back to top
14.5 C
Tirana
E mërkurë, 18 Dhjetor, 2024

Pesë motrat e Osman Kazazit… Legjendë apo realitet?! – nga Pertefe Leka (1992)

Gazeta

Ibrahim Rugova dhe Osman Kazazi...
Ibrahim Rugova dhe Osman Kazazi…

Pesë motrat e Osman Kazazit…  Legjendë apo realitet?!

nga Pertefe Leka (1992)

Kur kujton vargjet e këngës së Gjergj Elez Alisë: “…Trim mbi trima ai Gjergj Elez Alija/ qe nandë vjet nantë varra n’shtat m’i ka/ Veç nji motër që i rrin te kryet…” tronditesh së thelli për sakrificën e madhe të motrës për vëllanë e vet dhe për flijimin e tyre në emër të nderit, të familjes dhe të atdheut. Nëntë vjet vuajtje në jetën një njeriu nuk janë pak ndaj dhe legjenda u ka rezistue kohërave, si për motivin që trajton, ashtu edhe në përcaktimin maksimal të qëndresës ndaj së Keqes që mund t’i bëjë ballë njeriu.
Por kaluan vite dhe shekuj nga mesjeta dhe askujt s’i shkonte ndërmend se shqiptari edhe në kohërat e reja do të bënte sakrifica edhe më të mëdha për ta ruajtur dinjitetin e vet!
Nuk na shkonte mendja se vashat shqiptare, edhe mbas shumë shekujsh, duhej t’ia kalonin në qëndresë edhe Motrës së Gjergj Elez Alisë…
E këto ishin vitet e inkuizicionit modern në Shqipëri, ku akuzoheshin pafund njerëzit e ndershëm e të ditur, për të mbrojtur hajdutët, injorantët dhe kriminelët. Këtij gjykimi të shëmtuar nuk i shpëtoi as heroi i ditëve tona Osman Kazazi, i cili kaloi një maratonë rraskapitëse burgjesh dhe internimesh drejt … po sëbashku me pesë motrat e tij. Këtë mbijetesë në sakrifica të motrave për vëllanë e tyre brezat duhet ta këndojnë e ta përcjellin si në legjendën e famëshme të Gjergj Elez Alisë…

Pesë Motrat e Osman Kazazit: Mahmudija, Lutfija, Xhevrija, Afërdita dhe Sabireja
Pesë Motrat e Osman Kazazit: Mahmudija, Lutfija, Xhevrija, Afërdita dhe Sabireja

I riu Osman Kazazi, ishte vëllai i vetëm i pesë motrave: Mahmudijes, Lutfijes, Xhevrijes, Afërditës dhe Sabiresë, e nisi rrugën e formimit të tij si patriot demokrat duke vazhduar traditën më të mirë familjare, si nëpërrmjet shkollimit të tij në Tiranë dhe në Shkodër, po edhe më vonë në Universitetin e Romës ku studioi në degën e farmacisë për t’i shëruar dhimbjet e popullit të vet. Po aty e fillon edhe aktivitetin e tij dhe është ndër të parët që e kupton rrezikun komunist që i kanosej rinisë shqiptare. Motrat edhe si vëlla të vetëm që e kishin e mbështetën plotësisht duke të ndiiu bërë krah në aktivitetin e tij dhe duke ia ruajtur fshehtësinë.
Ato ishin pesë motra burrënesha që s’iu ndanë vëllait të tyre, dhe nuk u ligështuan kurrë për të mbrojtur idealin e tij po edhe nderin e familjes. Edhe kur ua arrestojmë me tradhëti vëllanë e shtrenjtë, edhe kur e torturojnë për gjastë javë, apo kur japin dënimin me dëshmitarë të rremë, motrat qëndrojnë lart: sepse në vetvete ato e dinim se vëllai tyre po bëhej flì për Shqipërinë Etnike, ideal të cilin e mbajti gjallë për ta vazhduar qëndresën.

