back to top
8.5 C
Tirana
E hënë, 23 Dhjetor, 2024

Personalitete të shquar të mendimit progresiv shqiptar që shtruan udhën e Neoshqiptarizmit nuk kanë një varr a Përmendore në Shqipëri – nga Pertefe Leka

Gazeta

Neoshqiptarizma
Neoshqiptarizma
Personalitete të shquar të mendimit progresiv shqiptar që shtruan udhën
e Neoshqiptarizmitnuk kanë një varr a Përmendore në Shqipëri
nga Pertefe Leka

Po të kujtojmë, kur anëtarë të Klubit të Arsimtarëve (1932) Safet Butka, publicistët Vangjel Koça, Xhevat Kallajxhi, Branko Merxhani… vendosnin kurora e lule dhe mbanin fjalime përpara Muranës së Koto Hoxhit në Qesorat, traditë që vazhdon edhe sot….
(Koto Hoxhi arsimtar, mësonte gjuhën shqipe fshehurazi, e çkishëroi peshkopi i Gjirokastrës. Ishte anëtar i komitetit për mbrojtjen e të drejtave të popullit shqiptar, me Hasan Tahsin, Pashko Vasa me vëllezërit Abdyl e Sami Frashëri në përkrahje të ideve të Lidhjes Prizrenit. Për këte qëndrim turqit e arrestuan. Vdiq në burg në Stamboll 1895)
Po për gazetarët Vangjel Koça, Xhevat Kallajxhi, Branko Merxhani… publicistë, shkrimtarë personalitete te shquar të kulturës shqiptare, në vitet ‘20-‘30, të cilët nuk kanë varr në Shqipëri as një përmendore as një memorial… A duhen kujtuar me respektin më të madh?!

Shkas nga një takim!

“Klubi i Librit Ivanaj” i themeluar më 1 Dhjetor 2022, me inisiativën e stafit të fondacionit M. & M. Ivanaj organizonin me të rinj, sipas një programi të detajuar, – Diskutimin e Librit – të një shkrimtari të zgjedhur prej tyre.
Rastisa të isha pjesë e një mbrëmje (14 qershor 2023) me moderatorin Klevis Begaj, ku do të bashkëbisedonim me të rinjtë për librin “Vepra” e Branko Merxhanit. Interesimi nga të rinjtë (si Adriatik Kurti) ishte rreth Neoshqiptarizmit, që domosdoshmërisht do të përmendej, Urtësia e Vangjel Koças në atë diskutim, si një ndër themeluesit e kësaj rryme progresiste. Momenti surprizë ishte kur po përmendej pseudonimi Nirvana (Vangjel Koça), në sallë mbërriti mbesa e tij, Eni Koça, e cila e vazhdoj bisedën për gjyshin e saj shumë e emocionuar por krenare për njeriun e ditur e humanitar, progresistin patriot Vangjel Koça, personalitet i shquar i përmasave evropiane.

Vangjel Koça (1900-1943)
Vangjel Koça (1900-1943)
Vangjel Koça (1900-1943)

Ishte një prej ideologëve përparimtarë të publicistikës shqiptare me orientim perendimor, i vlerësuar në kohën e tij “Meteor i Kulturës Shqiptare”, intelektual i mirëfilltë.
Albanologu i mirënjohur Dr. Robert Elsie, duke e parë Shqipërinë si shtet të vonuar në zhvillim ekonomik, politik, kulturor; periudhën e viteve ‘20-‘30 e cilëson: “Koha e Artë” dhe “Rruga e modernitetit” në historinë shqiptare.
Vangjel Koça i njohur si gazetar, përkthyes, publicist, jurist, poliglot me dije enciklopedike, edukator e sociolog ishte themelues i mendimit pozitiv shqiptar në Vitet ‘30-të, me filozofinë e mendimit progresist, kritik e polemist.
Si shumë rilindës ishte student i gjimnazit Zosimea të Janinës, më vonë i diplomuar në Jurisprudencë, Itali.
Fillimisht u mor me publicistikë, publikoi në Gazetën Drita 1920-24, të Veli Harshovës në Gjirokastër dhe më pas te “Demokratia” e Xhevat Kallajxhiut, po në qytetin e Gjirokastërs.

