back to top
14.5 C
Tirana
E mërkurë, 18 Dhjetor, 2024

Përtej një Urimi për Pavarsinë e Kosovës nga Klodi Stralla & Edmon Hasani

Gazeta

Prishtine - 17 Shkurt 2016
Prishtine – 17 Shkurt 2016

Përtej një Urimi për Pavarsinë e Kosovës

nga Klodi Stralla

Në 8 vjetorin e pavaresisë së Kosovës

“Shqipëria u bë.
Tani lipset të bëhen shqiptarët”
Faik Konica.

Para 100 vitesh, kur Shqipëria u shpall shtet i pavarur, Faik Konica, një njohës i thellë i mentalitetit të shqiptarëve, shkroi frazën lapidare: “Shqipëria u bë. Tani lipset të bëhen shqiptarët!”
Nga ajo kohë kanë kaluar mbi 100 vjet për shtetin amë dhe 8 vite për shqiptarët e Kosovës, dhe me keqardhje konstatojmë që, ndonëse janë bërë përparime të pamohueshme, ende shqiptarët janë larg të sjellurit si qytetarë europianë dhe elitat politike të tyre janë larg ndërtimit të shtetit si strukturë regullatore dhe vizionare për shoqërinë, i njejtë për të gjithë dhe pronë e askujt!
Ne shqiptarët, në të dy anët e kufirit, përbetohemi për patriotizëm dhe këtë e shprehim në festime e tubime, shesheve dhe stadiumeve, me flamuj e pankarta, me eufori, me këngë e valle. Ky është patriotizëm folklorik, i denjë për shoqëritë fisnore. Por harrojme se ka edhe një patriotizëm të një natyre tjetër, patriotizmi racional. Ky patriotizëm, për individin, shprehet si sjellje e përgjegjëshme e tij ndaj vendit të vet, përfshirë edhe gadishmërinë për të sakrifikuar diçka nga vetja për atdheun. Ndërsa për Shtetin, bërja e ligjeve të mira apo reformave që trumbetohen aq shumë, nuk kanë vlerë nëse ato nuk shoqërohen me vënien e tyre në jetë, duke qenë dobiprurëse për të gjithë dhe jo vetëm për një grup social apo partiak, kur pushtetarët sillen si të përjetëshëm dhe opozitarët të dhunshëm e destruktivë (sa ngjason Kosova me Shqipërinë, ndonëse i pari ka vetëm 8 vite jetë të pavarur, ndërsa i dyti e ka kaluar një shekull!)
Vetëm në këto vitet e fundit disa qindra mijë vetë kanë braktisur Shqipërinë dhe Kosovën, kryesisht rini. Kjo për një komb është hemoragji dhe pasoja e saj është anemi dhe dobësi për kombin. Të gjithë bien në një mendje se shkaku më i thellë i këtij eksodi masiv është varfëria, papunësia, mungesa e shpresës, korrupsioni galopant, lulëzimi i krimit të organizuar, por veçanërisht formimi i një klase politike të korruptuar, shumë shpejt e tejpasuruar, që ve interesin vetiak mbi atë të vendit. Shtete të tillë kanë vetëm një emër – shtete të dështuara.
Sot Kosova ka 8 vite në pavarësi dhe këtë e kanë njohur mbi 100 shtete të Botës. Kjo nuk është pak, por është e pamjaftueshme. Suksesi i një shteti të ri nuk matet vetëm me numrin e njohjeve, as me numrin e shtetarëve të huaj që e vizitojnë atë vend, ai matet para së gjithash me kohezionin social, me konsesusin për çeshtje madhore të elitave të tij politike dhe veçanërisht me investimin që bën shoqëria në çdo aspekt të saj. Investim do të thotë punësim, punësim do të thotë pasurim, pasurim do të thotë forcim, të individit dhe shtetit dhe forcim i të dyve bashkë do të thotë pavarësim…
Sa më parë që shqiptarët e Kosovës, por edhe ata të Shqipërisë, ta kuptojnë dhe dëshirojnë këtë zinxhir “shkak -pasojë” aq më mirë do të jetë, ndryshe festa e pavarësisë do të shndërohet në festën e pavarësimit të pushtetarëve të rinj oligarkë nga populli i vet, sylesh dhe i nënshtruar.
Nga mot Gëzuar Pavarësinë e Kosovës!
Tiranë, 17 shkurt 2016

Festa e Pavarsise - Prishtine 2016
Festa e Pavarsise – Prishtine 2016

Kosova!

nga Edmond Hasani

Kosova larë në gjak historikisht nga sllavët, nga turqit dhe shqiptarët me yll në ballë e në zemër!
Kosova, garda kombëtare e Shqipërisë etnike!
Kosova e pavarësisë së 1912!
Kosova e tradhëtuar nga stalinistët shqiptarë, nga titistët shqiptarë, nga enveristët shqiptarë…!
Kosova që përshëndetej 8 vjet më parë natën e pavarësisë nga miku im nacionalist Hamit Xhaferri në çastet e fundit të jetës!
Kosova të cilës miqtë e mi muzikantë Përparim Tomçini dhe Mond Zhulali i kushtuan këngët më të bukura epike shqiptare!
Kosova e mikut tim juventin Arsen Rama! Kosova ku sa herë shkoj ndihem nacionalist më teper se ç’jam!
Kosova, gëzuar festën, Kosova!
17 shkurt 2016

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.