back to top
6.5 C
Tirana
E mërkurë, 18 Dhjetor, 2024

Pa Jamarbër Markon! nga Hans-Joachim Lanksch

Gazeta

Poeti Jamarber Marko (1951 - 2010)
Poeti Jamarber Marko (1951 – 2010)

Pa Jamarbër Markon!

(19.3.1951 – 4.9.2010)

nga Hans-Joachim Lanksch

“Dielli lind, perëndon dhe vdes”

Jamarbër Marko u lind më 19 mars 1951, në Tiranë. Studion për gazetari dhe diplomohet më 1974. Djali i ri e kishte njëkohësisht fatin e bardhë dhe të zi që ishte i biri i shkrimtarit Petro Marko dhe e piktores Zafo Marko. Nga të prindërit e trashëgoi dellin artistik, dhuntinë letrare dhe zgjuarsinë intelektuale. Fati i tij, si djalë i shkrimtarit Petro Marko ishte fatzi meqë i ati u përndoq dhe u burgos nga regjimi. Të afërmit e një “Armiku të Partisë” dihet se i ishin të nënshtruar “syrit vigjilent të Nënës Parti” d.th. survejimit të Sigurimit. Kështu, me rastin e një kontrolli të shtëpisë më 1975, sigurimsat gjetën dy letra të Jamarbrit që konsideroheshin “armiqësore”. Një miku Jamarbri i kishte shkruar ndër të tjera për diellin që lind, perëndon dhe vdes. Kur e pyetën në hetuesi se çfarë mendonte të thotë me fjalën “vdes”, ai u përgjigj: “Me fjalën “vdes” unë desha t’i tregoja Maksit se edhe dielli që personifikon jetën ka një fund. Me këtë kam dashur të tregoja edhe gjendjen time shpirtërore që isha shumë i mërzitur” (cituar nga një shkrim i Elsa Demos ). Mirëpo, veglat e regjimit e interpretonin “diellin” si metaforë për Partinë, ku një shkrimtar i kohës, konstatoi në ekspertizën e tij se dy letrat “Janë rrëfime të lira të tij se si ka hyrë në rrugën e armiqësisë me Partinë dhe Pushtetin tonë popullor” (cituar gjithashtu nga shkrimi i Elsa Demos).

Prindët  e Jamarbërit Safo e Petro Marko
Prindët e Jamarbërit – Safo e Petro Marko

Në fund të vitit 1975, Jamarbër Marko dënohet me shtatë vjet heqje lirie. Më 1978, lirohet me kusht dhe kundrejt një sakrifice të madhe të nënës Safo. Partia ia “lejon” Jamarbrit të punojë hamall në Kinostudio “Shqipëria e Re”, ku ai ishte një “poet i mbështjellë nga një heshtje abisale” siç e quajti në një esé shkrimtarja Elvira Dones . Jashtë burgut, “në liri” Jamarbër Marko ka qenë i izoluar si të ketë pasur murtajën, gjë që mund të quhet dënimi i tij i dytë dhe i pashpallur. Elvira Dones që në po atë kohë punonte dhe ajo te “Shqipëria e Re” na e përshkruan izolimin e Jamarbrit: “Pse e kishin dënuar? – pata pyetur shpesh me kureshtjen e pacipë të një njëzetekatërvjeçareje, ç’paska bërë kaq të rëndë? Askush nuk më dha përgjigje. Ndërdyshazi, mes dëshirës për ta gjykuar ashpër dhe tmerrit që t’i përmendnin edhe emrin, zgjidhnin një rrugë të tretë, “miqësore”, më këshillonin të mos merresha me të, pse kruhesha kot?! – tani ishte veç një punëtor ngarkim-shkarkimi e aq, atë që kish bërë e dinte Partia, e cila zemërgjerë si ngaherë, po i jepte një dorë të rihabilitohej. Mos i prish punë vetes për “Mustaqet e Çelos!”. Kështu, mos i fol që të jesh në rregull. Dhe njerëzit nuk i flisnin. E ai, një djalë i hijshëm me pamjen prej eremiti, ngarkonte e shkarkonte dekore, tulla, thasë gjithëfarësh, rrethuar nga punëtorët e tjerë gjysmëanalfabetë stomakgroshë.”
Më 1991 Jamarbër Marko mbet invalid nga një aksident i rëndë, ku nuk mund ta përdorë dorën dhe as për të shkruar. Pas traumës së parë, burgimit, atij të dytë, izolimit në shoqëri, djali i Marko Petros pëson dhe traumën e tretë, gjendjen e invaliditetit. Jamarbër Marko hiqte të zitë e ullirit të një jete të izoluar, i harruar nga shteti postkomunist, nga juritë e Çmimeve letrare, nga kritikët letrarë, shtëpitë botuese, profesorët e letërsisë etj., deri më 4 shtator 2010, ku ndërroi jetë në varfëri të thellë.