Demokratia e Gjirokastres
Demokratia e Gjirokastres

Aty mbajti për disa vite rubrikën “Lëvizja mendore – Meteor i kulturës shqiptare”
Si bashkëthemelues i lëvizjes ideologjike të neoshqiptarizmës drejtoi fletoren “Neoshqiptarizma”, që u përjetësuan me veprën “Në Udhën e Shqiptarizmit”.
Si bashkëpunëtor me Branko Merxhanin sollën një rrymë të re intelektuale në shoqërinë shqiptare në periudhën mes dy luftrave botërore.
Si ideator i neo-shqiptarizmës Branko Merxhani për Shqipërinë shkruante “Shqipëria ishte një qenie e kufizuar së jashtmi dhe e pakufizuar së brendshmi” që ngjallte shpresën se Shqipëria mund të bëhet me njerëz të ditur dhe të pakomprometuar.
Fillimet e kësaj rryme ishin mendimtarët e Rilindjes me idenë për të zgjuar ndërgjegjen kombëtare dhe bashkimin e shqiptarëve për çlirimin e mëmëdheut.
Kjo lëvizje filozofike lindi si nevojë e kohës për të nxjerrë popullin nga prapambetja mendore ideore edhe kjo një lëvizje kombëtare që i bashkangjitej, Rilindjes Kombëtare, pas fitores së gjymtuar të pavarësisë, me reforma evolucioniste duke mbrojtur idenë e nacionalizmit.
Kjo u shfaq në gazetën “Demokratia”, në revistën e përmuajshme “Neoshqiptarizma” dhe u kristalizue në revistën “Përpjekja Shqiptare”, në të cilën u përfshi Ajka e inteligjencës shqiptare 1929-39 me kryefjalën “Politikë s’ka, vetëm kulturë!” Pra ishte një rrymë filozofike, një lëvizje kulturore, një shkollë për lirinë shpirtërore të rinisë shqiptare, për të shëruar plagët që kishin lënë pushtimet e huaja. Ishte lëvizje për progres për ta orientuar të ardhmen me anë të zhvillimit mendor drejt kulturës evropiane por me një kuptim filozofik të plotë në idealin kombëtar, që vjen nga arsimimi dhe edukimi moral:
“Drita është shkenca bota e realiteteve. Problemi i jetës, misteri i së ardhmes kanë nevojë për këtë dritë!”shkruante Koça
Mendimtarët e kohës, kishin ide të ndryshme, por shpresonin të kishin progres në implementimin e tyre.
Pyetjet e momentit ishin: -Cilën rrugë duhet të ndiqte Shqipëria. – Kur bolshevizmi po eksperimentohej në Rusi, kur fashizmi ishte në prag të derës, kur Ataturku po drejtonte Turqinë si shtet evropian, kur mbretëria shqiptare kërkonte ndihma për te vazhduar…
Këto ide hidheshin atëhere kur komunizmi si një ide antikombëtare, e gabuar, shkatërruese që propagandonte luftë klasore, nuk duhej përvetësuar, por megjithate kjo ide sipas Vangjel Koça nuk zhdukej me kërbaç, i duhej gjetur një kundraide më e mirë që është ideja kombëtare.
Një e keqe e madhe po vinte nga lindja gjë që mund të përfshinte mbarë Evropën sundimi i dhunës i përçarjes në klasa kundërshtare…
Kjo bëri që të përhapej pozitivizmi si shkencë edhe në Shqipërinë e Viteve ‘30-të. Shkruhej për Descartes, në shërbim të lëvizjes mendore shqiptare, u përkthye nga Vangjel Koça “Bisedë për metodën e Dekartit”. Filloi të njihej pozitivizmi i Auguste Comte, si metodë shkencore në sociologji, si teoria e evolucionit të shoqërisë nga Branko Merxhani. Bëheshin analiza cilësore historike e kulturore. Dituria i nënshtrohesh një studimi objektiv rigoroz logjik. (Studimet historike, gjuhësore, letrare, sociale, ekonomike nga… Eqrem Çabej, Gjergj Fishta, Ernest Koliqi, Krist Maloki, Pader Anton Harapi, Et’hem Haxhiademi, Vangjel Koça, Branko Merxhani, Aleksandër Xhuvani, Ali Asllani…)
Duke pasë si objekt njeriun, shoqërinë njerëzore, lindte nevoja e studimit të etikës si shkencë, jo si fantazi, por në kërkim të së vërtetës. E për këtë u gjallëruan ideologët, shkrimtarët, poetët, linguistët, e kohës. Kjo nuk ishte gjë tjetër veçse një vlerë, një përpjekje, për të bërë më të mirën. Sigurisht kjo kërkonte ndershmërinë shkencore të studiuesve, kërkonte investime siç bëri Branko Merxhani me Publikimet në revistën “Përpjekja Shqiptare”, ku kontriboi me të ardhurat e veta, e pagoi me varfëri ekonomike dhe përsëri nuk ndalesh si sociolog përparimtar në shëbim të shoqërisë. Ashtu si Nikolla Naço nismëtari dhe kryetari i shoqatës së pavarur shqiptare “Drita” të Bukureshtit, kontribuesi i shkollës së parë shqipe në Korçë dhe i Abetares shqipe, i cili shkruante:
