back to top
4.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Përtej “maskës së socrealizmit”, në poezinë e Robert Priftit – studim nga Emi Krosi

Gazeta

Robert Prifti (1925-1993)
Robert Prifti (1925-1993)

Përtej “maskës së socrealizmit”, në poezinë e Robert Priftit

studim nga Emi Krosi

“Kush do ta bëjë nëse ti nuk e bën? Kur do ta bësh nëse tani nuk e bën?”, thotë Talmudi, kur e bëri poezia e (Robert Priftit, 1925-1993), një emër i panjohur i letërsisë shqipe, pasi poezia e tij është një poezi e shkruar tërësisht në italisht, bën një përjashtim. Një rasti i rrallë në mbarë letërsinë botërore aq më shumë shqiptare, kur shumë poetë shkrimtarë madje botërorë kanë shkruar nëpër burgje, madje me letra higjenike si (Markezi De Sade – “120 Ditët e Sadomës”), për “përrallën më të pistë që ka ekzistuar ndonjëherë që kur ka filluar bota jonë” apo kur (Dostojevski) shkruante “Shënime nga shtëpia e të vdekurve” për “pamjen” barbare të vdekjes “së detyruar” pse jo rasti i Arshi Pipës me letra cigaresh, por Roberti ka shkruar në italisht, një shkrim shumë të imët, rreth 500 poezi të panjohura, deri me tani.
Jozef Radi në bashkëpunim me të birin ka përkthyer katër poezi të paraqitura në portalin e tij, “RadiandRadi”, por me një korpus madhor veprash, në prozë dhe eseistikë, vepra ende të pabotuara në shqip. Jam mahnitur me epitetizimin, metaforizimin dhe realizmin e hapur të një poezie pak të gjatë, (poema) pra e thënë troç, përtej maskës së doktrinës së socrealizmit me poezitë “Këmbana”, “Lavdi dhe baltë”, “Poetit të oborrit”, “Mbi varrin e një partizani”, një rast i rrallë, që sipas Gandit “gjithkush merr atë që nuk ka”, ai mori lirinë e shpirtit, se nuk ishte i persekutuar si shkrimtar, por u vetëpersekutua, jo si një “urrejtje” ndaj gjuhës (se nuk quhet shpërfillje ndaj shqipes), por një shpirt kaq vetmitar, e ka fshehuar kaq mirë talentin nëpërmjet një gjuhe tjetër. Mjafton vetëm këto vargje: dhe unë u prija atyre njerëzve/ nga kafazi i artë/ e armiqtë tashmë të shtypur/ madje edhe shokë e rrezikshëm/ i shfarosja/ me urrejtjen e kazmës!/ Isha njësh/ dhe i vetëm/ pronar i pushtetit, nga poezia “Lavdi dhe baltë”, pamja e Shqipërisë socialiste nëpërmjet baltës, kampeve, kasolleve, poetëve dhe shkrimtarëve të oborrit komunist, intelektualëve puthadorë, spiunëve, Shqipëria e kuqe, por e nxirë nga mjerimi anekënd saj, nëpërmjet një poezie kaq realiste, të tipit (samizdat; unë e shkruaj vetë, e redaktoj vetë, e censuroj vetë, e botoj vetë, e shpërndaj vetë dhe kaloj kohë në burg për këtë vetë), të njohur nga (Vladimir Bukovski), që shkruante literaturë dhe shpërndante fshehur në Rusi.
Një shpirt i lirë dhe rebel, duke fshehur pakënaqësinë dhe dëshpërimin e kohës komuniste nëpëmjet poezisë, ku duket se një pejsazh me pamje surreale me kazma, lopata, drapërinj, çekanë, vullnetarë që hapim kanale në Myzeqenë plot mushkonja, miniera bakri dhe piriti ku punojnë “armiqtë e popullit”, mjerim, varfëri, frikë, ankth, vrasje, burgime, kampe, tortura, roje, policë, ushtarë, spuinë që ruajnë “gjumin e sulltanit të kuq”, me aurën e “Poetit të oborrit”, që thur lavde me vargje: dhe poeti e ndryshon veshjen e tij/ si filozof oborri, duke më mahnitur me realizmin e drejtpërdrejtë, tronditës, duke shtrydhur tërë qenien e tij, kur shoqëria shqiptare gjallonte, nën hijen mizore të diktaturës, çmenduria e kohës dhe surrealizmi shpërthyes e bën akoma më meskine, të dobët fuqinë e një diktature në përmasën e tij poetike, bashkë me misterin dhe madhështinë, ku shpirti i tij ndrydhur është blatuar, me një lëndë të nivelit të lartë dhe të rrallë letrare që duhet zbuluar, lexuar, shkruar dhe studiuar.
.

