back to top
4.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Personalitet e poet i veçantë Mirash Ivanaj – Mexhit Prençi

Gazeta

Dr. Mirash & Prof. Martin Ivanaj 1930
Dr. Mirash & Prof. Martin Ivanaj 1930

Personaliteti e poeti i veçantë Mirash Ivanaj Mexhit Prençi

Shёnime mbi librin “Epopeja e Njeriut”, të vëllezerve Ivanaj përkthyer dhe shoqëruar me nji studim nga Dr. Lazër Radi

Jeta e të mëdhenjeve është epokale “Dr. Mirash Ivanaj, emër i bardhë si dëbora, të cilit rinia shqiptare i mban në zemër një vend mirënjohje”

Mirash Ivanaj një ndër atdhetarët dhe personalitetet më të shquara të kombit, njohës i 11 gjuhëve të huaja, me dy fakultete të kryera në Romë, atë të letërsisë dhe të jurisprudencës, ministër arsimi në kohën e Mbretit Zog, dënohet dhe persekutohet nga regjimi komunist, gjersa vdes në burg. Ky personalitet i kulturës kombëtare është edhe poet i talentuar.
Libri i tij i shkruar me bashkautor të vëllanë Martinin, gjithë-gjithë 22 poezi, dëshmon për klasin e tij edhe në rrafshin e poezisë, edhe pse u shkruan në moshën e rinisë. Njëzet e dy poezi (1908-1918) krijuar nga Martin dhe Mirash Ivanaj përfshirë në librin “Epopeja e Njeriut” janë pak, fare pak për një poet që të hyjë në historinë e letërsisë. Mirëpo kur këto poezi jane poezi, ndër më të mirat e kohës kur u lindën, ndër poezitë elitare të periudhës 1908-1940, na nxit të përsëritim sentencën se, jo sasia por cilësia është vlerë. Mund të shkruash me dhjetra e dhjetra libra, madje edhe voluminozë, por nëse vlerat artistike, estetike dhe kumtore janë të nivelit të ulët, ato kënaqin vetëm autorët mediokër dhe lexuesit mediokër.
Poezitë e Martin dhe Mirash Ivanajt, kanë një specifike të veçantë: janë përjetime të çasteve, momenteve, episodeve, të shfaqjes së dashurisë, të pasioneve të mëdha dhe, përjetimeve të thella të raporteve dashurore në kulme kënaqësie, po edhe në drama ndarjeje e tradhëie. Madje ajo që përbën thelbin e personales artistike të poetëve është pasioni i fuqishëm i dashurisë, e cila jepet si një forcë magjike gjithë energji si dashuri shpirtërore, platonike dhe idealiste.
Poetët Ivanaj e shohin të bukurën te shpirti, te idealja, te pasioni i madh dashuror dhe jo tek akti i fundit, seksi. Kjo optike buron prej moralit te kohes kur jane shkruar poezite, sipas psikologjisë rinore të moshës së poetëve si dhe, nga ndikimet dhe trajtimet e kësaj teme nga letërsia botërore. Është një alternativë poetike, një vështrim poetik, që lidhet edhe me filozofinë dhe estetikën e së bukurës në natyrë, shoqërinë njerëzore dhe, nga botëkuptimi dhe morali i njeriut të asaj kohe.
Po le të kthehemi përsëri te poezitë e Martin dhe Mirash Ivanajt. Dukuri tjetër në poezitë e librit “Epopeja e Njeriut” është mishëerimi artistik i fiozofisë së jetës dhe vdekjes, të së përkohshmes dhe së përjetshmes, të së bukurës dhe së shëmtuarës, të cilat jepen poetikisht në disa poezi si të: “Këngë për fundin”, “Kalimtare”, “Nënshtrimi”, “Njeriu” etj. Ja disa vargje nga poezia “Kalimtare”:

Dhe ne vazhdojmë me ngutje e hov
të bindur se bota me ne fillon,
koha e vdekur majë shpirtit vajton
dhe varri i lagësht e quan veten hyjnor,
pa e ditur se fillimi i fundit troket në derë
dhe amëshimi n’gajasje shpërthyese na përqesh…