“U detyrova të punoja pareshtur, që fitimet që kisha i përdorja për qëllime fisnike të kauzës kombëtare”. Nikolla Naço
Vdiq në varfëri të skajshme duke vënë në dispozicion gjithë pasurinë e tij për ringjalljen e Mëmëdheut.
Gjithë vëmendja e Vangjel Koças ishte përqëndruar jo aq shumë te varfëria ekonomike se sa tek ajo mendore. E ka lakue këte fjalë te e “Drejta Mendjes” në të gjithë këndvështrimet nga individuale në kolektive, shoqërore e deri kombëtare.
Dituria, si e vërtetë shkencore dhe bashkëveprimi, po kërkohej të ishte një forcë dominuese që mund ta transformonte realitetin.
Vangjel Koça në tregimin “Një krodhe” shkruante: “Sot mbretëron moda e filozofisë… nga frynë era” Adhurimi i verbër i ngjarjes, mburrja e tepërt dhe servile e suksesit, admirimi për çdo gjë formale të jashtme e pa vlerë, robërimi në pasionet më të dobëta, kulti shtazarak i violencës, gjaku i ethshëm i floririt dhe i nderimeve mos interesimi dhe përbuzja për vlerën dinamike të ideve dhe për fuqinë morale të parimeve…
Lartësia e vërtetë nuk arrihet pa dritën ideale të parimeve morale të cilat janë për ndërgjegjen si ylli që është për detarin!” (Sa e ngjashme me realitetin e sotëm 2023)
“Të shartojmë në brezat e nesërm besën për parimet, luftën për parimet, sakrificat për parimet kundër mohimeve dhe shtrembërimeve të oportunistëve të jetës dhe të parimeve false ‘Krodha bukë” duhet të bëhet’ “spurdhiku” (zog i vogël) që matet me një goxha dovlet, me dovletin mëkatar shpirtëror, na kishte lënë trashëgimi e shkuara jonë historike (“Krodhe buke” Vangjel Koça – 1934)
Të rrethuar nga fqinj që pengonin bashkimin e trojeve shqiptare, dhe si pasojë dobësonin ekonominë, forcën e shtetit për të drejtuar me ndërhyrjet që vazhdojnë edhe sot, Vangjel Koça për fqinjin e jugut shkruante: “Shpejt Greqia do të kuptojë njëherë e mirë se edhe këto toka bashkë me disa të tjera që ajo ka akoma padrejtësisht në dorë të saj janë malli i pakontestueshëm dhe i pa parashkrueshëm i banorëve më të vjetër e më trima të Gadishullit Ballkanit me gjakun e të cilëve është formuar akoma edhe shteti i sotëm grek.
“Përpjekjet shqiptare” do t’i japin “utopisë” greke shuplakën e fundit dhe do ta detyrojnë popullin grek të gjejë udhën e tij të drejtë, atë udhë që do t’i takojë në Ballkanin e Ri sipas mundësive dhe zotësisë së tij.
Një e drejtë natyrale, njerëzore, juridike, që kërkohet me të madhe edhe sot nga gjithë shqiptaria.
Në zyrën e noterisë në Pazar, në krye të derës, Vangjel Koça kishte vendosur një shënim të dukshëm “Shqipëria, për inat të atyre që s’na duan, do të bëhet më mire!”
Vangjel Koça në realizimin e të drejtës kërkon përgjegjësi: “…Po e drejta e mendjes është një detyrë e çdo njeriu të lirë… po brenda një shoqërie harmonike s’mund të kuptohet e drejta pa detyrën.” Vangjel Koça E drejta e mendjes (1938)
…Themi një mendje për të tjerët me qëllim që ta dëgjojnë dhe ta ndjekin të gjithë… Fjalët e urta që ruan çdo popull si kapital të mençurisë shoqërore, mendje janë; bile janë mendjet më të mira, që janë dëgjuar gjatë historisë. Kjo gjë ka vlerë për çdo mendje. Kështu duhet të jetë çdo mendje… Duhet të ketë mendje Ai që di se ku shpie udha dhe ia mban të hyjë i pari në këtë udhë me ndërgjegje të plotë të përgjegjësisë së tij… Ështe e shenjtë e drejta mendjes… për ate që ka vullnet dhe fuqi shpirtërore ta mbajë mendjen lart mbi kryet… dhe jo poshtë nën këmbët e tij! As edhe të lidhur me xhepin e tij!