Këmbana  – nga Robert Prifti

O ti këmbanë
prej bronzi vezullues!
gjëmo sërish
në lagjen e vetmuar
të dashurisë
O këmbanë diellore!
Në tingullin tënd të përjetshëm
të mijëvjeçarëve njerëzorë
lumenj shprese i bëjnë jehojnë
lirisë!
Rrahje të gjata ëndrrash
mendime të ëmbla jete
fëmija ka për të kujtuar
kur një i rritur të sodisë
O ti këmbanë bronzi vezullues!
Zemër e qiellit
me tingujt e tu
i ke thurur lëvdata
frikës qiellore të njeriut!
O këmbanë e diellit!
Zemra e burrave
me tingullin tënd
e ka ndalur vdekjen
e ka zgjuar jetën
e ka thirrur lirinë!
Jo, s’dua të mendoj
Jo, s’dua të kujtoj
por ah, mjerisht!
Kthehem në ditët e vdekjes
kur njeriu,
ai njeri që të ka dashur
ai njeri që ti e ke shpëtuar
ai njeri të cilit i këndoje
të shkatërroi
t’i shkatërroi tingujt e tu
t’i shkatërroi fjalët e tua
ta shkatërroi ngën tënde
për të shpikur
gjëmimi shurdhues
të luftëtarit metalik!
O ti këmbanë bronzi vezullues!
Gjëmoje sërish
në shpirtin e shkretuar të njeriut
dashurinë
Ndoshta koha jote ka mbaruar
në këtë tokën gri
të pakënaqësisë sonë?
Ndoshta tashmë je vetëm
një art i lashtë?
Një histori e vjetër
e vatrës së shuar?
E megjithatë, njeriu këmbanë
prej lartësisë se minareve
i ka thirrur qiejt!
E megjithatë prej heshtjeve më të thella njerëzore
ti jeton
si vegim i përjetshëm
i jetës
– kujtesë shpirtërore
e dashurisë
pikëlzim sublim
i lirisë.
O këmbanë diellore!
Në tingullin tënd të përjetshëm
të mijëvjeçarve njerëzorë
lumenjtë e shpresës i bëjnë jehojnë
lirisë
Hymn i haresë
janë tingujt e tu!
Ngushëllim i trishtimit
është fjala jote
Thirrje për të marrë pjesë
është kënga jote!
O kambanë!
Mikeshë e njeriut,
apostull lirie,
fryma jote
shpërthen në hapësirë
dhe më merr dhe mua
drejt lirisë!
O ti këmbanë
prej bronzi vezullues!
Gjëmo sërish
në lagjen e vetmuar
të dashurisë!
O kambanë diellore
që ke vjedhur tingujt hyjnorë
të mendjes njerëzore
për t’i dhënë shpresa
lirie.
***
Këtë ese e kam shkruar duke u bazuar në katër poezi, por në shqyrtim kam marrë vetëm dy poezi (poema), simbas gjatësisë së vargjeve janë poema.
.
Robert Prifti - Tre vepra te tij Poetika dhe Aforizmat
Robert Prifti – Tre vepra te tij Poetika dhe Aforizmat

Dekodimi metaforave/ simboleve, o “simbolet domininuese”

