“Përtej harrimit” dhe përkthimi i “Shekspirit” të Hygoit,
si përpjekje në rimëkëmbjen historike të kujtesës së përbashkët
Ermira Godo (Xhomaqi) – New York, 27 maj 2023
Të dashur bashkëatdhetarë, vatranë, media, mësues, profesorë, aktivistë, veprimtarë të çështjes kombëtare, ju përshëndes e ju falenderoj përzemërsisht të gjithëve, të jeni sot të pranishëm në këtë takim, e në këtë ditë të shënuar. Kam kenaqësinë e veçantë të cilën ndoshta nuk do të mund ta përcjell dot me fjalë, të ndaj me ju këtë prezantim sot në këtë sallë.
Dëshiroj gjithashtu të falenderoj të gjithë organizatorët që mundësuan këtë takim, e veçanërisht krye-redaktorin e Gazetës Dielli, Sokolin për mirëkuptimin dhe mbështetjen, por edhe për punën e palodhur që bën me Gazetën Dielli, e cila ashtu siç ka edhe emrin është një ndriçim për të informuar por edhe një thesar i vyer, për të mbajtur gjallë frymën atdhetare, për të sjellë në kujtesë gjthçka që nuk duhet harruar, gjithçka që nuk duhet të jetë kurrsesi nën pluhurin e kohës e as në oborrin e padijes, duke përmbushur kështu atë mision të shenjtë, solemn dhe historik të kësaj “Vatre” të nderuar shqiptare, e cila sheston në rrugëtimin e saj njëshekullor, mbrojtjen e të drejtave të mbarë shqiptare, si dhe përhapjen e vlerave tona kombëtare, historike e kulturore, jo vetëm në New York dhe Amerikë por kudo në botë.
Jam e lumtur dhe e nderuar të ndaj me ju këtë bisedë sot, dhe në nderim të gjithë atyre figurave të shquara të cilat kanë dhënë e vazhdojnë të japin kontributin e tyre në “Vatrën” e Nolit të madh e të viganit Konicë dhe në përkujtim të 50 vjetorit të revoltës së Spaçit më lejoni të shtoj në tempullin e kujtesës së kulluar vatrane edhe “revoltën time paqësore” e cila sjell sot mes jush këto dy vepra, kushtuar intelektualizmit shqiptar dergjur qelive të burgut të Burrelit, shkrirë e përputhur me figurën e tim gjyshi, një intelektuali antikonformist, në imazh të të gjithë atyre intelektualeve, jeta e të cilëve humbi e mori rrapëllimën viteve të diktaturës.
Të nderuar zonja dhe zotërinj,
“Përtej harrimit” dhe përkthimi i “Shekspirit” të Hygoit, janë mbi të gjitha një përpjekje për të dhënë një kontribut sado modest, në rimëkëmbjen historike të kujtesës sonë të përbashkët, një përpjekje për të rrëfyer mbi fakte e dokumenta atë pjesë të historisë dhe të qëndresës sonë e cila u fsheh dhe u përgënjeshtrua enkas, për më shumë se një gjysmë shekulli gjatë viteve të diktaturës.
Në këtë këndvështrim këto dy vepra ndërlidhin, jo vetëm emra e kolosë të letërsisë botërore të të gjithë kohërave, por mbi të gjitha ato janë një nyje gordiane që përtej shkrimit e përkthimit, përtej fjalës dhe emocionit, përtej brengës dhe kujtimit, përtej përvojave gjuhësore e njerëzore, përtej ekzilit, internimit e jetëve paralele, – Lidhin Epoka, Ngjarje, Breza e Histori.
Sepse përtej “thirrjes” e zërit të amanetit së tim gjyshi, detyrimit shpirtëror, ishte një tjetër “thirrje” edhe më kumbuese, e cila trondiste edhe më fort e jepte kushtrimin për pëmbushjen e një detyrë qytetarie, në emër të një pune shumëvjeçare, për t’ju përcjellë pasardhësve jo vetëm një histori e një përkthim por edhe një gjurmë e një pjesë të kontributit të tij, e cila shënon qëndresën, betejën dhe arratisjen e një mendjeje, arratisjen e shumë mendjeve si Ai, drejt një bote të lirë, drejt një bote të munguar por të ëndërruar, për të reflektuar veten në trajtën e fjalëve të Hygoit dhe pikërisht kështu të mund të mbetej ajo më e mira, më e vërteta, e ndoshta më e bukura e asaj kohe të vështirë…
Të nderuar zonja dhe zotërinj,
Abdulla Ramin, gjyshin tim të mirë, për fat të keq nuk e njoha kurrë. Edhe pse ai më dha bekimin dhe emrin, vdiq papritmas në internim, kur unë isha ende shumë e vogël, vetëm dy vjeçe.