E shkruar bukur, me pasion, me situata dramatike e ritëm dinamik, është krijuar poemthi “Semiramida” që përshkohet nga frojdizmi, ku jepet me art klasik drama e epshit për seks, mëdyshjet dhe lufta me veten për inçestin mëmë e bir. Temë kjo e trajtuar nga tragjikët e mëdhenj grekë… Autorët paraqesin me mjeshtëri artistike luftën e brendshme te epshit për seks, nga Mbretëresha Semiramidë, dyluftimin me veten: midis nderit dhe vesit, detyrës dhe kontrollit të vetvetes, pasionit që mbyt arsyen dhe fisnikërisë. Pas kryerjes së aktit seksual të Semiramidës me të birin, që i ngjante të atit, nëpërmjet dy vargjeve të fundit,

“Me pas gjithçka rreth tyre, u zhyt në baltovinë
Veç Zoti pastë mëshirë për fjalën që u gremis”,

transmetohet kumti se kënaqësia shtazore kur shkelet morali të mbulon me baltovinë, atëherë njeriu e kupton mëkatin dhe i drejtohet Zotit ta falë.
Poezitë e vellezërve Ivanaj, në këtë liber, kanë si temë kryesore dashurinë në variacione të ndryshme. Pothuajse të tëra poezitë i përshkon një ndjenjë e zjarrtë, e fuqishme, e pastër dhe potente që buron nga pasionet e mëdha të dashurisë frojdiste të inçestit, ku ekzistojnë të gjitha ngjyrat, tingujt dhe elementët realiste, romantike dhe frojdiste. Do të ndalem telegrafisht te një poezi që i këndon dashurisë me shikim të parë, e cila titullohet Kënga e këngëve.

Tashti gjykomë!
Ti sa kalove, unë i goditur
i çoroditur mbeta. Shurdhan i heshtur
shtanga, ashtu krejt i verbuar, i drobitur,
si toka kur përqafet e mëkohet vetëtimash.
………………………
As bota s’jeton më, gjithësia krejt e vdekur.
N’heshti janë zhytur yjet dhe toka pezull rri,
n’kët’ mbretëri të heshtjes, po vdes
edhe vdekja vetë, e pas i vjen gremina
Megjithatë, ai pret edhe pse e di se më kot pret:
Më kot pres. Nata të ka fshehur në gji të saj.
A thua vallë në shpirt i ëndërron këto gjëmime,
a, mos drithërima dhe gazi i hareshëm shpërthen
prej teje, e ta ndez pasionin përvelues?

Çdo koment është i tepert. Në këtë përmbledhje poetike ndeshim edhe një poemth të titulluar “Hetera” që i kushtohet një prostitute të mplakur.

Dikur u rrëzua infektuar prej turpesh
tash thirrjet e trupit mundi përplot t’i mbushë,
rrethuar e ka vetveten me flligështi e terr,
e shpirti sterr i nxin mbytur prej mëkatesh.
E lind bukurinë tek shkel pa mëshirë vetveten,
e në flokët e dendur nëpërkat i lëvizin. (Hetera)

Është shkruar me art, me figuracion të pasur, ku vendin e parë e zenë metaforat, tropet, simboli, epiteti dhe grotesku, që dëshmon jo vetëm talentin e poetit, por edhe intelektualin e shquar, njeriun e ditur, vëzhguesin e hollë, psikologun e thellë, i cili jo vetem zbulon dramat e kësaj prostitute të plakur, por i shtjellon ato me art të mrekullueshëm e magjik, duke percjellë kumte të fuqishme njerëzore, të cilat burojnë prej gjendjeve dramatike të së keqes, prej nga nxirren mësime që të mos përsëriten. Poezitë e vëllezërve Ivanaj janë përkthyer prej serbishtes nga Dr. Lazër Radi, i cili ka arritur ta shqipërojë bukur, duke mos ia bjerrë vlerat e saj, duke i qendruar besnik ndjenjës dhe mendimit të autoreve, indvidualitetit të tyre poetik, ritmit, intensitetit dhe gjuhës me kolorit. Lazër Radi është edhe hulumtues dhe studjues i krijimtarisë së tyre nëpër arkiva, çka ka bërë një punë me përkushtim dhe me vlerë. Mendoj se punonjësit e Akademisë së Shkencave dhe historianët e letërsisë shqipe kanë për detyrë qe figura të tilla poetësh elitarë, të vlerësohen dhe t’u jepet vendi i merituar ne hierarkinë e vlerave të traditës…
e mërkurë, 28 Janar 2004

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.