Në poezinë “Këmbana” ka një ngjeshje të një “simbolike të pastër”, pa nocione abtraguese, duke përmbysur mitin, (jo si fjalë) por mitin e diktatorit, me mënyrën e të menduarit, në formën e “rrëfimit” poetik, me një kombinim të figurës së thellë, figurës radikale dhe figurave ekspansive ose (intensive), si figura e “pasionit të fortë dhe mendimit origjinal”, sipas (Wellek dhe Waren), duke na përqasur një realitet (për lexuesin e sotëm është surreal), por vargjet: o ti këmbanë/ prej bronzi vezullues!/ gjëmo sërish/ në lagjen e vetmuar/ të dashurisë/ O këmbanë diellore!, poezia “Këmbana” vetë këmbana është simboli i lirisë, por edhe metafora e zgjimit, dhe fillimvargu me thirrorin [o] e një sendi me tingull zanor/ valor, që vezullon, me metaforën bronzi vezullues, duke “shpërfillur” të gjitha rregullat metrike të vargut, me 4, 5, 7, 9, nënthelbin e saj poezia, ka organizimin e një sistemi zanor të gjuhës, deri tek metafora o këmbanë diellore, që tingëllon në qiellin e lirë dhe nëpër shekuj; “në tingullin tënd të përjetshëm/ të mijëvjeçarëve njerëzorë/ lumenj shprese i bëjnë jehojnë/ lirisë!”, ajo liri që nëpërmjet shtresave zanore ka ndërtuar:
-ekzekutimin zanor,
-strukturën poetike, si një thirrje e njeriut të dëshpërur, robëruar, për lirinë që i dhanë Hyji, (Zoti), Qielli, Kryqi, Jezusit, Besimi, se Njeriu i fikësohet Zotit, nëpërmjet vargjeve: zemër e qiellit/ me tingujt e tu/ i ke thurur lëvdata/ frikës qiellore të njeriut!”, përmbajtja tingullore nuk është e shkëputur nga mendimi, nën ndikimin estetik, se vargu “muzikal”, me ngjyrime ku format fonetike intononohen, përsëri ne thirrmën: o këmbanë e diellit! Njeriu që thërret, barazohet me “homme révolté” sipas (Marisa Kërpizi-t) ai nuk bën kompromis, me heshtjen. Nëpërmjet shumësisë së formave që merr britma, shenjohet reagimi i njeriut që nuk do të heshtë, ky lloj sendërtimi që shenjon kryemetaforë këmbanën, jo vetëm si simbolikë të konstruktit teorik, duke eptuar një Lexues të Mundshëm, si strukturë dhe si kuptim poetik, është ndrëkallje e përmasës dhe modelit me atë ligjërimore dhe narrative të poezisë.
Në poezi të tilla nocioni i tingullit të pastër, si një “masë estetike”, është një sistem marrëdhëniesh që na paraqet:
a)larmi të efekteve zanore,
b)shtresë zanore,
c)integraliteti i krijimit poetik,
d)lidhja e qenësishme e brendëshme,
cilësia relative e tingullit, që dallohet nëpërmjet vargjeve: “zemra e burrave/ me tingullin tënd/ e ka ndalur vdekjen/ e ka zgjuar jetën/ e ka thirrur lirinë!/ Jo, s’dua të mendoj/ Jo, s’dua të kujtoj/ por ah, mjerisht! Kthehem në ditët e vdekjes/ kur njeriu/ ai njeri që të ka dashur/ ai njeri që ti e ke shpëtuar/ ai njeri të cilit i këndoje/ të shkatërroj/ t’i shkatërroi tingujt e tu/ t’i shkatërroi fjalët e tua/ ta shkatërroi këngën tënde…” Shenjimi si poezi moderne, nuk ka mesazhet të fshehura, që mbështilleshin rreth strukturave fjalësore të ndërtuara me lidhje të abstraguara e asociative të detajeve dhe figurave, që bashkojnë pikëtakimet stilistike, me larmi stili prej një kulture letrare, totalisht jashtë shfaqjes dhe tendencave atakuese ndaj doktrinës, që estetikisht është e pritshme dhe për arsye jashtëletrare, me shfaqjen e paralelizmit, alegorisë, përsëritjes, anaforave, sidomos antiteza e fuqishme e kundërpushtetit, kundërkultit, kundërlirisë, kundërbesimit, (kundër) Zotit. Në disa fragmente poezie: denduria e anaforës, [e ka/ ai njeri/ t’i shkatërroi], por edhe përsëritja e përemrave vetorë/ trajta e shkurtër etj: [ai/ t’i], katafora [e tu/ e tua], pjesëza, lidhëza etj. Dallimet e mbrendshme të tingujve, më efekte estetike, që veçantësi e muzikalitetit shprehet me termin “eufoni”. Por edhe dallimet e tingujve që kanë në themel: metrin, dhe ritmin:
-lartësia e tonit,
-kohëzgjtaja e tingullimit,
-shpeshtësia e përsëritjeve, që vjen nëpërmjet figurave:
-përsëritja e strofave: [v. 6, v.10/v.71, v.76 ],
-përsëritja e vargjeve: [O ti këmbanë {10 herë}],
-metaforat: [O ti këmbanë bronzi vezullues/ O këmbanë e dielli!/ ndalur vdekjen/ zgjuar jetën/ thirrur lirinë, gjëmim shurdhues],
-anafora:[e ka/ ai njeri/ t’i shkatërroi],
-pjesëza: [ndoshta],
-lidhëza: [megjithatë].
Për të dhënë një situatë të përgjithshme, për të na bërë të ditur se çfarë ndjejmë, kur ndërmarrin një veprim të veçantë ose të mbajnë një besim të veçantë ose thjesht të shohin diçka “me simpati imagjinare”, poezia nuk mund ta raportojë ngjarjen, por duhet të jetë ngjarje, se për (Tomas Eliot-in), “nëse i qasemi një poeti pa këtë paragjykim” duke përjetuar një formë që mund të flasë për veten, ndërsa vetë poezia, qëndron tërësisht në vetvete. Ligjërimi poetik, nuk ka thjesht “formacione gjuhësore” nga përditshmëria, por ky ligjërim “kalon” përtej kufijve, me një lloj përmbysjeje, sepse edhe vetë vetëdija krijuese e poetit ishte e mbushur me fanitje, situata dhe fantazma, se “poeti është i rrethuar nga fantazmat”, thotë (Yeats-i).
.