Osman Kazazi - dhe një prej akuzave të tij
Osman Kazazi – dhe një prej akuzave të tij

Motrat e ndoqën edhe burgjeve, jo thjesht për t’i dërguar ushqime apo edhe veshje, por për t’i dhënë zemër dhe forcë për të rezistuar!
Në legjendën e sipërpërmendur, motra kishte të drejtë t’i fshinte ballin vëllai, t’ia ndrronte plagët e t’ia hijeshonte trupin me tesha të reja, Kkurse Motrat e Osman Kazazi takoheshin me të mbas hekurave të ftohta të burgut, nën kërcënimin e kërbaçit dhe pa pasur as mundësinë për t’i dhënë atij as dorën…
Por ato, me guxim i futën në burg vëllai libra të filozofisë dhe ekonomisë perëndimore, e të mos e ndanin nga kultura botërore por t’ia ushqenin idealin për të cilin ai po flijohet.
Në internim, motrat i qëndruan afër dhe kurrë nuk ndaluan, por së bashku me të, kuronin bashkëvuajtësit e tyre atje ku ata ishin.
Ato i dhanë mundësinë vëllait dhe ia ruajtën konspiracionin për një relacion të hollësishëm rreth jetës së mjerueshme të të burgosurve po edhe të rezistencës së tyre të organizuar politike, ku mbas shumë peripecish shkrimi arriti në mërgim…

Osman Kazazi dhe Ambasadori Amerikan William Rajersona
Osman Kazazi & Ambasadori Amerikan William Rajerson

Kështu vëllai me motrat rropatet nga burgu në internim dhe internimet në burg, derisa një ditë mbas gjithë këtyre ngjarjeve të dhimbshme ai kthehet në shtëpi. Erdhi në atë shtëpi të thjeshtë ku rriti shtatin për 27 vite me radhë; erdhi aty ku mori edukatën e parë aty; ku u mblodh me shokët e idealit të vet për ta bërë Shqipërinë një e të pandarë dhe të lirë! I drobitur nga mendimet, me 42 plagë në trup, por i mbushur plot mendime; erdhi përsëri mes njerëzve të dashur mes motrave të tij dhe vëllezërve të idealit për t’iu kushtuar çështjes shqiptare.
Vetëm vitet kishin kaluar por në mendjen e heroit asgjë nuk kishte ndryshuar. Ai ka po ato pikëpamje që kishte pasur më parë, bile edhe më të konsoliduara.
E papritura më e madhe e shekullit, shembja e Murit të Berlinit i dha forcë të re e bëri t’i harrojë plagët e vuajtjeve të rënda. Kjo ditë e shumëpritur i gjeti Osman Kazazi në rreshtat e para të luftëtarëve të demokracisë… Megjithëse në moshën 70-vjeçare, ai merr pjesë në tribunat e mitingjeve, ku ndigjohen nga të gjithë fjalët e tij në emër të të persekutuarve politikë po edhe në emër të popullit të shumëvuajtur.
Ai gjen forcë për të formuar shoqatën më të madhe e më të fuqishme politike: Atë të Dënuarve dhe Persekutuarve Politikë, së cilës i vuri në shërbim jo vetëm shtëpinë e tij, por edhe gjithë familjen e tij.
Dhe përsëri do të ishin pesë motrat e tij, edhe pse të lodhura e të mplakura që janë sërish në dispozicion të vëllait të tyre. Ato nuk janë të punësuar si sekretare, në detyrat e reja të vëllait, por kryejnë punë të mëdha: presin e përcjellin pafund njerëz të përvuajtur e ndershëm që dëshmojnë të vërtetën në vuajtjet e përbashkëta!