Jetonim atëherë të dëbuar, në një shtëpi ndërtuar me qerpiç nga duart e babait dhe të xhaxhallarëve të mi. Aty, nëna ime, në një sënduk të vjetër druri ruante librat dhe dorëshkrimet e Atit të saj. Ishin pikërisht ata libra pikëtakimi im i parë me të dhe frëngjishten, ishin ato dorëshkrime dialogu im i parë me personazhin e tij… me nje figurë e cila thuajse nuk ekzistonte, atë nuk e njihnin plotësisht, as të afërmit, as familja, as të tjerët… Shumica e bashkëvuajtësve të tij nuk jetonin më, shumë shkrime e dokumente të rëndësishme gjatë raprezaljeve, burgimeve dhe internimeve që ndoqën familjen ishin zhdukur. Për Ramin nuk kishte thuajse asgjë të shkruar, as tituj, madje edhe diplomat e tij ishin zhdukur në ato vite…
Gjithsesi, kam hezituar mjaft përpara se të filloja të shkruaja këtë libër , jo nga mungesa e dëshirës, por në radhë të parë, sepse kam menduar se duhej dikush tjetër, një shkrimtar, studiues a historian i mirëfilltë, i cili do ta ndërmerrte një mision të tillë, Por shihja çdo ditë se vitet po rridhnin, se brezi i prindërve tanë po largohej nga kjo botë…, dhe ne e bashkëmoshatarët e mi, mbeteshim kështu i vetmi vektor transmetues i ngjarjeve dhe i historive të tyre.
E kështu, mora në duar shkrimet, dorëshkrimet, kujtimet, dosje të pahapura nga arkivat e shtetit shqiptar, fillova të bëj biseda pafund me të afërm, bashkëkohës dhe bashkëvuajtës, rrugët e të cilëve ishin pikëtakuar në vuajtje të përbashkëta, përgjatë kalvarit e golgotës së atyre viteve. Ata më shfaqnin përpara syve një palimpsest të kohërave, të mbresave e historive… dhe me përcillnin jo vetëm një mesazh të përshpirtshëm e hyjnor, por mesazhin e një akti lirie e qëndrese, si një tregues i pakundershtueshëm në faktin se në çdo moment të jetës së saj Shqipëria është përballur dhe i ka qëndruar diktaturës së atyre viteve.
Në këtë rrugë të pashkelur e të gjatë… kalova nga Tatzati i Delvinës, në Gjirokastër, nga arkivat e Tiranës, në burgun e Burrelit; duke ndjekur trajektoren e rigjetur nga Arkivat e Universitetit të Montpellier-së në Francë, në Arkivat Shtetërore të Kosovës në Gjilan e në Prishtinë, m’u desh të lexoja madje edhe mjaft nga librat e diktatorit Hoxha, i cili e përmendte shpesh Ramin si bashkënxënës të tij në liceun e Korçës e më pas, si kundërshtar të vendosjes së platformës komuniste në Shqipëri.
Ky qëmtim më provonte edhe njëherë, se fati i atyre, udha e jetës së të cilëve u kryqëzua me diktatorin, do të ishte tragjik. Të konsideruar si kundërshtarë politikë antikonformist, edhe pse me një potencial intelektual të padiskutueshëm, ata përfunduan pafajësisht në gijotinë, u internuan, u burgosën, u torturuan, u vranë ose u zhdukën, menjëherë gjatë viteve të diktaturës në Shqipëri.
