Abdulla Rami, i përket plejadës së figurave shqiptare
të cilët u përpoqën që dritën e Iluminizmit francez,
dhe kulturën e fituar me aq mund në auditoret europiane
ta vendosin me gjithë fuqinë e shpirtit në shërbim të vendit të tyre.
Për fatin e keq, Koha tregoi se dashuria më e madhe e jetës së tyre,
krejt përkushtimi për dhe ndaj kauzave të mëdha të Atdheut,
do të shndërrohej në kalvarin tragjik të jetës së tyre dhe familjeve të tyre.
E megjithatë ata asnjëherë s’rreshtën së punuari e së besuari.
Libri “Përtej harrimit”, i Ermira Xhomaqit, mbesës së avokat Ramit –
është një vepër e punuar me shumë dashuri kushtuar jetës dhe veprës së këtij Intelektuali,
për të cilin deri më sot është folur krejt pak, e shkarazi…
Ky libër, që së shpejti do të mbërrijë në duart e lexuesve, është një pune dinjitoze
jo vetëm pse nxjerr nga pluhuri i harresës figurën e këtij intelektuali qëndrestar,
por edhe se do te mbetet një tjetër dëshmi e fuqishme
mbi makabritetet e diktaturës komuniste…
jozef radi, mars 2017
.
Në kujtim të jetës dhe veprës së Intelektualit Abdulla Rami
Ishte 11 mars 2015.
Në Paris organizohej një konference mbi rolin e Francës në formimin e elitës shqiptare, nën titullin: “Les francophones albanais du Licée Français de Korça au pays des lumières”. (Frankofonët shqiptarë nga Liceu i Korçës në vendin e dritave).Kjo konferencë organizuar nga shoqata shqiptare “Albania” në Paris, ishte një homazh drejtuar asaj elite të viteve 20-30, të shekullit të XX, që ndërtoi mbi sakrifica të shumta vazhdimësinë e marrëdhënive reciproke dhe lidhjeve të miqësisë midis dy vendeve.
Diaporamat fotografike, organizatorët, pjesëmarrësit e ftuar, u bënë thjesht dhe natyrshëm, dëshmitarë të prezencës dinjitoze të atyre njerëzve të kombit tonë, të atyre intelektualëve adhurues të kulturës perëndimore dhe iluminizmit francez, ideve demokratike dhe traditave e riteve kombëtare shqiptare; që të gjithë bashkë shpalosnin përpara syve tanë, një faqe të gjymtuar të historisë sonë. Të asaj historie të dhunuar e të harruar, që duhet ri-shkruar, për të marrë kështu vertetësinë dhe vlerën e saj të pamohueshme e të merituar edhe pse koha shpesh mjegullon kujtesën.
Në vazhdim të këtij prezantimi, pata nderin e madh të prezantoja, aktivitetin dhe veprën e ish-studentit të Montpellier-së, juristit, nacionalistit, politikanit, përkthyesit dhe poetit… gjyshit tim: Abdulla Rami. Por të përmblidhja në pak minuta përpara atij auditori frankofon veprën dhe itinererin e jetës së tij, si edhe lidhjen e ngushtë me Francën dhe kulturën perëndimore, ishte një mision i vështirë. Sepse jeta e tij e kishte ndryshuar në mënyrë kaotike trajektoren e saj dhe pikërisht për këtë arsye çdo hallkë e trajtuar, nxirrte në pah një paradoks të thellë dhe evident. Paradoks i lidhur pazgjithshmërisht me historinë e popullit shqiptar në vitet e diktaturës dhe angazhimin politik të avokat Ramit, paradoks që kishte vetëm një burim: vendosjen e regjimit totalitar në Shqipëri dhe vijën politike të ndjekur kundër opozitarëve të tij.
Ndaj dhe për të përshkruar këtë histori i hyra punës për shkrimin e kësaj biografie të vështirë; jo vetëm në homazh të jetës, veprës, vuajtjeve dhe qëndresës së tij, por mbi të gjitha në përkujtim të fatit tragjik të intelektualit atdhetar në Shqipëri në vitet e diktaturës dhe ne nderim të gjithë atyre njerëzve mendjendritur e të pamposhtur që i dhanë gjithçka atdheut dhe u sakrifikuan për të, duke mbajur përherë të pashuar flakën e shpresës dhe besimin e palëkundur tek dita e lirisë…
Paris, mars 2017.
