back to top
9.5 C
Tirana
E premte, 15 Nëntor, 2024

Pesë Poezi nga Daniel Gazulli (1944-2012)

Gazeta

Daniel Gazulli (1944-2012)
Daniel Gazulli (1944-2012) 

Pesë Poezi

nga Daniel Gazulli (1940-2012)

Daniel Gazulli,
ishte rrënjë e thellë e trungut shqiptar
nga Familja e Gazullorëve të Mëdhenj.
Një njeri me fjalë të kursyera e i tërhequr në këndin e jetës së vet
sikurse të ishte një qenie njerëzore e “mohuar” nga të tjerët,
i cili në komunikim me publikun e përdorte një gjuhë të bukur, të thuash lapidare…
Ky Njeri i Madh i kulturës sonë,
shkrimet më të bukura dhe mendimet e pathëna deri tash
i publikoj kryesisht në Zemrën Shqiptare dhe Revistën Drini,
keto faqe elektronike që Danielin e kishin në krye të vendit,
fakt qe flet qartë se ai e ka pranuar nderimin tonë
duke na lënë borxh ta respektonim.
gjergj kabashi

Dimën ’67

Buzëmbramje.
Nata i kafshon dritë ditës.
Para Kishës
turma e ndërsyeme
godet rozetën e ylbertë të derës.
Dridhen shejtit.
Engjëjt dridhën.
Në dysheme
shandanë të tymosun
tej përplasun.
Dy engjëj krahëpremë
përdhe shembun.
Altari në flakë gazetash
hepohet, dridhet.
E unë që s’besoj,
unë që s’besoj
në heshtje qaj.
S’kisha qa qysh fëmijë.
1967

Daniel Gazulli i ri
Daniel Gazulli i ri

Puthmë dhe një herë

Ç’je tretë në mendime, e dashuna ime?
Gazin në cep të buzëve
çfarë ta miklon?
Merr një tulipan
dhe hidhe në ujëvarë,
të kthehen valët n’ ylber
e t’i japin dritë vështrimit tand.

Sonte i kuq perëndimi ish.
E zjarrtë nata do të jetë.
Kokën struk në gjoksin tim,
prehje të ambël do të gjesh.
Ç’je tretë në mendime, e mira ime?
Puthmë dhe një herë
në do të flesh.

Atdheu im

Si ai çinari i moçëm në krye të lagjes,
tashma thà edhe trungu,
me vetëm dy-tri filiza, që tregojnë
se rranjët thithin ende nga thellësitë –

Kush t’i preu degët?!
Kush ta zhvoshku lëkurën?!

Çinarin tim n’krye të lagjes,
që, kur i ngjiteshim në majë,
na dukej se me një të zgjatun të dorës do t’preknim yjet,
kush e shkretoi?

Nga zgavrrat e errta
dolën pushta-pushtetarë,
bankierë dhe avoketën,
tregtarë perëndishë,
mitngranës me dhambë të verdhë,
ndërsa në mes të kangës për Ty, Atdhe,
pllakosi heshtja,
si në mesditë, kur fshatari thyen misërniken me dorë,
ulun në mes të arës,
dhe kafshon me forcë turshitë e reja.

Qiell e dhé nën narkozë:
Ira facit versus,
që rrufetë të shkundin malet dhe detet
e val’ e lirisë
të përplaset fort përsëri
përmbi brigjet e së nesërmes.

Daniel Gazulli (1944-2012)
Daniel Gazulli (1944-2012)

Shterpësi

Shtëpia asht kaq e bukur.
Dyer e dritare përsosmënisht mbyllë,
– deri në ndryshkje -.
Oborri,
me një mur grih e të ftohtë
rrethue,
– pa hymje.

Si kjo shtëpi, kurrë e banueme,
si ky oborr, ku s’luejtën kurrë fëmijë,
ti,
mizorisht e ftohtë,
drejt fishkjes shkon
e mbas petaleve kurrë s’do të kesh frute.

Fillim Vjeshte

Rruga që ka mbetë shkurtohet përditë.
Rrugë e parrugë, pa një stacion ku të ndalesh.
Vështroj përreth:
gjithçka asht e begatë – në natyrën e sendeve
e të gjallesave të pafjalë,
që nuk dinë ç’asht smira, shpifja, krenaria fallso.

Ndalem e vështroj se si vesa
rrëshqet në zemër të lules
jo për ta freskue,
po prush jete me i dhanë.

Vjeshta shtegton me mue
në një heshtje reshë të bardha,
që kalërojnë gëzueshëm.

Me duket sikur ndjej ende në ajër
cicërimat e dallandysheve, që vallzonin të lehta,
në rrathë eliptikë,
deri pak kohë ma parë.

Po jo, janë akorde gjethesh,
që ndoshta për herë të fundit
puthen njeni me tjetrin, kur fryn era;
janë gjeth të verdhë, të murrmë,
si trishtimi i vajzës, që mbet moll’e pakafshueme.

Ec dhe kujtoj stinët e nxehta,
kur u iknim hijeve,
se donim të na përvëlonte dielli,
dhe shpërfillës ndaj një morali falls
e fshatarak,
si dhambët e verdhë prej porcelani
të drejtoreshës në pension
të Bankës Tregtare,
bashkë me trupin
i dhuronim njeni tjetrit qetësinë e shpirtit.

Fillim vjeshte.
Ernat fryejnë nga të katër horizontet.
Po unë s’kërkoj strehë:
të vazhdoj rrugëtimin due, pa u ndalë ma stacionesh,
e të ngjiz përsëri andërra të shkujdesuna,
si në mbramjen mbas dehjes.

Related Images:

More articles

1 Koment

  1. Daniel Gazulli, ishte rrënjë e thellë e trungut shqiptar nga familja e Gazullorëve të mëdhenj. Një njeri me fjalë të kursyera e i tërhequr në këndin e jetës së vet sikurse të ishte një qenie njerëzore e “mohuar” nga të tjerët, e i cili në komunikim me publikun e përdorte një gjuhë të bukur, të thuash lapidare… ky Njeri i madh i kulturës sonë, shkrimet më të bukura dhe mendimet e pathëna deri tash i publikoj kryesisht në Zemrën Shqiptare dhe Revistën Drini, keto faqe këto elektronike që Danielin tonë e kishin në krye të vendit, flet qartë se ai e ka pranuar nderimin tonë duke na lënë borxh që ta respektonim. (Gjergj Kabashi)

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.