“Qëllimi i jetës” 1930 apo “Mendimi Shqiptar”
Shqiptarit nuk i mungojnë cilësitë e duhura që të krijojë një qytetërim. Vetëm duhet një drejtim një qëllim, një frymë krijonjëse dhe dinamike. V. Koça
Të shpresojmë nëse do të vijë dita që projektuan mendjendriturit, të realizohet nga forcat e reja, që kanë vullnet e fuqi shpirtërore – ndërgjegje të plotë e përgjegjësi ndaj detyrës në realizimin e të drejtës për bashkim kombëtar, bërthama e sukseseve të mëtejshme.
Vdiq aksidentalisht ne gusht te vitit 1943, në ujërat e Adriatikut, duke lënë mendime të vyera për brezat, që ta njohin, ta lexojnë, të përpiqen për të vënë në jetë idetë progresive. Nuk mund të injorohen këta ideologë (e papërfillshme inteligjenca artificiale, para tyre) janë pasuri e urtësisë shqiptare. Me të drejtë studiuesi Prof. Nexhmedin Spahiu e quan Vangjel Koçan – Gjeniu Shqiptar i shekullit XX, – Babai i mendimit pozitiv Shqiptar – duke u mbështetur e vlerësuar në punën kolosale studimore të shkrimtarit të palodhur z. Ndriçim Kulla në Veprat “Historia e mendimit Shqiptar” “Në udhën e shqiptarizmit”, ku evidentohet figura shumëplanëshe e Vangjel Koças.