Victor Hugo, “William Shakespeare”,
Flammarion 2003, Publikimi i parë Bruksel, 1864
Fragmente
Shpirti i njeriut, gjë me rëndesi të thuhet në çastin që ndodhemi, ka nevojë më shumë akoma për idealin sesa për realitetin. Eshtë me realitetin që njeriu qëndron gjallë; por me idealin ai ekziston.
A duam të dimë ndryshimin midis këtyre dy termave?
Kafshët gjallërojnë, ndërsa njeriu ekziston.
Të ekzistosh është të kuptosh.
Të ekzistosh është t’i buzëqeshësh të tashmes, të shohësh të ardhmen përtej pengesës.
Të ekzistosh është të kesh një balancë me vehte dhe të peshosh të mirën dhe të keqen.
Të ekzistosh është t’i keshë të ngulitura në shpirt: drejtësinë, të vërtetën, arsyen, besnikërinë, ndershmërinë, sinqeritetin, gjykimin e shëndoshë, të drejtën dhe detyrën.
Të ekzistosh do të thotë të dish sa vlen, sa mundesh, sa detyrohesh.
Eshtë për këtë që letërsia mbetet një nevojë e shoqërisë.
E prandaj poezia është një dëshirë e zjarrtë e shpirtit.
Prandaj poetët janë edukatorët e parë të popullit.
Prandaj duhet që në Francë të përkthehet Shekspiri dhe në Angli të përkthehet Molieri.
Edhe duhet të komentohen dhe duhet pasur një fushë e gjerë letrare publike.
Për këtë arsye duhen përkthyer, komentuar, botuar, shtypur, rishtypur, klishuar, stereotipuar, përhapur, trumbetuar, recituar, shpërndarë, dhënur të gjithëve, me çmim të lirë, për hiç gjë bile, të gjithë poetët, të gjithë filozofët, të gjithë mendimtarët, të gjithë krijonjësit e shpirtrave të mëdhenj.
Poezia lind heroizmin.
Shqipëroi Abdulla Rami,
Gosë, 1969
.
Kronologjia e jetës së Abdulla Rami
Abdulla Rami lindi më 20 maj 1908, në Tatzat të Delvinës në gjirin e një familje atdhedashëse shqiptare.
Në 1914, pas djegjes se fshatit te tij nga grekët largohet bashkë me familjen nga atdheu dhe jeton ne Egjipt.
Në fillim të viteve ’20, kthehet së bashku me nënën dhe vëllezërit e tij në Shqipëri, ku përfundon mësimet fillestare në Delvinë.
Në vitet 1927-1931, vazhdoi studimet në liceun francez të Korçës, ku mori njohuri në shkencat ekzakte e shoqërore dhe veçanërisht në filozofi.
Në vitin 1931, diplomohet në liceun e Korçës në degën e filozofisë. Diploma e tij e Bakaloreatit të Liceut të Korçës, regjistruar me numrin 81/166, dhe e firmosur nga Drejtori i Liceut të asaj kohe, Perret Léon, është akorduar në vitin 1931, dhe ruhet në arkivin Montpellier, në Francë. Bashkënxënës me diktatorin Hoxha në liceun Francez të Korçës, pikëpamjet e tyre politike të kundërta, xhelozia dhe inferioriteti kulturor i diktatorit, nuk kursyen vënien e tij në pranga, menjëherë pas vendosjes së pushtetit diktatorial në Shqipëri.
Në vitet 1931-1936, fillon aktivitetin e tij si misionar i dijes në Fier, Përmet dhe Delvinë. Në këto kohëra të trazuara, mësonjësi i ri, u bë përçues i vetëndërgjegjësimit, vëllazërimit dhe bashkimit kombëtar, si një platformë themelore që duhet të qëndronte mbi besimet dhe përkatësitë fetare.
Në 26 Korrik 1936, martohet me Gjyrxhi Pagrinë.
Në shtator të vitit 1936, niset për studime në Francë, Montpellier.