Dorëshkrime të Robert Priftit
Dorëshkrime të Robert Priftit

Dekodimi i lirisë dhe mbretit/ diktatorit

Tingëllimi i lirisë, nuk është i përngjashëm më askënd, sesa në shtresëzimin e çdo vargimi, jo vetëm si perceptim individual, por edhe në ngërthimin me fatin e të gjithë shoqërisë, që lidhen fatet njerëzore, sidomos nën diktaturë, ku vetë koncepti metaforë apo fjala liri merr një konotacion të veçantëo kambanë!/ Mikeshë e njeriut,// apostull lirie,/ fryma jote/ shpërthen në hapësirë/ dhe më merr dhe mua/ drejt lirisë! O ti këmbanë/ prej bronzi vezullues!/ Gjëmo sërish/ në lagjen e vetmuar/të dashurisë!/ O kambanë diellore/ që ke vjedhur tingujt hyjnorë/ të mendjes njerëzore/ për t’i dhënë shpresa/ lirie”, nga poezia “Këmbana”
Liria nuk është vetëm një dimension, hapsirë, kohë, nuk është vetëm një marrëdhënie personale (e poetit me poezinë), por edhe si një element thelbësor, racional, përshkrues, liria është edhe eternike, (lidhja me këmbanën, tingullin e saj të lirë), se tingëllima e lirisë në hapwsirë, nuk është vetëm një abstragim letrar, por njëmendësia reale e poetit/atdheut, ku metafora si simbiozë, na ftillon jo vetëm marrëdhien e tekstit me lexuesin, por marrëdhënien e drejtpërdrejtë të lirisë me tingëllimin/gjëminin (sendin) e këmbanës në vargun: për t’i dhënë shpresa/ lirie, një prelud lirie, jo vetëm si konceptim simbolik, figurativ, kuptimor, por marrëdhënia që ka me njeriun, ka një identitet njerëzor që lidhet me Zotin, për të definuar një identitet mbi njeriun. Siç thotë (Sartri) “ai është asgjë/ hiç”, ku pika fillestare për njeriun është subjektiviteti i tij, është i lidhur me lirinë, se për (Dëfrim Cani-n), “për lirinë njerëzore si nevojë dhe mundësi (njerëzore)” që në bazë të kësaj ai definon esencën për veten e tij, në mënyrën që ai zgjedhë lirinë për ta bërë këtë.
Qasja sipas së cilës ne jemi të lirë nga çdo lloj morali objektiv, rëndon si një përgjegjësi e madhe. Ankthi që vjen nga të qenit i vetëdijshëm për lirinë tonë, sipas Sartrit është shumë e rëndësishme, sepse na shtyn në marrjen e vendimeve për veten tonë, qoftë edhe brenda një poezie. Në poezinë “Mbi varrin e një partizani” poeti shkruan: dëgjo!/ Çfarë?/ Lirinë?/ Jo/ mos e kërko tënden/ as lirinë tonë,/ Liria i përket vetëm Mbretit/ E di// Ishte klithma jote e betejës/ tashmë është vetëm himni yt./ Liria?/ Ishte ideali yt/ tani është vetëm energjia jote mizore/ Ishte ëndrra jote/ tani është vetëm nevojë mbretërore”, për të rritur forcën emocionale të kësaj poezie, se sakrifica e tij, ëndërra, ideali, energjia, madje edhe klithma e partizanit, ka humbur në humnerën e kotësisë dhe harrimit, për “sakrificën” e Mbretit (dikatorit), ku [fjala liri del 5 herë dhe 7 herë fjala mbret], se poeti e ka shpjeguar konceptin e lirisë si domosdoshmëri, të lufës së partizanëve të thjeshtë, por nji koncept funksional për ndërtimin mjeshtëror poetik. Ky lloj sendërtimi, “Dëgjo!/ Jo/ mos ulërit/ pushteti i heshtjes ka veshë!”, duket sikur i drejtohet një bashkëbiseduesi, në formë monologu (në vetën e dytë: pra dëgjo ti/ partizani), edhe si poetikë vargore, për të “zgjuar” protagonizmin, ku të gjitha shenjat dhe konvencionet tejtekstore rrëfejnë lidhjen e partizanit me (pushtemarrësit), ku “me vdekjen tënde/ ke nënshkruar/ kontratën e lavdisë tënde”, pra fantazia dhe perceptimi ndijor i poetit, jo vetëm për konceptimin e lirisë, për (Albert Camy-n) se: “liria është e rrezikshme, sa e