Xhevat Kallajxhi (1904-1989)
Xhevat Kallajxhi (1904-1989)
2.Xhevat Kallajxhi, ishte më i riu nga bashkëpunëtorët
që u mblodhën rreth Gazetës Demokratia

Gazetari patriot Xhevat Kallajxhi dha një kontribut të vyer në fushën e letrave duke ia ngritur lart emrin gazetës “Demokratia”, e cila u bë Tribunë e Neo-Shqiptarizmit dhe e aktiviteteve patriotike në Shqiptari.
Xhevat Kallajxhi (1904, Gjirokastër – 8 Nëntor 1989, Meryland ShBA) u rrit në një familje të lidhur miqësisht me vëllezërit Frashëri. Xhaxhai i tij që heret ishte një luftëtar i paepur për çështjen shqiptare, drejtoi në Prevezë kryengritjen në ditën e mbledhjes së komisionit jugor për kufijtë. Me këtë i tregoi Kongresit të Berlinit betimin se: “Do t’i mbrojmë kufijtë me gjak – por fatkeqësisht Evropa nuk mungoi të kënaqi lakmitë greke duke ndarë tokat shqiptare. (Artë, Prevezë, Janinë etj.)
I rritur me historitë e Bajo e Çerçiz Topullit, Xhevati që në rini eci në ate udhë. Këtë e fakton pjesëmarrja e tij në Shkodër në një ceremoni shtetërore për të nderuar bashkatdhetarët e tij.
Pushtuesit serbo-malazesë, më 1915, vranë tradhëtisht në vende të ndryshme, patriotët shqiptarë si: Isa Boletini, Ded Gjo Luli, Mehmet Shpendin, Çerçiz Topulli e Mustafa Qulli, të cilët me armë në dorë u bashkuan në Shkodër në krah të lëvizjes për mbrojtjen e trojeve shqiptare nga pushtimi sllav:
Gazetari Xhevat Kallajxhi shkoi në Shkodër, pas 20 vjetëve të vrasjes së Çerçiz Topullit dhe Muço Qullit (të vrarë nga aleancat sllavo-greke kundër shqiptarëve), kur u zbuluan varret e tyre në Shtoj, afër qytetit. Me këte rast mori pjesë në ceremoninë e përcjelljes me personalitete të larta të Gjirokastrës dhe të Shkodrës. Aty përpara mijëra qytetarëve shkodranë, u mbajtën fjalimet e nderimit, në një ceremoni shtetërore 14 Shtator 1936. Aty, ai dëgjoi fjalimin brilant të nderimit të dy martirëve nga Patër Anton Harapi, i cili e vlerësonte shumë gazetën “Demokratia” të Xhevat Kallajxhiut. Ja një fragment nga fjalimi:
“Ndaluni! Ku veni burra?! Çerçiz e Muço, dy fjalë ka me ju Shkodra Kreshnike, ktu në log të kuvendit para se të daheni. Do ta leni Shkodrën, të shkoni e të pushoni atje, ku së parit pat t’amblat rreze të diellit, ku, si filiza të shndoshtë, gëzueshëm e rritët shtatin, atje prej kah Shqypnija u qiti dhe u ndriti! Zotnijë të ndritshëm… Mirrni këto visare të çmueshme e shkoni. Para se të niseni, ejani këtu e mbi këta eshtën, shembull ideali, force e bashkimi, t’ia shtrijmë dorën shoqishoqit, Toskë e Gegë, muhamedanë e të krishtenë e me besën e burrave me besën shqiptare, të lidhun për t’ia lanë shqiptarit të paprekun nji Zot të vërtetë, nji Atdhe të lumtun, për të bamë Shqipninë e Re të fortë e të madhnueshme, të denjë për Skënderbeun…”
(Fragment nga fjalimi i P. A. Harapit publikuar te “Hylli i Dritës”, Shkodër tetor 1936 dhe te “Përpjekja Shqiptare” tetor 1936.)
Në gazetën “Demokratia”, Xh. Kallajxhi publikoi fjalimin e Ernest Koliqit të kësaj dite nderimi të figurave të ndritura Çerçiz Topullit dhe të gazetarit Mustafa Qulli, (M.Q. drejtor i gazetës “Populli” që botohej në Shkodër).
Fragment nga fjalimi i Koliqit publikuar në Gazetën Demokratia, 10 tetor 1936.
“E ju, O hije madhore të Çerçiz Topullit e të Mustafa Qullit, nisnju kah vendet jueja tue e ngjallun nëpër të gjitha buzët nji kangë shprese, zgjoni në kalim zemrat e fjetuna, fuqizoni shpirtërat e ligshtuem shka kërkon djalëria prej Shqypnis? Drejtësi të plotë shoqnore
O Ti Çerçiz, O Ti Mustafa Qulli qi ma t’kuq e batë flamurin me gjakun e pastër tuej, shpallnja djalërisë se përparimi ma i drejtë, se drejtësia ma e plotë shoqnore, mund të arrihen n’emën të Shqypnisë…”
Si edhe paraardhësit e tij gazetari patriot Xh. Kallajxhi, punoi e luftoi për çështjen Kombëtare si gazetar dhe publicist drejtoi gazetën “Demokratia”, bashkëpunoi me publicistë të talentuar si: Vangjel Koça, Branko Merxhani, Jorgji Meksi… Lufta e Dytë Botërore e gjeti të lidhur krah Mit’hat Frashërit në Organizatën e Ballit Kombëtar, e mësojmë këtë nga libri “Larg Atdheut” botuar kohët e fundit nga shtëpia botuese “Urtësia Bektashiane”, Tiranë 2020, një libër historik – dokumentar ngjarjesh me fakte vendimtare mbi organizatën nacionaliste “Balli Kombëtar”, Organizatë e formuar që më 1939, pak muaj pas pushtimit fashist, organizatë e fshehtë nën drejtimin e Mit’hat Frashërit, prej ku doli deklarata e njohur “Oktalogu” hartuar nga Komiteti Nacionalist. Sipas Xh. Kallajxhiut: “Komunistët u aktivizuan kur u sulmue BS, Qershor 1941, të cilët u organizuan vetëm për të marrë pushtetin. I gjithë populli ka marrë pjesë në luftën kundër pushtuesit edhe kur komunistët tradhëtuan Mukjen dhe filluan luftën civile kundër nacionalistëve patriot…”
Hakmarrja politike u bë shkak të largohej nga Shqipëria me 1944. Jetoi në Itali, pastaj në SHBA, bashkohet me bashkëpunëtorë antikomunistë shqiptar, ku botoi gazetën “Shigjeta”1950, organ i frontit antikomunist në USA. Punoi në “Free Europe” (Evropa e Lirë) dhe në Zërin e Amerikës. U lidh me Teqenë Bektashiane në Detroit me Atdhetarin, Baba Rexhepin, duke vënë në dukje rolin që luajti në jetën fetare e kombëtare Teqeja si institucion jo vetëm fetar, por u bënë qendra për bashkim Kombëtar. Për këte botoi librin: “Bektashizmi dhe Teqeja Shqiptare në Amerikë”. U lidh me Vatrën më 1976 -1986 ku drejtoi gazetën “Dielli”. Dhjetë vjet punë intensive me artikuj e kryeartikuj në gazetën “Dielli” ku xixëllojnë shkrimet e tij “Mirënjohje shqiptare për Amerikën” “Gjallëria e racës shqiptare”… ku shtronte problemin kombëtar dhe padrejtësitë evropiane ndaj kombit shqiptar… Si shkrimtarë lëvroi edhe poezinë. Poezitë kushtuar Kosovës “Kosova Martire”, “Marshi i djelmënisë kosovare”, “Çamërisë”, “Arbëreshëve të Italisë”, etj.etj. Me krenari gazetari Gjirokastrit i jep vlerë poezisë kushtuar shkodranit klerik Dom Ndre Zadeja, patriot i flaktë, shkrimtar i përmendur, viktimë e komunizmit 1945.
Zëri i Xhevat Kallajxhiut dëgjohej kur punoi për shumë vite pranë seksionit shqip të Zërit të Amerikës.
Gazetari Kallajxhi u bë i njohur me veprat “Linkoln” 1961 dhe “John F. Kennedy” 1980, duke ngritur lart vlerat e dy personaliteteve të larta amerikane që u bënë viktimë e luftës për liri, Demokraci dhe humanizëm, ideale të cilat e drejtuan në jetë edhe vetë autorin. Më 1975, boton “Skënderbeu” me rastin e 500 vjetorit të vdekjes së heroit, me 1976, “Lot e Shpresë”, me 1980 “Tingëllimat e Zemrës” duke lënë në dorëshkrim romanin “Larg Atdheut” (botuar pas vdekjes, 2020)

Gjirokaster, 1940 - Ne qender me kapele ne dore, Xhevat Kajallxhiu
Gjirokaster, 1940 – Ne qender me kapele ne dore, Xhevat Kajallxhiu

Vlerësim për gazetarin Xhevat Kallajxhi, nga Peter Prifti: “Në tërësi shkruante duke pasur respekt për faktet dhe duke patur përmbajtje prej dijetari… Përkrahja e tij ndaj parimeve demokratike daton që nga Gjirokastra kur Ai botoi gazetën “Demokratia” – liria, Pavarësia, paqja, Demokracia, nuk kanë qenë për të slogane por kushte vitale të domosdoshme për një shoqëri të drejtë e të mirëqeverisur!” Peter Prifti