Në 17 maj 1937, i lind vajza e tij e parë Thëllënxa.
.
.
Në vitin 1936 – 1940, vazhdon studimet në Universitetin Montpellier në Francë dhe laurohet në Drejtësi Internacionale, në Fakultetin e Drejtësisë të atij Universiteti. Dosja e tij universitare, gjendet në fondin e arkivit e Fakultetit të Drejtësisë, në arkivat Departamentale Herault të këtij qyteti dhe ruhet e plotë që prej vitit 1936, në regjistrin me numrin 8 ETP 60426. Në këtë dosje ndodhen dy diploma të laurimit të tij në jurisprudencë nga Universiteti Montpellier: Diploma e parë e akorduar në vitin 1939, nga Ministria e Arsimit të Francës dhe nënshkruar nga Rektori i Akademisë Montpellier, Jean Zay, ndërsa diploma e specializimit në Drejtësi Ndërkombëtare dhe Ekzekutive, është akorduar në vitin 1940 dhe nënshkruar nga Ministri i Arsimit të asaj kohe, Albert Sarraut.
Në 11 tetor 1940, i lindi vajza e dytë Rufia.
Më 1 Korrik 1940, emërohet gjykatës në Përmet
Më 9 Korrik 1941, emërohet gjykatës në Konispol.
Më 18 Prill të 1942, emërohet gjyqtar i klasit të parë në administratën juridike të Gjilanit, Kosovë. Admirues i traditës, zakoneve, dokeve dhe riteve kombëtare, adhurues i Rilindasve dhe Shqipërisë Etnike, ai mbron me përkushtim të drejtën legjitime të popullit shqiptar në Kosovë duke e konsideruar punën e tij si një prolog të aktit të madh të bashkimit kombëtar dhe përfundimtar të trojeve etnike shqiptare. Në pak kohë atje ai ia doli të shqiptarizonte plotësisht institucionin juridik të Gjilanit të dominuar plotësisht nga elementet serbe apo pro serbe. Aktiviteti i tij në Kosovë, u përfshi fuqishëm në sistemin juridik të kohës me synimin kryesor: shkëputjen e mendësisë orientale shqiptare dhe orientimin e saj në çdo pikëpamje drejt traditave demokratike perëndimore.
Në 12 gusht 1943, i lindi vajza e tretë Fatmira.
Ne vitet 1943-1944, aderon në rradhët e Organizatës “Balli Kombëtar”, si shpjegues i qartë e bindës i vlerave të nacionalizmit, për idealin e një Shqipërie të lirë e Etnike. Ai është në këtë kohë sekretar i kësaj organizate dhe një nga personalitetet më me influencë në qarkun e Gjirokastrës, një nga figurat më të shquara, mendjet më të ndritura, shpirtrat më fisnikë, vullnetet më të hekurta, që përjetëson e përfaqëson vlerat e larta të nacionalizmit kombëtar për një Shqipëri Etnike; arsye për të cilat “dënohet me vdekje” prej qarkorit komunist.
Gjatë vitit 1943, kundër tij kryhen dy atentate, por për fat ai vetëm plagoset.
Më 16 Dhjetor 1944, arrestohet nga komunistët dhe vihet në pranga si kundërshtar i regjimit komunist të sapo ardhur në fuqi, i privohet liria dhe e drejta e ushtrimit të profesionit.
Më 6 gusht 1945, vihet përpara trupit gjykues komunist. Prokurori në pretencën e tij kërkon dënimin e tij me vdekje. Vendimi i gjyqit e dënon fillimisht me burgim të përjetshëm pastaj me 30 vjet burg, nga të cilat vuan 18 vjet në birucat e Burrelit, në një nga burgjet më famëkeqe në Shqipëri, në muret e të cilit ishte shkruar me gërma të mëdha: “Burgu i Burreli – Kampi i çfarosjes së armiqve të popullit”.
.
Më 8 Maj 1962, lirohet nga burgu. Në vitin 1965, dëbohet familjarisht në Gosë të Kavajës dhe bën punë krahu të detyruar. I mohohet e drejta e ushtrimit të profesionit si jurist dhe detyrohet të punojë si hekurkthyes, pastaj në ndërtim e së fundi punëtor krahu në bujqësi, ku punon deri në fund të jetës së tij.