rëndë për t’u jetuar aq edhe ngazëlluese” ashtu si vargjet, ku frika, tmerri, vrasjet, burgimet, errësira, partizani ndihet fajtor, se nuk ka fuqi të ndryshojë atë që quhet energjia jote mizore sepse nuk ia “fal vetes”, “u ke ulëritur torturuesve gjaksorë”,duke metaforizuar “I Huaji” i Camy-s “se duhet të vdesësh kot”, se nuk pranon rregullat e shoqërisë, por të “thyesh” disa mite si: miti i rremë i lirisë, i “shoqërisë së lumtur”, miti i rremë, i “fshatit socialist”, miti i vdekjes për lirinë dhe ndaj lirisë, “ke shtratin tënd të lavdisë dhe nderimet e urdhëruara” se miti i qëndresës, për (Camy-n) do të thotë: “liria nuk është asgjë, përveçse një shans për të qenë më mirë”. Kjo quhet një liri absurde, se një liri mendimi, është heqja dorë nga shpresa dhe e ardhmja, “e di mirë/ Ke ulëritur me breshëri mitralozi/ u ke ulërirë kokave të mbështjella me hekur/ u ke ulëritur torturuesve gjaksorë/ por tani kujdes/ pushteti i heshtjes ka veshë!/ Tani hesht/ Ke shtratin tënd të lavdisë/ dhe nderimet e urdhëruara/ nga një bashkëluftëtar i yti/ tani Mbret, mund ta përshtasim me thënien e presidentin amerikan Rusvelt, “më parë duhet vdekur në këmbë, se sa të jetojmë në gjunjë”, efektet zanore shastitëse dhe ekspresive si një mënyrë “orkestrimi”, përsëritjen e zanoreve të njëjta, tingujtë ekspresivë si:
a)modele tingëllimore,
b)figura tingëllimore,
c)numri i përsëritjeve të tingujve, jo vetëm si përsëritje brenda vargjeve, por edhe si figura stilistikore anafora, përsëritja, aliteracione, asonanca etj. [folja ulëri/-tur,-rë me format zgjedhore të saj], në të gjitha kategoritë gjuhësore (pjesë ligjërate, rasa) kontekstet semantike [Mbret-, i/ Diktator-i] me këto lloj ritmimi tingullimor, trajtëzohet subjektivizmi dhe “fizionomia” e fjalës liri, që del tek poezia: “Poetit të oborrit”, “lirinë e marrë/ Lirinë e çmendur/ tekë e çunakëve të droguar/ me fantazi të pafajshme/ të zjarreve tallëse/ në mbrëmjet pa hënë”, struktura mbarëgjuhësore, ku përballet me lexuesin e sotëm e ka të vështirë të dëgjojë, ritmikën e detajuar të cursus-it latin dhe verset franceze, si “ndikim e prozës oratorike latine”, sipas (Henry Lanz-it). Vargjet: “dhe poeti e ndryshon veshjen e tij/ si filozof oborri/ shfaqet në spitalin e mbijetesës/ dhe shkruan gjithëdijen e tij/ për arsye shtetërore/ për arsye pushteti/ për arsye ideshë/ dhe jeton i brohoritur/ në festën e fronit “proletar” në poezinë “Poetit të oborrit”, ku togfjalëshat: [lirinë e marrë/ lirinë e çmendur = metafora që shprehen me mbiemra, quhen metaforë epitet] apo [zjarre tallëse metaforë/ metonimi/ katakrezë], figura këto që shëmbëllejnë e nyjëtojnë qartë në qëndrimin e pathyer të marrëzisë kolektive, dhunën, burgosjen, izolimin, shkretimin se “imagjinata” në “Psikologjia e turmave” të (Le Bon-it) na tregon: “për të qeverisur në mënyrë diktatoriale një shoqëri të masës, një udhëheqës duhet që pikësëpari të shfaqet si një “Un” i fortë përballë shumësisë së “Un”-eve të dobët të prodhuar nga një shoqëri e masës”, për të kuptuar se poeti i oborrit, po “mëkaton” për “idetë” dhe “rrugët e dritës” sociale, është aq e neveritshme, por qëllimi është fshirë, Uni i poetit, sipas (Fraj-it), “se poeti nuk definon fjalët e veta, por krijon fuqinë e tyre” zgjon fuqinë shprehëse të poezisë, ku (Seneka) ka thënë: “gjithçka që ti dëshiron, ndodhet në anën tjetër të murit të frikës”.
.
Robert Prifti mbas viteve '90
Robert Prifti mbas viteve ’90