3.Branko Merxhani (1894-1981)

U shfaq me vonesë në Shqipëri në fushën e letrave pa ditur gjuhën shqipe, pa njohur historinë e të parëve të tij, por ra si meteor papritë në vendin e të parëve të zhvendosur nga politikat shoveniste të fqinjëve. Ndaj për një kohë të gjatë nuk dihej biografia e tij. Letra me fax që mora nga Dr. Jakov Milajt 1993, hodhi dritë mbi vendlindjen e tij po në tokë shqiptare në Nish, ku i jati ishte nëpunës i perandorisë dhe nëna shqiptare e sllavizuar nga ku rrodhi emri përkëdhelës Branko. Babai ishte me origjinë nga Sopiku i Pogonit të Gjirokastërs, i cili e kishte pagëzuar me emrin Aleksandër, (emri i vërtetë i tij, këte e mësova nga vajza e Brankos, Afrodita, 1995)
Fshati Sopik i të parëve, gjendej tamam aty ku e kishin vendndodhjen Mollosët, prej nga vinte Nëna e Aleksandrit Madh, ndaj dhe emri Aleksandër ishte i gjetur nga i jati.
Në letrën e Dr. Jakov Milaj mësojmë edhe arsyet pse erdhi në Shqipëri më 1926 dhe pse u largua më 1939. (Manuscript-in origjinal e kam dorëzue në arkivin e Fondacioni M. M. Ivanaj)

Branko si djali i një juristi, gjykatës, nëpunës i perandorinë Osmane, i ati e dërgoi të birin në shkollat më të larta të kohës. Branko si student i Universitetit të Stambollit për filozofi, Histori dhe i Vjenës për Sociologji, nuk nguroi të shfaqi këtë kulturë sapo erdhi në Shqipëri me 1926, nëpërmjet shtypit të kohës edhe pse nuk e shkruante shqipen, ia përkthenin shokët si Vagjel Koça dhe ai nuk ndalej së publikuari,
Arriti ta mësojë shqipen shumë shpejt dhe u bë një nga korifejt e publicistikës shqiptare siç e vlerësonte shkrimtari i madh Petro Marko: “Ai ishte mësuesi im” adhurues i Ataturkut.
Personalitet i shquar, i përkushtuar për të përhapur ide të reja, për të ndalë doktrinën e gabuar që qarkullonte nga lindja. Kërkonte ndriçimin mendor drejt qytetërimit evropian, nepërmjet evolucionit dhe jo luftës klasore që po eksperimentohej në Rusi. Puna e tij intensive po bënte më të mirën edhe pse financat e veta ishin të pakta. Kjo e detyroi ta linte familjen të sapokrijuar në Sopik, pronë e paraardhësve tij, zonjën me dy vajzat (Elefteria 1931-2022 dhe Afrodita 1933-2016)
Askush nuk e dinte se ai kishte një familje dhe nuk ishte në gjendje financiare t’i sillte në Tiranë. Jetonte në kufijtë e varfërisë deri edhe në shitje gazetash siç shpreheshin kolegët e tij, Prof. Nexhat Hakiu, Prof. Fadil Repishti, Petro Marko, Dhimitër Shuteriqi etj… Deri ditën që iku nuk kishte një lek në xhep. Një arkitekt që kishte mbaruar në Gjermani i bëri peshqesh një radio të cilën e shiti për 30 Napolona ar për t’u larguar (viti 1939) Ai kishte refuzuar kushtin që i vunë pushtonjësit për ta emëruar revistën “Përpjekja Fashiste” për këtë i tha mikut tij të afërt: Ika Vangjel (Koça) – dhe kur Branko i shkruante Vangjel Koças nga Egjipti përdorte pseudonimin Madam Baterfly (M. B.) për të mos e dëmtuar reputacionin e Vangjel Koça, i cili vazhdonte të punonte me mendimin që të përfitojmë nga kultura përendimore.
Ishte i dhënë pas gazetarisë së cilës i kishte dhënë prioritet që në vitet e para:
“Kam ca muaj në Stamboll, ku shkova tërë beharin në shtëpinë e babait që ndodhet në brigjet magjike të Çamlixhës. Duhet t’ju zbuloj një faj t’im – në mund ta them kështu – dëshirën e natyrëshme të temperamentit tim; shpirti i gazetarit, ky instikt çqetësonjës i mbledhjes lajme dhe gjurmimit, më ndjek në çdo hap të jetës sime. Gazetaria ka qënë puna ime e parë e kënaqshme, që më tërhoqi thellë dhe më fali oreksin e punës. Kam nxjerrë gazetë, doemos qesharake dhe të shkruarë me dorë, që kur se kam qenë akoma nxënës i vogël i shkollës së mesme. Më pas kjo nxehje djalatore, që më dukesh në krye si lodër e mirë, u kthye në profession të rregullt e të dashur, pa që ta ndjej edhe unë këtë gjë se si e më gjithë kundërshtimin e familjes.”
Por kurrë s’u ndal, Gazetaria qe një shkollë për te, nga gjurmimet në çdo skutë të shoqërisë, fitoi kulturë të gjerë. Studioi me themel historinë botërore, kushtet sociale dhe ekonomike që kishte ndjekur një vend apo një tjetër. Kishte nxjerrë përfundimin për problemin shqiptar, për llojin e demokracisë që i duhej vendit tonë dhe rrugët që duheshin ndjekur për t’ia arritur qëllimit, duke kërkuar kështu formimin e një doktrine nacionaliste shqiptare: Neoshqiptarizmin.
Kur Merxhani ishte në Tiranë, bashkëpunonte e diskutonte me vëllezërit juristë të Musine Kokalarit “Si do të jetë e ardhmja e Shqipërisë” Dashje pa dashje Musineja ishte ndikuar prej kësaj rryme të re: Neoshqiptarizmi. Ndaj dhe në platformën e saj politike spikatnin idetë demokratike, të cilat i paraqiti në statutin e PSD. Ku ndër të tjera kërkohej evolucioni i marrëdhënieve ekonomike në Shqipëri, realizimi i reformës agrare jo me dhunë, të bëheshin ndryshime sociale për një sistem shoqëror në mbrojtjen e të gjitha klasava me liri politike. Ndërsa me anë të një memorandumi Musineja kërkonte të përfshihej kërkesa për zhvillimin e një plebishiti në Kosovë, për vetëvendosje, pasi emblema e saj ishte “Pa Kosovë e Çamëri, nuk ka Shqipëri” të gjitha këto e shumë të tjera përputheshin me perspektivën që kërkonte Branko e Vangjel Koça.