Sfidant e stoik ndaj sëmundjes së shpifur nga vuajtjet e burgut ai ngrihet edhe mbi vështirësitë ekonomike me optimizmin e madh në të ardhmen dhe për fundin e shpejtë e të turpshëm të regjimit totalitar në Shqipëri, nuk pranon asnjë lloj konformizmi me komunistët.
Intelektuali i formuar në Liceun francez të Korçës dhe juristi i diplomuar në Jurisprudencë në Montpellier, qëndrestari i papërkulur në bindjet e tij: Vazhdon të shkruaj e të përkthejë pamfletet historike të autorëve francezë dhe anglezë si: Viktor Hygo, Clarence Dey, Henry Van Dyke, William Ernest Henley, Lord Byron, James Montgomery, Walter Skott, Emily Jane Brontë, William Johnson Cory, Andre Chénier;studioi dhe analizoi vepra të ndryshme si “Drejtësia e Paqes”, “E ardhmja e qytetërimit” apo “Atala René” të Chateaubriand, “Njeriu komunist” të Aragonit e të tjerë, duke përcjellë në mënyrë të qartë shpresën, optimizmin dhe thirrjen për domosdoshmërinë e një lëvizje popullore anti-komuniste. Nga përkthimet e tij kanë shpëtuar dy vepra të plota “William Shakespeare”, shkruar nga Victor Hugo dhe “Arti në pikëpamje sociologjike”, një analizë filozofike e Jean-Marie Guyau; vepra të cilat së shpejti do të gjejnë dritën e botimit.
I mbylli sytë më 29 janar të vitit 1973.
Më 19 shkurt 1996, Republika e Shqipërisë dhe Presidenti i saj e dekorojnë me titullin: “Martir i Demokracisë” me motivacionin “Luftëtar i vendosur kundër komunizmit për një Shqipëri Demokratike, i masakruar mizorisht nga regjimi komunist.”
Marrë nga libri që del së shpejti i Ermira Xhomaqit – Përtej harrimit – Nga auditoret franceze në humnerën e diktaturës.
Abdulla Rami (1908-1973),
një figurë për të cilën do të flitet gjithnji e më tepër.
Përmasat e tij të vërteta, shpejt do të paraqiten
përmes nji libri, punuar me shumë dashuri nga një mbesë e tij.
Radiandradi.com, deri në promovim të kësaj vepre
do të sjellë gjurme të kësaj figure plot dritë,
dhe grimca nga jeta dhe vepra e këtij njeriu
që dashurinë për vendin e tij,
e përcoi përmes sakrificave pafund…
Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.
To provide the best experiences, we use technologies like cookies to store and/or access device information. Consenting to these technologies will allow us to process data such as browsing behavior or unique IDs on this site. Not consenting or withdrawing consent, may adversely affect certain features and functions.
Functional
Always active
The technical storage or access is strictly necessary for the legitimate purpose of enabling the use of a specific service explicitly requested by the subscriber or user, or for the sole purpose of carrying out the transmission of a communication over an electronic communications network.
Preferences
The technical storage or access is necessary for the legitimate purpose of storing preferences that are not requested by the subscriber or user.
Statistics
The technical storage or access that is used exclusively for statistical purposes.The technical storage or access that is used exclusively for anonymous statistical purposes. Without a subpoena, voluntary compliance on the part of your Internet Service Provider, or additional records from a third party, information stored or retrieved for this purpose alone cannot usually be used to identify you.
Marketing
The technical storage or access is required to create user profiles to send advertising, or to track the user on a website or across several websites for similar marketing purposes.
Abdulla Rami (1908-1973),
një figurë për të cilën do të flitet gjithnji e më tepër.
Përmasat e tij të vërteta, shpejt do të paraqiten
përmes nji libri, punuar me shumë dashuri nga një mbesë e tij.
Radiandradi.com, deri në promovim të kësaj vepre
do të sjellë gjurme të kësaj figure plot dritë,
dhe grimca nga jeta dhe vepra e këtij njeriu
që dashurinë për vendin e tij,
e përcoi përmes sakrificave pafund…