Dekodimi i baltës dhe kasolleve

Lavdi dhe baltë nga Robert Prifti

Isha i vogël
i vogël
një gërmues i tokës
një analfabet
e as fshatar tamam
Më morën përdore
e më mësuan abëcënë
dhe pastaj më dhanë
një libër i kuq
më vendosën
një mikrofon në gojë
e më mësuan
të ulëras,
Dhe unë ulëriva
fyeja
dhe thurja hymne
me urrejtjen e kazmës!
Dhe kështu kalova
prej kasolles
ndër pallate
prej karrocës te limuzina
dhe u rrita
dhe u shtova
nën ombrellën e partisë.
As shiu më preku
po as breshëri
bora s’guxonte
kështu fillova
të “sundoj”
e të jap urdhra
të thoja psallme
e të këndoja plot pasion
me urrejtjen e kazmës!
Në ngjitjen time
mblodha përgjat shkallëve
maskat e mia
të teatrit pushtetor
ndjekësit e djepit tim
pa gramatikë
Burrat
ma kishin frikën
më nderonin
më admironin
më mallkonin
më thurnin lavde
e talleshin me mua
Kisha zbuluar
sekretin e burrave
kafshërinë e tyre
tashmë edhe
atë komedi
njerëzore trishtuese:
duartrokitjet.
Tashmë ndjehesha
i paprekshëm
prej zilisë dhe urrejtjes
prej shpifjeve dhe frikës
Ia kisha depozituar
çekun
monumentit tim
në bankën e lavdisë.
Njerëzit
në heshtje
e të bindur
dele të rëndomta të guximit
më vinin nga pas
Dhe unë u prija atyre njerëzve
nga kafazi i artë
e armiqtë tashmë të shtypur
madje edhe shokë e rrezikshëm
i shfarosja
me urrejtjen e kazmës!
Isha njësh
dhe i vetëm
pronar i pushtetit.
Një ditë
në pragun e kështjellës sime
u shfaq një armik
mysafir i beftë
një armik që kurrë s’shpresonte
në ëndrra!
Dhe filloi
hakmarrja
e kujtimeve të shkelura
Dhe ëndrra m’u fut
në vetëdijen time
fantazma trashëgimtare
e mëkateve!
Dhe ndërgjegja ime
ajo kështjellë e qetë
e kthjellët dhe e heshtur
njëherësh
u pushtua
prej shpirtrash
grabitqarë të pendimit.
Mbas kaq e kaq vitesh
të shkurtra
të dalldisura prej pushteti
filluan ditët
e gjata të ëndrrave
dhe veten e gjeta
në moshën e përgjigjeve
të aq shumë pyetjeve tallëse.
Vinin
njëra pas tjetrës
lista të pafundme
me komplotistë ëndrrash,
më kot kërkoja lehtësim
prej turmës së pafundme
nën rrahjet e duarve
nga të vjellat e diskutimeve
I lodhur
i mbaruar
i mplakur
nata
bashkë me heshtjen
me ofronte ulërimën
e prokurorëvë të vdekur
armiq dhe shokë.
Dita
bashkë me punën
me ofronte armëpushim me kujtesën
por jo paqen.
Më së fundi ëndrra
ndjeu keqardhje.
E më ktheu sërish
te kazma ime
te lodhja e kallove
te e gjelbërta e pishave
te kaltërsia e qiellit
te flladi i plepave
te uji i freskët
që ma shuante etjen
me kripën e varfërisë
dhe u ndjeva
fëshfërimin
dashurore të fushës
Fryma ime
përhapte
aromën e tokës.
Kështu u ktheva
te jeta e pasvdekjes
së një besimtari.
O ç’fat i tmerrshëm!
Të mos e shohësh funeralin tënd!
Pse kishte aq shumë kurora?
Ishte i gjithë populli i urdhëruar?
Të gjithë bashkë qanin?
Po banda ç’bënte?
Si dukesh ajo ikja ime solemne?
Përgjigjmuni,
përgjigjmuni
për mëshirë s’paku!!
 