Vepra mbi Branko Merxhanin nga Botimet Plejad
Vepra mbi Branko Merxhanin nga Botimet Plejad

Preokupacioni i Merxhanit ishte në Lidhjet ekonomike e politike të Shqipërisë me botën, me vendet më të zhvilluara që ishin atëhere Anglia, Franca, SHBA, që udhëhiqeshin nga parime të një demokracie tradicionale, për të nxjerrë Shqipërinë nga pellgu i varfërisë mendore e fizike.
Për këte lëshonte thirrje njerëzore “Shqipëria ka nevojë për njerëz që lartësojnë veten e tyre përmbi logjikën e imponuar të ditës dhe për njerëz që kuptojnë kohën dhe ndiejnë fund e krye nevojat e saj…”
Merxhani vetëm njëherë shkroi për pasojat e bolshevizmit në kryeartikullin: “Pse nuk jam Marksist” të revista “Përpjekja Shqiptare” por ishte skaneri më i mirë deri më sot, që i është bërë asaj doktrine të urrejtjes klasore.
Kur fashistët e detyruan të titullonte revistën e tij “Përpjekja Fashiste” Ai u largue nga Shqipëria si shumë të tjerë antifashistë, Inxh. Qemal Butka, Dr. Dalip Zavalani, Prof. Mirash e Dr. Martin Ivanaj, Duke lënë në Sopik, zonjën e tij me dy vajzat e mitura. (të cilat emigruan në Itali gjatë luftës italo-greke dhe më vonë në SHBA)
Në Shqipëri, Branko qëndroi 1926-1939, kudo që shkoi më pas, vazhdoi të shkruante për Shqipërinë në gazetat Turke me emrin Baha Ozler, (e mësova këte emër nga vajza e tij Afrodita. (Afrodita Merxhani Kici ishte e martuar me albanologun Shkodran, Gaspër Kici, gazetar i “Zërit të Amerikës”).
Për situatën e sotme vlen shumë shkrimi i Branko Merxhanit “Kosova: Pavarësia Kombëtare – Problemi Shqiptar” (botuar, gazeta Tomorri, me 1943, Nr. 159, 4 korrik,) një polemikë me Nebil Çikën për shkrimin “Problemi jetësor dhe etnik”, kushtuar Kosovës.
Duke i dhënë të drejtë N. Çikës, Merxhani shprehet: “Shumë me vend thotë Nebili mbi rëndësinë e Kosovës për shtetin dhe pavarësinë shqiptare.
Kanë shumë të drejtë ata prej nesh që mendojnë se një popull që heq dorë prej së drejtës së njëmendësimit të njësisë kombëtare të tij për të mossakrifikuar gjë, është popull pa vlerë etike. Po, lavdi Zotit, kjo ndërgjegje e detyrës nuk mungon në Shqipëri. – Vetëm po ta kemi Kosovën, ne mund të ngremë një shtet të lirë… Me Kosovën mund të sigurojmë njëfarë pavarësie ekonomike me bazë të ndërvarësisë ekonomike, e cila është një ligj që i lidh ndërmjet tyre kombet….. – Fuqia prolifike (e shtesës së njerëzve) e jonë dyfishohet, duke patur Kosovën shtohet shumë pesha politike jonë… për zhvillimin e jetës mendore… pra Kosova duhet të jetë e jona sepse është shqiptare… sepse zotëron gjithmonë zëri i gjakut, i gjuhës dhe i historisë që i mbajnë kombet në këmbë dhe i shpëtojnë nga rrebeshet e shekujve… është edhe pikëpamja spiritualiste: e drejta jonë etnike mbi Kosovën që mbështetet kryesisht mbi këte parim shpirtëror të pabisedueshëm… me gjakun tonë krijuam lirinë politike shqiptare në Vlorë në nëntor të 12-ës, produkt i heroizmit të një populli që nuk udhëhiqet nga llogari lëndore, po nga ëndrra e lirisë…” Branko Merxhani