I referohem këtu një liste të gjatë emrash si… Arshi Pipa, Abaz e Bahri Omari, Gjergj Kokoshi, Pashko Gjeçi, Sami Rrepishti, Uran Kostreci, Aleko Turtulli, Vedat Kokona, Guljelm Deda, Andon Frashëri, Bilal Xhaferri, Sabiha Kasimati, Isuf Luzaj, Myslim Çarçani, Avni e Seit Xhomaqi, Lazër Radi, Mustafa Kadilli, Mit’hat Araniti, Nedin Kokona, Isuf Vrioni, vëllezërit Rami, Musine Kokalari, etj etj… Historia e tyre, dëshmon për energji të pallogaritshme e të pafajshme njerëzore, mbytur me një lehtësi kriminale nën diktaturë, ndërkohë që kontributi i tyre intelektual do të kishte qenë aq i çmuar dhe i vyer për Shqipërinë e pasluftës.
Të nderuar zonja dhe zotërinj,
Sigurisht, ky ligjërim merr përsipër jo të relatojë kalvarin nëpër të cilin u rrokullis jeta e tim gjyshi dhe e mjaft intelektualëve të tjerëve si Ai, të cilët pa dyshim, nëse do të jetonin, do të kishin qenë shtylla të fuqishme në fusha të ndryshme të mendimit ligjor dhe të drejtësisë shqiptare, të shkencave politike e filozofike, të ekonomisë dhe letërsisë, të mjeksisë, inxhinjerisë e agronomisë, të cilët do të kishin vendosur e do të kishin ndërtuar bazat e një shteti shqiptar europian e demokratik, por gjithsesi kjo kumtesë është një përpjekje për t’i bërë homazh të vërtetës dhe qëndresës së tyre, edhe për një fakt shumë të rëndësishëm, pse e vërteta e tyre ende nuk e ka gjetur vendin që i takon në Panteonin e Historisë shqiptare.
Më lejoni t’i referohem këtu vetëm një moment letërsisë:
Në imazhin e kolosëve të letrave botërore: Hygoi është vigan, Hygoi është gjeni, Hygoi ndodhet në Panteon në Paris
Shekspiri është i paarritshëm, Shekspiri është gjigand embrional, i përplotë e sublim, Shekspiri mbetet poeti kombëtar i Anglisë.
Ne këtë këndvështrim e në një kuptim tejet më të gjerë se puna e një individi të cituar: Rami dhe të ngjashëm si Ai, janë modele të fatit të intelektualizmit shqiptar në vitet e diktaturës, ata mbeten qëndrestar e antikonformist.
Për të theksuar këtu edhe faktin se çdo komb është ballafaquar, të paktën në një moment të caktuar të historisë së tij me nevojën e pashmangshme të punës me kujtesën. Ne e dimë shumë mirë se shoqëritë dhe kombet janë ndërtuar dhe rindërtuar mbi rrjedhat e ngjarjeve historike ku kanë qenë aktorë e subjekte, në varësi të rrethanave specifike për ruajtjen e kujtesës kolektive.
Po për ne shqiptarët…, pse është kaq e vështirë historikisht ta shohim në sy të shkuarën e diktaturës? Pse është kaq e vështirë t’i kushtojmë kohën e duhur studimit të saj, për t’i kuptuar ngjarjet ashtu siç kanë qenë, për të qëmtuar e zbardhur me durim e me kujdes atë periudhë të errët të atyre viteve që ishte aq mizore për shumë e shumë nga ne, aq e pamëshirshme për shumë e shumë familje, aq e dëmshme për një popull të tërë dhe aq frenuese për zhvillimin tonë mbarëkombëtar.
Si mund të justifikohet tek ne që edhe pas tre dekadash, ajo që francezët e cilësojnë si “Puna me Kujtesen – le Travail de Mémoire” tek ne është kaq e ngadaltë, për të mos thënë tejet e vështirë dhe e pa arritshme? E mbi të gjitha, a mund të mbrohet sot e drejta e padiskutueshme e viktimave dhe e qëndrestarëve të diktaturës vetëm në ligjërimin për Kujtesën?