Për të dalluar shkallën e simbolizmit tingullor në këto poezi, (autori ka njohje të filologjisë dhe stilistikës), poezitë e tij, përshkohen tejpërtej nga metrika akustike, duke eptuar:
-kohën e gjuhës në varg,
-intervali kohor,
-sinjali ritmik, me një periodicitet të fortë, të ndjerë, sepse vargu është “një dhunë e organizuar” mbi gjuhën e përditshme, sepse “impulsi ritmik”, është në zhvillim dinamik. Vargjet: “isha i vogël/ i vogël/ një gërmues i tokës/ një analfabet/ e as fshatar tamam/ Më morën përdore/ e më mësuan abëcënë/ dhe pastaj më dhanë/ një libër i kuq/ më vendosën/ një mikrofon në gojë/ e më mësuan/ të ulëras,/ Dhe unë ulëriva/ fyeja/ dhe thurja hymne/ me urrejtjen e kazmës!” Poeti që në fillim na lidh me “deformimin” e natyrës njerëzore shndërrimin e tij, në një tjetër person, nga fshatar në udhëheqës, “në udhën e ndritur” ka harruar origjinën, pra kazmën dhe baltën, nga pikëpamja sociologjike, përbëhet nga një “një grup i gjerë metaforash”, duke lidhur “botën e jashtme të natyrës me botën e brendshme të njeriut”, sipas (Wellek Waren-it), figurat intensive të bëhen mjeshtërisht figura pamore, duke përfaqësuar përmasën e zvogëluar të dukurive jetësore. Tejtërsimi i njeriut nëpërmjet pushtetit, të “sundoj”/ e të jap urdhra/ të thoja psallme, si shpërfaqje e motiveve personale, në poezi nuk mungojnë edhe “përfytyrimet” vetanake të ardhura si pasojë e përvojave, dijeve dhe vëzhgimeve të grumbulluara, nga përvoja, të cilat u shpaluan mes një gjuhe specifike dhe aktivizimit të një grupi semash toponimike, që për (Agron Tufën), janë “interesi i veçantë për “dokumentin social”, se nga trumbetat demagogjike të propagandës zyrtare, se shpresa për të ardhmen nuk ka asnjë motiv, “dhe kështu kalova/ prej kasolles/ ndër pallate/ prej karrocës te limuzina/ dhe u rrita/ dhe u shtova/ nën ombrellën e partisë/ As shiu më preku/ po as breshëri/ bora s’guxonte/ kështu fillova…” duke ngjitur shkallët e pushtetit, njeriu kafshërohet dhe metamorfoza e tij e shpejtë nën efektin e pushtetit, vjen nëpërmjet vargut, “kafshërinë e tyre”, e ka të qartë poeti, që fshehurazi e shkruan poezinë në italisht. Tashmë, e gjithë shoqëria është indokrinuar nga propaganda, por rrëfimi dhe dimensioni i dyfishtë i konfliktit dhe veprimit, që sipas Frojdit është lufta mes “eros” dhe “tanatos” demonët që shoqërojnë njeriun gjatë jetës, sepse nën pushtetin e demonëve, njeriu ndiqet nga: dëshira, kundërshtia, veprimi, por poeti si një subjekt kundërshtues, e shkatërron këtë marrëdhënie, “dhe unë u prija atyre njerëzve/ nga kafazi i artë/ e armiqtë tashmë të shtypur/ madje edhe shokë e rrezikshëm i shfarosja/ me urrejtjen e kazmës!/ Isha njësh/ dhe i vetëm/ pronar i pushtetit”, kur pushteti nuk të “bindet” dhe fillon rënia, poeti në fundmbyllje me vargjet: “o ç’fat i tmerrshëm!// Të mos e shohësh funeralin tënd!/ Pse kishte aq shumë kurora?/ Ishte i gjithë populli i urdhëruar?/ Të gjithë bashkë qanin?/ Po banda ç’bënte?/ Si dukesh ajo ikja ime solemne?/ Përgjigjmuni, /përgjigjmuni/ për mëshirë s’paku”, metafora dhe simbolika e vdekjes së diktatorit është e frikshme, si ai është vetëshpallur Zoti Gjithëpushtetshëm i Përjetshëm, ndërtimi poetik me pyetje retorike, rrënon Kulti i tij të besimit në popull.