Jamarbër Marko
Jamarbër Marko

Në një intervistë për gazetën “Shekulli” të datës 19 dhjetor 2012 “Të gjithë kemi bërë kompromise për të botuar”, shkrimtari Bardhyl Londo tha për letërsinë e periudhës së diktaturës: “Nuk besoj se ka shkrimtarë që nuk kanë bërë kompromise. Të gjithë e kanë bërë këtë.” Kjo thënie qëndron vetëm për të gjithë ata që kanë bërë kompromise dhe i hesht ata që nuk kanë bërë kompromise politike dhe estetike si, fjala vjen, poetët Zef Zorba, Martin Camaj, Mihal Hanxhari, Primo Shllaku, Visar Zhiti, Vilson Blloshmi, etj. Radhës së shkrimtarëve që nuk kanë bërë kompromise i përket dhe Jamarbër Marko. Jamarbri zu të shkruajë poezi qysh në moshën 17-vjeçe. Nuk shkruante poezi për t’i botuar ato, apo për të dalë në revista, për të korrë dekorata, Çmimin e Republikës apo Çmime të tjera që shkrimtarët e asaj periudhe sot i fshehin dhe i heshtin në biografitë e tyre. Ai shkruante për veten. Fshehtazi. Poezitë e tij, për fat të mirë, nuk i gjeti syri vigjilent i Partisë meqë Jamarbri i fshihte jashtë familjes.
Shumicën dërrmuese të poezive Jamarbri i shkruante para burgosjes. Ai ishte një djalë i ndjeshëm plot rebelim kundër jetës dhe shoqërisë në sistemin totalitar. Ai vuante nga kjo jetë dhe shoqëri dhe derdhte gjithë vuajtjen, gjithë rebelimin në vargjet që i fshihte para organeve të shtetit totalitar. Vjershat e Jamarbër Markos i zbuloi një bashkëmoshatar i tij, intelektuali disident Fatos Lubonja, dhe botoi një pjesë të tyre më 1995, në librin “Rastësisht me dashje”. Më 2001 e pa dritën e botimit dhe një përzgjedhje tjetër nga trashëgimia letrare e Jamarbër Markos, “Pro nobis”.

Rastësisht me dashje - Jamarbër Marko
Rastësisht me dashje – Jamarbër Marko

Botime të tjera, deri më tash, nuk ka pasur edhe pse poeti na ka lënë një trashëgimi më të gjërë letrare. Poezitë e Jamarbrit hasën në adhurim te një rreth i vogël njohësish të letërsisë në Shqipëri, ndërsa jashtë Shqipërisë mbetën pothuaj të panjohura. Poezitë e tij i përkasin letërsisë klandestine dhe alternative të kohës së socrealizmit dhe mungojnë ende në antologjitë e poezisë shqipe, përfshir këtu dhe antologjinë tash për tash më përfshirëse, “Antologjia e poezisë shqipe bashkëkohore” . Poezitë e Jamarbër Markos shquhen nga tipare që ishin tabu për “estetikën marksiste” të Nënës Parti: ato janë personale, individuale dhe origjinale, jashtë çdo kallëpi. Ndryshe nga llafazanllëku i shumë teksteve të bashkëkohësve, poezitë e poetit tonë janë lakonike. Para së gjithash, poezitë e Jamarbër Markos janë pa patetikë kombëtare dhe çdo lloj tjetër të patetikës. Poezitë e tij – kristale të lëmuara mprehtë – janë një kulm i vyer i poezisë shqipe dhe meritojnë të zbulohen nga studiuesit e letërsisë e të shijohen nga dashamirësit e poezisë.

Pro Nobis - Jamarbër Marko
Pro Nobis – Jamarbër Marko

Fituam luftën, ëndrrën, të bukurën.
Fjetëm të lumtur
E u zgjuam të habitur
Nga kërcitjet e krimbave
Në themelet madhështore.

Wir gewannen den Krieg, den Traum, das Schöne.
Wir schliefen glücklich
Erwachten erstaunt
Über das Krachen der Würmer
In prunkenden Fundamenten.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.