Për të ndihmuar në artikulimin e kësaj përgjigjeje, do të doja të bëja një paralelizëm e një lidhje shumë të shkurtër midis punës së kujtesës dhe programeve të përcaktuara me të cilat trajton Unesko – veçanërisht atë të program të quajtur “Kujtesa e Botës” – “Memory of the World”
Krijuar në vitin 1992, Programi “Kujtesa e Botës” në Unesko – synon të mbrojë të gjitha kombet nga “amnezia kolektive”, duke bërë thirrje për ruajtjen e trashëgimisë dokumentare, duke përfshirë ruajtjen e koleksioneve të çmuara të arkivave dhe bibliotekave në mbarë botën, duke rritur ndërgjegjësimin për rëndësinë e kësaj trashëgimie dhe duke u përpjekur për të promovuar aksesin në thesaret dokumentare të mbarë njerëzimit. Këtë vit, Programi “Kujtesa e Botës” në Unesko feston 31 vjetorin e krijimit dhe vazhdon të punoj për të rritur ndërgjegjësimin e autoriteteve publike dhe shoqërisë civile, të specialistëve të arkivave, për rëndësinë e politikave të ruajtjes dhe aksesit ndaj kësaj forme unike dhe të brishtë të trashëgimisë botërore – përballë të gjitha rreziqeve, duke filluar nga ato të pavullnetshmet e të pavetëdijshmet e deri tek shkatërrimi i vetëdijshëm, zhdukja, plaçkitja, e dëmtimi përmes trafikut të paligjshëm, shpërdorimit të vullnetshëm e të pandreqshëm, mosfunksionimit të mjeteve të ruajtjes e të mbrojtjes ose, thjesht, për ta ruajtur këtë trashëgimi nga e keqja më absolute: Harresa.
Sepse kujtimet që nuk përcillen janë ide të humbura përgjithmonë; një libër i pashkruar është një pjesë historie e patransmetuar; një dokumentar i pashfaqur, do të jetë një dëshmi e humbur përgjithmonë; një ngjarje e humbur është një gur më pak në foltoren e Kujtesës sonë…
E kjo gjithashtu sepse për arsye që ne i dimë e i njohim, ne – shqiptarët – i kemi paguar një çmim të madh historisë, një çmim të pallgaritshëm qëndrese e mbijetese në shekuj. Në Shqipëri ashtu si edhe në vendet e tjera të lindjes, arritja më e madhe e diktaturave komuniste ka qenë e mbetet fatkeqësisht: “krijimi i njeriut të ri – njeriut pa kujtesë”, njeriut pa memuaristikë. Arsye për të cilën Shqipëria ka sot nevojë të domosdoshme punën me kujtesën, Shqipërisë i duhet një regjistër Kombëtar për Regjistrimin, Ruajtjen dhe Mbrojtjen e Kujtesës sonë Kombëtare, Shqipërisë i duhen muzetë e viktimave dhe qëndrestarëve të totalitarizmit, memorialet e të vrarëve e të pushkatuarve pa gjyq e pa varr, Shqipërisë i duhen ditët e Kujtesës, jo vetëm në emër të viktimave të komunizmit, por mbi të gjitha Ditët e Kujtesës së Qëndresës ndaj diktaturës, muzetë “Akt Qëndrese e Lirie”, në nderim të Kujtimit të Kundërshtarëve politikë, të Disidentëve dhe të Martirëve. Sepse vetëm kështu ne mbrojmë, jo vetëm kujtimin e viktimave të totalitarizmit, por lartësojmë qëndresën e atyre që nuk iu nënshtruan diktaturës dhe e sfiduan atë në mënyrë stoike, duke sakrifikuar madje edhe me jetën e tyre.
Ndaj kur vizitoj muzetë “Bunk’Art”, “Bunk’Art 2” apo “Shtëpia me gjethe” e shoh aty në imazhe intiligjencën, forcën shkatërruese e madje glorifikimin diktaturës, mendoj se:
Përballë tunelit të nëndheshem në Buk’Art, përballë dhomës së hetuesisë e përgjimit– ne duhet të shohim gjithashtu në muze maketin e netëve makabre të arrestimit, birrucat e Burrelit, minierat e Spaçit, kampin e Tepelenës… të shohim maketin e rrugëve të gjakosura të kufirit, ku mbeti jeta e dhjetra e qindrave të arratisurve të cilët tentuan t’i shpëtonin atij regjimi.
* Përballë stendave shkëlqyese të përgjimeve dhe aparatit fotografik të kamufluar nën pallton e zezë te operativit, përballë radio-marrëseve të sofistikuara të sigurimit, përballë imazhit të perfeksionimit të shkollës së Sigurimit, ne duhet të shohim imazhet e profesorëve epik të burgut të Burrelit, të shohim radion e thjeshtë ku fshehtas dëgjohej zëri i Amerikës, të shohim këmishën e gjakosur flamur-valëvitur revoltës së Spaçit, të shohim poezitë e poetit të burgosur e të vrarë, vetëm për vargjet e tij kundër regjimit.
