi që nis këtë vepër, ku krah autorit Zhiti, vijnë me radhë dhe emra njerëzish të tjerë të mëdhenj, në jetën dhe në krijimtarinë e atyre, që u përballën me të keqen dhe e sfiduan atë. Autori përmend At Zef Pëllumbin, Sami Repishtin, Astrit Delvinën, Jorgo Bllacin, Zyhdi Moravën, Mërgim Korçën, Musine Kokalarin, etj.
Këtu elementi kohë që ndan në dy pjesë ngjarjet, nuk është i nevojshëm. Nuk kemi të djeshmen dhe të sotmen, sikundër dhe ndarja në fushën e letërsisë s’mund të bëhet veçse në autorë të mirë dhe vepra që vlejnë, e në autorë pa vlerë e vepra pa ngarkesë letrare. Megjithatë nuk harrohet sistemi. Komunizmi vret elitën, keqtrajton mesatarët dhe ngre lart inferiorët. Në vlerësimin për veprën e Sami Rrepishtit, të jepet përshtypja e diçkaje të thellë që fshihet në mesazhin e fjalëve më lart. Nuk kemi vetëm etiketimin e të keqes, por kemi rrënjëzimin e saj, ngritjen në një sistem, brenda natyrës së shqiptarit, pasojat e të cilës vijojmë t’i vuajmë edhe sot.
Krejt vepra, në fakt, mund të konsiderohet si një lloj pasqyre ku ne nuk shohim të reflektuar veten tonë, por shtrembërimin e pamjes, si pasojë e helmit 47-vjeçar komunist. Krimet, ndëshkimet, syrgjynosjet, marritë e një bote që kishte në shërbim njerëz të betuar të sistemit, që kishin humbur njerëzoren brenda tyre. Por autori, na tregon që nuk bëhet fjalë vetëm për një dokumentim të së djeshmes. Nga leximi i librit, nuk ka si të mos kalojë vëmendja tek një krahasim i ditëve të sotme. Në mënyrën si unë, apo një pjesë e mirë e njerëzve sot jetojnë dhe e shohin botën, s’ka se si të shpëtojë fakti që një pjesë e madhe e shqiptarëve në këtë vend, janë shndërruar në zhurmë, jeta e tyre ngjan si një përqeshje, e mbushur me mllef, me inat, gjërat e vogla të përditshme gjallojnë në mëri, dhe qytetarëve tanë u është ngushtuar zemra.
Libri i profesor Gjikës, është jo vetëm një dokumentim i kësaj fryme, por edhe një interpretim historik i ngjarjeve që e kanë çuar Shqipërinë të jetë një vatër ku shumëkush kërkon të largohet, i pabindur në mundësinë që gjërat do të ndryshojnë si duhet. Dikush mund ta quajë si një lexim pesimist këtë interpretim të veprës, por më duhet ta kundërshtoj, duke thënë se e mira del në trajtimin që autori i bën sidomos kujtimeve të njerëzve që iu kundërvunë të keqes, që mbijetesën fizike e plotësonin me atë ngritje shpirtërore, që i bënte të donin më tepër të ngjashmit në fat me ta, të përbuzurit, të prozvalurit e regjimit; e mira gjendet te kujtimet për nënën, për vëllain, për atin, tek familja ku ndriçon flaka e shenjtë e Perëndisë, që nuk mund të fiket dot nga asnjë kollë e helmatisur pushteti. Në këtë mes, nuk mungojnë vlerësime, analiza dhe ide, në kërkim të një rishikimi të historisë, për t’i bërë më njerëzore, të pranueshme e më afër të vërtetës, të anatemuarit e dikurshëm nga regjimi komunist.
Sepse tek e fundit bëhet fjalë për krime që i kanë ndodhur këtij vendi dhe njerëzve të tij. Duke mos u ndëshkuar këto krime, e harresa është mënyra më e mirë për t’i shpëtuar ndëshkimit, e pranoj dhe unë që jemi duke kryer një krim të ri, më të tmerrshëm se i pari, i përlyer në mospërfilljen e madhe që na zhvesh, si fajtorë që jemi, nga njerëzorja dhe e mira.
Me shumë interes janë dhe kujtimet e autorit për profesorët Eqrem Çabej, Rexhep Qosja, Engjel Sedaj, Sadri Fetiu, Agim Vinca, etj, ku ai jep shembuj studiuesish që duhen ndjekur si punëtorë të përkushtuar e atdhetarë të mëdhenj. Këto kujtime dhe ato për babain e vet, dëshmojnë se ky autor ka se çfarë të tregojë dhe di si t’i tregojë.
Le të mendojmë pak, sikur jeta e njeriut t’i ngjasonte një pylli e drurët të ishin vitet e moshës. Në fund, trungjet e prerë e të thatë, djerrina e ngritur e toka e shterpëzuar, sa të trishtuar e me keqardhje do ta bënte të dukej krejt ekzistencën.
Të tillë do të bëhemi ne, djerrina të zhveshura, pa gjelbërim, pa hije të larta, pa gurgullimën e jetës si burim i freskët uji që na kalon pranë, tokë e zhveshur, djerrë, e tharë, nëse nuk bëjmë ndryshimin që na kërkohet. Të kujtojmë, ta njohim të keqen e dikurshme, e rimëkëmbjen ta kërkojmë për më të mirët, për më të vuajturit, për intelektualët e syrgjynosur dikur, si shpagim.

Eris S. Rusi
Eris S. Rusi

Të dhëna biografike për Eris Rusi

Eris Skënder Rusi u lind në qytetin e Korçës, në vitin 1983, ku përfundoi shkollën e mesme. Ka kryer studimet universitare për Letërsi Bashkëkohore, Fakulteti i Shkencave Humane, në Universitetin “La Sapienza” të Romës me rezultate të shkëlqyera. Ka mbrojtur doktoraturën në “Studime letrare” pranë Universitetit të Tiranës, pranë Departamentit të Letërsisë.
Ka fituar çmime të ndryshme kombëtare në prozë, ku vlen të përmendet çmimi i parë kombëtar me vëllimin me tregime “Udhëtari i natës”. Në gjuhën shqipe ka publikuar pesë përmbledhje me tregime dhe dy romane, ndërsa në Itali ka botuar vëllimin me tregime “La casa misteriosa” (Shtëpia misterioze), nga shtëpia botuese “Il Filo”. Aktualisht është pedagog me kohë të plotë pranë Universitetit “Fan S. Noli”, Korçë, në departamentin e Gjuhë-Letërsisë.

Eris S. Rusi, Ph.D.
Lecturer at University “Fan S. Noli”
Korçe, Albania
Contacts: Email: erusis1@yahoo.com Phone: +355692267510.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.