Në ndërtimin e kësaj poezie, poeti ka përdorur figurat: inversionin, përsëritjen, pyetjet retorike, aliteracionin, asonnacat etj:
-inversione: dhe pastaj më dhanë/ një libër i kuq/ më vendosën/ një mikrofon në gojë/ prej kasolles ndër pallate/ prej karrocës te limuzina/ dhe u rrita/ dhe u shtova/ nën ombrellën e partisë etj.
-enumeracione: kasolle/ pallate/ karrocë/ lumizina.
-përsëritje: ma kishin frikën/ më nderonin/ më admironin/ më mallkonin/ më thurnin
lavde/ Përgjigjmuni,/ përgjigjmuni.
-pytejte retorike: Pse kishte aq shumë kurora?/ Ishte i gjithë populli i urdhëruar?/ Të gjithë bashkë qanin?/ Po banda ç’bënte?/ Si dukesh ajo ikja ime solemne?
-aliteracione: te lodhja e kallove/ te kaltërsia e qiellit
-asonancat: prej shpifjeve dhe frikës
-konsonanca: përgjigjmuni/ përgjigjmuni!
Si një karakteristikë differentiae në letërsi, këto poezi kthehen në ars combinatoria, ku pluralizmi diskursiv ushqen lojën e pambarimtë me kaosin gjuhësor, si një prishje të distancës mes gjuhës “formale” e “informale”, në të vërtetë, është gjuha në vetvete, ajo që formëson realitetin, por “prodhon” dhe deformime jo vetëm konceptuale por edhe estetike, kur letërsia (ri)paraqet dhe (ri)përthyen realitetin, sipas (Paul de Man-it), “shkrimi postmodern merr hua nga pop-kultura, kultura masive” se (ri)krijimet (risitë) leksikore, përdoren për të përcjellë realitete te reja të paemërta. Koha e lidhur me hapësirën si dimensione relative, të pranishme në mjaft poezi, nxitën realitete poetike komplekse, kuptimesh e imazhesh, që funksionojnë nëpërmjet strukturave gjuhësore të veçanta, me shenjëzime e tipare themelore ekzistenciale, se Miti i së shkuarës, lidhet me Mitin e kohës, madje në mjaft raste, shkrihen brenda njëri-tjetrit. Mendja e njeriut ka historinë e saj dhe psikika e njeriut ruan gjëra të mbetura, por koha e psikikës së njeriut vendoset në të ashtuquajturën “e pavetëdijshme kolektive”, sipas (Karl Gustav Jung-ut), e cila në raport me individin mund të konsiderohet si kohë e përjetshme, por koha e poetit Robert Prifti mbeti e pafundme, universale për poezinë e panjohur të (pa)receptuar në kohë, ajo po çel sythet “në horizontin e pritjes”, që lexuesi shqip ta njohë këtë poet, që e “fshehu” metaforisht gjuhën amatare, nën peshtafin e shpirtit të tij rebel, për të mbetur totalisht i lirë gjer në vdekje.
Si përfundim: ardhja në kohë të vonë para lexuesit shqiptar, ky poet me dimension kaq befasues, është jo vetëm një risi por edhe një harresë e qëllimshme, ashtu si harresa e jetës fizike, prej gjysmë shekulli, duke dekoduar në mënyrë realiste, “moralin” e një shoqërie të radikalizuar në mënyrë uniforme, prej realizmit socialist në letërsi dhe art, dhe kush “kalon vijat e kuqe” u dënua, u pushkatua, u internua, kurse poeti Robert Prifti u vetizolua duke “vizatuar” besnikërisht njëmendësinë e kohës së çmendur komuniste. Kritika ka detyrë, t’i qaset asaj profesonalisht për të dhënë mesazhin e autorit, që ne shqiptarët shpejt e kemi harruar: kush harron të shkuarën, përsërit gabimet e saj.
Lexim të mbarë!
.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.