Çfarë të keqe ka sot shqiptaria nëse i drejtohemi ideve të këtyre ideologëve progresiv për të ndryshuar kulturën e punës, të studimit e të mendimit të rinisë shqiptare, kur kafenetë në Shqipëri me varfëri ekonomike janë plot dhe biblotekat bosh, një pjesë tjetër largohen… Kush mban përgjegjësi për këte kaos të problemeve sociale.
Nuk ngrihet zëri edhe për ata që emigrojnë në fqinjin jugor, në tokën e vet, ku ua ndërrojnë emrin, gjuhën, identitetin. Fqinji jugor një shtet që nuk i njeh minoritetet, por prej të tjerëve kërkojnë të pamundurën… padrejtësisht.
Nga ana tjetër në tokën shqiptare, sajojnë varre, ndërtojnë shkolla e institucione fetare, ndërkohë, pasuritë e shqiptarëve dhe historia e një populli autokton jashtë kufijëve injorohet plotësisht.
Shtëpitë, pronë e shqiptarëve autotoktone, trashëgimi shekullore, varret stërgjyshore apo viktimat e gjenocidit grek në tokën e lashtë Arbërore, nuk të lejojnë as t’i vizitojnë.
Vendosmërisht shprehen me egërsi – nuk ekziston Çamëri, por ekziston ligji i luftës. Guxojnë të shpalosin flamurin e vendit vet dhe të ngrejnë zërin, “Himara qendër e helenizimit”, apo“Butrinti koloni greke”, “Shqiptarët kanë ardhë me dele…!”
Kështu e pësoi në caktimin e kufijëve Gjeneral Enriko Telini, dëshmori i Paqës midis kombeve,
i cili po e kryente detyrën me ndërgjegje të lartë e drejtësi për caktimin e kufijëve… Ai raportonte në ate kohë… “Autoritetet dhe trupat Greke nxjerrin pengesa nga më të ndryshmet” … derisa e vranë!!

Nuk thonë se heronjtë e revolucionit grek ishin shqiptarët, nuk thonë që Lord Bajroni i ngrente në qiell shqiptarët trima që dhanë gjithçka për çlirimin e Greqisë… “Kush ia shkon në trimëri suljotit brun me të bardhë fustanellë e me gunë…” Byron
Apo Elena Gjika, gruaja më e ditur e të gjitha kohërave, me origjinë shqiptare shkruante: “Do të vijë dita që të ngremë në varrin e Boçarit, flamurin e Skënderbeut…!”
Ashtu edhe më keq fqinjët veriorë që kanë pushtuar gjysmën e Shqipërisë natyrale, i kanë zbuar banorët e Nishit dhe vazhdojnë ndër të tjera. Ata që kanë rezistuar dhe kanë mbrojtur gjuhën dhe identitetin nuk i lejon të organizohen në truallin e vet mijavjeçar, ndërsa për një pakicë serbe të krijuar artificialisht, në Kosovë, nxitojnë me urdhër, të ndërtojnë shtëpi në tokën shqiptare për t’i mbushur me banorët e vet . Ndërtojnë kishën në qendrën studentore shqiptare në mes Prishtinës, kërkojnë të bëjnë shtet brenda shtetit tënd të mbrojtur me gjak shqiptari, por të cunguar prej grabitjes dhe gjenocidit.
Një padrejtësi dhe vonesë e pajustifikueshme po bëhet për bashkimin e shqiptarëve, të ndarë në gjashtë shtete, një Shqipëri që kufizohet me vetveten. Popujt duan të jetojnë në harmoni miqësore në Evropën e Bashkuar. Me urtësi dhe drejtësi dëshirojnë fqinjësi vllazërore. Mos ia mohoni shqiptarëve bashkëjetesën e dëshiruar. Kjo ishte ëndrra e rilindësve, kjo ishte ideja e progresistëve për zhvillimin e pozitivizmit shkencor.
Vendimi i njëzëshëm i Shqiptarëve është Bashkimi, është perspektiva e një populli shumëmilionësh.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.