* Përballë dhomës moderne të atyre viteve, tek “Shtëpia me gjethe – të shohim në muze dhomën ku përgatiteshin çantat e ushqimeve për të shkuar burgjeve, të shohim imazhin e bashkëshortes, nënës, bijës që së bashku me vëllanë e babanë nuk e lanë vetëm në vuajtjet e burgut të birin.
* Përballë gabimeve ortografike në shkrimet e akt akuzave të gjyqeve makabre, përballë tavolinës ku vihej përgjuesi a “Çimka” e sigurimit – të shohim Promemorjet e martirëve, diplomat e tyre, poezitë, korrespondencat, përkthimet e gjenive.
* Përballë planimetrisë të mirëstudjuar të “Shtëpisë me gjethe”, përballë postës së përgjuar e letrave të hapura – të shohim në muze shkrimet dhe mesazhet e shkruara e të shpëtuara nga thellësitë e qelive, të shohim planimetrinë e burgjeve dhe të kampeve të dëbimit
*Përballë historisë gjysmëshekullore të Shqipërisë – të shtresëzohet, të mirëpunohet, të mirëintegrohet, dhe të mirëtransmetohet për tu studiuar në shkollat tona – historia e diktaturës komuniste dhe e persekutimit.
Vetëm kështu ne përballemi me të shkuarën tonë pa ndroje, për të ndërtuar në tempullin e Kujtesës sonë të përbashkët, të paktën, një Memorial Qëndror të denjë e të merituar, një Ditë Kujtese Kombëtare, një Muze, një Qëndër Studimore e Memuaristike, që Shqipëria u detyrohet viktimave dhe qëndrestarëve të diktaturës komuniste, e të cilat ajo ende nuk i ka.
Kur do t’i ketë vallë?
Historia jonë po pret prej më shumë se 30 vitesh.
Por pa dyshim, përmendorja që kundërshtarët dhe viktimat e totalitarizmit i kanë ngritur vetvehtes vlen më shumë se çdo përmendore. Ata vetë sfidojnë çdo piramidë; ata kanë veprën e tyre piedestal.
E megjithë këtë, në respekt të së vërtetës së tyre, e për t’u transmetuar brezave vërtetësinë e historisë, është e rëndësishme, kyç madje puna jonë memuaristike, duke qëmtuar me kujdes e vërtetësisht ngjarjet e fenomenet, ne nderojmë e respektojmë ata që u ngriten mbi vetveten, ata të cilët dhanë gjithçka për kauzat e mëdha; shohim pa ndroje e hezitim gabimet dhe vendimet e mbrapshta; e bëhemi kështu pjesë e pandashme e asaj pjese të botës që është përballur plotësisht me të shkuarën edhe pse të dhimbshme të tyre.
Sigurisht kjo kërkon jo vetëm angazhimin e një grupi të shoqërisë, jo vetëm shoqatën e të përndjekurve politik, “Vatrën”, Institutin e Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit, Autoritetin e Dosjeve, fondacionin kujto.al, IDMC… etj, por mbi të gjitha kjo kërkon vullnetin dhe frymën e të gjithë aktorëve të shoqërisë – sepse pa dyshim kujtesa e një shoqërie është më e qëndrueshme se ajo e një individi, kërkon vullnetin dhe frymën e gjithë institucioneve dhe strukturave shtetërore – sepse kujtesa e një Institucioni është gjithashtu më e qëndrueshme se kujtesa e një individi, kërkon vullnetin dhe frymën e mbarë diasporës, të mbarë shoqërisë civile, kërkon grupe pune, me ekspert, sociolog, historianë, pedagogë, juristë, studiues, hulumtues, dëshmitarë të krimeve të diktaturës, të cilët larg indiferentizmit e shkurajimit, të jenë prezent në këtë mision, pse vetëm kështu ne vendosemi në anën e duhur të historisë së njerëzimit, të përkujtimit, të nderimit dhe të mos-harrimit!
Ju faleminderit për vëmendjen tuaj dhe dëgjimin!
Ermira Xhomaqi – Godo
New York, 27 maj 2023