Katër Motrat e Osman Kazazit: Mahmudija, Lutfija, Xhevrija dhe Sabireja në moshë të shtyrë
Katër Motrat e Osman Kazazit: Mahmudija, Lutfija, Xhevrija dhe Sabireja në moshë të shtyrë

Shtëpia e tyre të varfër është tashmë vatra më e gjallë e demokracisë. Ndaj meritojnë vlerësim të veçantë motrat e Osman Kazazit: Mahmudija, Lutfija, Xhevrija, Afërdita dhe Sabireja këto martire të demokracisë që s’u gëzuam një herë dhe s’u qeshi buzë kurrë.
Ato duhet të çmohen për vetëmohimin e tyre, sepse aktiviteti i tyre është bërë në heshtje, pa bujë, në mes të terrorit të egër dhe mes dhimbjesh të mëdha.
Ato me të vërtetë ia falën jetën vëllait të tyre, të gozhduar ndër prangat e robërisë komuniste, por sot që dolën errësira e gjatë, duhej të hidhej më shumë dritë mbi to, pse janë shembulli i gjallë i qëndrimit të grues shqiptare ndër shekuj…
Botuar te Gazeta Liria, e premte, 20 qershor 1992

Related Images:

More articles

2 KOMENTET

  1. Vrethee Lnika – Leka Ndoja
    Te shtëpia e Kazazëve, ishte pusi ma i madh i lagjes, me kapak metalik, i lyem me gëlqere dhe i mbyllë me çils. Ata të Frontit, e kishin caktu si pikë furnizimi me ujë në rast bombardimesh nga anmiqtë – aleatët!!! Patëm bo nji kronikë në tv në vitin ’97, kur ishin gjallë motrat – se i ishim komshi. E kujtojmë me Lir Krujën, Lalën që e kishin si yll drite motrat… dhe pamë vetëm në vitin 1990, te rruga e Kazazëve.
    U kujtoftë prore…

  2. Fatmira Allmuça
    Lala ishte mik i babës dhe vinte shpesh në shtëpinë tonë. Mbas daljes nga burgu dhe internimi… kjo miqësi ishte e përforcuar, pasi babai ishte shumë mik edhe me kunatin e tij, Qazimin, të shoqin e Dritës që ishte dhe motra e Lalës, e vetmja e martuar!! Qazimi, po ashtu si motrat ka shkuar rregullisht në burg dhe ka kontribuar shumë për Lalën.
    Në bisedat që bënim me Lalën, unë dhe im vëlla, sapo vinte ndonjë pjestar tjetër i familjes, Lala e kthente bisedën italisht. Pse e bën këtë, i thoja unë. Këtu je i sigurt… Qeshte Lala dhe na thoshte se i kishte mbetur “ves” nga koha e burgut…
    Njëhere e pyeta se si kishte mundësi që ishte dënuar aq shumë dhe pse?! “Shumë thjeshtë, – u përgjigj – kur donin të na ridënonin, na hipnin në makinat e burgut, gjoja transferim në një burg tjetër. Aty kishte edhe “minj birucash” që na provokonin. Edhe pse ne e kuptonin dhe nuk hynim fare në bisedë, në gjyq vinin këta “minj” dhe shpifnin që ne ishim të pakënaqur me pushtetin dhe… dënimi edhe me 10 vite shtesë… e kështu përsëritej historia, sa herë na afrohej data e lirimit… Po, ne e dinim kur ndodhte ndonjë gjë aty “lart” (në qeveri)… si është e mundur i thoja unë… Thjesht fare: na izolonin nëe qeli… Me tim vëlla bënin shetitje të gjata dhe shkëmbenin libra… Ishte i vetmi që e dinte që im vëlla do të ikte… Ishin vitet ’90! Ik nji sahat e ma par’ nga ky ven!!
    Njeri me zemër të madhe.
    “Ah maj Mira, – më thoshte mamaja. – ta kishe pa njoft kur asht ken i ri. Nji djal’ simpatik me kaçurrela e kishte m’aru shkollën e naltë për farmacist n’Itali. Qyre i tesh që i ka kalu të 70-at… e motrat sakrifikun tan’ jetën për të… Kan’ shku burg n’burg, n’shi e n’bor… e kan m’ajtë me dashtuni… I zhgatrrune kryminelat që mas e bashin pikën e hajrit…
    Ndjesë Jozef, që shkrova kaq gjatë, por me erdhi vetiut…Të qafoj…
    Jozefi: Pikërisht për këtë të falenderoj se po e bëj pjesë të shkrimit…

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.